Kujtim Dashi

Kujtitim Dashi (Shkodër, 15 korrik 1951) është publicist dhe novelist shqiptar.

U lind në qytetin e Shkodrës15 korrik 1951. Në mesin e viteve pesëdhjete shpërngulet familjarisht në Lezhë. Ka mbaruar Institutin e Larte Pedagogjik për gjuhë-letërsi shqipe ne vitin 1975. Ka punuar librar, mësues, gazetar (Kryeredaktor i parë i gazetës lokale Koha Jonë) punëtor, politikan, etj. Merret me publicistike, humor, radiodramatizime, etj.

Kujtim Dashi është lindur në qytetin e Shkodrës në vitin 1951. Pas mesit të viteve ’50 transferohet familjarisht në Lezhë, ku kryen gjimnazin “H.Lezha”. Rikthehet në Shkodër dhe përfundon studimet në Institutin e Lartë Pedagogjik (sot Universiteti “Luigj Gurakuqi”), në Degën Gjuhë-Letërsi Shqipe.

Në Lezhë ka punuar mësues, drejtor shkolle, funksionar rinie, librar, punëtor krahu, gazetar (kryeredaktor i gazetës lokale “Koha jonë”, i gazetës “Lissus” si dhe i “Në fillim qe FJALA”, së bashku me poetin Ndoc Gjetja), politikan, bibliotekar, funksionar shtetëror; në Tiranë specialist i bibliotekave në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, redaktor në një shtëpi botuese etj.

Për rreth 40 vjet merret me: publicistikë; mbledh e shkruan humor; radiodramatizime; përgatit e boton antologji poetike, studime e monografi.Fragmente të “Historive gazmore nga Lezha, etj”, vëll.I, II e III janë botuar në revistën “Satirikët e Ballkanit” që del në Sofje të Bullgarisë.Tregime e novela të tij janë botuar në Bullgari, Itali dhe Greqi. Nga vjeshta e vitit 2000 banon në Tiranë.

Botime :

  • "Edhe një gotë Filipit", tregime, Sh.B."Toena", Tiranë, 1998.
  • "Viktima hyjni", tregime, Sh.B."Toena", Tiranë, 1999.
  • "Aktori i pafat", tregime, Sh.B."Lisitan”, Tiranë, 2002.
  • "Jetë e tymosur", tregime, Sh.B."Globus R", Tiranë, 2003.
  • "Ritual", tregime, Sh.B."Lisitan", Tiranë, 2004.
  • ”Në muajin e nëntë…”, tregime e novela të zgjedhura, Sh.B.”Ombra GVG”,

Tiranë, 2006.

  • “Pesë yje mbi mjerim”, tregime e novela, Sh.B “Argeta LMG”, Tiranë, 2009.
  • "Histori gazmore nga Lezha etj.",Vëllimi I, përmbledhje humori, Sh.B."Toena", Tiranë, 2000.
  • "Histori gazmore nga Lezha etj.", Vëllimi II, përmbledhje humori, Sh.B. "Naim Frashëri", Tiranë, 2002.
  • "Histori gazmore nga Lezha etj.", Vëllimi III, përmbledhje humori, Sh.B “Geer”, Tiranë, 2007.
  • "45 poetë për Lezhën", antologji poetike, Sh.B."Gjergj Fishta", Lezhë, 1996.
  • "Baladë për Fran Ivanaj", antologji poetike, Sh.B."Globus R", Tiranë, 2000.
  • "Pas Migjenit", antologji poetike, Sh.B."Mësonjëtorja e parë”, Tiranë, 2001.
  • "Gjuha e zjarrtë…5 shekuj poezi, 100 poetë", antologji poetike, Sh.B."Globus R", Tiranë, 2004.
  • "Gjuha e zjarrtë…5 shekuj poezi, 100 poetë", antologji poetike, botim i dytë dhe i ripunuar, Sh.B."Globus R", Tiranë, 2009.
  • ”Thellësia e thjeshtësisë-Poeti dhe Njeriu Ndoc Gjetja”-, monografi, E.B ”Lisitan”, Tiranë, 2004.
  • ”Leksikoni i Lezhës”-Autorë, institucione, media, -fjalor encikolopedik, E.B. ”Lisitan”, Tiranë, 2005.
  • ”Lezha-vendlindja ime”, Shtëpia Botuese “Erik”, Tiranë, 2008.

Opinione për prozën e autorit nga :

Tregime që priren nga optika e një realiteti ndryshe

1.-Realitete letrare

Realiteti artistik në vëllimin “Jetë e tymtosur” e Kujtim Dashit është kushtëzuar nga rrethanat. Tregimet priren nga optika e një realiteti ndryshe. Këto realitete në tregime nuk vijnë si gjendje çasti, por si procese të përhershmërisë apo ndryshueshmërisë psikike, në një stad të caktuar kohor. Në këtë realitet jetësor ai gjen bërthamën shpirtërore të përveçësuar, por edhe si shumësi.

