Filmi Harry Potter Dhe Guri Filozofal: Film fantazi i vitit 2001

Harry Poter dhe Guri Filozofal (shfaqur në SHBA si Harry Poter dhe Guri i Magjistarit) është një film i vitit 2001 i zhanrit fantazi, me regji nga Chris Columbus, shpërndarë nga Warner Bros.

Pictures. Filmi bazohet në romanin me të njejtin titull të J. K. Rowling.

Harry Potter dhe Guri Filozofal
Filmi Harry Potter Dhe Guri Filozofal: Skenari, Aktorët, Prodhimi
Regjia ngaChris Columbus
Shkruar ngaSteve Kloves
Bazuar nëHarry Potter dhe Guri Filozofal nga J. K. Rowling
ProdhuesiDavid Heyman
LuajnëDaniel Radcliffe
Rupert Grint
Emma Watson
John Cleese
Robbie Coltrane
Warwick Davis
Richard Griffiths
Richard Harris
Ian Hart
John Hurt
Alan Rickman
Fiona Shaw
Maggie Smith
Julie Walters
David Bradley
Tom Felton
KinematografiaJohn Seale
MontazhiRichard Francis-Bruce
MuzikaJohn Williams

Kompanitë prodhuese
Heyday Films
1492 Pictures
Shpërndarë ngaWarner Bros. Pictures
Data e publikimit
4 nëntor 2001 (Odeon Leicester Square)
16 nëntor 2001 (MB dhe SHBA)
Kohëzgjatja
152 minuta
ShtetetMB
SHBA
GjuhaAnglisht
Buxheti125 milionë dollarë
Fitimi974.8 milionë dollarë

Harry Potter dhe Guri Filozofal, i pari në serinë e filmave Harry Potter, u shkrua nga Steve Kloves me David Heyman si prodhues. Filmi tregon vitin e parë në Shkollën e Magjisë dhe Shtrigërisë Hoguorts të personazhit kryesor, Harri Poter, teksa ai zbulon që është një magjistar i mirënjohur dhe fillon edukimin e tij magjik.

Warner Bros. bleu të drejtat e librit në vitin 1999 për një shumë prej 1 milionë paundësh. Xhirimi filloi në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2000, me Chris Columbus, i cili u përzgjodh si regjisor nga një listë e rishikuar regjisorësh të mundshëm, përbërë nga Chris Columbus, Steven Spielberg dhe Rob Reiner. Aktorët kryesorë përfshijnë Daniel Radcliffe, në rolin e Harri Poterit, Rupert Grint, në rolin e Ron Uezlit dhe Emma Watson, në rolin e Hermionë Grenxhërit. Rowling këmbënguli që e tërë trupa e aktorëve të ishte angleze ose irlandeze dhe filmi u xhirua në Leavesden Film Studios, si dhe në ndërtesat historike përreth Mbretërisë së Bashkuar.

Harry Potter dhe Guri Filozofal u shfaq si premierë në Mbretërinë e Bashkuar më 4 nëntor 2001. Filmi u konsiderua një sukses i madh nga ana financiare duke arritur të mbledhë rreth 974.8 milionë dollarë në të gjithë botën. I shpallur si filmi më fitimprurës në vitin 2001, në 2018 filmi renditet i 36-ti në filmat më fitimprurës të të gjithë kohërave dhe filmi i dytë më i suksesshëm nga seria Harry Potter, fill pas Harry Potter dhe Dhuratat e Vdekjes, Pjesa e Dytë.

Harry Potter dhe Guri Filozofal ishte kandidat për shumë çmime Oskar, duke përfshirë këtu çmimin për muzikën më të mirë origjinale, kinematografinë më të mirë dhe kostumografinë më të mirë.

Filmi u ndoq nga 7 filma të tjerë duke filluar me Harry Potter dhe Dhoma e të Fshehtave në vitin 2002 dhe duke e mbyllur me Harry Potter dhe Dhuratat e Vdekjes Pjesa e Dytë në vitin 2011, afërsisht 10 vjet pas daljes në kinema të filmit të parë.

