Përpara vitit 1955, fshati është njohur me emrin e vjetër në formën greke Σαράτιον/Sarátion.
Sharat Μύλοι |
---|
|
|
Emri i banorëve | Sharatas |
---|
Gjeografia
Nga veriu dhe veriperëndimi Sharati kufizohet me Peshtanin, Dramësin e Bedelenin, nga jugu me Globoçarin, nga juglindja me Nuneshatin dhe nga perëndimi me Salicën. Para Luftës së Dytë Botërore, Sharati kishte këto lagje: Bashallarë, Brahimkatë, Nikijanjë dhe Statharë.
Toponimet të fshatit Sharat:(Para Luftës së Dytë Botërore)
- Ara e Djalëthit - arë, në JL.
- Ara e Hiskos - arë, në JL.
- Ara e Nikreçit – arë, në L, në rrëzë të Malit të Bardhë, drejt Qafës së Portave.
- Bikàmerat - ara, në JL, kufi me Globoçarin.
- Bira e Guvës - shpellë e vogël, në V, në krye të mëhallës se Nikëjanjëve.
- Bira e Xhemos – shpellë, në V. Ndodhet nën brezin shkëmbor të Malit te Bardhë. “Pleqte thonë se në atë shpellë ka rruar (rrojtur Xhemua (Xhemaliu) i dënuar ka fshati i Sharatit, se kur kish klënë ushtar me turkun në Jemen, kish hedhë sevda më një saneze. Ajo saneza më përpara se t’e merr burrë e pjeu Xhemalinë: - Sa furra ka kasabai juaj në Shqipëri? Xhemua i thotë se ka 40 furra. Ajo u habit e pëstaj e pjeu: “Keni ju ka këto hurmatë në Shqipëri? – Eh, çish thua ti, pse vetëm hurma kemi na, ne kemi gorricat: që një okë gorrica bijnë bir para (dy pare), kaq badiava janë. Edhe thonë se kur e kish sellë Xhemaliu sanezen në Sharat, ajo i tha: “Pse më qeshe (gënjeve) Xhemali kur më the se ka dizet furra kasabai juaj? - Pa për furra më pjeve-i tha Xhemaliu - ja neku i ke: Në çdo shtëpi ka ka një furrë, nuk bijnë dizet furra të gjitha? Mirëpo kjo saneza solli ka Arabija sumundën e përdhesit dhe të di këta i përzunë fshati e i shpunë ne ajo bira që i thonë “Bira e Xhemos”. (Xhevdet Mehmet Malaj)
- Bishtëlat - ara, në J., në fushë, pranë burimit të Meçes.
- Bokrrim e Hosit – bokërrimë, në V.
- Bokrrimat e Bëdha – bokërrima, në VL., në krye të mëhallës Nikëjanjëve.
- Bregu i Husit – breg, në V., mbi fushë, të shtëpitë e Moraitëve.
- Bregu i Ledhezit – breg, në J., në fund të fushës, vend me skafa.
- Bregu i Likopodhit – breg, në J., në kufi me Skopjonë.
- Bregu i Moraitit - bregore e vogël, në V., në krye të fushës ku ka qenë një manastir.
- Bregu i Ramizit - bregore, në J. Aty ka banuar Ramiz Moraiti. Në këtë breg gjënden gërmadhat e një manastiri të lashtë. Për Ramiz Moraitin tregojnë se në kohën e revolucionit grek e kishin marrë në Tripolicë Tahirenjtë e Mazrekut dhe e sollën aty. Aty u martua me një shqiptare të krishterë që e kish rrëmbyer një arpicjot në Tripolicë (1821).
- Bregu i Vidhezës - bregore, në L.
- Burimat e Mëshezës - burime, në J. Këto dalin në dy vënde, nja 10–15 m. nga njëri tjetri, ndërmjet Iagjeve Nikijanj e Statharë.
- Buxaranjet – ara, në L., në fund të Statharit, në anë të përroit.
- Çukëza – çukë, në J., në drejtim të fshatit Kushovicë.
- Çupëla - arë, në J., në fund të fushës së Sharatit, te shtëpia e velinjarëve.
- Drrasa e Hallës - vend shkëmbor, në V., në Mal të Bardhë. Atje halla kish stanin.
- Drrasazt - kodër që ka shtresa dërrasash guri, në V.
- Faqe e Malit - faqe mali, në VL., në Mal të Bardhë.
- Fiku i Kasimenjëve – ara, në fushë, në JL.
- Fiqiriza – pyll, në P., pranë Mëhallanjezës, nën lëmin e xhamisë së vjetër.
- Folej e Birbilit - shpellë e vogël nën shkëmb ku këndonin bilbilat, në fund të qutezës, në P.