Kështu prozatori kërkon te realiteti i së shkuarës dhe ai i përditshmërisë. Ai ecën me lehtësi nga një realitet te tjetri. Është më i vëmendshëm për atë që ka ndodhur dhe ndodh si një pasuri kohore, disa prej tyre bëhen ngacmues dhe tema të preferuara. Pra, rrëfimi është jetësor, i besueshëm, i ndodhshëm dhe njëkohësisht i dhimbshëm. Të duket sikur ai e merr ashtu siç ka ndodhur në jetë duke sjellë modele që karakterizojnë frymën e kohës, ku zotëron një lëndueshmëri dëshpëruese, një privim nga mjetet më të domosdoshme të mbijetesës. Universi rrëfyes i këtij tregimtari krijohet prej një shqetësimi qytetar, prej dhimbjes që i shkakton njeriut, njeriu tjetër që udhëhiqet nga një mendësi ndryshe. Prozatorin e ka interesuar jeta e një kohe të caktuar, pra nuk priret nga ngjarja, por nga personazhi, nga tipi përfaqësues. Ndonëse e quaj me vend opinionin e shfaqur nga kritika letrare se si tipar dallues të këtij autori janë gjetjet interesante e origjinale, mendoj se veçoria e këtij prozatori nuk është vetëm intiuta në gjetjen e ngjarjeve, se vetë jeta është një ngjarje e madhe që përbëhet nga shumësia e ngjarjeve, por si një univers që ka në qendër njeriun. Tregimtari hyn në marrëdhënie me të gjithë kohët dhe merr prej tyre më të dukshmen, sidomos rrjedhat e turbullta të jetës. Vëllimi kryesisht përfshin ngjarje që kanë një lloj afërsie. Tregimet në aspektin kohor, kanë një lidhje përbashkësie. Peripecitë e njeriut nuk kanë fund, pra edhe ngjarjet janë të pafundme. Ka ngjarje apo rrënoja ngjarjesh, të cilat nxirren prej harresës, pastrohen dhe, duke dalë në dritë, marrin një shkëlqim të ri.

Virtyti dhe vesi si esencë shpirtërore rrëfyese, thërrmohet si një materie në pafundësi zbulesash e spektresh të reja, në thelbe ngjarjesh të panumërta, megjithatë dihet se nuk është ngjarja ajo që ofron gjithçka, është mjeshtëria e harmonizimit të komponentëve të tregimit.

Veçoria shquese e prozës së K. Dashit është natyrshmëria e thjeshtësia e të rrëfyerit; ai nuk merret me përkëdheljen e fjalës e të frazës, i mjafton ajo, që të komunikojë qartë e rrjedhshëm që mesazhi të lexohet mirë. Gjithashtu, prozatori, duke ruajtur këtë mënyrë rrëfimi të tillë, synon të bëjë komunikimin sa më të drejtpërdrejt për ta dhënë atë në mënyrë më të qartë, më bindëse, duke i “ofruar” në njëfarë mënyre “bashkautorësi” lexuesit të kulturuar. Tregimi arrin të funksionojë në sajë të mjeshtërisë së vëzhgimit të mprehtë dhe komunikimit me lexuesin, të cilit si të paktë autorë bashkëkohorë, ia vlerëson formimin, duke mos e rënduar tregimin me detaje, fakte, përshkrime, dialogje etj të panevojshme e irracionale ; nga puna e frytshme me gjuhën, çka shënon një hap përpara, krahasuar me vëllimet e mëparshme të këtij autori prodhimtar.

Tregimet më të mira të K.Dashit karakterizohen nga rrëfimet e holla psikologjike të botë perceptimit të personazhit. Ato pasqyrojnë shumëllojshmëri gjendjesh emocionale, në veçanti dhimbja merr trajtë të ndryshme, por nuk i vë personazhet në prova të vështira për të zbuluar të vërtetat dhe të pavërtetat si një lëndë e padobishme. Të gjitha nënshtresat e mendimit në rrëfim vijnë si të zbuluara jo me vështirësi, por si një rrëfim që ngjet me të folurën e rrjedhshme.

Në tregimet e këtij vëllimi nuk gjen imtësi, që e ngarkojnë apo t’i marrin frymën prozës e të pengojnë komunikimin. Autori synon komunikimin me shtresën e gjerë të lexuesit. Në ndonjë tregim mund të gjesh edhe lëndë të tepërt rrëfyese, por kjo i përket vetëm fillimit të tregimit që ngjet si një hyrje. Hapësira e rrëfimit rrjedh si një kohë lineare apo kronologjike.

2.- Zëri rrëfimtar

Disa nga tregimet duke u përpjekur të kapin probleme të thjeshta, marrin një ngarkesë emocionale përmes një fakti, që përqaset me të tjera ngjashmëri të shumëllojta, vlerash e cilësish apo edhe si shkatërruese të personalitetit të njeriut, si një injektim i një vdekje të ngadaltë. Është ky njeri që pëson dramën dhe e përjeton atë thellësisht.

Tregimet më të të arrira krijojnë hapësira më të gjëra, ato apelojnë përvojën e kujtesën e lexuesit, me mikro e makro temash, në rrëfime të shumta, ngjet sikur tregimi është një çelës i një proze të gjatë, si një bërthamë temash, kështu do të kishim vendosje e mbivendosje rrëfimesh të tjera të shumëllojshme.

Këto rrëfime sikur e ftojnë receptuesin për një bashkëbisedim, sepse ky receptues nuk është vetëm objekt, por edhe një subjekt, një bartës apo dëshmitar i këtyre fenomeneve, pra nuk është indiferent. Receptuesi në një mënyrë të tillë, mban një qëndrim aktiv ; ai mund të plotësojë me rrëfim si një cikël që vazhdon si tekst i hapur. Tregimet, në të shumtën e rasteve, janë si një esencë e shpërndarë, si një mit që zgjerohet.