Skenari

Filmi Harry Potter Dhe Guri Filozofal: Skenari, Aktorët, Prodhimi 
Shtëpia në të cilin banojnë Dërslinjtë në Privet Drive, e kthyer në një pikë të vizitueshme

Albus Urtimori, Minerva MekGuri dhe Rubeus Hagridi, pjesëtarë të stafit të Shkollës së Magjisë dhe Shtrigërisë Hoguorts, dërgojnë një foshnjë jetime të quajtur Harri Poter te familjarët e tij të vetëm, Dërslinjtë. Për dhjetë vjet rresht, Harri Poteri, një çunak në dukje i zakonshëm, është pre e keqtrajtimit psikologjik e fizik të kushërinjve të tij të ligj, vetëm e vetëm sepse është “i pazakontë”, siç ata e quajnë, gjë për të cilën ka dhënë dhe shenja. Teksa po afronte ditëlindja e tij e njëmbëdhjetë, krejt papritur, Harri, nis të marrë letra të panumërta nga disa bufë, letra të cilat Dërslinjtë refuzojnë t'ia japin. Në ditëlindjen e tij të njëmbëdhjetë, Hagridi rishfaqet dhe i thotë atij se ai në fakt është një magjistar dhe është pranuar në Hoguorts, që ishte dhe mesazhi që gjendej në letrat e marra.

Harri dhe Hagridi takohen sërish kur ky i fundit e çon Harrin në Diagon Alli, rrugica e fshehtë tregtare e botës së magjisë, për t’i blerë dhuratën e ditëlindjes – bufin e bardhë, Hedvig – dhe për të blerë mjetet e nevojshme shkollore. Hagridi e informon atë për të shkuarën e tij dhe i shpjegon Harrit se ai është i famshëm në botën e magjisë si "Djali që Jetoi", pasi, kur ishte ende foshnjë, arriti t’i mbijetonte një sulmi nga një magjistar i errët, i njohur si Lordi Fluronvdekje. Fluronvdekja vrau prindërit e Harrit, por dështoi në vrasjen e Harrit, pasi sulmi i tij mbi këtë të fundit u kthye mbrapsht, duke i lënë Harrit vetëm një shenjë rrufeje në ballë dhe duke e bërë Fluronvdekjen krejt të pafuqishëm. Pasi është pajisur me gjithçka i duhet, Harri niset për në shkollë ditën e parë të shtatorit, duke marrë Ekspresin e Hoguortsit nëpërmjet Binarit 9 e ¾, në stacionin e Kings Krosit.

Në tren, Harri takon Ron Uezlin, një djalosh nga një familje e varfër, por e madhe magjistarësh, dhe Hermionë Granxherin, një magjistricë e lindur nga dy prindër Babanacë (jo-magjistarë). Ai gjithashtu njihet me Drako Mallfoin, një fëmijë tepër i llastuar nga një familje e pasur magjistarësh, i cili bëhet rivali më i madh i Harrit në shkollë për shkak të mëndjemadhësisë së tij. Si mbërrijnë në shkollë, të udhëhequr nga nëndrejtoresha, Minerva MekGur, nxënësit vitparistë marrin pjesë në ceremoninë e mirëseardhjes ku dhe ndahen në katër shtëpi nga Kapelja që Flet: Grifarti, Baldoskuqi, Korbziu dhe Gjarpërblerti. Harri zgjidhet te Grifartët përkrah Ronit dhe Hermionës.

Gjatë vitit, Harri jo vetëm fillon të mësojë magji, por zbulon më tepër për të shkuarën dhe prindërit e tij. Pa dashje, falë talentit të tij të lindur, Harri ia del të bëhet pjesë e skuadrës së Kuidiçit si kërkues (një sport në botën e magjisë ku njerëzit fluturojnë mbi bishta fshesash) teksa mbron një nxënës tjetër Grifart, Nevil Longbotomin, nga Drako Mallfoi. Ai mëson se babai i tij, Xhejms Poteri, ka qenë gjithashtu kërkues i skuadrës së Grifartit kur ishte nxënës i Hoguortsit.

