Thomas Hobbes (shqipërimi: Tomas Hobsi) u lind më 5 prill 1588; ai ishte biri i një prifti dhe një vajze fshati të vogël pranë Malmesurit, në jugperëndim të Anglisë.
Pasi frekuentoi shkollën e fshatit, ndoqi një institucion privat të Malmesburit për formimin në gjuhët klasike. Mbështetja financiare e një të afërmi e lejoi të ndiqte studimet në Oksford, që i përfundoi më 1607. Vitin pasardhës, Hobsi u bë mësues në banesën e baron Kavendishit, konti i ardhshëm i Devonshirit, dhe bashkë me të birin e këtij të fundit ndërmori udhëtimet e studimit jashtë Anglisë. Me përjashtim të disa ndërprerjeve të shkurtra, qëndroi për shumë kohë në shërbim të kësaj familjeje, duke punuar paralelisht dhe me raste si sekretar i Frensis Bekonit.
Më 1629, Hobsi botoi një perkthim të ri të Historia e luftës së Peloponezit, të historianit athinas Tuqididit. Nga viti 1629 deri më 1634, udhëtimet e gjata e lidhën me personalitetet më të mëdha europiane të shkencës dhe të filozofisë, që patën një ndikim vendimtar në zhvillimin e mendimit të tij. Kështu ai takoi në Itali Galileun, në Francë Dekartin, matematikanin Marsen dhe filozofin e natyralistin Gasendi. Në atë kohë lexoi gjithashtu Pëbërbërësit të Euklidit të Aleksandrisë, që datonin nga shekulli III para Jezu Krishtit.
Më 1640, ithtar i sovranitetit mbretëror, Hobsi tërhoqi mbi vete rrufetë e Parlamentit dhe pëlqeu t'u vidhej trazirave të luftës civile që po fillonte; ai u strehua në Paris, ku qëndroi njëmbëdhjetë vjet. Aty i dha mësim për dv vjet për matematikën Çarlit II të ardhshëm të Anglisë, strehuar si ai, dhe botoi më 1642 veprën Për qytetarin, pjesa e tretë e një projekti në tri vëllime mbi Përbërësit e filozofisë. Pak kohë para kthimit në Angli u botua vepra e tij e famshme Leviathan (1651), që mbetet vepra më e rëndësishme e filozofisë politike në gjuhën angleze.
Në vitet që pasuan, Hobsi përpiloi dhe botoi dy vëllimet e tjera të veprës Përbërësit efilozofisë - Për trupin (1655) dhe Për njeriun (1658). Më 1668, nuk iu pranua leja për të botuar Betemoth, një studim historik dhe analitik i epokës së tij; ky tekst do ta shihte dritën e botimit vetëm më 1889.Pak para se të vdiste,Hobsi po punonte mbi një përkthim të ri në anglisht të Iliadës dhe të Odisesë. Vdiq në Harduik, më 4 dhjetor 1679.
Në mes të shekullit XVII, mendimet e ajkës së shoqërisë europiane ishin pushtuar kryesisht nga dy përvoja historike. Nga njëra anë bëhej fjalë për tmerrin e luftërave të fesë, që kishin shkatërruar vendet si pasojë e Reformës, nga viti 1562 deri më 1598 për Francën, nga viti 1642 deri më 1646 për Anglinë dhe nga viti 1618 deri më 1648 për mbarë Europën Qendrore me luftën e llahtarshme të Tridhjetë Viteve. Nga ana tjetër, ishin zhvillimet shumë të mëdha që shkencat e natyrës arritën kudo, falë metodave matematikore me të cilat punojnë tashmë. Këto dy përvoja erdhën dhe u bashkuan në veprën e Tomas Hobsit, në gjirin e një sistemi mekanist, që përfshinte sa njohjen e natyrës aq edhe atë të njeriut, dhe para së gjithash tërë shtetin.
Ka mundësi që entuziazmi i Hobsit për mënyrën e re të trajtimit të shkencave të natyrës të jetë nxitur nga Frensis Bekoni, të cilit i shërbeu si sekretar në vitet e rinisë. Por mënyra e tij e të menduarit u ndikua jashtëzakonisht shumë nga takimi i tij me Galileun, në Itali, si dhe nga diskutimet filozofike që pati në Paris, ku kaloi njëmbëdhjetë vite të jetës. Bashkëbiseduesit e tij kryesorë qenë aty filozofi libertin Gasendi (1592-1655), që rizbulonte në atë kohë materializmin e qetë të Epikurit, por edhe murgu franceskan Marin Marsena (1588-1648), përmes të cilit Hobsi ra në kontakt me idetë e Rëne Dekartit (1596-1650), më i ri se ai, por që ishte bërë i famshëm shumë shpejt.
