Më 27 dhjetor të vitit 1904 u formua në Vjenë Shoqëria “Dija” dhe komiteti i saj, i kryesuar nga Gjergj Pekmezi.
Veprimtaria e kësaj Shoqërie udhëhiqej kryesisht nga Hilë Mosi, që ishte edhe sekretar i saj. Ajo ndiqte qëllime kulturore, merrej me botimin e përhapjen e librave shqip dhe pranonte në radhët e saj gjithë shqiptarët, gegë e toskë, myslimanë e të krishterë. Dega qendrore e Shoqërisë “Dija” ishte ajo e Vjenës, e cila përbëhej nga studentë, nxënës, mësues dhe atdhetarë të tjerë shqiptarë, që ndodheshin në kryeqytetin austriak. Shoqëria “Dija” mbahej me ndihmat që jepnin bashkatdhetarët shqiptarë, por gëzonte edhe përkrahjen financiare të qeverisë austriake. Shoqëria, duke filluar nga viti 1907-1908, nxori “Kalendarin” e Shoqërisë “Dija”, një nga botimet më të rëndësishme publicistike e letrare shqipe të asaj periudhe. “Dija” bashkëpunonte dhe mbante lidhje të ngushta me Shoqërinë “Dituria” të Bukureshtit. Megjithëse Shoqëria “Dija” kishte deklaruar se nuk do të merrej me çështje politike, Porta e Lartë, që u informua shumë shpejt për themelimin e saj, e rreshtoi atë ndër organizatat që synonin të luftonin për autonominë e Shqipërisë dhe mori masat për të penguar shtrirjen e komiteteve të saj në vilajetin e Kosovës e në atë të Shkodrës. Megjithatë, gjatë viteve 1906-1907 kjo shoqëri, përveç Vjenës e Shkodrës, që ishin vatrat e para të saj, themeloi degët e veta edhe në Klagenfurt (Austri), në Prizren, në Tiranë, në Durrës e në Shkup. Një degë e saj u ngrit në Raguzë (Dalmaci), nën drejtimin e Nikollë Ivanajt, që nxirrte atje gazetën “Shpnesa e Shqypënisë” dhe një tjetër në Bukuresht (1907), nën drejtimin e Asdrenit.
This article uses material from the Wikipedia Shqip article Dija (shoqatë), which is released under the Creative Commons Attribution-ShareAlike 3.0 license ("CC BY-SA 3.0"); additional terms may apply (view authors). Përmbajtja është në disponim nëpërmjet licencës CC BY-SA 4.0 nëse nuk shënohet ndryshe. Images, videos and audio are available under their respective licenses.
®Wikipedia is a registered trademark of the Wiki Foundation, Inc. Wiki Shqip (DUHOCTRUNGQUOC.VN) is an independent company and has no affiliation with Wiki Foundation.