Një natë, ai, Roni dhe Hermiona, duke u futur pa dashje në Korridorin e Ndaluar në katin e tretë të shkollës, hasin një qen të madh trekrerësh i cili duket se po ruan diçka. Pasi treshja lë pa ndjenja një Troll malesh të arratisur dhe Harri thuajse rrëzohet nga fshesa e tij për shkak të një mallkimi gjatë një loje Kuidiçi, të rinjve u krijohen dyshime se dikush po përpiqet të shtjerë në dorë diçka që qeni trekrerësh po ruan. Duke përdorur informatat që i shpëtojnë nga goja Hagridit, Hermiona zbulon se qeni është duke ruajtur Gurin Filozofal, një objekt magjik që mund t’i sigurojë pronarit të tij pavdekësinë. Harri del në përfundimin se mësuesi i tij i shurupeve, Severus Pitoni, është duke u munduar të shtjerë në dorë Gurin.

Disa ditë më vonë, Harri kapet natën jashtë shtratit dhe dënohet. Teksa detyrohet të ndihmojë Hagridin si ndëshkim në Pyllin e Ndaluar, Harri sheh një krijesë me kapuç duke thithur gjakun e një njëbrirëshi për vetitë e tij shëruese. Krijesa provon të sulmojë Harrin, i cili shpëton për qime falë ardhjes së Centaurit Florenc, një mik i afërt i Hagridit. Harri është i bindur se krijesa me kapuç ishte Fluronvdekja dhe se Pitoni po mundohet të rikthejë Fluronvdekjen në fuqinë e tij të plotë.

Pasi dëgjojnë prej Hagridit se qeni trekrerësh, Flufi, e zë gjumi nëse i luhet muzikë, dhe se Hagridi ia ka zbuluar këtë një burri misterioz në një tavernë atypari, Harri, Roni dhe Hermiona dalin në përfundimin se Pitoni kishte qenë burri në tavernë dhe tentojnë të lajmërojnë Urtimorin. Me të mësuar se ai sapo është thirrur për punë nga Ministria e Magjisë, treshja është e sigurt se Pitoni do të provojë atë natë ta vjedhë Gurin dhe kështu vendosin ta gjejnë atë para Pitonit. Përveç Flufit, qenit trekrerësh, ata përballen me një sërë pengesash të tjera: I mbijetojnë një bime gjigante të njohur si Kurthi i Djallit, kalojnë një dhomë të mbushur me çelësa agresivë fluturues dhe fitojnë një lojë të rrezikshme shahu me gurë me përmasa njerëzore.

Në dhomën e fundit, Harri zbulon se nuk ishte Pitoni ai që e donte Gurin, por mësuesi i Mbrojtjes Kundër Arteve të Errëta, Profesori Ra Greps. Grepsi i zbulon Harrit se ishte ai që e futi Trollin në kështjellë dhe që u mundua ta hidhte atë nga fshesa në ndeshjen e Kuidiçit. Ai gjithashtu i rrëfen se Pitoni, sado antipatik, kishte qenë duke e mbrojtur Harrin dhe duke u munduar ta ndalonte Grepsin gjatë gjithë vitit.

Filmi Harry Potter Dhe Guri Filozofal: Skenari, Aktorët, Prodhimi 
Pasqyra e Dëshirave

Më pas, Grepsi e detyron Harrin të shihet në Pasqyrën e Dëshirave. Për shkak të një magjepsjeje komplekse dhe të fuqishme të vendosur nga Urtimori, dhe sidomos për shkak të qëllimeve të veta fisnike, Harri e gjen Gurin në xhepin e vet pasi shihet në pasqyrë. Ai mundohet të largohet, por Grepsi, me një të kërcitur të gishtave, ndez një zjarr për të penguar largimin e tij. Fluronvdekja, i cili ndodhej gjatë gjithë kohës pikërisht poshtë çallmës që Grepsi nuk e kishte hequr asnjëherë, mundohet ta bindë Harrin t'ia japë Gurin duke i premtuar se do t'ia sjellë prindërit sërish në jetë, por Harri refuzon. Grepsi atëherë mundohet ta vrasë, veçse prekja e Harrit nuk e lejon Grepsin ta lëndojë dhe bën që ky i fundit të digjet dhe të vdesë. Kur Harri çohet, shpirti i Fluronvdekjes merr trajtë dhe kalon përmes Harrit, duke e hedhur pa ndjenja në tokë para se të arratiset.

