Dhimmi (arabisht ذمة = dhimma = ḏimma „mbrojtje“, „përkujdesje“, „dorëzani“) është një institucion i jurisprudencës islamike i cili përcakton statusin ligjor të „të mbrojturve“ jo-myslimanë (të quajtur „dhimmi“) nën sundimin islamik.
Përkufizimi i dhimmi-ve dhe trajtimi ligjor i të mbrojturve janë krijuar në të drejtën ndërkombëtare islamike në shekullin e dytë islamik (shekulli i 8-të pas Kr.) gjatë pushtimeve islamike dhe janë trajtuar në degën e literaturës juridike të zhvilluar nga kjo të ahkam ahl adh-dhimma / أحكام أهل الذمة / aḥkāmu ahli ʾḏ-ḏimma („rregullore ligjore për të mbrojturit“).
Një aleancë e tillë mbrojtjeje ka qenë në fillim vetëm për çifutët, të krishterët dhe sabeët. Gjatë ekspansionit islamik mundësia e dhimma-s është zgjeruar edhe për bashkësi të tjera fetare si p.sh. zoroastristët ose hindut kështu që si përfundim të gjithë thjesht jo-myslimanët kishin mundësinë të lidhnin një kontratë si dhimma me pushtuesit myslimanë.
Që prej formimit të shteteve kombëtare arabe me përkatësisht sfera të ndryshme të vlefshmërisë së shari'a-s në legjislativët e tyre, statusi ligjor i dhimmit ose është hequr, ose është modifikuar.
Termi dhimma del gjatë një grindjeje të Muhamedit me politeistët e Mekës në vargjet 8 dhe 10 të sures 9 me kuptimin „lidhje“ose „zotim“. Në disa shkrime të Muhamedit të dërguara fiseve arabe dhe bashkësive kristiane u premtohet atyre „dhimma e zotit dhe e të dërguarit të tij“ (arabisht ذمة الله ورسوله = ḏimmatu ʾllāhi va-rasūlihi) në rast konvertimi (ndërrimi të fesë) në atë islame.
Si dhimmi (arabisht ذمّي = ḏimmī) cilësohen në traditën ligjore islamike monoteistët të cilët toleroheshin me një status ligjor të kufizuar.
Të gjithë ata që nuk ishin as myslimanë, as dhimi cilësoheshin si harbī („të luftës“), si popuj, me të cilët e ashtuquajtura shtëpia e islamit ishte në luftë.
Kurani përmend këto bashkësi fetare jo-myslimane: çifutët (al-yahūd ose banū Isrāʾīl = „fëmijët e Izraelit“), të krishterët (an-naṣārā), zoroastristët (al-maǧūs), sabeët (aṣ-ṣābiʾa), ose mandeët dhe politeistët (al-mushrikūn). Ata që kanë pasur libra të shenjtë që në kohën para-islamike, dmth. torah (at-tavrāt) dhe ungjilli (al-inǧīl), janë ahl al-kitāb, „besimtarë me libra“. „Fëmijët e Izraelit“ përmenden si në lidhje me historinë biblike të judaizmit, ashtu edhe në lidhje me çifutët e ambientit ku jetonte Muhamedit, ndërsa termi al-jahūd përdoret në kuran vetëm për çifutët e Medinës dhe përreth saj, me të cilët Muhamedi ka pasur kontakte. Në jurisprudencë, gjatë përshkrimit të trajtimit të të mbrojturve përdoret vetëm emri al-yahūd.
Kurani përmend edhe shkrime të tjera: shkrimet e Abrahamit dhe Moisiut (ṣuḥuf Ibrāhīm va-Mūsā) ose „shkrimet e para“ (aṣ-ṣuḥufu ʾl-ūlā), të cilat kurani nuk i përcakton më hollësisht, dhe shkrimet e Davidit (zabūr Dāvūd = psalmet). Mbi këto shkrime Muhamedi duhet të ketë pasur vetëm dijeni të vagëlluara pasi as kurani dhe as ekzegjeza e kuranit nuk japin të dhëna konkrete për to. Bashkësitë e përmendura fetare, me të cilat ai duhet të ketë pasur kontakte që përpara aktivitetit të tij si profet, pas emërimit të tij si profet cilësohen në përgjithësi si të pafe (kjo vlen edhe për të krishterët dhe çifutët) dhe pas mposhtjes së tyre, në jurisprudencë, si bashkësi nën mbrojtje (islamike) (arabisht أهل الذمة = ahl al-dhimma = ahlu ʾl-ḏimma).
Juristi dhe teologu Ibn Qayyim al-Ǧauziyya († 1350) përmend pesë bashkësi jo-myslimane: çifutët, të krishterët, zoroastristët, sabeët dhe politeistët. Edhe Ibn ʿAbbās-i thotë:
Por ky mendim nuk është me origjinë nga kurani duke mos pasur kështu as vlefshëmiri universale.
Sipas konceptit islamik dhimmit mund të vepronin sipas rregullave të të drejtës civile ndërsa në sferën e të drejtës publike dhe të ushtrimit të riteve fetare ata u nënshtroheshin megjithatë kufizimive ligjore të shari'a-s. Këtu bënin pjesë rregulla të caktuara për veshjen, ndalimi i mbajtjes me zë të lartë i ceremonive fetare në mënyrë publike ose i ndërtimit të ndërtesave sakrale (psh. kishave) dhe kufizime të tjera ligjore.
