Mark Kaçinari (Prizren, 1935 - Prishtinë, 1985) ishte kompozitor, pedagog, dirigjent, hartues i teksteve shkollore.
U lind më 20 Janar të vitit 1935 në Prizeren dhe vdiq më 19 Nëntor të vitit 1985 në Prishtinë. Ai i përket brezit të parë të studentëve shqiptarë nga Kosova, të cilët kanë kryer
Akademinë e Muzikes. Studimet e para për muzikë i kreu në qytetin e tij të lindjes në shkollën e Mesme të Muzikës në vitin 1949 – 1953. Pasi punon një vit (1953 – 1954) si mësues në gjimnazin e ulët të Gjilanit, në vitin 1954 fillon studimet e larta pranë Akademisë së Muzikës në Beograd në degën e Teorisë dhe Pedagogjisë Muzikore, të cilat i përfundon në vitin 1961. Gjatë viteve 1956 -1961 ishte anëtar i rregullt i korit profesionist të Radio Beogradit. Në vitet 1973 – 1975 studioi kompozim pranë Fakultetit të Muzikës në Shkup në klasën e T.Proshev, ndërsa studimet postuniversitare (Shkallën e III) për dirigjim i ndoqi gjatë viteve 1977 – 1979 në klasën e prof. V. Ilic në Beograd.
Pas studimeve në Beograd (1961), kthehet në Kosovë, ku në fillim punon si profesor pranë shkollës së Mesme të Muzikës në Prizren. Krahas punës pedagogjike angazhohet dhe si dirigjent i korit SHKA “Agimi”, me të cilin pati një aktivitet shumë të sukseseshëm. M. Kacinari është një ndër pedagogët e parë të Shkollës së Lartë Pedagogjike në Prishtinë, që dha mësim në degën e edukatës muzikore. Me themelimin e degës së muzikës, në vitin 1975, pranë Akademisë së Arteve në Prishtinë, Mark Kaçinari kalon pranë këtij institucioni ku jep lëndën e Solfezhit. M. Kaçinari u emërua si Dekan i Akademisë së Arteve të Prishtinës ku shërbeu prej vitit 1984 deri në vitin 1985 kur ndërroi jetë.
Si dirigjent, M. Kaçinari ka zhvilluar një aktivitet të shquar. Që në vitin 1969, kur themeloi korin “Collegium Cantorum” e deri në ditët e fundit të jetës së tij, ai realizoi një numër të madh koncertesh, jo vetëm në Kosovë, por edhe në vende të tjera të botës. Kori i drejtuar prej Mark Kaçinarit ia shtoi famën jo vetëm zhvillimeve muzikore shqiptare në Kosovë, por përmes aktivitetit të larmishëm e të vazhdueshëm i rriti dhe famën vetë Kosovës. Përfaqësimi i Kosovës me këtë kor në veprimtari kombëtare e ndërkombëtare muzikore është vlerësuar me çmime të lakmueshme. Në vitin 1972 fiton me “Collegium Cantorum” çmimin e III në Festivalin Botëror të koreve në Langolen të Anglisë. Në të njëjtin festival, pjesa "Vjeshta" e kompozitorit Rexho Mulliqi vlerësohet me çmimin e parë si "Kënga më e mirë". Ky kor u bë gjithashtu një nxitje e vërtetë për kompozitorët e tjerë, si dhe një mbështetje serioze në realizimin e shumë veprave të mëdha të muzikës shqiptare të Kosovës. Përpos veprave të mëdha të kompozitorëve botëror, si “Requiem” e W. A. Mozart, fragmente nga opera “Trubadur” e G.Verdit, etj., në bashkëpunim me Orkestrën Simfonike te RTP, kori “Collegium Cantorum” ka ekzekutuar edhe veprat e autorëve shqiptare dhe kroatë. Kori “Collegium Cantorum” në drejtimin e Kaçinarit, brenda një periudhe relativisht të shkurtër, arriti të hedhë baza të shëndosha të një tradite të sukseseshme të kulturës së këndimit vokalo-koral në Kosovë. Mark Kacinari ishte njohes i shkelqyer i teknikes se te kenduarit koral dhe krijoi nje standard te tingellimit dhe interpretimit te korit te tij te nje niveli shume te larte dhe nderkombetar.
Edhe si kompozitor, aktiviteti i M. Kaçinarit është i lidhur ngushtë me aktivitetin e tij si dirigjent. Që në vitin 1962, kur përpunoi të parën këngë popullore “Zogu i Ohrit”, ai do të shkruajë një numër të konsiderueshëm veprash korale, gjuha e të cilave shpesh është mjaft e përparuar, megjithë se krijimtaria e tij shtrihet edhe në gjinitë e muzikës instrumentale dhe asaj simfonike.
Për punën e palodhur pedagogjike, organizative, udhëheqëse dhe krijuese, M. Kaçinari është shpërblyer me shumë diploma dhe mirënjohje. Së fundmi, në vitin 2015, Mark Kaçinari dekorohet nga Presidentja e Republikës së Kosovës znj. Jahjaga me "Medalje Presidenciale të Meritave", për kontributin e tij të veçantë në fushën e arsimit dhe kulturës.
Bashkëshortjaː Roza Kaçinari (1944), ekonomiste, auditore e licencuar dhe bankiere e mirnjohur në Kosovë. Fëmijëtː Donika Kaçinari (1969), përkthyese, interpretuese profesionale dhe profesor i gjuhës dhe letersise angleze; Gasper Kaçinari (1971), ekonomist, trajner i mirënjohur i sportit te Kickbox-it në Kosovë; Rina Kaçinari Mikula (1974), violonceliste e njohur, kompozitore, pedagoge e violonçelos, q̥ë jeton e vepron në Vjenë, Austri.
This article uses material from the Wikipedia Shqip article Mark Kaçinari, which is released under the Creative Commons Attribution-ShareAlike 3.0 license ("CC BY-SA 3.0"); additional terms may apply (view authors). Përmbajtja është në disponim nëpërmjet licencës CC BY-SA 4.0 nëse nuk shënohet ndryshe. Images, videos and audio are available under their respective licenses.
®Wikipedia is a registered trademark of the Wiki Foundation, Inc. Wiki Shqip (DUHOCTRUNGQUOC.VN) is an independent company and has no affiliation with Wiki Foundation.