Harri zgjohet në një shtrat në repartin e infermierisë së shkollës, përballë Profesor Urtimorit, i cili i rrëfen se Guri Filozofal është shkatërruar tashmë dhe se Hermiona dhe Roni janë shëndoshë e mirë. Po ashtu, Urtimori i shpjegon se Grepsi u përvëlua nga prekja e Harrit, sepse kur mamaja e tij dha jetën për ta shpëtuar, vdekja e saj i dha atij një mburojë dashurie kundër Fluronvdekjes.

Në banketin e fundvitit, pas disa shtesave në pikë prej Urtimorit, Grifarti fiton Kupën e Shtëpive të Hoguortsit. Harri rikthehet në shtëpi gjatë verës, i lumtur që më në fund ka një shtëpi në Hoguorts.

Aktorët

Rowling këmbënguli që trupa e aktorëve të ishte britanike. Susie Figgis u caktua si drejtuese për ndarjen e roleve e filloi të punonte me Colombus dhe Rowling në audicionet për rolet kryesore të Harrit, Ronit dhe Hermionës. Për tre rolet kryesore u mbajtën audicione të hapura që konsistonin vetëm në fëmijë nga Mbretëria e Bashkuar. Audicionet kryesore u zhvilluan në tre faza duke filluar me leximin e një faqeje nga libri Harry Potter dhe Guri Filozofal, improvizimin e një skene të arritjes së nxënësve në Hoguorts dhe, së fundmi, dhënien e disa faqeve nga skenari i filmit për t'i lexuar në prani të Colombus. Gjithashtu u përdorën skena nga skenari i Colombus për filmin e vitit 1985 Sherlok Holmsi i Ri. Në 11 korrik 2000, Figgis e la produksionin duke u ankuar se Colombus nuk kishte pëlqyer asnjë nga mijëra fëmijët që kishin marrë pjesë në audicione. Në 8 gusht 2000, Daniel Radcliffe, Emma Watson dhe Rupert Grint u përzgjodhën për të luajtur Harri Poterin, Hermionë Grenxhërin dhe Ron Uezlin respektivisht.