- Gërmallazët - bregore në drejtim të fushës së Kushovicës, në JP.
- Gorrxhava - ara, në P., në juglindje të Qutezës.
- Gur i Nuhut - shkëmbi madh, në V., në rrëzë të Malit të Bardhë.
- Gràvazët - shpella, në P., nën qutet të Mëhallanjezës, pranë Folesë Birbilit.
- Grik’ e Zeqirit - luginë, në J., matanë Malit të Bardhë, kur zbret për në Koriqanj. Aty para 100 vjetësh është vrarë Zeqiri nga Nuneshati dhe vendi mori këtë emër.
- Gropa e Furrazve - luginë, në J. Thonë se aty ka pasur furra buke.
- Grop’ e Gurit - pyll i madh, në V., në faqe të Malit të Bardhë, nën Dërrasën e Hallës, mbi të Bira e Shqipjeve.
- Gropat e Idrizit - ara, në L.
- Groshnjeza - ara rripa-rripa, në Mal të Bardhë, ndërmjet Sharatit, Nuneshatit e Globoçarit.
- Hund’ e Madhe - shpat mali, në V, në Malin e Bardhë.
- Hunda e Madhe e Trobës – gërxh, në V., matanë Malit të Bardhë, në drejtim të Bedelenit.
- Kéndali - krua i vogël, në VP., në krye të lagjes së Bashallarëve.
- Klishëza – kodër, në J.
- Kodra e Bulmos – kodër, në V., në fund të lagjes së Nikëjanjëve. Bulmua ka qenë nga Sharati fisi i të cilit është shuar.
- Kodra e Moraitit – kodër, në V. Në atë kodër ka rruar (rrojtur) një morait arvanit që ja thioshnë emrin Pavllo. E kish sellë Ali Pashë Tepelena, që e kish pasë si trim dhe e martoi me një vajzë sharatase dhe e pagëzuan. Ka ajo kabile ishtë sot Enver Moreja, i biri Jemin Moresë. Isht me shtëpi në Ujë të Ftohtë të Vlorës.
- Kodërza e Lamit – kodrinë, në VL., ndërmjet Nikëjanjit e Statharit. Në atë kodër bëheshin lojra dhe mblidheshin burrat në mexhlis.
- Krakura e Camandait - brez shkëmbor, në JL., mboi Globoçar.
- Kremazma - mur i vjetër, në J., me lartësi 2 m., kalon nëpër fushën e Sharatit dhe është përdorur për kanal vaditës.
- Kriq i Sharatit - rrugë kriq, në JL., në kufirin që ndan Sharatin me Globoçarin.
- Kroi i Politharit - krua i vogël rrëzë malit, në JL.
- Kronjëzë - përrua në JL.
- Lëm i Gjopëndës – lëmë, në V. Është një lëmë shumë i vjetër i ndërtuar me pllaka guri, ndodhet ne rrëzë të Malit të Bardhë.
- Lëm’ i Rrahut - lëm i vjetër në faqe të Malit të Bardhe, në L.
- Lëm’ i Sejkos - shesh i vogël, në V.
- Lëm i Xhamisë - shesh i xhamisë së vjetër, në P.
- Lis i Bulgjerit - lis, në V.
- Lis i Rrahut - lis në faqen e Malit të Bardhë, në J.
- Listirthi - bregore me skafa, në kufirin e që ndan Sharatin me Globoçarin, në V.
- Lutruvij’ e Tahirit - mulli vaji te Burimat e Meshezës, në JL.
- Luvedhet - ara, në J.
- Mahallanja -gërmadhë e qytetit të dikurshëm, banorët e të cilit siç thuhet qenë shpërngulur në Kalibardhë (Kalabëri) e Siçili, në P.
- Mala e Camandajt - majë mali mes fshatrave Sharat, Nuneshat e Globoçar, në JL.
- Mala e Frëngjezit - kodër, në JL. Në atë malë çobenët e Sharatit u vinin frëngjeza kaciqërve që këta të mos u pinin dot klumushtin dhive.
- Mala e Gajdhericës – kodër, në V. Ndodhet në një hundë të Malit të Bardhë “Në këtë raq, në kohë të vjetra janë bënë lodra për të brredhur (lozur) jenët e vegjël. Në ato lodra brridhej (lozej) edhe ajo e gajdhericës (e konxhelit) (Xhevdet M. Malaj),
- Mala e Shesheve - ndodhet afër Malës së Gajdhericës në Malin e Bardhë, në V. “Ne këtë mejdan jënë 4 mala, një ka ato ishtë Mala e Gajdhericës. Në mes të katër malave ishtë sheshi, një arë e vogël”.
