Dhimitër Pasko (rumanisht: Dimitrie Pascu; Pogradec, 13 shtator 1907 ─ Tiranë, 4 maj 1967) ka qenë ekonomist, ekspert ekonomie dhe njeri i letrave.
Me emrin e pendës Mitrush Kuteli në letërsinë shqipe është i njohur si përkthyes, kritik letrar dhe për prozën e shkurtër, për të cilën - së bashku me Ernest Koliqin - cilësohet themelues i prozës moderne shqipe.
Mitrush Kuteli | |
---|---|
U lind më | 13 shtator 1907 Pogradec, Perandoria Osmane |
Vdiq më | 4 maj 1967 Tiranë, Republika Popullore e Shqipërisë |
Occupation | Ekonomist, përkthyes, shkrimtar |
Kombësia | Shqiptar |
Edukimi | Akademia e Shkencave të Larta Ekonomike, Bukuresht |
Gjinitë letrare | poet, prozator, eseist |
Punët e shquara |
|
Vite aktiv | 1919-1965 |
Bashkëshortja/et | Efterpi Pasko née Skendi |
Fëmijët | Doruntina, Pandeli, Atalanta |
Firma |
Qëndrimet e Paskos mbi ekonominë shqiptare nuk u aplikuan në asnjërën nga periudhat për të cilat shkroi apo punoi, qoftë në periudhën e mesluftërave, gjatë kohës kur punoi në Bankën Shqiptare duke mbrojtur kapitalin shqiptar kundrejt kërkesave të pushtimit gjerman, po ashtu edhe në fillimet e regjimit komunist, i cili edhe e burgosi. Veprimtaria e tij pas burgut u "tkurr" tek profesioni i përkthyesit dhe pak letërsie për fëmijë.
Paraardhësit e Paskos, vllehë rrjedhin nga Arta e Çamërisë, shpërngulur për shkak të mizorive të Ali pashë Tepelenës, u vendosën në Mokër e pastaj në Pogradec. Mbiemri Pasko ngelet prej emrit të gjyshit, Pasko Kutelit, mbiemër të cilin e mbajti degëzimi i familjes që qëndroi në Pogradec. Një degëzim tjetër që shkoi në Durrës mban mbiemrin Ikonomi.
Dhimitri u lind më 13 shtator 1907, djali i vetëm i Pandit dhe Poles, mes motrave Agllaia e Liria. I ati ishte rrobaqepës, që kish jetuar në Rumani për 24 vite, duke punuar si murator e bojaxhi. Kishte miqësi me veprimtarët e Rilindjes Kombëtare si Dervish Hima, Mihal Grameno, Menduh bej Zavalani, Telemak Gërmenji, etj. Pas shpalljes së Hyrrijetit më 1908, hapi të parën librari shqipe në Pogradec, gjë për të cilën u përndoq më pas nga autoritetet e regjimit xhonturk.
Shkollën fillore e kreu në Pogradec më 1919, pas dy viteve shkoi në Selanik me anë të një burse për shkollën tregtare rumune. Organizoi shoqërinë e nxënësve shqiptarë të Selanikut të quajtur "Kostandin Kristoforidhi". Më 1928 shkoi në Bukuresht ku vijoi studimet në Akademinë e Shkencave të Larta Ekonomike, duke punuar njëherësh edhe si llogaritar. Ndiqte kurse letërsie, kritike, folklori në fakultetet e tjera dhe dinte shkrim e lexim në greqisht e latinisht, frëngjisht, rumanisht dhe italisht. Qe sekretar dhe më 1931-'34 kryetar i shoqërisë së studentëve shqiptarë të Rumanisë, ndërkohë më 1928-'33 drejtoi gazetën Shqipëria e Re që botohej në Konstancë, ku çeli rubrikën Shënime Letrare. Më 1931 u diplomua dhe në shkurt të 1934 mori doktoratën në shkencat bankare e monetare me vlerësimin "Diplomam Magnam cum Laudæ". Një nga shokët e tij të shkollës, Ionel Zeana, ka shkruajtur pas më se gjashtëdhjetë vjetësh:
Në vitet 1934-1942 nisi punë si nëpunës i lartë në Ministrinë e Financave të Rumanisë, më tej u bë drejtor i Bankës Kombëtare të Bukureshtit dhe i Bankës së Çërnëucit. Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, Kuteli rrëfen kështu mbi presionet që i vinin:
Kuteli vazhdoi të përkrahë ekonominë vendase, derisa e mobilizuan në janar të 1942 dhe e nisën në front, drejt Stalingradit. Megjithatë, veshur me uniformë, në qendrimet mes marshimeve mblidhte këngë popullore moldave, mbante shënime, njihej me njerëz të thjeshtë, me letërsinë ukrainase, thellonte njohuritë e gjuhës ruse. Rrugës i mbërriti një telegram që e njoftonte për të ëmën që e kishte sëmurë, miqtë në Bukuresht i siguruan lejen dhe e përfshinë në një dërgatë ekonomistësh që nisej me shërbim pune në Romë. Mundi t'arrijë në Pogradec në shtator 1942; e ëma i kish ndërruar jetë më 28 gusht.