Veçoria më e spikatur te tregimet e K. Dashit është humori, të cilin e gjejmë të grimcuar ndër personazhe e situata të ndryshme duke u dhënë tregimeve ngjyresë apo një tjetër veçanësi. Thelbi i rrëfimit humoristik qëndron në atë, se rrëfimtari i afrohet njeriut dhe priret të kapë atë që është si pasuri përmbajtësore, apo edhe humor i drejtpërdrejt spontan. Humori në këto tregime nuk e kalon masën, në thelb është një cilësi që e pranon rrëfimi, ai shkrihet natyrshëm me rrjedhën e ngjarjes e gjen një harmonizim me veçanësitë psikologjike të personazhit. Humorin e ndesh jo vetëm në çaste të gëzueshme, gjendjesh të normalizuara emocionale, por edhe atëherë kur te personazhet ka një shqetësim, është krijuar një situatë e pakëndshme, siç ndodh, bie fjala, me tregimin “Tabù”, ku prej cilitdo rrëfim të personazhit do të ndeshim nga pak humor, që vjen si pasojë e tronditjes që ka shkaktuar lëkundja e fortë e tërmetit. Humori kështu bëhet funksional.

3.- Ndjeshmëri rrëfyese

Titulli i vëllimit “Jetë e tymosur” është një titull metaforik. Sintagma “jetë e tymosur” është jeta e vështirë, jetë jo e qetë, e sikletshme, e trazuar dhe me halle të shumta, një jetë plot frikë, me pabesi e befasi të çuditshme, e trembur, kur nuk guxon e mundesh të shprehësh një mendim tëndin “jashtë vijave të bardha” të kohës, një ndjenjë, një realitet, siç e ndjen apo siç është në të vërtetë. Tymi është simbol i një diçkaje të fshehtë që po ndodh, ose do të ndodhë në të ardhmen. Para se të digjet diçka, në fillim del tym e pastaj duket zjarri, ose diçka që digjet mbytur dhe nuk po digjet mirë apo i një ngjarje që pritet të ndodhë e që karakterizohet me shprehjet “po i del tymi”, “kur do t’i dalë tymi” etj. Ndërsa për personazhin e tregimit “Jetë e tymosur” të tymosësh shtëpinë, për shkak se dikush është nisur të të përgjojë apo të gjejë elementë të tjera kompromentuese për të vijuar theqafjen e tij, do të thotë të largosh rrezikun që afrohet. Në një plan akoma më të gjerë, autori metaforikisht, duke djegur ditarët e lirisë së gënjeshtërt e mashtruese, sikur do të thotë se një jetë së cilës i mungon e shkuara dhe e sotmja, i mungon kujtesa, është një jetë e çuar dëm, është një jetë vërtet e tymtosur, e mjegullt, iluzive, gati-gati inekzistente.

Prozatori K. Dashi edhe pse shkruan përgjithësisht prozë realiste, tradicionale, nuk ka mbetur ithtar i saj. Nga njëri libër në tjetrin, po sidomos në këtë përmbledhje, vërejmë qartë prirjen e kërkimin e tij të pareshtur për pasurimin e teknikës rrëfimtare. Ai ka futur me sukses elemente të tregimit modern, të cilat mund të vihen re jo vetëm në strukturën e tregimit, por edhe në mjetet e tjera shprehëse stilistikore me të cilën realizohet kumti i rrëfimit dhe mbahen lidhje më të afërta me lexuesin. Një mënyrë të tillë do ta hetonim tek mpakja e ngjarjes dhe thjeshtëzimi i saj. Mënjanimi i dialogut në një farë mase, duke zënë pak vend, madje edhe në ndonjë tregim ku ka dialog, ai nuk i kushton kujdes të veçantë këtij elementi, por e përfshin brenda rrëfimit monologjik, si te tregimi “Rikthimi i sheganëve”. Edhe vetë fjala e krijuar “sheganët” është simbol i njerëzve të paaftë që nuk e kanë ndjenjën njerëzore, pra nuk janë njerëz; ata janë simbol i ironizuar i një fruti pemor apo, më shkoqur, i një diçkaje tjetër që lidhet me emrin e kaut. Kështu do t’i quajë të gjithë ata, që panë me tejqyrë proceset demokratizuese, ndërsa u turrën tinëzisht e diabolikisht mbi prênë që quhet shtet dhe përfituan vendet më të mira, kur pushtetin nuk e drejtojnë atdhetarët e profesionistët e vërtetë, por “sheganët” e njëmendët, të padukshmit, gjithëpërfshirësit finokë e dallaverexhinj. Ndërsa Albert Hakoja si personazh i tregimit, si protagonist i vërtetë, si njeriu idealist, model a simbol i proceseve demokratizuese, përgjatë tetëdhjetëetetë ditëve pret një vend pune sipas kontributit të vyer që ka dhënë, duke u zhytur në përsiatje hutuese e të pafund teksa sheh nga afër dhe i tronditur mënyrën e funksionimit të “karuselit pushtetor” dhe, me veten e tij, ripërsërit dramtikisht: “Cilët janë zotërit e vërtetë të këtij vendi, ata që i vënë gjoksin, atdhetarët idealistë apo kush i kthen kurrizin dhe mjel e mjel pamëshirshmërisht lopën shtet? Si është e mundur që kaq misteriozisht, dalëngadalë e, si pa u ndjerë, po luhet drama jonë kombëtare e radhës që de facto po emigronte pushteti nga protagonistët e vërtetë te takëmi i të fituarve të përhershëm e të padukshëm, te “sheganët” e konvertuar në ekspertë apo në gjithëpërfshirësa finokë që kanë larë e shpërlarë paudhësitë e tyre në turli lloj OJQ a OJF?” Tipar tjetër dallues i kësaj proze është ironia, e cila i jep një veçori tjetër gjallëruese, e bën mendimin më të ngarkuar estetikisht dhe më tërheqës rrëfimin. Në tregime, si “Grupi i Murros” ironia kthehet në sarkazmë. Nëntë vjet (tre mekanizatorë nga tre vjet) burg për një shaka është një shaka dërmuese për ata që jepnin dënime jashtë arsyes dhe logjikës njerëzore, se shteti dhe forca e tij mbështetej mbi përjashtimet, flijimet e përndjekjet. Tregimi nuk është një lojë e thjeshtë e banale, por është një ironi e hidhur që kthehet në sarkazmë për sistemin gjyqësor, në proceset e montuara që jepnin dënime të pamerituara me pretekste absurde e qesharake e, mbi të gjitha është përtallje për tërë sistemin politik të kohës.