- Mal i Camandajt - mal, në JL. Ndodhet ndërmjet tre fshatrave: Sharat, Nuneshat e Globoçar.
- Meçiku Hetemit - një piramidë gurësh e ngritur nga çobenët, në V.
- Mejdanet – arë e gjërë në fushën e Sharatit, në J.
- Mësheza - ara pranë burimeve të Mëshezës, në J.
- Mullinje - ara, në P.
- Mullinjeza - arë, në P.
- Mulliri Hisos - mulli, në JL, në Prroin e Stanthit.
- Mulliri Hizrit - gërmadhë mulliri në fushë, në P.
- Mulliri Mesit - mulli ndërmjet Kodrës Mullinjet e Gërmallazve, në P.
- Mulliri Prrishur (Mulliri i Polonit) - gërmadhë e një mulliri në fund të Sharatit, në rrugën që shkon për në Kushovicë, në P.
- Pallashi - disa ara në kufi të Sharatit që i takojnë Globoçarit, në J.
- Perivolet - brinja me ullinj mbi fushë, në J.
- Pëlëmende/t – ara, në lagjen e Brahimkatet, në P.
- Pill i Trrashë - pyll te Gropa e Gurit, në V.
- Portëza - qafë, ali, në VL. “Ka Portëza jaram ne Burimat e Mëshezës ishtë një sahat mërguam, ishin vënë qungje. Me këto vinesh klumushti ka Portëza nek mileshin kafshët.”
- Prapëla - are në fushë, në J.
- Prroi Hasanit - përrua, në VP.
- Prroi Haxhiut - përrua, në P.
- Prroi Likopodhit - përrua, në J.“I thomi edhe Përroi i Zërave. Në këtë përrua kanë klënë zëra. Një herë një grikohorit i pa zërat nek po luanin valle. Ato kishnë helqur perdetë dhe ki vate me bët dhe i mori njërës perdenë. Ajo beti njeri dhe s’ikte dotë më se s’e kish perdenë. I shkoi prapa grikohoriti dhe i bënte rixha që t’i ip perdenë në sepet me kliç. Si që e pa zëra që ki nuku ia ipte më, ju bë teslim dhe e mori për burrë. Me zërën ki grikohoriti bëri dhe një djalë. Edhe sot e kësaj dite atij fisi i thonë “fis i djalit zërës” Grikohoriti me zërën rruajtin shumë kohë bashkë. Po njëherë të di bashkë klenë në një dasmë. Dasmorët i bënë rixha zërës së bukur që të dil në valle: Ajo u tha: “U do dal e do los valle, po të më jipni perdenë. I bënë rixha grikohoritit që t’ia ip perdenë, dhe aj dikue dijtur se tani kish një djalë me të e nuk do të ikte, ja dha perdenë. Zëra si që lojti një herë, di herë në valle, vu perdenë e s’u pa më. Ajo i shfaqej vetëm djalit të saj.” (tregoi: Xhevdet M. Malaj)
- Prroi Politharit - përrua, në JL. Në këtë përrua ka qenë dikur dhe një krua, të cilin e kanë mbyllur populli kur erdhën venecianët. Kur erdhën venecianët që zaptuan Çamërinë, vendasit i mbyllën të gjitha krojet e burimet me bashka leshi, edhe kroin e Politharit dhe ujët dolli gjetkë. (Xhevdet M. Malaj)
- Prroi Stanthit - përrua, në P.
- Prroi i Tejm i Stanthit - përrua, në P.
- Prroi i Vidhezës - përrua ndërmjet lagjeve Nikijanj e Stathar, në V.
- Psakareja - pyll me bexga në faqen e Malit të Bardhë, në V.
- Qaf’ e Bejkut - qafë përtej mullinjve, nga ku kalon për në Kushovicë, në JP.
- Qaf’ e Karabajt - qafë e cila ndan Sharatin me fshatrat e Gropës së Kuçit, në J.
- Qaf’ e Listirthit - qafë 2 km, nga Qafa e Karavajt, nga ku kalohet për në Mazrek, në JL.
- Qaf’ e Peshtanit - qafë në Malin e Bardhë nga ku kalohet për në Peshtan, në V.
- Qaf’ e Rripit - qafë ku ndodhet një arë, matanë Malit të Bardhë, në V.
- Qingjerezat - vend ku gjinden qyngje të vjetra prej terrakote, në V.
- Qiur i Ajshesë - qivur në fund të arave ku shkon në Mullirin e Mejdanit, në P. Aty dikur kanë vrarë një farë gruaje me emrin Ajshe, për imoralitet.
- Qiur i Males - qivur, në J.
