Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë është shpallja e pavarësisë së vilajetit shqiptar nga Perandoria Osmane në kushtet e Luftës së Parë Ballkanike.
Shqipëria u vetëshpall e pavarur në Vlorë më 28 nëntor 1912 nga Ismail Qemali. Në shpalljen e pavarësisë morën pjesë 40 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, Asambleja e Vlorës formoi qeverinë e parë të Shqipërisë së Pavarur të drejtuar nga Ismail Qemali si dhe Pleqësinë.
Arritja e kryengritjes shqiptare të 1912 u dha të kuptonte shteteve ballkanike se gjendja e Perandorisë Osmane ishte e dobët. Mbretëria e Serbisë ishte kundër planit të Vilajetit Shqiptar, duke parapëlqyer një shkartisje të Rumelisë mes katër shteteve ballkanike. Shtete të cilat planifikuan ndarjen e territoreve evropiane osmane dhe gjithashtu u ujdisën që territoret e pushtuara gjatë Luftës Ballkanike të qeveriseshin si Condominium. Kjo edhe është arsyeja e Asamblesë Mbarëshqiptare të tubuar nga Ismail Qemali, ku morën pjesë delegatët e ardhur nga të gjitha trevat shqiptare.
Asambleja prej 40 delegatëve në kasabanë e Vlorës më 28 nëntor 1912, shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Procesverbali pas të cilit u radhitën firmat e të dërguarve që u ujdisën për shpalljen u diktua nga Ismail Qemali, u shkrua në gjuhën shqipe nga Luigj Gurakuqi dhe në vijim në osmanisht nga Shefqet Dajiu. Teksti i procesverbalit të mbledhjes nis me fjalët:
"Në Vlonë më 15/28 të Vjeshtës së Tretë 1328/1912
- Pas fjalëvet që tha z. Kryetar Ismail Kemal beu, me të cilat tregoi rrezikun e math në të cilin ndodhet sot Shqipëria, të gjithë delegatët me një zâ venduan që Shqipëria më sot të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme.
- Passi upërmendën prej Ismail Qemal Beut Kryetarit të Kongresit, rreziqet e mjerimet në të cilat ndodhet Shqipnia, kongresistët me nji zâ pranuan Independencën edhe e proklamuan Shqipniën Shtet Independent e të lirë.
Lista e atyre që e firmosën dokumentin që protokolloi shpalljen u botua më pas te gazeta e qeverisë së dalë nga ajo asamble, Përlindja e Shqipniës. Akti i shpalljes u shkrua në një copë letre, ku në formulimin protokollar radhiten 34 firma dhe në pjesën e pasme janë gjashtë firma tjera.
Dokumenti u ruajt më pas nga Lef Nosi, i cili e vendosi në dispozicion të një ekspozite të mbajtur me 25 vjetorin e pavarësisë më 1937. Për qëllimet e kësaj ekspozite fotografi zyrtar i Oborrit Mbretëror Kel Marubi e fotografoi së bashku me një riprodhim të anës së pasme ku gjendeshin firma të tjera.
Në kohën e regjimit komunist, nga ndërhyrjet historiografike u cungua edhe dokumenti i pavarësisë. Në albumin Rilindja Kombëtare botuar më 1962, duke u mbuluar me dy fotografi firmëtarët e censuruar janë 9, në albumin PPSH 1941-1966 me drejtoreshë Instituti Nexhmije Hoxhën firmëtarët e censuruar janë 14, ndërsa në tekstin kombëtar i Historisë së Shqipërisë 2008-2012 janë 4 të censuruar.
This article uses material from the Wikipedia Shqip article Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, which is released under the Creative Commons Attribution-ShareAlike 3.0 license ("CC BY-SA 3.0"); additional terms may apply (view authors). Përmbajtja është në disponim nëpërmjet licencës CC BY-SA 4.0 nëse nuk shënohet ndryshe. Images, videos and audio are available under their respective licenses.
®Wikipedia is a registered trademark of the Wiki Foundation, Inc. Wiki Shqip (DUHOCTRUNGQUOC.VN) is an independent company and has no affiliation with Wiki Foundation.