Në tërësi këto elemente të prozës moderne e kanë bërë më të ndjeshme prozën e Kujtim Dashit.

Muharrem Xhaxho

Aftësi e rrallë për të krijuar personazhin

Gjëja e parë që të bën përshtypje, pasi ke lexuar me endje librin me tregime të shkrimtarit K. Dashi “Aktori i pafat” është aftësia e rrallë për të krijuar personazhin, ngulmimi i përhershëm për të gjetur gjatë udhëtimeve e kontakteve me njerëzit e me jetën atë njeri, i cili do të bëhet personazh i një tregimi apo novele, atë njeri, i cili të ketë atë ngarkesë ngjarjesh e drame, që do të duhej për të fiksuar një copëz jete nga realiteti i sotëm shqiptar dhe një personazh të gjallë e jetësor...

Nëpër tregimet e këtij libri, që do ta konsideroja si librin më të mirë të shkruar gjer më tani nga ky autor, sepse vjen më i plotë në problematikë dhe me një larmi më të pasur karakteresh, janë skalitur me mjeshtëri e thellësi psikologjike një galeri tipash, që të mbeten në mendje dhe u japin jetë e joshje.

Personazhet e K. Dashit nuk janë përsëritje shabllone e personazheve të përshkruar e skicuar nga autorë të tjerë, dhe as të ndërtuar sipas një skeme të parapërgatitur më parë, pra, personazhe që më fort janë sajesa të imagjinatës e të shkallës së njohjes, sesa njerëz të gjallë, me botën e fizionominë e tyre të përcaktuar e të veçantë. Dhe pikërisht këtu, në ngulmimin për të krijuar një personazh, i cili të jetë plotësisht i besueshëm dhe i gjallë, që t’i përngjasë njeriut që ka vërejtur nëpër jetë, qëndron vlera e K. Dashit si shkrimtar dhe garancia se në të ardhmen ai do të na japë vepra më të arrira, më të ndjera e të një niveli më të lartë artistik.

Ne na kanë mbetur në mendje, dhe pas mbarimit të faqeve të këtij libri, një mori personazhesh, fizionomia dhe qendërzimi në shtjellën e ngjarjeve të tregimit, lidhjet e natyrshme që krijohen me personazhet e tjerë, ato skena jetësore e me nëntekst kaq domethënës e bashkëkohor, ndërthurja e ngjarjeve dhe e linjave, që herë-herë premton për një shtrirje më të gjerë se sa rrafshira e një tregimi. Lënda e begatë e mesazhet filozofike e aktuale, që i përcillen lexonjësit, gjen përngjashmëri me dramat dhe andrrallat, që përjeton përditë në realitetin e vrazhdë e dramatik të jetës. Ky lexonjës i vëmendshëm patjetër do t’i bëjë pyetje vetes, nëse ka ndopak ndërgjegje e gjak nëpër deje, sesi duhet të dalë shoqëria jonë nga këto drama e nga ky makth, që i ka mbërthyer keqas gjymtyrët.

Po cilët janë këto personazhe dhe ç’përfaqësojnë në veten e tyre? Pse jeta e tyre vërtitet në qerthullin e një drame dhe pse ardhmëria e tyre nuk është kaq e sigurt dhe e stolisur me ngjyra të ndezua dhe marramendëse ?

Këta personazhe janë : punëtori i gurores, Anton Velaj, që i ishte dukur një regjisori filmi si aktori më i përshtatshëm, të cilin e kërkonte prej kohësh, por që, kur i paraqitet në sheshin e xhirimit, jo më ashtu, kur “u zbulua”, si i dalë nga prozat migjeniane, por i ndërruar e i larë, si krushk i parë, i duket tjetër; drektari i ceremonive të varrimit Sabri Drishti, i braktisur djallëzisht nga gruaja dhe tre fëmijët, që ka gjetur një mënyrë origjinale dhe të përshtatshme për të ngopur barkun e uritur, së paku me një drekë të mirë pa paguar as dhe një qindarkë, duke shkuar nëpër drekat e mortit; këngëtarja e njohur Flora Muzaka, e cila fiton mbi sektarizmin e të shoqit dhe luftëtari i orëve të para Pavllo Libohova, i cili vuan tërë ato mundime dhe përndjekje, sepse nuk mund t’i përshtatet burokracisë shtetërore e partiake dhe bjerrjes së idealeve të larta për demokraci të vërtetë; mustaqelliu i tragetit, që betohej tasheparë me fjalët “për nder të familjes”, në një kohë që gruan dhe vajzën i kishte detyruar të rrinin në pritje të klientëve te semaforët e Milanos e, si tutor rronte me rentën e prostitucionit familjar; thirrësi i pseudonimeve i tregimit “Ejani, mblidhuni pseudonimet e mia”, nga më interesantët e këtij autori, madje do ta quaja antologjik; plaka e garsonieres, për të cilën rrinin në pritje të lajmit të vdekjes së saj shumë hallexhinj të pastrehë të qytetit…dhe mjaft të tjerë e të tjerë, për të cilët lexonjësi do t’i njohë vetë, gjatë leximit të këtij libri.

