Barazia fetare ne shqiperi Barazia fetare në Shqipëri tregon aktualisht që janë të zyrtarizuara disa besime fetare, myslimanët sunitë, bektashinjtë, halvetitë, katolikët, ortodoksët dhe protestanët.
Në 2 dekadat e fundit kanë depërtuar dhe korente të reja të besimit në zona të ndryshme të vendit. Nëse sot pranohet që mes komuniteteve fetare ka tolerancë dhe bashkëjetesë, kjo nuk duhet të interpretohet në rrafsh sipërfaqësor thotë për Deutsche Wellen në shqip, prof. dr Zyhdi Dervishi, përgjegjës i Departamentit të Sociologjia në Universitetin e Tiranës. Sipas tij, evidentohet shpesh fakti që në raste festash fetare ka shkëmbime urimi nga besime të ndryshme.
Bashkjetesa harmonike fetare e pranishme në Shqipëri sipas historianit Ferit Duka(Profesor Doktor-Përgjegjës i Departamentit të Studimeve Mesjetare dhe Osmane në Qendrën e Studimeve Albanologjike)gjatë shekujve të Mesjetës, u ruajt edhe gjatë përhapjes së islamizmit në hapësirën shqiptare, sepse vazhduan të veprojnë pothuajse të njëjtët faktorë konvergjentë: territori i përbashkët, gjuha, traditat etnokulturore si dhe marrëdhëniet shpirtërore. “Populli shqiptar, ka theksuar Papa Gjon Pali II gjatë vizitës së bërë në Shqipëri, është për t’u marrë si shembull në këtë pikëpamje. Që të tre komunitetet fetare mbajnë njëj raport respekti reciprok dhe të një bashkëpunimi të njerëzishëm. Duhet mësuar arti i dialogut dhe i të dëgjuarit, qoftë edhe kur kjo duket e pamundur. Uroj që Shqipëria të bëhet përherë e më tepër atdheu i ekumenizmit dhe i dialogut ndërfetar. A ka lëvdatë më të denjë për ju, sesa të tregoheni me gisht nga Europa dhe mbarë bota, si shembull dialogu, mospërdorimi të dhunës dhe mirëkuptimi fetar të ndërsjelltë.Sigurisht që me përhapjen e fesë islame në viset shqiptare gjatë sundimit osman u thellua më tej diversiteti fetar, gjë që potencialisht krijonte kushte për përçarjen dhe shpërbërjen e kombit shqiptar. Mirëpo kjo gjë nuk ndodhi sepse realiteti i ri fetar ishte një mozaik i vendosur mbi një shtrat të fuqishëm, të përforcuar në rrjedhën e historisë nga veprimi i faktorëve të konvergjencës të përmendur më lart.Nga ana tjetër, ashtu si kundër krishterimi (ortodoks apo katolik) edhe islami tek shqiptarët përgjithësisht mbeti nje fe popullore, larg intolerancës dhe fanatizmit doktrinor. Për më tepër, përhapja në viset shqiptare e sekteve të ndryshme islamike krahas islamizmit sunit, e zbuti së tepërmi klimën e marrëdhënieve ndërfetare në trevat shqiptare. Një rol të vecantë në këtë drejtim luajti urdhëri baktashian, i cili, duke qenë i afërt me të dy besimet kryesore,krishterimin dhe islamin, duke predikuar tolarancën dhe mirëkuptimin ndërshqiptar, kontribuoi në frenimin e prirjeve ndarëse në gjirin e popullsisë dhe në fuqizimin e lidhjeve të unitetit mbi baza etnike dhe kombëtare.Të dhënat e dokumentacionit historik janë vërtetimi më i sigurt për ekzistencën e tolerancës dhe të bashkëjetesës pa probleme të shqiptarëve të besimeve të ndryshme. Burimet historike të shek. XVII-XVIII jo rrallë afrojnë të dhëna sipas të cilave vajza të krishtera martoheshin me djem të islamizuar dhe se në kundërshtim me rregullat fetare, ata kërkonin që edhe fëmijët e lindur nga këto martesa të përziera të pagëzoheshin në kishë.