Punoi për pesë muaj nga tetori 1942 pranë shoqërisë SASTEB dhe pas kapitullimit të Italisë në Bankën Kombëtare të Shqipërisë, këshilltar në fushën e monedhës me përgjegjësitë e drejtorit shqiptar krahas atij italian. Pati kontradikta me gjermanët sepse nuk ishte dakord me emetimin e monedhës së re, për të financuar ushtrinë e tyre në Shqipëri. Për këtë rrezikonte përndjekjen nga Gestapo, pasi i kishin thënë miqtë që i kishin hapur dosje të zezë në Vjenë. Më 15 shkurt 1944, së bashku me Vedat Kokonën, Nexhat Hakiun dhe Sterjo Spassen themeloi organin e përmuajshëm Revista letrare. Në tetor 1944 kalon në zonat e pakontrolluara nga gjermanët. Tri javë pas kalimit në zonën partizane qëndronte në Priskë. E thërrasin në Berat, ku shkon më 8 nëntor dhe bëhet nëpunësi i tretë në Min. e Financave të Qeverisë Demokratike, pas ministrit Ramadan Çitaku dhe sekretarit të përgjithshëm Qirjako Harito, si këshilltar.
Qe ndër anëtarët themelues të Lidhjes së Shkrimtarëve, anëtar i këshillit të parë të saj dhe i komitetit drejtues të revistës Bota e Re. Njëherësh në ekonomi, pas themelimit të bankës, emërohet anëtar i këshillit të parë dhe drejtor i drejtorisë qendrore. Ideoi e zbatoi disa nga operacionet më të rëndësishme financiare të pasluftës, si vulosja e monedhës, emetimi i çeqeve monedhë për plotësimin e nevojave të para financiare etj. Pasko dha dorëheqjen në gusht të vitit 1946, pasi nuk pranoi kursin e këmbimit të caktuar nga shteti shqiptar mes lekut dhe dinarit jugosllav.
Kur u hap Instituti i Folklorit, iu kërkua nga drejtori Shuteriqi material për lëndën e folklorit dhe ishin në fjalë për ta caktuar pedagog. Por mobilizimin e detyruar në Rumani nisën t'ia përflitnin si rreshtim me forcat gjermane kundër Bashkimit Sovjetik, sikur qe pjesë e Rojës së Hekurt.
Më 16 maj 1947 e arrestuan dhe e dënuan si “Armik i Popullit”, për "agjitacion e propagandë" me 5 vite heqje lirie, hetuesinë ia bëri kap. Beqir Ndou. Pasi kaloi dënimin në kampin e Vloçishtit në Maliq, u lirua nga burgu në maj 1949 me falje. Pas daljes nga burgu familjes Pasko iu kanos internimi në Kavajë. Dokumentet u damkosën me vulën "Armik i Popullit". Ai bëri lutje në Ministrinë e Brendshme dhe në kryeministri por nuk mori përgjigje. Pastaj iu drejtua Fadil Paçramit i cili zgjidhi problemin, që të nesërmen ua zëvendësuan dokumentet e damkosura me dokumente të reja. Pastaj i dhanë punë si përkthyes te "Zëri i Popullit", fillimisht te Mesagjeria te "Burgu i Armiqve të Popullit, Punëtoria Qendrore e Artizanatit e Ministrisë së Punëve të Brendshme" në Tiranë deri më 1953. U transferua në shtëpinë botuese "Naim Frashëri" deri më 1967 - ku nga fundi i jetës me shkëputje - dhe iu rikthye për njëfarë kohe e drejta e botimit nga vera e vitit 1966 dhe iu ridha anëtarësia në Lidhjen e Shkrimtarëve me përkrahjen e Drago Siliqit.
Ndërroi jetë më 4 maj 1967 nga problemet me zemër pa perfunduar dot romanin ilir. Bashkëshortja e tij Efterpi Pasko ndërroi jetë në mars 2019. Pjesëmarrja e tij në rrugëtimin drejt Stalingradit u përfol edhe pas vdekjes së Paskos.