Këto personazhe janë jashtë çdo skeme e shablloni letraresk. Ata janë krijesa të gjalla, me gjak e nerva, veprojnë nëpër situata e ngjarje të besueshme, saqë të krijohet përshtypja sikur i ke njohur më parë, sikur i ndesh çdo ditë. Ngjarje e situata që përshkruhen me vërtetësi e realizëm e me një njohje të kënaqshme të psikologjisë dhe materialit jetësor. Këto personazhe, përgjithësisht, ngërthejnë në vetvete një dramë të dhimbshme. Ata kanë jetën të trazuar e aspak të siguruar. Këta janë njerëz aktivë, që luftojnë me vështirësitë dhe varfërinë, që ka kapllosur jetën shqiptare, që me vizione të qarta, me idealizëm dhe përkushtim parapërgatitin atë, që autori thotë “shkrepjen e demokracisë”. Ata, kanë individualitet të theksuar dhe, përgjithësisht, nuk bëhen lojë e fatit dhe e pushtetarëve, që kanë mbi krye.

Shkrimtari Kujtim Dashi e ka të të ngulitur në mendje dhe në vetëdijen e vet, se artisti parasëgjithash duhet të jetë bir i kohës, që jeton. Ai duhet, jo vetëm të pasqyrojë me besnikëri e guxim jetën, që i shpaloset para syve, por edhe të ngrejë zërin fort kundër mangësive e parregullsive, të jetë ndërgjegja e gjallë e kohës, të fshikullojë pa mëshirë padrejtësitë e shkaktarët e mundimeve dhe dramave të njëpasnjëshme, të maskaradave, të kurtheve e të prapaskenave mafioze, që kanë sjellë deformime të karakterit e trauma të rënda në shpirtrat e njerëzve, që nuk kanë mundur t’i bëjnë ballë sulmit e trysnisë së tyre të pandalshme e të përbindshme. Jeta njerëzore synohet të paraqitet me ngjyrimet e përmasat e saj. Në të ndesh edhe viktimën dhe luftëtarin, dhe njeriun e ndershëm dhe kontrabandistin, dhe qyqarin e mjeranin pa punë e pa strehë, edhe afaristin e pangopur që vë në tregshitje dhe nderin e moralin e familjes, edhe cmirëziun dhe pushtetarin e pashpirt dhe endës të lloj-lloj mashtrimesh e kurthesh dhe njeriun e mirë e parimor që nuk pranon të vihet në shërbim të tij dhe të bëhet mashë e krimit dhe e vesit. Në tregimin “Njëqind pretendentë për një garsonierë”, autori përmes skenave realiste na rrëfen se gjer në çfarë skajesh të lemerishme janë shtrirë kthetrat e këtij mjerimi çnjerëzor, përmasat e së cilës na kujtojnë ato të dramave që pasqyrohen në poezitë e prozat e Migjenit.

Në tregimin “Një ndryshim në programin e xhirimit” drama e jetës jepet me një gërshetim ngjarjesh e linjash, sa do të ishin të mjaftueshme për ngjizjen e një romani. Personazhet në këtë tregim (i papërfshirë në këtë përmbledhje) nga më të bukurit e këtij libri, si dhe tek tregimi “Për nder të familjes”, “Kori i kinemasë”, “Oooo letrat” etj. janë gdhendur me mjeshtëri dhe kanë mundësi e shtrirje e shpalosje më të gjerë e më të shumanshme. Këto tregime na e zbulojnë jetën në hapësira të gjera, pa iu larguar idesë nismëtare të autorit, boshtit të tyre filozofik.

Nga pikëpamja e mjeshtërisë artistike, shkrimtari K. Dashi në librin “Aktori i pafat” ka rritje të dukshme krahasuar me krijimtarinë e mëparshme si dhe në atë të përmbledhur në vëllimet “Edhe një gotë Filipit” (1998) dhe “Viktima hyjni” (1999). Ai di t’i ndërthurë ngjarjet, të përzgjedhë atë që i duhet nga materiali i begatë jetësor, të skicojë e skalisë personazhet, të cilët i kërkon nëpër lamijet e jetës me zell të admiruar e me këmbëngulje të parreshtur. Autori shquhet për gjetjet origjinale të subjekteve të tregimeve dhe humorin e këndshëm…Nga njëri vëllim te tjetri, në përpjekjet e tij serioze për të krijuar individualitetin e tij krijues, duket ashiqare se po ia shlyen “haraçin” gazetarisë e publicistikës…

Perikli Jorgoni

Rituali i një proze groteske

Në më pak se dhjetë vjet prozatori Kujtim Dashi ka dalë para lexuesit me pesë libra me tregime, çka tregon se ai nuk e heq penën nga dora, i dëshiruar për ta dëshmuar artistikisht botën shqiptare të ditës me luhatjet, dilemat, karakteret në lëvizje të vazhdueshme. Libri më i fundit Ritual është një vazhdë e prurjes dhe e stilit të autorit, ku sërish buisin situatat groteske dhe paradoksale të ditës, çka përbën tharmin e kësaj krijmtarie dhe ku personazhet lëvizin si në një kllounadë të pafundme. Nëse në tregimet e mëparshme peneli sarkastik lëvizte sa në provincë në metropol, tashmë duket se autori ka më në teh zyrat dhe burokracinë, tipat socialë që lëvrijnë në mjediset e metropolit. Syri i tij gjithnjë vëzhgues fokuson dhe lypësin e vogël kryeqëzuar në një semafor nga të rriturit dhe ministrin merhum që mendon se qeveris përmes fakseve rutinë kur është qoftë dhe me shërbim jashtë shtetit, dhe prindin që detyrohet të ushqejë bijtë e vet parazitë, dhe nëpunësin e ngratë si një Bartlbi shqiptar i shekullit XXI, që ngujohet brenda kornizës së një zyre dhe të një orari zyrtar, dhe individin meskin që kërkon të nxjerrë dhjamë prej pleshti, dhe profesorin mizantrop që mbytet në një pikë ujë dhe në atë pikë ujë kërkon të mbyten edhe studentët e tij. Fshikullimi i veseve metropolitane është një kredo e tregimtarit këto kohët e fundit.