Solidariteti dhe harmonia midis shqiptarëve të besimeve të ndryshme u shfaqën me një shkëlqim të veçantë edhe në periudhat e mëvonshme. Priftin katolik Luigj Bumçi, Mehdi Frashërin, Mihal Turtullin, Hoxhë Kadrinë, Luigj Gurakuqin, Fan Nolin dhe Faik Konicën, i shohim të gjithë së bashku në Shqipëri apo jashtë saj në mbrojtje të çështjes shqiptare. “Muhamedanët nuk janë këtu muhamedanë të vërtetë, theksonte Konica, ashtu si edhe të krishterët nuk janë krejt të krishterë.” Atë Luigj Bumçi i cili në dhjetor të 1919 shkoi në Vatikan për kërkuar mbështetje për çështjen shqiptare, i tha Papës se shumica e anëtarëve të delegacionit shqiptar që ndodhej në Paris, ishin myslimanë, dhe se e kishin zgjedhur atë kryetar të tyre dhe e kishin dërguar atje (në Vatikan – F.D) për t'i kërkuar Shenjtërisë së Tij të ndihmonte Shqipërinë. Ishte pikërisht ky realitet fetar që tërhoqi dukshëm vëmendjen edhe të diplomatëve të huaj në aktivitetet ndërkombëtare të organizuara për Shqipërinë në fillim të viteve 20-të. Duke marrë fjalën në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë më 17 dhjetor 1920, kur diskutohej çështja e pranimit të Shqipërisë në këtë, delegati indian ishte shprehur se, kur në botë zhvilloheshin ende luftra ndërfetare, në Shqipëri, myslimanët, katolikët, ortodoksët, jetonin në harmoni dhe se ishte një fakt i shkëlqyer për një vend me shumicë dërmuese të popullsisë myslimane, të përfaqësohej këtu nga një i krishterë dhe pikërisht një prift (ishte fjala për Fan Nolin që kryesonte delegacionin shqiptar-F.D.). Edhe mbreti i shqiptarëve, Zogu I, i cili si i tillë bëri shumë për modernizimn e institucioneve fetare në Shqipëri dhe për ndarjen e shtetit nga feja, ditën që u bë mbret (1 shtator 1928), bëri betimin duke vendosur njërën dorë mbi Bibël ndërsa tjetrën mbi Kuran, duke premtuar kështu se do të mbronte unitetin kombëtar. Periudha e sundimit komunist ka qenë e egër dhe tepër armiqësore përsa u përket sjelljeve dhe qëndrimeve ndaj fesë. Diktatura u përpoq të asgjësojë besimin dhe të ngrejë në kult ateizmin. Feja u ndalua me ligj, ndërsa u mbyllën institucionet fetare. Sigurisht që kjo aventurë solli dëme të mëdha, por megjithatë besimi mbeti i gjallë në shpirtrat e njerëzve për t'u rizgjuar me një fuqi të re në vitet paskomuniste. Me shembjen e komunizmit në Shqipëri, me rihapjen e institucioneve fetare, myslimanë, ortodoksë dhe katolikë, morën pjesë së bashku në ceremonitë fetare të zhvilluara anembanë vendit.Por me hapjen e Shqipërisë paskomuniste ndaj botës dhe fitoren e lirisë së besimit, para nesh shfaqen probleme e sfida të reja. Sot kur e gjithë bota e civilizuar është duke luftuar kundër terrorizmit të të mbuluar me petk fetar, shqiptarët duhet të vetëdijësohen që të luftojmë më shumë për fuqizimin e faktorëve që ndihmojnë dhe ushqejnë harmoninë dhe bashkëjetesën paqësore fetare e kultivuar historikisht, duke luftuar dhe shmangur ndikimet negative që mund t'u imponohen atyre kryesisht nga jashtë Shqipërisë.
Çështja është dhe më e thellë në përmbajtjen e këtij fenomeni, thotë prof. dr Dervishi. “Është një traditë e konsoliduar ndër shekuj që besimtarët myslimanë shkojnë tek vendet e shenjta të krishtera, ose e kundërta, me shpresën për të gjetur shërim për veten e tyre, mbarësi për fëmijet a të afërmit. Natyrshëm lind pyetja, se a mund ta urresh një institucion fetar të një feje tjetër kur mendon se tek ky institucion, tek ky vend i shenjtë do të gjesh mbarësi? Kjo do të thotë se ke respekt, ke adhurim të veçantë për një vend të shenjtë të një feje tjetër. Gjithashtu është një traditë ndoshta unike tipike shqiptare fakti që vite më parë, por dhe aktualisht, kur një çifti nuk i jetojnë fëmijët, atëherë fëmijët që ju lindin më pas ju vënë një emër të besimit tjetër nga janë vetë. Përshembull të krishterët i venë emër mysliman, apo myslimanët i venë fëmijës një emër të besimit të krishterë”. Drejtori i Institutit të Çështjeve Kombëtare, Kastriot Frashëri, e pranon tiparin e tolerancës mes feve në Shqipëri, por ai ka një këndvështrim kritik