Omer, Omar ose Ymer pashë Vrioni (1839 – Fier, 1928) ka qenë figurë politike në Perandorinë Osmane dhe veprimtar i Lidhjes së Prizrenit, themeluesi i qytetit të Fierit dhe anëtar i Këshillit të Naltë të Regjencës të Principatës së Shqipërisë.
Lindi më 1839, i biri i Kahreman pashë Vrionit dhe Gjylije hanëmit të Neim bej Alizotit. Ka qenë shambelan i Sulltan Abdyl Azizit. Pasi i ati themeloi qytetin e Fierit në vitet '60 të shekullit XIX, Omer beu përvijoi punën duke e rindërtuar dhe rregulluar sipas një plani modern më 1877.
Ishte ndër firmëtarët e memorandumit dërguar kontit Andrassy në Kongresin e Berlinit nga shqiptarët e Stambollit në hullinë e ndodhive të Lidhjes së Prizrenit. Me Mehmet Ali Beun dhe Vrionas të tjerë u përfshi edhe Ymer beu, i cili u zotua të mblidhte një fuqi prej 3,000 frymësh në rast nevoje. Për veprimet e tij me Lidhjen, bashkë me krerët e tjerë të lëvizjes në viset jugore shqiptare, u arrestuan dhe u dërguan në kështjellën e Çanakalasë, ku u mbajtën të burgosur deri në nëntor të vitit 1883.
Me hapjen e Normales të Elbasanit ishte ndër kontributorët e fondit të parë të shkollës.
Më 25 nëntor 1912 karvani i Ismail Qemalit rrugës për në Vlorë, ku shpalli pavarësinë, drekoi në Fier në konakun e Omer Pashës, dhe pas tyre edhe delegatët e Kosovës. U përpoq të ndihmonte sundimin e Princ Vidit kundër Kryengritjes të Shqipërisë së Mesme.
Shërbeu si anëtar i Këshillit të Naltë të Regjencës, ku zëvendësoi Aqif pashë Elbasanin si përfaqësues i elementit bektashi, prej ku hoqi dorë më 3 tetor 1922, kur u formua qeveria e dytë e Xhafer Ypit.
This article uses material from the Wikipedia Shqip article Omer pashë Vrioni II, which is released under the Creative Commons Attribution-ShareAlike 3.0 license ("CC BY-SA 3.0"); additional terms may apply (view authors). Përmbajtja është në disponim nëpërmjet licencës CC BY-SA 4.0 nëse nuk shënohet ndryshe. Images, videos and audio are available under their respective licenses.
®Wikipedia is a registered trademark of the Wiki Foundation, Inc. Wiki Shqip (DUHOCTRUNGQUOC.VN) is an independent company and has no affiliation with Wiki Foundation.