  • Daniel Radcliffe në rolin e Harri Poterit, një jetimi britanik 11 vjeçar të rritur nga familja aspak mikpritëse e tezes së tij. Harri mëson për famën e tij si "Djali që Jetoi" duke u bërë i njohur për faktin se i ka mbijetuar tentativës për vrasje nga një magjistar i errët psikopat i quajtur Lord Fluronvdekja. Columbus e kishte preferuar Radcliffe për rolin që kur e kishte parë atë në prodhimin e BBC David Copperfield, para se audicionet e hapura të fillonin të zhvilloheshin, por atij i ishte thënë prej Figgis që prindërit tepër mbrojtës të tij nuk do ta linin djalin e tyre të merrte pjesë. Columbus shpjegoi se këmbëngulja e tij që t’ia jepte rolin Radcliffe ishte dhe arsyeja e dorëheqjes së Figgis. Radcliffe mori pjesë në audicione për rolin në vitin 2000 kur Heyman dhe Kloves u takuan me të e prindërit e tij në një produksion të Gurë në xhepat e tij (Stones in His Pockets) në Londër. Heyman dhe Colombus arritën me sukses të bindnin prindërit e Radcliffe që djali i tyre do të ishte i mbrojtur nga ndërhyrja e medies, dhe ata ranë dakord ta lejonin atë të luante Harrin. Rowling e aprovoi audicionin e Radcliffe duke thënë se “duke parë testin e tij në ekran besoj se Chris Colombus nuk mund të kishte gjetur një Harri më të mirë “. Radcliffe u raportua të ishte paguar 1 milionë paundë për filmin, edhe pse ai u shpreh se ndiente se pagesa nuk ishte “aq e rëndësishme”. William Moseley, i cili do të pranohej më pas për rolin e Peter Pevensie në serinë Kronikat e Narnias gjithashtu mori pjesë në audicione për rolin.
  • Rupert Grint në rolin e Ron Uezlit, shokut më të mirë të Harrit në Hoguorts. Ai vendosi që do të ishte perfekt për rolin “sepse kishte flokë të kuqërremta” dhe ishte një fans i serisë. Pasi kishte parë një raport të Newsround për audicionet e hapura, ai dërgoi një video të vetes duke treguar se pse dëshironte ta merrte pjesën. Përpjekja e tij rezultoi e suksesshme duke qenë se skuadra e audicioneve kërkoi një takim me të.
  • Emma Watson në rolin e Hermionë Grenxhërit, shoqes tjetër të ngushtë të Harrit dhe trurit të treshes. Mësuesja e teatrit së Grenxhërit në Oksford ua dha emrin agjentëve të audicioneve dhe asaj iu dësh të bënte mbi pesë intervista para se të merrte pjesën. Watson e mori audicionin e saj seriozisht, po “asnjëherë nuk mendoi se kishte ndonjë mundësi për ta fituar”. Prodhuesve u la përshtypje vetëbesimi i saj duke bërë që ajo t'ua kalonte me mijëra vajzave të tjera që kishin aplikuar.
  • Richard Griffiths në rolin e Vernon Dërslit, xhaxhait Babanac (jo-magjistar) të Harrit. Ian McNeice gjithashtu u konsiderua për rolin.
  • Fiona Shaw në rolin e Petunia Dërslit, tezes Babanace të Harrit.
  • Harry Melling në rolin e Dadli Dërslit, kushëririt Babanac të Harrit.
  • Julie Walters në rolin e Moli Uezlit, nënës tepër përkujdesëse të Ronit. Ajo i tregon Harrit si të gjejë binarin 9¾. Para se Walters të merrte pjesë në audicione, aktorja amerikane Rosie O’Donnell mbajti bisedime me Columbus për të luajtur Moli Uezlin.
  • Robbie Coltrane në rolin e Rubeus Hagridit, një gjysmë gjigant dhe Ruajtës i Çelësave dhe Vendeve në Hoguorts. Coltrane ishte zgjedhja e parë e Rowling për pjesën. Coltrane, i cili ishte tashmë fans i librave, u përgatit për rolin duke folur me Rowling për të ardhmen dhe të tashmen e Hagridit. Sipas Figgis, Robin Williams ishte i interesuar për të marrë pjesë në film por u refuzua për rolin e Hagridit për shkak të rregullit "ose britanikë, ose irlandezë" që Columbus ishte i vendosur ta ruante.
  • Richard Harris në rolin e Albus Urtimorit, drejtor i Hoguortsit si dhe njëri prej magjistarëve më të fuqishëm të të gjitha kohërave. Harris fillimisht e refuzoi rolin e Urtimorit por e rishikoi vendimin e tij sepse mbesa e tij deklaroi se nuk do t’i flistë më kurrë në rast se nuk do e pranonte pjesën.
  • John Hurt në rolin e zotit Ulliander, pronarit të Ollivanders, një prej prodhuesve më të shkëlqyer të shkopinjve magjikë.
  • Tom Felton në rolin e Drako Mallfoit, djalit snob nga një familje e pasur, një person jo aq i preferuar për treshen.
  • Jamie Waylett dhe Josh Herdman në rolin e Vinsent Tersit dhe Gregori Gojlit, dy miqtë e Mallfoit.
  • Maggie Smith në rolin e Minerva MekGurit, nëndrejtoreshës së Hoguortsit, kujdestares së shtëpisë së Grifartit dhe mësuese e shndërrimit. Smith ishte një nga dy zgjedhjet personale të Rowling për rolet (i dyti ishte Coltrane për Hagridin).
  • Alan Rickman në rolin e Severus Pitonit, mjeshtrit të shurupeve dhe kujdestarit së shtëpisë së Gjarpërblertëve në Hoguorts. Tim Roth ishte zgjedhja e parë për rolin, por ai e refuzoi ftesën për filmin Planeti i majmunëve.
  • John Cleese në rolin e Nikut-Zëre-Pa-Kokë, fantazmës së shtëpisë së Grifartit në Hoguorts.
  • Warwick Davis në rolin e Filius Flituikit, mjeshtrit të shortive dhe kujdestarit së shtëpisë së Korbziut në Hoguorts.
  • Ian Hart në rolin e Ra Grepsit, mësuesit pak nervoz të Mbrojtjes Kundër Arteve të Errëta në Hoguorts dhe gjithashtu zëri i Lordit Fluronvdekje. David Thewlis mori pjesë në audicione për rolin; ai më pas do të merrte rolin e Remus Lupinit në Harry Potter dhe i Burgosuri i Azkabanit.
  • Zoë Wanamaker në rolin e Rolanda Hukut, mësuesja e fluturimit në Hoguorts.
  • David Bradley në rolin e Argus Laraskës, roja dhe kujdestari Magjinuk i Hoguortsit.
  • James Phelps dhe Oliver Phelps në rolin e Fred Uezlit dhe Xhorxh Uezlit, vëllezërit më të mëdhenj binjakë të Ronit.
  • Bonnie Wright në rolin e Xhini Uezlit, motrës më të vogël të Ronit.
  • Chris Rankin në rolin e Persi Uezlit, vëllai më i madh Prefekt i Ronit.
  • Matthew Lewis në rolin e Nevil Longbotomit, mikut jo aq të shkathët të treshes.
  • Sean Biggerstaff në rolin e Oliver Bastunit, kapitenit të skuadrës së Grifartëve në Kuidiç.
  • Luke Youngblood në rolin e Li Xhordanit, komentatorit të Kuidiçit në Hoguorts.
  • Leilah Sutherland, Emily Dale, David Holmes, Will Theakston, dhe Scot Fearn, në rolin e Liza Spinetit, Keti Bellit, Adrian Pjusit, Markus Flintit, dhe Terens Higsit, të gjithë lojtarë Kuidiçi.
  • Devon Murray në rolin e Simus Finiganit dhe Alfred Enoch në rolin e Din Tomasit, miqve Grifartë të treshes.
  • Danielle Tabor në rolin e Anxhelina Xhonsonit, një studenteje nga shtëpia e Grifartit.
  • Eleanor Columbus në rolin e Suzana Bonsit, një studenteje nga shtëpia e Baldoskuqëve.
  • Terence Bayler në rolin e Baronit Gjakatar, fantazmës së shtëpisë së Gjarpërblertëve.
  • Simon Fisher-Becker në rolin e Fratit Buçkan, fantazmës së shtëpisë së Baldoskuqëve.
  • Nina Young në rolin e Zonjës së Përhimtë, fantazmës së shtepisë së Korbzinjve.
  • Ray Fearon në rolin e Firences, një Centaur që shpëton Harrin nga Fluronvdekja në Pyllin e Ndaluar.
  • Geraldine Somerville dhe Adrian Rawlins në rolin e Lili Poterit e Xhejms Poterit, prindërve të Harrit.
  • Leslie Phillips shërbeu si zëri i Kapelës që Flet.
  • Elizabetth Springs në rolin e Zonjës Trashaluqe, pikturës që shërben si rojtare e hyrjes së Dhomës së Grifartëve.
  • Rik Mayall u përzgjodh për rolin e Ngacit, një Poltergeist i cili pëlqen të ngacmojë nxënësit në shkollë. Mayall duhet t’i bërtiste fjalët e tij para kamerës, por skenat e tij u prenë nga filmi në montazhin përfundimtar.