Takimi me Galileun nguliti tek ai bindjen se natyra përbëhet nga trupa që lëvizin nëpërmjet një këmbimi tërheqjeje dhe shtytjeje, në mënyrë të llogaritshme. Hobsi rimori nga atomizmi antik idenë se përfshirja njerëzore ishte gjithashtu me natyrë materiale. Nga kartezianizmi përshtati "metodën gjeometrike", që qëndronte te përfundimi logjik i të vërtetave të vërtetuara aty për aty, të cilave u jep një vlerë analoge me atë të aksiomave, përfundimeve logjike.
Hobsi e përgjithësoi sistemin e vet në tri shkrime të titulluara: Për trupin, Për njeriun dhe Për qytetarin.Ashtu si bota materiale lëviz sipas një mekanizmi të ndërlikuar ingranazhesh, si ajo e një ore të ndërlikuar, edhe njeriu është rrënjësisht ashtu si një makinë. Mjeku Uiliam Harvei, mik i vjetër i Hobsit, e kishte treguar në mënyrë të shkëlqyer këtë nëpërmjet qarkullimit të gjakut. Prandaj, sipas Hobsit, pulsionet psikologjike dhe gjendjet si kënaqësia dhe dhimbja, dashuria dhe urrejtja, dëshira dhe frika, mund të çojnë te pulsioni fizik i dorës së parë, që është ruajtja e vetes. Një pulsion i tillë i bindet domosdoshmërisë, megjithëse këtu nuk bëhet fjalë për një vullnet të lirë.
Kjo doktrinë materialiste e njeriut - ose "antropologji", në kuptimin hobsian të fjalës - është pikënisja e teorisë së tij të shtetit, që është pjesa më e rëndësishme e filozofisë së tij (si dhe e asaj që ka mbetur). Para se të bëhet qytetar i një shteti, njeriu nga natyra është një qenie që priret të ruajë veten dhe të përfitojë sa më mirë nga ekzistenca e tij. Pra ai dëshiron të ketë sa më shumë që është e mundur për veten, pa marrë aspak parasysh të afërmin e tij. Duke mos kërkuar bashkësinë si fakt zoopolitikon ("kafshëpolitike") të Aristotelit, ai është një kapitalist "modern", gjithmonë në konkurrencë me të ngjashmin e tij, një lloj "protokapitalisti".
Ndodh që fuqia shtetërore të jetë në duart e një uzurpatori. I tillë ishte Oliver Kromuelli, "prijësi" i revolucionit anglez, nën tiraninë e të cilit u botua vepra e Hobsit, e titulluar Leviathan, që i referohet përbindëshit të Dhjatës së Vjetër dhe simbolit të gjithë pushtetit të shtetit. Ky pushtet mund të jetë i mishëruar gjithashtu nga një mbret trashëgimtar si Karli II, nxënës i Hobsit. Kjo nuk ka rëndësi. Por në të gjitha rastet, sovrani duhet të mbretërojë në mënyrë absolute, pa kontrollin e instancave të tjera, sepse çdo pakësim i pushtetit të tij do të sjellë rrezikun e marrëdhënieve të forcave antagoniste, pra një rrezik i afërt i luftës civile.
Me këtë doktrinë të shtetit, Hobsi përsoste sistemin që Nikola Makiaveli kishte formuluar në fillim të erës të luftërave civile dhe të luftërave fetare. Ai e përfshinte teorinë e shtetit modern te racionalizmi i ri dhe përuronte në këtë mënyrë rrugën e absolutizmit politik, domethënë të një epoke të historisë çuditërisht "të qetë", që do të bënte të lindte Filozofia e Dritave. Veprat kryesore: De corpore (1655); De Homine (1658); De cive (1642); (këto janë tri pjesë të Elementa philosophica të tij); De corpore (1640); Leviathan (1651). Botimi i të gjitha veprave të shkruara latinisht doli në Amsterdam, në vitin 1668, në 4 vëllme.
This article uses material from the Wikipedia Shqip article Thomas Hobbes, which is released under the Creative Commons Attribution-ShareAlike 3.0 license ("CC BY-SA 3.0"); additional terms may apply (view authors). Përmbajtja është në disponim nëpërmjet licencës CC BY-SA 4.0 nëse nuk shënohet ndryshe. Images, videos and audio are available under their respective licenses.
®Wikipedia is a registered trademark of the Wiki Foundation, Inc. Wiki Shqip (DUHOCTRUNGQUOC.VN) is an independent company and has no affiliation with Wiki Foundation.