Mehdi Bardhi (Prizren, 14 shtator 1927 - Prishtinë, 3 prill 1994) ka qenë arsimtar, pedagog, albanolog, gjuhëtar dhe tekstolog shqiptar në Kosovë, në kohën e Jugosllavisë.
Mehdi Bardhi | |
---|---|
U lind më | 14 shtator 1927 Prizren |
Vdiq më | 3 prill 1994 Prishtinë |
Mësimet fillestare i kreu në Prizren dhe ato të mesme në Prishtinë. Pas një pune si mësues në periudhën e pasluftës, Bardhi i vijoi studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Beogradit, ku u dallua si student i zgjuar dhe i zellshëm. Nga fundi i viteve ’50 ai i vazhdoi studimet pasuniversitare poashtu në Beograd, për të mbrojtur gradën shkencore Magjistër i shkencave filologjike me një temë mbi të folmen e Hasit.
Pas mbarimit të shkallës së tretë në Beograd, Bardhi kthehet me punë në Prishtinë, së pari në Shkollën e Lartë Pedagogjike, e pastaj si arsimtar në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit të Filozofisë, ku punoi deri në pension. Bardhi gjeneratave të tëra të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës u ka mbajtur ligjërata në lëndët fonetikë, morfologji, sintaksë, hyrje në gjuhësi, histori e gjuhës, leksikologji dhe tekste të vjetra.
Ishte njëri ndër tre punonjësit e parë shkencorë të Institutit Albanologjik të Prishtinës, mbylljen e të cilit e përjetoi rëndë, si një akt barbar e të shëmtuar të pushtuesve serbë. Ka qenë disa herë Kryetar i Degës së Gjuhës Shqipe, prodekan i Fakultetit të Filozofisë, një nga drejtuesit e Seminarit të Gjuhës Shqipe për të Huajt, bashkëpunëtor shumëvjeçar i Institutit Albanologjik, veprimtar i shquar në të gjitha hallkat e rrjetit arsimor të Kosovës.
Gjatë vitit akademik 1989/90 ishte lektor i gjuhës shqipe në Universitetin e Gjuhëve te Huaja të Pekinit, ku përpiloi librin e gramatikës së gjuhës shqipe për studentët kinezë.
Ka qenë anëtar i redaksive të disa revistave të “Përparimit”, të “Buletinit të SHLP të Prishtinës”, të “Buletinit të Fakultetit Filozofik” të “Gjurmimeve Albanologjike”, të “Studimeve Gjuhësore I - Dialektologji”, të “Studia humanistica”, të “Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën shqiptare”.
Profesor Bardhi është autor e bashkautor i shtatëmbëdhjetë librave e i fjalorëve, i gjashtë broshurave, i më tepër se tridhjetë artikujve e studimeve shkencore, i shtatëmbëdhjetë përkthimeve të ndryshme, mbledhës korrekt i këngëve popullore, të cilat i ka publikuar në botimet e Institutit Albanologjik, autor e bashkautor i katërmbëdhjetë recensioneve të librave, të fjalorëve e të punimeve shkencore dhe i një vargu të gjatë të ligjëratave dhe të kumtesave, të mbajtura në manifestime shkencore të niveleve të ndryshme, në seminare, tryeza, etj.
Bartës i Urdhërit të Punës me Kurorë të Artë. Ka bërë një punë të vlefshme në përpilimin e Fjalorit serbokroatisht-shqip (1974) dhe të Fjalorit shqip-serbokroatisht (1981). Ana sasiore dhe ana cilësore e punës së tij në këta fjalorë ka një peshë të posaçme. Gjatë viteve të fundit punoi intensivisht si bashkautor i Fjalorit të fjalëve të huaja, botim i Institutit Albanologjik të Prishtinës.
Bardhi është çmuar si një pedagog i palodhshëm dhe si një mësimdhënës i zellshëm i institucioneve ku ka punuar. Gjithashtu është çmuar edhe nga ana e studentëve, për arsye se në punën e tij me ta ishte korrekt, i afërt dhe kurdoherë i gatshëm për t’u dalë në ndihmë gjatë studimeve. Studimet e tij për problemet aktuale por edhe të përhershme të gjuhësisë, si dhe artikujt e ndryshëm për çështje të arsimit, kanë një vlerë të veçantë. Kontributi më i madh i tij i përket fushës së gjuhës shqipe, e veçanërisht leksikografisë dhe ortografisë.
This article uses material from the Wikipedia Shqip article Mehdi Bardhi, which is released under the Creative Commons Attribution-ShareAlike 3.0 license ("CC BY-SA 3.0"); additional terms may apply (view authors). Përmbajtja është në disponim nëpërmjet licencës CC BY-SA 4.0 nëse nuk shënohet ndryshe. Images, videos and audio are available under their respective licenses.
®Wikipedia is a registered trademark of the Wiki Foundation, Inc. Wiki Shqip (DUHOCTRUNGQUOC.VN) is an independent company and has no affiliation with Wiki Foundation.