Dublimi në shqip

Harry Potter dhe Guri Filozofal është dubluar në shqip nga disa aktorë shqiptarë, disa prej të cilëve profesionistë. Përshtatja e skenarit u realizua nga Alma Koleci, regjia nga Sajmir Braho dhe efektet zanore nga Albi Allamani.

  • Harry Potter [Harri Poter] - Kriss Sterio
  • Profesor Silente [Albus Urtimori] - Mërkur Bozgo
  • Hagrid [Hagridi] - Alert Çeloaliaj
  • Hermiona - Xhenis Vebiu
  • Ron Wisley [Ron Uezli] - Andrea Duri
  • Profesor Pitoni - Mikel Kalemi
  • Babai [Vernon Dërsli] - Milto Kutali
  • Malfoi [Drako Mallfoi] - Julian Allamani
  • Valtermont [Fluronvdekja] - Dritan Kureta
  • Olivander - Artur Selmani
  • Bastoni [Bastuni] - Jorki Broka
  • Tezja [Petunia Dërsli] - Medi Gurra
  • Dudeli [Dadli Dërsli] - Fjordi Bisha
  • Znjsh. Bumb [Rolanda Huk] - Sonila Ulqinaku
  • Fiorenc [Firence] - Lorenc Kaja
  • Minerva McGonagall [Minerva MekGuri] - Enkela Paskali
  • Quirinius Quirrell [Ra Grepsi] - Saimir Gongo

Emrat e personazheve më sipër janë shënuar si në kopertinën e videokasetës ose në faqen ku është marrë informacioni.