Pjesëmarrja e tij në rrugëtimin drejt Stalingradit iu riciklua vite pas vdekjes edhe nga shkrimtari Ismail Kadare më 1989 tek parathënia "Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe" e veprës Novelave të qytetit të veriut. Bijtë e Kutelit e ballafaquan me faktet Kadarenë, por megjithatë shkrimtari e përsëriti sërish riciklimin e të dhënës së gabuar më 2014 tek Mëngjeset në Kafe Rostand, dhe më 2021 te Kohë për rrëfim.
Kuteli së bashku me Koliqin mbahen si bashkëthemeluesit e prozës moderne shqiptare dhe ndër nismëtarët e kritikës letrare me rubrikën sistematike Shënime letrare. Madje është autori i parë shqiptar që botoi libra kritike. Nga tekstet autobiografike që ka lënë, lë të kuptojë që tekstet më themelore prozë, poezi e kritikë i ka bërë para se të binte në burg duke nisur nga vitet 1927-'28 dhe duke u përmbyllur më 1947. Veprimtaria letrare e pasburgut mund të përmblidhet në lëminë e përkthimit letrar.
Me rastin e 100 vjetorit të lindjes së tij, viti 2007 u shpall "Viti i Mitrush Kutelit" nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango.
Më 1919 botoi vjershat e tij të para "Mëmës Shqipëri" dhe "Skënderbeu" - në kalendarin "Pogradeci". Nga viti 1924 kish filluar të botonte në shtypin shqiptar "të jashtëm", tek "Shqipëria e Re" dhe "Kosova" që dilnin në Kostancë të Rumanisë.
Më 1938 botoi librin Netë shqiptare me rrëfimet e veta të botuara një dhjetëvjeçar më parë te Shqipëri' e Re,. Pasi u kthye në Shqipëri, më 1943 boton Ago Jakupi e të tjera rrëfime (novela impresioniste) dhe librin me poema Sulm e lotë. Një vit më vonë, më 1944 boton vëllimin me tregime Kapllan Aga i Shaban Shpatës, pamfletet satirike-politike Havadan në havadan dhe përmbledhjen me këngët e Pogradecit Këngë e Brithma nga Qyteti i Djegur.
Më 1946 jep për shtyp librin Dashuria e barbarit Artan, që nuk del i plotë. Madje humben disa dorëshkrime të rëndësishme; pas arrestimit më 1947, i pati humbur romani shkruar për kampin nazist të Prishtinës Njerëz dhe ujq dhe 30 dorëshkrime të rilindasve që i ishin besuar nga Ilo Mitkë Qafëzëzi, iu konfiskuan nga Sigurimi. Tre muaj para se të arrestohej e burgosej, përfundoi veprën që më pas do të titullohej E madhe është gjëma e mëkatit. Vitet e para të regjimit komunist i humbën novelat Dashuria e barbarit Artan për të bukurën Galatea, gjysma e dytë e novelës Zbulesa e dytë e Pjetër Kulirës nga Liqerasi, drama Ura me motive të legjendës së murimit dhe librat Rrëfimet me të gjallë e me të vdekur dhe Shënimet ekonomike.
Për t'iu kthyer e drejta e botimit iu përkushtua letërsisë për fëmijë, dhe iu botuan Pylli i Gështenjave (1958), Xinxifillua (1962) dhe ritregimin e Ciklit të kreshnikëve tek Tregime të moçme shqiptare (1965). Pas vdekjes iu botua Baltë nga kjo tokë (1973), Në një cep të Ilirisë së Poshtme (1983), poema Rrjedhin lumenjtë, E madhe është gjëma e mëkatit (1993), Ditari i ekonomistit (2013), Netë moldave (2015),Hekuri dhe Çeliku etj. Poema për fëmijë "Pylli i Gështenjave" përmban vargje për Partinë e Punës të Shqipërisë, të cilat sipas mikut të tij Petraqit i shërbenin një qëllimi "pragmatist".
Lidhur me jetën e me veprën e tij ka lënë dy tekste autobiografike: Kujtesa dhe Testamenti (1965), ky i fundit i botuar te e përkohshmja Hylli i Dritës më 1994.
Pati lënë një vëllim me afro 200 këngë popullore moldavishte (që kish mbledhur rrugës për në Stalingrad) për botim në Bukuresht shtatorin e 1942, mbante titullin Cantece Din Moldova Mica që përfshinte mjaft elemente inedite të folkloristikës rumune.