Ajo që dallon në mbarështrimin e këtyre tregimeve të shkurtra është ravijëzimi i sekuencave të njëpasnjëshme të një rituali përditshmërie, ku skicohen tipa dhe karaktere, jepen gjendje dhe mjedise, në të cilat lexuesi ka dhe nuk ka dëshirë të gjendet. Ai i përcjell shpesh përmes të qeshurës tipa të realizuar me mjeshtri si telekronistin që di të bëjë gjithë jetën zanatin e shkuarjes pas të mëdhenjve; doktorin që nuk ka asnjë ndjenjë humane, që arrin t’i bëjë gjilpërë dhe një të vdekure, kushërirë e tij, vetëm e vetëm për të marrë shpërblimin, gjer tipin e bastardit që sërish lëviz në një shoqëri në tranzicion. Impresionues është tregimi Ritual, ku dy pensionistët e shkretë porosisin një hiç në lokalin që jo rastësisht emërtohet Uji i Ftohtë, pasi ata vetëm ujin e kanë pa para. Duket se në këto tregime nuk ka dramë, si në disa proza të mëparshme të këtij autori, nuk ka përballje, por në të vërtetë drama është, veçse e ndryshme nga ajo me konflikt e ndeshje. Vetë lexuesi është në përballje, në krah të autorit, me dukuritë e së shëmtuarës nëpër të cilat nuk mund të mos jetë orë e çast. Ndër tregimet që lënë gjurmë të menjëhershme te lexuesi janë edhe Kursi i këmbëpërthyerjes, Carpe diem, Heroi i parazitëve, Grupi i Murros, Film gratis, Qeni i Odisesë etj.

Kujtim Dashi hyn ndër ata shkrimtarë që e kanë bërë mirë zanatin e publicistit për një kohë të gjatë, dhe si të tillë ata, kur vijnë në letërsi e kanë një shqisë të mprehur andej nga vlon jeta e përditshme, pasyrimi i së cilës për ta nuk përbën kurth të gazetarisë ku mbytet letërsia, por, përkundrazi, kërkesë të vetëdijshme të krijimtarisë së tyre, për shkak të situatave fejtonale dhe paradoksale ndaj të cilave ata nuk filozofojnë por reagojnë me anën e groteskut. Erdhi, erdhi telekronisti është tregim që mbart ngarkesë që në titull, një tregim përfaqësues i stilit të zhdërvjelltë ironik të këtij prozatori, që spikat në individualitetin e tij krijues përmes dhënies së karaktereve të dobët të shoqërisë shqiptare. Ky tip që inskenon një farsë me sekretarin e parë (improvizimin e mbledhjes pasi ajo kishte mbaruar për të filmuar enkas sekretarin), ky fytyrëshllikur nuk është vetëm ai i djeshmi i provincës, po dhe i sotmi si shërbëtor i zotërinjve të lartë qeveritarë apo politikës dhe jo bërës i zanatit të tij si profesionist i mediave. Disa herë autori vëzhgon dhe thellë në të shkuarën për të qëmtuar situata groteske e dramatike, si në tregimin Eh, ta kisha parë nga këmbët, ku sillet një ngjarje nga Gjergj Fishta, i njohur për anekdotat, batutat dhe improvizimet poetike sipas stilit të Anzave të Parnasit apo Gomarit të Babatasit, apo tregimet Grupi i Murros, Një kujtim nga adoloshenca etj.

