Baroni Franc Nopça (njohur gjithashtu si Baron Nopcsa von Felső-Szilvás, Baron Nopcsa, Ferenc Nopcsa, báró felsőszilvási Nopcsa Ferenc, Baron Franz Nopcsa, and Franz Baron Nopcsa; 3 maj 1877 - 25 prill 1933) ka qenë një aristokrat, aventurier, studjues, gjeolog, palenteolog dhe albanolog me prejardhje hungareze.
Mbahet gjerësisht si themeluesi i paleobiologjisë dhe studimeve shqiptare, gjithashtu dhe përfunduesi i hartës së Shqipërisë Veriore.
U lind më 3 maj 1877 në Transilvani, në kohën e Perandorisë Austro-Hungareze, në gjirin e familjes aristokrate Nopça me prejardhje rumune të hungarizuar.
Me rekomandimin e ungjit dhe kumbarit të tij, Franc von Nopça, kryemjeshtër i oborrit të Mbretëreshës Elisabeta të Austrisë, Nopça ka mbaruar maturën në liceun vjenez Maria-Theresianum. Ngjarja vendimtare nga rinia e tij ndodhi në vitin 1895 gjatë një ekskursioni në Sentpeterfalva (Szentpéterfalva). Aty ai dhe motra e tij zbuluan mbeturinat e kockave fosile të një dinosauri, të cilat ai ia dërgoi Profesorit Eduard Sys (Edward Suess), një gjeologu and paleontologu vjenez. Nga viti i maturës, 1897, deri në vitin 1903, Nopça studioi pranë Sys-it në Universitetin e Vjenës, i cili në atë kohë u shqua për studimet paleontologjike.
Jeta studimore
Sipas Robert Elsie-t, Nopça shumë shpejt u bë vetë një studiues me nam në fushën e paleontologjisë. Më datën 21 qershor 1899, që në moshën njëzetedy, ai mbajti ligjeratën e parë pranë Akademisë së Shkencave në Vjenë me titullin Dinosaurierreste in Siebenbürgen (Mbeturina të dinosaurve në Transylvani), e cila kishte një jehonë të madhe. Nopça shquhet si themeluesi i paleofiziologjisë, para se gjithash me studimet e tij të njohur edhe jashtë Austrisë për zvarraniq fosilikë. Veçanërisht e njohura ishin hipotezat të tij per ‘running proavis’, për gjakngrohtësinë e pterosaurëve dhe për rëndësinë e disa proceseve endokrine të cilat, sipas tij, kishin një ndikim të veçantë mbi evolucionin dhe mbi vdekjen e dinosaurve. Nuk u pranuan të gjitha teoritë e tij pa kundërshtim, por ato frymëzuan shumë diskutimin në fushën e paleontologjisë. Po kaq i rëndësishëm ishte ndihmesa e Nopçës në fushën e gjeologjisë, për shembull mbi strukturat tektonike të malësive të Ballkanit perëndimor, ku ai mbrojti disa teori guximtare.
Në vitet e mëvonshme Nopça u bë i njohur gjithashtu si një ndër albanologët kryesorë të kohës së tij. Botimet e tij albanologjike nga vitet 1907 deri në 1932 u përqëndruan kryesisht në fushat e mëposhtme: parahistoria dhe historia e lashtë, etnologjia, gjeografia, historia e re dhe e drejta zakonore shqiptare, d.m.th. kanuni. Librat e tij të hershme si Das katholische Nordalbanien (Shqipëria e Veriut katolike, Budapesht 1907), Aus Šala und Klementi (Nga Shala dhe Kelmendi, Sarajevë 1910) und Haus und Hausrat im katholischen Nordalbanien (Shtëpi dhe orendi në Shqipërinë e Veriut katolike, Sarajevë 1912) si dhe Beiträge zur Vorgeschichte und Ethnologie Nordalbaniens (Ndihmesa për parahistorinë dhe etnologjinë e Shqipërisë së Veriut, Sarajevë 1912) përmbajnë vëzhgime të shumta, me gjithë se materiali nuk eshtë i sistematizuar mirë. Më vonë, kur nuk udhëtoi më në Ballkan dhe kur kishte qetësi më shumë, u botuan vepra më monumentale shkencore. Më të njohura ndër të janë: Bauten, Trachten und Geräte Nordalbaniens (Ndërtime, veshje dhe vegla të Shqipërisë së Veriut, Berlin & Laipcig 1925) dhe para se gjithash, monografia themelore prej 620-faqesh Geologie und Geographie Nordalbaniens (Gjeologjia dhe Gjeografia e Shqipërisë së Veriut, Öhrlingen 1932), e cila shquhet si kryevepra e botimeve albanologjike që dolën gjatë jetës së tij.
