Ura e Tabakëve (fjalëpërfjalshëm Ura e puntorëve që rijepin lëkurën) është një monument kulture i ndërtuar në Tirane në shekullin e XVII - XVIII-të afër Xhamisë së Lëkurës.
Ura e Tabakëve | |
---|---|
Lloji | Arkitekture |
Vendndodhja | Tiranë, Shqipëri |
Koordinatat | 41°19′35″N 19°49′34″E / 41.326472°N 19.826014°E |
Ndërtuar | në shekullin e XVII – XVIII-të |
Organi drejtues | DRKK Tiranë |
Emri zyrtar: Monument i trashëgimisë kulturore | |
Lloji | Nën mbrojtje |
Kriteret | I |
Nr. i referencës | TR146 |
Tipologjia | Vendstrehim |
Ura e Tabakëve, e cila e mori këtë emër për shkak të pozitës së veçantë të esnafit të Tabakëve në jetën ekonomike dhe shoqërore të Tiranës në shekujt XVII-XVIII, ka një strukturë të gurtë, të formuar me dy harqe dhe e shtruar me kalldrëm. Ajo dallon për arkitekturën e saj harmonike, si dhe për shpërndarjen proporcionale të elementeve të saj.
Ura ka një lartësi rreth 7 metër e gjysëm die përbëhet nga një hark kryesor, mbi të cilin ngrihet ura në formë kurrizi. Ky hark e ka hapësirën e dritës 8 metra dhe është ndërtuar me 2 rreshta harqesh anësor me trashësi 1 metër. Lartësia nga niveli i ujit ishte 3,5 metra. Kalldrëmi i urës me gjerësi 2,5 metra, ndërtuar me gurë lumi të vendosur pa ndonjë rregull. Në të dy anët e harkut kryesor janë ndërtuar 2 harqe në formë segmentesh rrethor me hapësirë të vogël.
Me lindjen e Tiranës si qendër qytetare më 1614, u vu re një zhvillim i vrullshëm i zejtarisë dhe i tregtisë. E ndodhur në një pozicion të favorshëm gjeografik, në kryqëzimin e rrugëve të rëndësishme tregtare, Tirana fitoi vit pas këtij viti rëndësinë dhe tërhoqi vëmendjen e banorëve rreth saj, të cilët vit pas viti rritën popullimin e qytetit.
Përveç rrugës Egnatia, e përmendur në lashtësi e që kalonte në pjesën perëndimore të Tiranës së sotme, një aks tjetër i rëndsishëm ishte ai që lidhte Tiranën me malësinë e saj. Ajo quhej, e madje vazhdon të quhet, “Rruga e Shëngjergjit”. Kjo rrugë kalonte në pjesën lindore të Tiranës, në Priskë të Madhe, Qafë Priskë, Domje, Shëngjergj, e më tej vazhdonte në Bizë, Martanesh, Zerqan e deri në Dibër të Madhe. Kjo rrugë ishte e rëndësishme pasi shërbente për lëvizjen nga këto krahina malore të karvaneve me prodhime blegtorale për të cilat këto zona dalloheshin. Kope të tëra bagëtish, për shkak të dimrit të ashpër të malësisë lëviznin në zonat me klimë të butë të kodrinave e fushës së Tiranës. Një pjesë e mirë e këtyre bagëtive në hyrje të dimrit dhe pas shtimit të tyre në pranverë destinoheshin për treg. Banorë të ndryshëm u vendosën në periferi të Tiranës së atëhershme duke pritur karvanët e bagëtive të malësisë. Ato u “specializuan” kryesisht në therjen e bagëtive dhe përpunimin e lëkurëve.
Disa familje të vjetra tiranase që prej 2-3 brezash e sot e kësaj dite merren me këtë veprimtari. Të tilla janë familjet Xheleti, Kuka, etj. Pikërisht prej aktivitetit të rregjies së lëkurëvë lagja u quajt “Tabakanë” dhe rruga u quajt “Rruga e Tabakëve”, pra e lëkurërregjësve. Madje këtë emërtim morën edhe sheshi dhe një grup familjesh që mbajnë edhe sot mbiemrin “Tabaku”. Me këtë emërtim u pagëzua edhe ura e shekullit XVIII që lidhte të dy brigjet e lumit të Lanës, pra u quajt Ura e Tabakëve. Ajo është dëshmi e zhvillimit të qytetit dhe shtimit të komunikimit me zonat e brendshme. Ura e Tabakëve e luajti funksionin e saj për kalimin nga një breg i lumit të Lanës në tjetrin deri nga vitet ‘30. Më pas lumi Lana mori drejtim tjetër duke devijuar nga rruga e saj e përhershme.
Urat e vjetra prej guri dëshmojnë për tradita të lashta të vendit tonë në fushën e ndërtimeve. Ato vërtetojnë punën e madhe të mjeshtrave popullorë e konkretisht edhe të atyre Tiranas.
This article uses material from the Wikipedia Shqip article Ura e Tabakëve, Tiranë, which is released under the Creative Commons Attribution-ShareAlike 3.0 license ("CC BY-SA 3.0"); additional terms may apply (view authors). Përmbajtja është në disponim nëpërmjet licencës CC BY-SA 4.0 nëse nuk shënohet ndryshe. Images, videos and audio are available under their respective licenses.
®Wikipedia is a registered trademark of the Wiki Foundation, Inc. Wiki Shqip (DUHOCTRUNGQUOC.VN) is an independent company and has no affiliation with Wiki Foundation.