Prodhimi

Zhvillimi

Në vitin 1997 prodhuesi David Heyman kërkoi një libër fëmijësh që mund të përshtatej në një film që do të pritej mirë. Ai kishte planifikuar të përshtaste romanin e Diana Wynne Jones, The Ogre Downstairs (Përbindëshi Poshtë Shkallëve), por planet e tij dështuan. Stafi i tij, Heyday Films, i sugjeroi më pas romanin Harry Potter dhe Guri Filozofal. Heyman ia hodhi idenë kompanisë Warner Bros., dhe vitin tjetër Rowling i shiti të drejtat e katër librave të parë përkundrejt një shume prej 1 milionë paundësh. Kërkesa që Rowling bëri ishte që aktorët e roleve kryesore të ishin britanikë por duke lejuar dhe përfshirjen e aktorëve irlandezë, si Richard Harris në rolin e Urtimorit, dhe vendosjen e aktorëve francezë dhe atyre nga Evropa Lindore në përshtatjen e filmit të Harry Potter dhe Kupa e Zjarrit, libër në të cilin personazhet janë të përshkruar si të tillë.

Edhe pse Steven Spielberg fillimisht bisedoi për të qenë regjisor i filmit, ai e refuzoi ofertën. Spielbergu thuhet se donte që përshtatja e filmit të ishte një film i animuar, me aktorin Haley Joel Osment si zëri i Harri Poterit, ose një film që të përmbante elementë nga librat pasues gjithashtu. Spielberg debatoi mbi këtë temë dhe tha që, sipas tij, çdo pritshmëri për të perfituar nga filmat ishte e vertetë dhe se të bëje para më atë film do ishte si "të gjuaje rosa në fuçi". "Një gjuajtje e sigurt. Është si të tërheqësh një miliard dollarë dhe t'i vendosësh në llogarinë tënde bankare. Pa asnjë sfidë."

Rowling këmbëngul se ajo nuk kishte asnjë lloj roli në përzgjedhjen e regjisorëve për filmat dhe se "çdokush që ka menduar se unë do (ose mund) të zgjidhja atë (Spielberg), i duhet një pendë vetëshkruese."

Pasi Spielberg u largua, bisedimet vazhduan me regjisorë të tjerë, duke përfshirë Chris Columbus, Terry Gilliam, Jonathan Demme, Mike Newell, Alan Parker, Wolfgang Petersen, Rob Reiner, Ivan Reitman, Tim Robbins, Brad Silberling, M.Night Shyamalan dhe Peter Weir. Petersen. Petersen dhe Reiner më pas u tërhoqën që të dy në mars të vitit 2000 dhe zgjedhja mbeti midis Silberling, Columbus, Parker dhe Gilliam. Zgjedhja e parë e Rowling mbi regjisorin ishte Terry Gilliam, por kompania Warner Bros. zgjodhi Columbus, duke përmendur punën e tij ne filma të tjerë të ngjashëm si I vetëm në shtëpi dhe Zonja Doubtfire si arsyeja që ndikoi në zgjedhjen e tyre. Columbus hodhi idenë që filmi të ishte 2 orë i gjatë, duke thënë se donte që skenat Babanace "të jenë të ftohta dhe të zymta" ndërsa ato të xhiruara në botën e magjistarëve "te jenë të mbushura më ngjyra, emocione dhe detaje". Ai u frymëzua nga përshtatjet e David Lean të Pritshmëri të Mëdha (1946) dhe Oliver Twist (1948), duke shpresuar të përdorte "atë lloj errësire, atë lloj mprehtësie dhe atë lloj kualiteti për kinematografinë" duke i marre dizenjot dhe ngjyrat nga Oliver! dhe The Godfather.