për praktikimin e riteve fetare në ambjente publike. “Në këto vitet e fundit ne jemi dëshmitarë për mënyrën e predikimit. Në cdo orë të natës e të ditës ka sheshe që gumëzhijnë nga altoporlantët, mjete akustike që janë vënë në objektet e shenjta. Kjo është shqetësuese për qytetarët e besimeve të tjera. Të kuptohemi, unë nuk është se jam kundër shprehjes së besimeve, por kjo duhet të bëhet vetëm në institucionet e përcaktuara, në vendin e duhur e jo vend e pa vend.” Frashëri mendon se këto fenomene mund të tejkalohen në rradhë të parë me angazhimin tolerant të besimeve fetare që nuk respektojnë hapësirat publike të predikimeve dhe kryerjes së riteve të ndryshme. Prof. dr. Zyhdi Dervishi shprehet se ka studime të shumta serioze nga autorë brenda dhe jashtë vendit për të shpjeguar origjinën e tolerancës dhe të bashkëjetesës fetare në Shqipëri. Disa prej tyre marrin si argument faktin se shqiptarët në përgjithësi nuk kanë shumë lidhje me besimin fetar, nuk kanë rrënjë të thella. “Unë mendoj se shqiptarët janë po aq fetarë sa janë dhe popuj të tjerë europianë, sa janë psh gjermanët, francezët, anglezët etj., por kam bindjen se ekziston një raport shumë interesant ndërmjet shumicës dhe pakicës nga pikëpamja e besimit. Në kulturën tradicionale shqiptare ka shumë norma që imponojnë mirëtrajtimin e personave, familjeve a fiseve në pakicë. Në shoqëritë shqiptare tradicionale ke qenë gjithmonë më shumë i mbrojtuar po të ishe në pakicë se sa në shumicë”. Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës e lidh këtë aspekt me qëndrimin e shqiptarëve ndaj feve të reja. Sipas arsyetimit të tij, nëse shumica fetare nuk është tolerante atëherë nuk mund të flitet për raporte normale mes besimeve dhe bashkëjetesë mes tyre. “Historia e ka të qartë procesin: Kështu ndodh aktualisht me besimin mysliman, që është në shumicë dhe respekton besimet në pakicë. Por të mos harrojmë atë që ka ngjarë shekuj më pare, kur të krishterët ishin në mazhorancë dhe këtë ata nuk e kanë shfrytëzuar për të keqtrajtuar myslimanët. Pra, në thelb jam duke thënë se ky raport mes shumicës dhe minorancës është kyçi në bashkjetesën ndërfetare në Shqipëri, harmoni që është me rrënjë të thella."
Sipas traditës miku i panjohur mund të pyetej per gjithshka por jo për përkatesin fetare.Një misionar shkruante se shpesh i kishte qëlluar të takonte myslimanët e Iballës:"Qoftë lavdue Jezu Krishti" duke i kujtuar si për të krishter dhe ata pa u ndjer të fyer përgjigjeshin:"Gjithmonë qoftë lavdue" Por çdo njeri përbën një minoritet në shumicën e vendeve të botës.Po faktet na çojnë drejt kujtesës se jetojmë në një botë tepër të ndërlidhur me komunikime të çastit. Kur një grup është në fuqi, ose në një pozitë mbizotëruese në një vend, ai duhet të ketë parasysh në marrëdhëniet e tij me të tjerët se si do të donte ta trajtonin nëse do të ishte pakicë, sepse pothuajse çdo grup, padyshim, ka bashkëbesimtarë që gjetiu përfaqësojnë një minoritet. Në Europën Lindore, shpesh ka pakënaqësi se për shkak të një roli të vetëm mbizotërues që ka luajtur një fe, ajo meriton mirënjohje të veçantë dhe përfitime.Feja ne Shqiperi merr një vlerë qe kuroherë i thotë ndal dhunës ,konflikteve ,eliminimit të dhunshëm të njerëzve. Harmonia përbën gjithashtu edhe një tipar etnotipik të shqiptareve.Ndoshta kjo cilësi është e lidhur me pozitën gjeopolitike të shtetit shqiptar.Ndërsa perëndimi e ka parë Ballkanin (Gadishullin Ilirik) dhe portën e tij,Shqipërinë si një LINDJE EKZOTIKE .
This article uses material from the Wikipedia Shqip article Bashkëjetesa fetare në Shqipëri, which is released under the Creative Commons Attribution-ShareAlike 3.0 license ("CC BY-SA 3.0"); additional terms may apply (view authors). Përmbajtja është në disponim nëpërmjet licencës CC BY-SA 4.0 nëse nuk shënohet ndryshe. Images, videos and audio are available under their respective licenses.
®Wikipedia is a registered trademark of the Wiki Foundation, Inc. Wiki Shqip (DUHOCTRUNGQUOC.VN) is an independent company and has no affiliation with Wiki Foundation.