Illyricum Sacrum është një vepër enciklopedike e shumëvëllimshme shkruar në latinishte klasike që trajton historinë kishtare në viset kroate si dhe historinë e Kishës Katolike në Illyricum-in klasik, sot Ballkani Perëndimor.
Vepra u botua në tetë vëllime gjatë viteve 1751-1819, e vëllimi i nëntë i të cilës u botua më 1909.
Më 1720, nisma e hartimit të historisë kishtare për provincën e Illyricum-it të propozuar nga jezuiti P. Filip Riçeputi (Filippo Riceputi, 1667-1742) gjeti mbështetjen e Papa Klementit XI. Projekti i Riçeputit synonte të mblidhte dokumente për të bërë një Museum Illyricum, mbi historinë kishtare të provincës së Ilirisë. Vëllimi i parë u botua në Venedik më 1751 pasi Riçeputi ndërroi jetë, projektin e çoi përpara ndihmësi i tij P. Daniele Farlati i cili punoi katër vëllimet e radhës, të cilit i mbeti edhe autorësia. Kur i katërti po botohej, Farlati kishte ndërruar jetë.
Ndihmësi i Farlatit, P. Jacopo Coleti përfundoi vëllimin e pestë, i cili u botua më 1775. Pas këtij vëllimi, Coleti botoi tre të tjerë, i fundit i të cilëve u përfundua më 1818. Më vonë, më 1910 në Split P. Franc Bulić botoi Accessiones et correctiones all'Illyricum sacrum del P.D. Farlati me autor P. Gianjacopo Coleti.
Pasi e kishte nisur që më 1956, më 1963 Dom Frano Illia përfundoi përkthimin e pjesës më të madhe të vëllimit të shtattë, përkthimi i cili trajtonte dioqezat brenda kufijve të shtetit shqiptar me titullin Ilirija Kishtare ose Historia Kishtare e Ilirisë. Në një letër dërguar Institutit të Kulturës Popullore, Illia i përcjell:
" [...] Volumi i VII, në 638 faqe, rreshton historinë kishtare dhe lidhun me atë çivile të Metropolive të Djoklesë, Tivarit, Shkodrës, Durrësit e të Sirmit dhe sufrangave ase të dioçezave që mvaren prej tyne. Prej kësi volumi deri tash kemi përkthye pjesët që i përkasin mbrendisë së kufijve të sodshëm të Shqipnisë, d.m.th. sa i përket Shkodrës dhe Durrësit dhe sufrangave të tyne (vazhdoj përkthimin e pjesëve të tjera) Shkodra kishte këto dioçeza: 1. Drishtin, 2. Pultin e Madh, 3. Pultin e Vogël, 4. Dejën, 5. Sarden e 6. Sapën.
Durrsi kishte këto dioçezë sufragane: 1. Lezhën, 2. Arbëninë, 3. Krujën, 4 Bendën, 5. Priskën, 6. Shtejefnin, 7. Kanovjen, 8. Skampën, (Elbasanin) 9. Lestronin, 10. Bulidën, 11. Amancien, 12. Apoloninë (Pojanin) 13. Vëlonën, 14. Pulkerjopullin (Beratin) 15. dhe Akroçerauninë. Në këtë volum të VII përshkruhet gjanë e giatë themelimi i qyteteve dhe i dioçezave, tue gërshetue historinë kishtare atë çivile t’atyne vëndeve. Shfrytëzohen mirë dokumente, historjanët dhe gjeografët e ndryshëm të vjetër e të rinj t’atyne kohve. Landa ndahet në djeçezë dhe në rajone kishtare. Secila Seli Arqipeshkvnore apo Ipeshkvnore zakonisht gjindet ndër qytetet nga të cilat edhe merr emnin. Në fillim të çdo Arkiodioçjezi apo Dioçjezi përshkruhet themelimi i qytetit dhe djeçezit, mandej vjen rreshtimi i jëtëshkrimit të secilit Prelat. Giatë jetëshkrimit të tyne rreshtohen faktet e historisë kishtare e çivile në rend kronologjik. Ky volum përfshin landën historike deri në fillimet e shek. XVIII, kur edhe botohet në vitin 1817.
[...]
Edhe pjesët e tjera që i përkasin Djoklesë e Tivarit kishte qenë mirë të njifen prandaj të përkthehen në giuhën tonë mbasi kanë lidhje të vazhdueshme me krahinat tona. Për plotësimin e këtij kuadri historik të vëndit, do të ishte me vënd edhe përkthimi i blenit VIII. Po të kërkohet kishim me kenë gadi të vazhdojmë kryemjen e përkthimit të bl. VII dhe të VIII-it."
Illia e dorëzoi përkthimin në Institutin e Folklorit, bashkëpunëtor i jashtëm i të cilit kishte qenë prej vitesh. Pas burgimit në kohën e Revolucionit Kulturor, daljes më 1986, iu mohua mundësia që t'i rikthehej përkthimi që ta përpunonte më tej. Pas rënies së diktaturës, përkthimi iu rikthye, por ngelet i pabotuar.
This article uses material from the Wikipedia Shqip article Illyricum Sacrum, which is released under the Creative Commons Attribution-ShareAlike 3.0 license ("CC BY-SA 3.0"); additional terms may apply (view authors). Përmbajtja është në disponim nëpërmjet licencës CC BY-SA 4.0 nëse nuk shënohet ndryshe. Images, videos and audio are available under their respective licenses.
®Wikipedia is a registered trademark of the Wiki Foundation, Inc. Wiki Shqip (DUHOCTRUNGQUOC.VN) is an independent company and has no affiliation with Wiki Foundation.