- Qiur i Politharit - qivur në JL. Thonë se aty ka qenë vrarë një njeri dhe vëndi digjej nur.
- Radhejtë - varg shkëmbor në Malin e Bardhë. Fillon nga Mal’ e Shkëmbit dhe arrin gjer te Quteza afër Peshtanit.
- Rrëzat – ara, në L., në rrëzën e Malit të Bardhë, kufi me Nuneshatin.
- Rrëzëkodërla - arë te Kodra e Mullinjëve, në J.
- Rrëzëmalit – ledhe, në VL.
- Rrip i Glatë - arë në Mal të Bardhë, në V.
- Stanëlat - kodër me ullinj që ndan lagjen e Nikijanjit me Statharin, në L.
- Sterrëza - arë me gropa që mbajnë ujë gjat verës, afër Kriqit të Sharatit, në kufi me Globoçarin, në J.
- Shesh i Bregut Rrahut - qafë, në VL.
- Shënavlashi - vend ku del një burim për të cilin thonë se vjen nga ngjoli i Paramithisë, në J.
- Shkalla e Mesme – shkallë shkëmbore ndërmjet Portëzës dhe Sheshit të Muços, kur ngjite për në Mal të Bardhë, në VL.
- Shkalla e Rrahut – shkallë shkëmbore në faqen e Malit të Bardhë, në VL.
- Shkallazët - ara në rrëzën e Malit të Bardhë, ne krye të Iagjes Stathar, në VL.
- Shkëmb i Korës - vendi ku ndërpritej vargu shkëmbor me Peshtanin, në V.
- Shkëmb i Lekës - shpellë e thellë në Malit e Bardhë, në V.
- Shkëmb i Rroparisë - shkëmb, në V.
- Shkëmb i Stravastoit – shkëmb, në V, të lagjes Nikijanj, ku ulej shqiponja.
- Shkëmb i Shkallës - shkëmb në rrëzë në Malit të Bardhë, në VL.
- Shkëmb i Shqipjes - shkëmb që ka një shpellë të vogël, në Mal të Bardhë, në V.
- Shkëmb i Xhavlos - shkëmb në fushë të fshatit, në J. Aty Xhavlua kishte bërë monenë e dhënë.
- Shtegu i Kodrës – rrugë, në P.
- Shtëpia e Braho Fushës – gëmadhë shtëpije, në V. Braho Fusha nga fisi i Mato Vejz Pllotaresë, dikur erdhi e pushtoi një pjesë fushe të Sharatit ku ndërtoi edhe shtëpinë.
- Shtëpia e Nikos - gërmadhë e shtëpisë së Nikos nga Nikëjanjet në Gravazë, në V.
- Shtrung’ e Bregut Ledhezit - breg me psaka në fund në fushës së Sharatit, në J.
- Shtrung’ e Kodrëzës - shtrungë e vjetër e ndërtuar me gurë, e cila gjendet mbi shtëpinë gërmadhë të Nikos, në P.
- Shtrung’ e Rakos - dikur aty ka qenë një shtrungë e gurtë që mban edhe sot këtë emër.
- Shtrung’ e Zhupës - vend ku ka pasë monenë Zhupa, në J.
- Taburëlat - arë në fushë, në J. Dikur këtu do të jetë fushuar taborri.
- Tepe e Malit Bardhë - majë mali, në malin e Bardhë, në VL.
- Trap i Veliut – arë, në jug të Burimevet të Shezës.
- Trobë/a – pyIl që ndodhet matanë Malit të Bardhë, në kufi me Bedelen e Koriqanj, në VP.
- Vorrezat - varre pranë një xhamie të vjetër në Mëhallanjez, në J.
- Vreshta - ara, në J.
- Vula e Madhe - pyll i madh me përrall, nën majën e Malit të Bardhë, në V.
- Vurku - ara moçalore në fund të fushës së fshatit.
Demografia
Familjet në fshatin Sharat:(Para Luftës së Dytë Botërore)
Baçenj, Beqirenj, Fetahenj, Hamitanj, Jatrenj, Kasimenj, Resulanj, Rushananj, Sulaj, Velinjarë etj.
Lidhje të jashtme
Burimet
This article uses material from the Wikipedia Shqip article Sharati, which is released under the Creative Commons Attribution-ShareAlike 3.0 license ("CC BY-SA 3.0"); additional terms may apply (view authors). Përmbajtja është në disponim nëpërmjet licencës CC BY-SA 4.0 nëse nuk shënohet ndryshe. Images, videos and audio are available under their respective licenses.
®Wikipedia is a registered trademark of the Wiki Foundation, Inc. Wiki Shqip (DUHOCTRUNGQUOC.VN) is an independent company and has no affiliation with Wiki Foundation.