Në tregime lëvizin, qeshin dhe qajnë, profilizohen më tepër se personazhe silueta njerëzore, si në një ritual ku gjenden të gjithë, si pedagogu strikt që i kërkon me ngulm studentit të vet emrin e qenit të Odisesë dhe libreza e tij vuloset me notën katër për këtë mosdije, si Kamila (Qamilja) kolegia e tij e paaftë, që nuk është e zonja, më e pakta, ta prishë këtë minikomedi të profesorit kapricioz e cinik; si njeriu i vetëm që don të protestojë kundër absurditeteve qeverisëse, por mbetet i vetëm dhe fatkeq në protestën e tij, njëlloj aktori i pafat, që vërtitet në ritualin e gjatë e si të pambarimtë të ditëpunës së tij në zyrë, ku dhe ha bukë, pi një faqore raki, lan e shpërlan protezën e dhëmbëve, madje edhe urinon në zyrën-motel të shtetit. E gjitha kjo shihet në zyrat përballë godinës së atij dikasteri ku të tjerë zyrtarë lëvrijnë në ditëpunën e tyre me një orar pa kuptim. Tregimi Film gratis është një lloj proze moderne, ku autori përshkruan një ditë pune pa kuptim, kryesisht përmes detajeve shprehëse, që janë një veti e stilit të tij. Në tregimin Jam prej Kukësi e jo prej Kosove (i papërfshirë në këtë përmbledhje) del në pah shpirti i vogël i malësorit që don të fitojë disa qindra marka nga lënia me qera e shtëpisë së tij një familjeje kosovare, përballë shpirtit të madh të një populli që pret e përcjell kosovarët e shpërngulur në vitin 1999 nga shovinistët serbë. Kurse dy tregimet Carpe diem (Përfito nga dita e sotme) dhe Grupi i Murros autori na bën një kalim në të shkuarën; në të parin një gjetje vërtet interesante që sjell një episod nga kolektivizimi, me një çiltërsi karakteresh dhe një mbyllje groteske, paçka se duket ashiqare se autorin e preokupon diçka më madhore: abuzimi marramendës me mikpritjen, sinqeritetin e atdhetarizmin e shqiptarit për të përfituar, bie fjala, një bursë në Moskë; kurse në të dytin është një shaka kunderiane që çon në burg tre buldozeristë që ndëshkojnë një qen që u ka ngrënë bukën kur ata po punonin për tharjen e kënetës së Tërbufit. Gjyqi që i bëjnë qenit duke ndarë rolet mes “trupit gjykues” (ata të tre) iu merret si një shaka e hidhur kundër pushtetit, si një tallje e tij, ndaj vjen një ditë që rreshtohen dhe ata si grup i Murros (qenit) bashkë me morinë e grupeve të pafundme armiqësore që gjenden në atë kamp të dënuarish politikë. Një baba në hall, me dy djemtë e tij që i kanë “dalë doret” dhe nuk punojnë po ushqehen prej rrogës e sakrificave të tij të panumërta, është heroi i parazitëve, ku autori ka përdorur një detaj interesant funksional nga një tregim kinez me Lin madhin e Lin voglin.

Tregime mjeshtërore me fabul të spikatur si ky dhe të tjera në librat e Kujtim Dashit mund të shërbenin fare mirë për të ndërtuar minikomedi, skenarë filmash. Ritual është para së gjithash libri i tipave jetësorë të larmishëm, me vese e cene të kësaj shoqërie, si fytyra e tranzicionit shqiptar, që shfaqen nëpër sekuenca jetësore, duke krijuar një kolazh tipash të mbrujtur në rrethana shpesh të ngjashme.

Ndue Dedaj

Ironia fërgëllon dhe në këtë libër

...Tregimtari Kujtim Dashi i beson shumë realitetit. Fantazia e jetës është më e madhja dhe për të. Ai duket sikur këput copa jete, të vetes dhe të tjerëve, por duke ndjerë dhembje të njëllojta. Përgjithësisht tematika ka laryshinë e vet, që nga provinca deri në metropol dhe riprodhon një ndjenjë humori deri në ironi. Ironia është dukuri e letërsisë bashkëkohore, si e tillë ajo fërgëllon dhe në këtë libër... Visar Zhiti

Mjaft nga prozat e Kujtim Dashit do të ekranizoheshin a inskenoheshin

“Kujtim Dashi është një zë i veçantë dhe interesant në prozën tonë, ndaj gjykoj që kritika dhe studiuesit e letërsisë, me siguri, do t’i kushtojnë vëmendjen e duhur. Sikur të ekzistonte mundësia, mjaft nga prozat e tij do t’i ekranizoheshin a inskenoheshin, si “Drektari i morteve”, “Ejani, mblidhuni, pseudonimet e mia!”, “Aktori i pafat”, “Erdhi, erdhi telekronisti” etj.

Pano Taçi

Proza e Kujtim Dashit është gjithë limfë jete dhe moderne

“Proza e Kujtim Dashit është gjithë limfë jete, moderne, me gjetje origjinale, me tipa e karaktere që të mbeten të pashlyeshëm në kujtesë dhe me një humor të këndshëm e funksional”.

Ilinden Spasse

Tregime me gjetje interesante e origjinale

Ndër tiparet dalluese të shkrimtarit Kujtim Dashi janë gjetjet interesante dhe origjinale, ku spikat shumëllojshmëria e detajeve të gjetura e funksionale dhe, shpesh, metaforat e simbolet. Të tërheq vëmendjen përpjekja e pandërprerë e tij në kërkim të pasurimit të teknikës rrëfimtare. Si në strukturën e tregimit, por edhe në mjetet e tjera shprehëse stilistikore, ai fut funksionalisht elemente të tregimit bashkëkohor. Sensi i humorit e ironisë, që gjen shprehje në mjaft tregime, veçse mençurisë, reflektojnë edhe atë që thuhet në Shkodër, në vendlindjen e vendformimin e autorit, se këto ai “i ka me të leme dhe jo me të bleme”. Ndonëse kamera vëzhguese e autorit lëviz në të gjithë mjediset shqiptare, ai më tepër fokusohet dhe, si të thuash, ka më për zemër, trevat veriore dhe njerëzit e saj çka reflekton një njohje të admirueshme të realitetit dhe prirje e aftësi perceptuese të fenomeneve e ngjarjeve, ku është i pranishëm apo jo. Kësisoj ai e pasuron galerinë e personazheve me tipa e karaktere që kemi pandehur se i kemi patur, i kemi njohur më parë. Mjaft tregime (“Viktima hyjni”, 1999) flasin për vlera të veçanta artistike, për një individualitet krijues spikatës në lëmin e prozës.