Ndër kritikët më të rëndësishëm të viteve '40, Kuteli është autori i parë shqiptar që botoi vëllime me kritikë letrare, përkatësisht Lasgush Poradeci (1937) dhe Shënime letrare (1944); ku radhit trajtat e ndryshme të lëvrimit të kritikës nga ana e tij: shënime, recensioni, studimi e esetë. Që në rubrikën Shënime letrare që botonte te Shqipëri' e Re në Kostancë shkruajti për Çajupin, Asdrenin, Shirokën, Asllanin e Migjenin. Kritika e tij për letërsinë e huaj nis që me përkthimin dhe interpretimin e poetit të njohur rumun Mihai Eminescu; risi në vëllimin Shënime letrare përbën kronika analitike Vitit letrar 1943, ku analizohen të gjitha shfaqjet letrare në Shqipëri brenda një viti. Gjithashtu, në të njëjtin vëllim, është i pari që i prezanton shqiptarëve poetin ukrainas Taras Shevchenko.
Kuteli la një sërë shkrimesh që i kushtoheshin ekonomisë, monedhës, çështjes agrare dhe problemeve ekonomike shqiptare. Studjoi ngjarjet e së kaluarës në fushën e financave dhe kritikoi Bankën Kombëtare të Shqipërisë, duke faktuar spekullimet e saj në dëm të ekonomisë së vendit. Ndër këto shkrime Kuteli përmend më pas "Kriza e koronës dhe Banka Kombëtare", që u botua si kryeartikull më 1928 në gazetën "Telegraf". Në fushën ekonomike - shkruan rreth monedhës dhe kreditit, për problemet ekonomike dhe abuzimet administrative si dhe kundër disa koncensioneve që i ishin dhënë kapitalit italian - Bankës Kombëtare të Shqipërisë dhe Shoqërisë AGIP për të shfrytëzuar tokat vajgurore shqiptare dhe për të mbajtur monopolin e karburanteve në vend.
Disa leksione të tij mbi ekonominë u botuan në vëllimin Ditari i ekonomistit. Vepra tjetër Shënime Ekonomike u dogj dhe gjenden vetëm pak kopje në Bibliotekën Kombëtare.
Lëminë e përkthimeve e nisi që me poetin rumun Eminescu gjatë kohës që ka qenë në Rumani, duke botuar librin me 24 poezi të përkthyera në shqip të poetit rumun. U mor me përkthime edhe në burg, më pas kur përkthente me normë, nga rusishtja përktheu autorë sovjetikë të pranuar nga Zhdanovizmi (të rekomanduar nga këshilltarët kulturorë e politikë sovjetikë) si dhe klasikë rusë (Turgenjev, Gogol, Shçedrin, etj), nga rumanishtja kater a pesë, përktheu disa vëllime të përrallave turke, kineze, persiane (vëllimi Haxhi Agaj), mongole, arabe e polake. Mblodhi e përktheu këngët popullore të popujve të ndryshëm, si dhe përktheu Elyar dhe Nerudën. I cilësuar "i padëshirueshëm", përkthimet botoheshin pa emrin e tij.
Pas vdekjes, më 2015 u nderua me dekoratë për përkthimin e klasikëve rusë nga Ambasada Ruse në Tiranë.
Në publicistikën e tij përdorte pseudonimin Janus, perëndia dyfytyrëshe romake. Te libri Sulm e lotë vërehet se libri nënshkruhet me tre emra: Izedin Jashar Kutrulija, Mitrush Kuteli e Dr. Pas, që të tre pseudonime të Paskos. Izedini shenjohet si autori i Poemit kosovar, Mitrushi si autor i Poemit të Shëndaumit dhe Dr. Pas si shkrues parathënies Një fjalë mbi dy shokë e mbi vepërzën e tyre. Ky rast, siç e trajton në parathënie, synonte drejt një dialogu mes vetjeve të tij ku Dr. Pas ishte ana racionale e Izedini me Mitrushin nga ana emocionale.
This article uses material from the Wikipedia Shqip article Mitrush Kuteli, which is released under the Creative Commons Attribution-ShareAlike 3.0 license ("CC BY-SA 3.0"); additional terms may apply (view authors). Përmbajtja është në disponim nëpërmjet licencës CC BY-SA 4.0 nëse nuk shënohet ndryshe. Images, videos and audio are available under their respective licenses.
®Wikipedia is a registered trademark of the Wiki Foundation, Inc. Wiki Shqip (DUHOCTRUNGQUOC.VN) is an independent company and has no affiliation with Wiki Foundation.