Xhamia e Plumbit ose Xhamia e Mehmet pashë Bushatit (tr.
Kurşunlu Cami) është një xhami historike dhe monument kulture i kategorisë së parë në Shkodër. E ndërtuar më 1773/1774, është ndërtesa më e mrekullueshme e vjetër dhe xhamia osmane më e madhe në të gjithë Shqipërinë. Të dhënat e kronikës së Jusuf Tabakut kumtojnë se xhamia u ndërtua me gurë të sjellur prej popullit me sistem zinxhir (dorë më dorë) prej Gurit të Zi, dhe me tepricat u ndërtuan këmbët e urës së Kirit.
Xhamia e Plumbit | |
---|---|
Vendndodhja | Shkodër, Shqipëri |
Koordinatat | 42°02′47″N 19°29′58″E / 42.0465°N 19.4995°E |
Ndërtuar | 1187 H (1773/1774) |
Stili arkitekturor | osmane |
Emri zyrtar: Monument i trashëgimisë kulturore | |
Lloji | Nën mbrojtje |
Kriteret | I |
Përcaktuar | 1948 |
Nr. i referencës | SH148 |
Quhet e Plumbit, sepse në kohën e sundimit osman, kubetë e xhamisë ishin të veshura me shtresa plumbi. Me kohën dhe braktisjen e lagjes, njerëz nisën t'ia hiqnin plumbin për ta shitur. Në kohën e pushtimit austro-hungarez, organet ushtarake vazhduan këtë vepër shkatërruese, duke ia hequr plumbin e mbetur.
E ndërtuar nga Mehmet pashë Plaku i Bushatllinjve, shënjoi rëndësinë e fushës në lindje të kodrës së kalasë, e cila asokohe po gëzonte një zhvillim të madh në përvijim të Pazarit. E tillë ishte begatia e lagjes Tabake. Pllaka e gdhendur mbi portën e xhamisë shkruan:
"Zotëria i bamirësisë dhe veprave të mira Mehmed Pasha
E ndërtoi këtë xhami fisnike në vitin 1187 Hixhri (1773/74)"
"Kujdestari i xhamisë fisnike Haxhi Mahmud Berberi
Data e riparimeve në vitin 1280 H (1863/1864)".
Një meremetim i radhës iu bë më 1920 prej fondeve të Xhelal Pashës, nip i vezirit. Shteti shqiptar e ka shpallur monument kulture që në vitin 1948. Minarja e saj u shkatërrua nga një rrufe më 1967 sipas Hamdi Bushatit, ndërsa historiani i arkitekturës osmane Machiel Kiel kumton se minarja e pësoi nga fushata e Revolucionit Kulturor.
Qartësisht e frymëzuar prej madhështisë së xhamive sulltanore të Stambollit. Hyrja në të kryhet përmes një oborri të bollshëm, me hapsirë brenda mureve 12.50 x 13.80 m, i vetmi shembull i këtij lloji në Shqipëri duke qenë ndër të paktat xhamia që theu privilegjin perandorak për përdorimin e këtij elementi. Oborri i brendshëm është i vendosur në mënyrë të tërthortë përpara sallës së lutjeve. Nga jashtë, salla e lutjeve shfaqet si një bllok i ulët që mbahet nga një tambur tetëkëndor shumë i lartë, mbi të cilin qëndron një kupolë gjysmë-rrethore. Nga brenda, salla shfaqet si një hapësirë e lartë dhe e bollshme, edhe pse përmasat e saj janë vetëm 9,15 m2.
This article uses material from the Wikipedia Shqip article Xhamia e Plumbit, Shkodër, which is released under the Creative Commons Attribution-ShareAlike 3.0 license ("CC BY-SA 3.0"); additional terms may apply (view authors). Përmbajtja është në disponim nëpërmjet licencës CC BY-SA 4.0 nëse nuk shënohet ndryshe. Images, videos and audio are available under their respective licenses.
®Wikipedia is a registered trademark of the Wiki Foundation, Inc. Wiki Shqip (DUHOCTRUNGQUOC.VN) is an independent company and has no affiliation with Wiki Foundation.