Shaban Hadëri (Palavli, 28 mars 1928 - 14 janar 2010) ka qenë skulptor shqiptar.
U lind në Palavli të Delvinës, i biri i Halil Hadërit. Pas çlirimit kreu Liceun Artistik "Jordan Misja" në Tiranë (1947-1950). Në vitin 1950-1952 ishte drejtori i Pinakotekës së Tiranës, e cila në vitin 1954 do merrte emrin Galeria e Arteve. Studimet e larta për skulpturë i kreu në Institutin e Arteve të Bukura "Rjepin" në Shën Peterburg. Diploma e Hadërit me titull "Shokët" u ekspozua në Moskë, në ekspozitën e 13 vendeve socialiste të kohës. Me kthimin në atdhe, Hadëri do të ishte një nga pedagogët e parë në Institutin e Arteve të Tiranës, duke përgatitur brezat e artistëve të rinj shqiptarë. Skulptori i Popullit, Shaban Hadëri ishte një nga skulptorët e rëndësishëm të realizmit socialist. Në krijimtarinë e tij të gjerë zënë vend të gjitha gjinitë e skulpturës, duke filluar nga portretet, figurat, kompozimet figurave dhe monumentet e shesheve të qyteteve shqiptare. Ai ka trajtuar në veprat e tij tema nga historia dhe heronjtë e saj në shekuj, nga lufta antifashiste nacionalçlirimtare, nga ndërtimi i socializmit. Procesi i tij krijues përfshin dy periudha, atë nga vitet 1960-1990 dhe krijimtaria pas viteve 1990. Vepra skulpturore e Shaban Hadërit - Skulptor i Popullit - vlerësohet për realizmin e tij nëpërmjet plasticitetit të formave skulpturore, evidentimin e psikologjisë së personazheve, monumentalitetin e fuqishëm ekspresiv. Hadëri është bashkautor në "Monumentin e Pavarësisë në Vlorë" (1972), Monumentin "Nënë Shqipëri" (1972), Relievin e kushtuar luftës së vitit 1920, Relievit të Kryeministrisë (1974), si edhe autori i monumentit "Heronjtë e Vigut"- Shkodër (1984), "Isa Boletini" (1986) - Shkodër. Skulptori i Popullit, Shaban Hadëri është vlerësuar me çmime të ndryshme, ndërmjet të cilave: "Skulptor i Merituar", "Skulptor i Popullit", Urdhri "Flamuri i Kuq" i Klasit I, Çmimin e Republikës - Klasi i I. Ai është bashkautor i një prej 4 monumenteve kushtuar Enver Hoxhës (në sheshet e qyteteve), atij të vendosur në qendër të Tiranës më 1988-ën dhe që u rrëzua në marsin e viti 1991 nga qytetarët gjatë lëvizjes demokratike për rrëzimin e diktaturës. Pas viteve 1990, artisti pati një paralizë parciale, por edhe pse i sëmurë vazhdoi krijimtarinë e tij duke realizuar punime në përmasa të vogla dhe kryesisht iu kushtua dhe pasionit të tij, pikturës, duke realizuar natyra të qeta, peizazhe etj. Në fondin e GKA, Tiranë ruhen 27 punime të autorit kryesisht portrete, kompozime (në dru, gips, bronz). Vdiq më 14 janar 2010.
This article uses material from the Wikipedia Shqip article Shaban Hadëri, which is released under the Creative Commons Attribution-ShareAlike 3.0 license ("CC BY-SA 3.0"); additional terms may apply (view authors). Përmbajtja është në disponim nëpërmjet licencës CC BY-SA 4.0 nëse nuk shënohet ndryshe. Images, videos and audio are available under their respective licenses.
®Wikipedia is a registered trademark of the Wiki Foundation, Inc. Wiki Shqip (DUHOCTRUNGQUOC.VN) is an independent company and has no affiliation with Wiki Foundation.