Dhimmi-t ishin të detyruar të pagonin një taksë të veçantë për kokë (xhizja-në). Atyre u lejohej të ushtronin në formë shumë të kufizuar fenë e tyre, megjithatë çifutëve dhe të krishterëve nuk u lejohej të ngrënin kisha, manastire dhe sinagoga të reja. Rënia e kambanave, varrimet dhe festat publike ishin të ndaluara. Një dhimmi nuk kishte mundësi të ngrihej në pozitë në një detyrë publike zyrtare, gjithashtu ekzistonte një pabarazi e madhe ndaj ligjit. Dhimmi-ve u duhej të banonin në lagje të veçanta (shih getot e çifutëve) dhe të vishnin veshje të veçanta në mënyrë që të dalloheshin si dhimmi. Nga ky diskriminim mysliman me anë të veshjes dalluese u zhvillua më vonë ylli i çifutëve. Dhimmi-ve nuk u lejohej të mbanin me vete armë dhe të shkonin kaluar vetëm mbi gomarë dhe jo kuaj. Ligjet islamike thonin që dhimmi-t duhet të kalonin përbri një myslimani duke ulur sytë. Dhimmi kishte për detyrë të lejonte të goditej ose rrihej nga myslimanët pa pasur të drejtën për t'u mbrojtur. Në rast se ai e bënte këtë, ai ose ekzekutohej ose i priteshin duart.
E drejta ndërkombëtare islamike thonte se përpara luftës kundra armiqve jo-myslimanë, u duhej bërë atyre thirrje për të pranuar fenë islame ose (në rastin e besimtarëve të feve të librave) në të kundërt të pagimit të xhizja-së, të qëndronin në fenë e tyre. Kjo bazohej në suren 17, vargun 15, ku thuhet:
Kjo thirrje përpara veprimeve luftarake ishte edhe pjesë e sunna-s së profetit si edhe e pasardhësve të tij të direktë, kalifët.
I padiskutueshëm ka qenë trajtimi i arabëve të krishterë, banu taghlib-ëve në veri të Gadishullit Arabik. Jo më vonë se në veprën ligjore të al-Shafii-t (aš-Šāfiʿī) del qartë tendenca që këto bashkësi fetare të mos trajtohen si „besimtarë librash“ dhe në këtë mënyrë as si dhimmi; aty bëhet referimi tek një normë ligjore që pretendohet të jetë lëshuar që prej kalifit të dytë Umar ibn al-Khattab-it (ʿUmar b. al-Ḫaṭṭāb), ku ndër të tjera thuhet: „arabët e krishterë nuk bëjnë pjesë tek besimtarët e librave (…); unë nuk do të pushoj deri sa ata të pranojnë fenë islame (ḥattā yuslimū) - ose do t'u këpus kokën!“ Ligji ka gjetur këtu një zgjidhje më të butë; duke u mbështetur në suren 9, 29 u vendos edhe për arabët e krishterë xhizja-ja (ǧizya), veç duke e quajtur atë sadaka (ṣadaqa), pa iu dhënë atyre statusin e dhimmi-ve.
Statusi ligjor i dhimmi-ve është i përcaktuar në fakt nga ligji islamik, megjithatë trajtimi i tyre nën sundimin islamik ndryshonte në praktikë sipas vendit, kohës dhe sundimtarit gjatë historisë:
(Statusi real i jo-myslimanëve varej nga disa faktorë: a) nga gjendja e brendshme e zonës përkatëse të sundimit islamik; b) nga marrëdhëniet e saj me fuqitë dominuese përkatëse jo-myslimane; dhe c) nga dobia që kishin jo-myslimanët (ose pjesë të elitave të tyre) për bashkësinë përkatëse myslimane) Gudrun Krämer: Einführung in die Islamwissenschaft / WS 2003/4. Kurzprotokoll: Nichtmuslime unter islamischer Herrschaft (Jo-myslimanët nën sundimin islamik)
Në perëndim të botës islamike rregulore të tilla ishin të panjohura deri në kohën e almohadëve. Sundimtari fanatik almohad Jakub al-Mansur-i, Abu Jusuf-i, vendosi pak para se të vdiste në vitin 1198 që çifutët të mbanin publikisht një mantel blu të errët (burnus) dhe një kapë të dallueshme me majë.
Orientologu francez R. Brunschvig ka pasur mendimin se masat e përmendura më lart të marra nga almohadët mund të kenë shtyrë këshillin e katërt të Lateranit të vitit 1215 që të vendosë për çifutët në evropë mbajtjen e një shenje të verdhë dhe të një kape çifute.
Kjo formë ligjore që u garantonte dhimmi-ve jetën, pronën dhe ushtrimin (e kufizuar) të fesë, nuk ka mundur të evitonte që kjo ndonjëherë të çonte edhe në dhunë ndaj të mbrojturve, si p.sh. në masakrën e Granadës më 1066 ndaj çifutëve.
This article uses material from the Wikipedia Shqip article Dhimmi, which is released under the Creative Commons Attribution-ShareAlike 3.0 license ("CC BY-SA 3.0"); additional terms may apply (view authors). Përmbajtja është në disponim nëpërmjet licencës CC BY-SA 4.0 nëse nuk shënohet ndryshe. Images, videos and audio are available under their respective licenses.
®Wikipedia is a registered trademark of the Wiki Foundation, Inc. Wiki Shqip (DUHOCTRUNGQUOC.VN) is an independent company and has no affiliation with Wiki Foundation.