Vepra
Lista e botimeve të Nopçës përmban më shumë se 186 tituj, kryesisht nga fushat e paleontologjisë, të gjeologjisë dhe të albanologjisë. 54 botime janë për Shqipërinë. Me vdekjen e parakohshme të Nopçës, shumë vepra të rëndësishme të tij ngelën të pabotuara. Trashëgimia shkencore nga fusha e paleontologjisë iu dhurua Muzeut Britanik në Londër, kurse pjesa albanologjike iu dha kolegut e tij, albanologut të njohur Profesor Norbert Jokl (1877-1942) në Vjenë. Në një letër me datën 24 prill 1933, d.m.th. në ditën e vdekjes, Nopça ia dha Norbert Jokl-it një listë dorëshkrimesh me kërkesë që ky i fundit të marrë kontakt me Paul Graf Teleki në Budapest për të gjetur fonde për botimin e veprave të mbetura. Por fonde nuk u gjetën dhe, pikërisht për këtë arsye, këto veprat e rëndësishme ngelën të pabotuara. Që prej vrasjes së Joklit në maj 1942, trashëgimia albanologjike e Nopçës ruhet në Kolekcionin e Dorëshkrimeve të Bibliotekës Kombëtare të Austrisë në Vjenë.
Nga trashëgimia e Nopçës duhet të përmenden në veçanti pesë dorëshkrime:
1. Albanien: die Bergstämme Nordalbaniens und ihr Gewohnheitsrecht (Shqipëria, fiset e malësisë ë Veriut dhe e drejta e tyre zakonore), Ser. nov. 9392, një vepër prej 510 faqesh, një pjesë e madhe e së cilës u botua koha e fundit nga Fatos Baxhaku dhe Karl Kaser në librin: Die Stammesgesellschaften Nordalbaniens, Berichte und Forschungen österreichischer Konsuln und Gelehrter, 1861-1917 (Shoqëria fisnore e Shqipërisë së Veriut, raporte dhe puna shkencore e konsujve dhe të shkencëtarëve austriakë, 1861-1917, Vjenë-Këln-Vajmar 1996);
2. Religiöse Anschauungen, Sitten und Gebräuche (Besimi, doke dhe zakone), Ser. nov. 9393, një vepër prej 242 faqesh për etnologjine shqiptare, nga e cila i mungojnë 58 faqet e para;
3. Gedichte des Colez Marku, 1895-1932 (Poezia e Kolez Markut, 1895-1932), Ser. nov. 11912, një përmbledhje poetike gjermanisht në 110 faqe me 160 poezi jo shumë të mira;
4. Dialektstudie, Fragment (Fragmenti i një studimi dialektologjik), Ser. nov. 11918, shënime për dialektin geg veriperëndimor në veri të Shkodrës në 36 faqe të formateve të ndryshme; dhe kryesorja:
5. Kujtimet e Franc Nopçës me titullin Reisen in den Balkan (Udhëtime në Ballkan), Ser. nov. 9368, të cilat kam ndërmend të botoj së shpejti.
This article uses material from the Wikipedia Shqip article Franc Nopça, which is released under the Creative Commons Attribution-ShareAlike 3.0 license ("CC BY-SA 3.0"); additional terms may apply (view authors). Përmbajtja është në disponim nëpërmjet licencës CC BY-SA 4.0 nëse nuk shënohet ndryshe. Images, videos and audio are available under their respective licenses. ®Wikipedia is a registered trademark of the Wiki Foundation, Inc. Wiki Shqip (DUHOCTRUNGQUOC.VN) is an independent company and has no affiliation with Wiki Foundation.