Vexhi Buharaja (Berat, 12 maj 1920 - 5 korrik 1987) ka qenë letrar, orientalist, epigrafist dhe përkthyes shqiptar nga osmanishtja e persishtja, i persekutuar gjatë regjimit komunist.
Falë tij mund të lexohen në gjuhën shqipe materiale si të Rilindjes Kombëtare e Lidhjes së Prizrenit, ashtu edhe veprat klasike të letërsisë perse. Në sajë të punës së tij përkthimore të dokumenteve osmane ka dhënë një ndihmesë të shumëçmuar në zhvillimin e veprimtarisë shkencore në Shqipëri. Përkthimet e tij dhe të Myqerem Janinës për Institutin e Historisë u përvetësuan nga punonjësit e institutit, duke mos ua përmendur emrin nëpër punime.
Vexhi Buharaja | |
---|---|
U lind në | 12 maj 1920 |
Vdiq | 5 korrik 1987 |
Kombësia | Shqiptar |
Profesioni | Orientalist, shkrimtar, përkthyes |
Titulli | Mësues i Popullit |
U lind me 12 Maj 1920, në lagjen “Murat Çelepi” në Berat, i biri i Hoxhë Ibrahimit të Ismail Efendiut. Mësimet fillestare i kreu në vendlindje, në Berat. Pas kësaj vazhdoi studimet në Medresenë e Përgjithshme në Tiranë, ku u diplomua në vitin 1940 student i dalluar. Menjëherë pas diplomimit, në moshën 20 vjeçare, u punësua në redaksinë e revistës “Kultura Islame”, e përmuajshme fetare, diturore, artistike, letrare, organ i Komunitetit Musliman Shqiptar në Tiranë. Në vitin 1944 u largua nga Tirana, për shkak të rrethanave të vështira të luftës dhe qëndroi familja e tij në Berat. Familja e tij strehoi hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Me ardhjen e komunistëve në pushtet, nëntor 1944, për pak kohë punoi në Berat si referent në Shtëpinë e Kulturës. Më 1946 e burgosin, duke e akuzuar se bënte propagandë kundër qeverisë komuniste të Shqipërisë. Pasi doli nga burgu, u detyrua të bënte punë të rënda fizike për të mbijetuar. Më pas u pranua në punë si mësues, duke dhënë lëndën e gjuhës ruse të mësuar në burg.
Në vitin 1965 e pranuan në Sektorin e Historisë së Mesjetës, pranë Institutit të Historisë në Tiranë. Mblodhi, përktheu në shqip, transkriptoi rreth 250 mbishkrime osmane. Duke u mbështetur në këtë material, shkroi studimin me titull: “Mbishkrimet turko-arabe në vendin tonë si dëshmi historike”, të cilin e ka lexuar si kumtesë në Konferencën e Dytë Shkencore të Studimeve Albanologjike, që i zhvilloi punimet në Tiranë, më 12-18 janar 1968.
Më 1975 në maj u dëbua nga puna në Institutin e Historisë dhe u kthye në vendlindje, ku punoi berber. Pavarësisht kësaj, studjuesit që kishin nevojë t'i referoheshin burimeve turke i kërkonin vazhdimisht ndihmë Buharasë për përkthimin e tyre, gjithashtu i merrej mendimi po vazhdimisht për veprat që studjuesit përkthenin.
Ndërroi jetë në vendlindje, në Berat, me 5 korrik 1987, në moshën 67 vjeçare.
Artikujt e tij të parë i botoi tek e përkohshmja Kultura Islame kur ishte student. Në konkursin letrar që u shpall me 1 janar 1942, kur ishte 22 vjeçar, ai fitoi çmimin e parë me poezinë “Përpara Tomorit”. Ka shkruar e botuar edhe punime, studime historike, filozofike, mistike si “Lufta e Qerbelasë", "Haxhi", etj., të cilat janë botuar në të përkohshmet e tjera si “Zani i Naltë”, "Njeriu” gjatë viteve 1938-1944 etj.
Ndër punimet e tij të çmuara janë kërkimet për mbishkrimet osmane në Shqipëri, studimet mbi regjistrat tahrir dhe shumë dokumente të tjera osmane. Mes të cilëve përkthimi i tij i tahririt të Përmetit dhe Korçës të vitit 1431, i botuar më 2018. Ka punuar një varg përkthimesh të tjera që i përkasin periudhës së Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, siç janë aktet dhe memorandumet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, manifestin “Ujanallem” (“Të zgjohemi”) 1899, hartuar nga Dervish Hima, letërkëmbimin e tij me dr. Ibrahim Temon, i përbërë prej 64 letrash, që përfshihet në vëllimin e tretë (1900-1908) “Rilindja Kombëtare Shqiptare”. Përveç dokumenteve historike, ka përkthyer veprat shkencore të Hoxha Hasan Tahsinit, dramën “Besa” të Sami Frashërit, “Shahnamenë” e poetit të madh të Persisë, Firdeusit, përmbledhjen poetike “Tahajjulat” (“Ëndërrimet” dhe “Katër stinët”) të poetit Naim Frashëri dhe veprën “Gjylistani dhe Bostani” të Saadi Shirazit.
Sipas historianit Ahmet Kondo, puna e Buharasë në Institutin e Historisë si përkthyes nga gjuha osmanishte u vu në shërbim të disave që bënë emër si punonjës shkencorë në mënyrë të padrejtë.
Më 20 dhjetor 1993 iu dha titulli “Mësues i Popullit” (pas vdekjes) dhe Qytetar Nderi, kurse më 6 korrik 1994, medreseja dhe biblioteka e qytetit të Beratit mbajnë emrin e tij.
Në vitin 1995, historiani Ahmet Kondo shkroi monografinë “Vexhi Buharaja, njeriu, poeti, dijetari" më 1995. Përmendet në librin, “Antologjia e Krimit Komunist”, botuar në vitin 2006. Në vitin 2008, në Tiranë, u botua libri me titull: “Vexhi Buharaja pa mite e mjegull”, shkruar nga Yzedin Hima. Pas një heshtjeje të gjatë foli edhe Akademia e Shkencave me Fjalorin Encikopedik Shqiptar.
This article uses material from the Wikipedia Shqip article Vexhi Buharaja, which is released under the Creative Commons Attribution-ShareAlike 3.0 license ("CC BY-SA 3.0"); additional terms may apply (view authors). Përmbajtja është në disponim nëpërmjet licencës CC BY-SA 4.0 nëse nuk shënohet ndryshe. Images, videos and audio are available under their respective licenses.
®Wikipedia is a registered trademark of the Wiki Foundation, Inc. Wiki Shqip (DUHOCTRUNGQUOC.VN) is an independent company and has no affiliation with Wiki Foundation.