Dr. Selami Tabaku

Libër me një forcë përfytyrimi të fuqishëm sa do t’ia kishte zili çdo shkrimtar

Tregimet e Kujtim Dashit rrjedhin qetësisht, natyrshëm, plot ngrohtësi, mbushur me detaje jetësore, të cilat autori i përdor mjeshtërisht. Tashmë, me një përvojë të pasur e stil të sigurt, Kujtimi na sjell këndshëm, në këtë libër (“Në muajin e nëntë...”), mbresa të gjalla, vizaton karaktere që të mbeten gjatë në kujtesë. Libri është shkruar me një forcë përfytyrimi të tillë, sa do t’ia kishte zili çdo shkrimtar. Pas leximit të tregimeve e novelave, të duket se i ke përpara syve personazhet dhe ngjarjet e tyre. Do të veçoja tregimet e mrekullueshme e, pse jo antologjike, si “Rroga e ushtarit”, “Kori i kinemasë”, “Ritual”, “Aktori i pafat”, “Drektari morteve”, ”Erdhi, erdhi telekronisti”, “Ejani, mblidhuni pseudonimet e mia”.

Gjuha është e pasur, gjithë kolorit dhe e pastër, larg manive të kohës sonë për të përdorur sa më shumë fjala të huaja, bile Kujtimi tallet me këto mani, nëpërmjet personazheve.

Një tjetër veçori, që e bën edhe më shlodhëse, më të gjallë, prozën e këtij autori, është humori i fuqishëm, funksional, i mprehtë, jetësor, një armë kjo që i jep librit freski, duke ia ngritur dukshëm nivelin artistik.

Halil Jaçellari

Tregime të rrethanave dramatike

...Jo rrallë tek vepra e Kujtim Dashit vihet re një ngut. Ai insiston sa më shpejt që të ngrijë ngjarje reale e njerëzore sa akoma ato nuk janë harruar e fundosur njëherë e përgjithmonë në moskujtesë. Jetë, që nga më të thjeshtat e deri tek ata më të ndërlikuarat, tregime të realizmit magjik e deri te pasuritë orale, detaje mrekullore të gjithëfarë lloji, gjendjet njerëzore Kujtim Dashi vrapon që t’i shkruajë. Ai ka frikën e përhershme se gjithë ky volum mos i deformohet e i shpërbashkohet nga pakujdesitë e njerëzve. Si një operator fokuson jetët e gjalla, duke mbajtur në kokë idenë e e famshme të Senekës se “Historia e madhe njerëzore nuk është gjë tjetër veçse historia e të gjithë njerëzve të marrë së bashku”.

Jo një herë Kujtim Dashi i është drejtuar Lezhës me krijimtarinë e vet. Materien artistike, energjinë mendore, sharmin artistik, traditën tronditëse, interesante e të rëndë, misterin e palexueshëm e lirikën delikate, gjeografinë dhe kalendarin e vjetër historik, epikën dhe etnosin, shkrimtari i ka përdorur me lehtësinë e një magjistëri që posedon gjithë përmasën e skenës ku luan e iluzionon. Hapësira në të cilën lëvizin e zhvillohen personazhet e tij, të mbështjellë vazhdimisht me mistikën e ditës dhe mitiken e së hershmes, është ndër më të pasurat zona...

Mark Simoni

Tregime antologjike

...Tregime si “Në vigjilje të motmotit të ri”, “Kori i kinemasë”, “Aktori i pafat”, “Drektari morteve”, “Ritual”, ”Erdhi, erdhi telekronisti”, “Ejani, mblidhuni pseudonimet e mia” etj, do t’i rendisja ndër prozat më të arrira të letërsisë sonë në këto dekadat e fundit; ato janë tregime antologjike...

Sherif Bali

Një ndër prozatorët më me individualitet krijues në letërsinë e sotme shqipe

Kujtim Dashi tashmë ka hyrë në letërsinë shqipe si një ndër prozatorët e saj më me individualitet krijues, si për nervin tregues, thjeshtësinë e rrjedhshmërinë e ndërtimit të konflikteve, shumëllojshmërinë e personazheve, që ka krijuar, shpesh dhe anën groteske të tyre, një grotesk metaforik. (Për librin “Në muajin e nëntë...”)

Tags:

15 korrik1951

🔥 Trending searches on Wiki Shqip:

LumiRevolucioni i dytë industrialAsambleja Parlamentare e Këshillit të EvropësLëvizjaFjalë të urtaProdhimi i Brendshëm BrutoPiter PanNjeriuAndon Zako ÇajupiTokaPetro MarkoGjethjaDëbimi i shqiptarëve çamëDemokraciaBioteknologjiaKafshëtNdotja e ajritNamazi i SabahutPashallëku i JaninësUlqiniDrogaHumanizmiÇTiroidetLigjiHidrogjeniIraniEvropa lindoreLigji i OmitDhelpraElektricitetiTrombocitiLista e lumenjve në KosovëPrincess ArgjiroPellazgëtNezim FrakullaLista e shkrimtarëve shqiptarëFormat e pashtjelluara të foljesGjallesat në zhdukjeKrishtërimiAeroporti i PrishtinësADNBasketbolliTë drejtat e njeriutRespekt per te moshuarvePlisi (lashtësi)Egla CenoZënia e Diellit (Eklipsi)Radha e veprimeve matematikoreDelfiniArti i RilindjesKatalizatoriLidhëzaEmrush XhemajliTrupat e Sistemit DiellorIsak NjutoniArabia SauditePrincesha ArgjiroPopullsia botëroreKëngët e MilosaosProteinaAnesteziaPesë Shtyllat e IslamitInstrumenti muzikorVeshkaSinjalet rrugore në ShqipëriBeteja e KosovësProzaCristiano RonaldoLaguna e KaravastasëEpoka para gjyqitStalaktitet dhe stalagmitetPingpongHarta e BotësMarko BoçariTemperaturaTeatri në ShqipëriSkizofrenia🡆 More