"Harry Potter është ajo lloj arritjeje letrare, e pakufizuar në kohë, që vjen vetëm një herë në jetë. Duke qenë se librat kanë sjellë nje numer kaq të madh fansash të apasionuar nga e gjithë bota, ishte e rëndësishme për ne që të gjenim një regjisor që do të kishte një prirje për te dyja, botën fëminore dhe atë magjike. Nuk mund të imagjinoja ndonjë njeri tjetër më të përshtatshëm për këtë punë se sa Chrisi."
— Lorenzo di Bonaventura

Steve Kloves u përzgjodh për të shkruar skenarin e filmit. Ai e përshkroi përshtatjen e librit si “të ashpër” dhe “që nuk e lejonte veten drejt përshtatjes si dy librat e tjerë”. Kloves shpesh merrte përmbledhje të librave që propozoheshin si përshtatje për filma nga kompania Warner Bros., të cilat ai "gati-gati nuk i lexonte asnjëherë", por Harry Potter i hyri në zemër. Ai bleu librin dhe u bë menjëherë një fans i të gjithë serisë. Kur foli me Warner Bros., ai nguli këmbë se filmi duhet të ishte britanik dhe duhet të përkonte me personazhet në libër. Kloves ishte tepër nervoz kur e takoi Rowling për herë të parë, sepse ai nuk donte qe ajo të mendonte se ai "po i vriste fëmijën e saj". Rowling e pranoi se "ishte përgatitur vërtet që ta urrente këtë tipin 'Steve Kloves'" por e tërhoqi mbrapsht këtë gjë pas takimit të saj të parë me të: "Herën e parë që e takova, ai më tha, 'E di kush është personazhi im i preferuar?' Dhe unë mendova: “Ti do të thuash 'Roni'. E di që do të thuash 'Roni'. Por ai tha 'Hermiona'. Dhe inati im u zhduk." Rowling pati shumë liri në kontrollin e kreativitetiti, një masë kjo që Columbus nuk e pati bezdi.

Kompania Warner Bros. fillimisht kishte planifikuar ta nxirrte filmin në fundjavën e 4 korrik 2001-shit, duke lënë aq pak kohë për prodhimin, sa regjisorët e propozuar u tërhoqën. Megjithatë kufizimet e kohës e shtynë datën për në 16 nëntor 2001.

Xhirimet

Dy zyrtarë te industrisë së filmit kërkuan që filmi të xhirohej në Mbretërinë e Bashkuar. Ata ofruan asistencë në sigurimin e vendeve të filmimit, përdorimin e Leavesden Film Studios, si dhe ndryshimin e ligjeve të fëmijëve mbi punën (duke shtuar një numër të vogël të orëve në javë). Warner Bros. e pranoi këtë propozim.

Filmi Harry Potter Dhe Guri Filozofal: Skenari, Aktorët, Prodhimi 
Alnwick Castle, një nga vendet e përdorura për skenat e Hoguortsit

Xhirimet filluan më 29 shtator 2000, në Leavesden Film Studios dhe përfunduan më 23 mars 2001, me punët e fundit të bëra në korrik. Fotografitë e para u bënë më 2 tetor 2000, në stacionin hekurudhor të Yorkshire Goathland të Veriut. Canterbury Cathedral dhe Scotland's Inverailort Castle ishin dy vendet e mundshme për Hoguortsin por Canterbury Cathedral refuzoi propozimin e Warner Bros. për shkak të shqetësimeve rreth temës “pagane” të filmit. Si përfundim, Alnwick Castle dhe Gloucester Cathedral u përzgjodhën si vendet kryesore për Hoguortsin, me disa skena të filmuara gjithashtu në shkollën Harrow. Skena të tjera të Hoguortsit janë xhiruar në Katedralen Durham gjatë një periudhe dy javore ku përfshihen disa pjesë të korridoreve dhe disa skena të klasave. Divinity School i universitetit të Oksfordit shërbeu si Spitali i Hoguortsit, dhe Biblioteka e Dukës Humfrey, pjesë e Bodleian, u përdor si Biblioteka e Hoguortsit. Xhirimet për Privet Drive u mbajtën në Picket Post Close në Bracknell, Berkshire. Filmimet në rrugë zgjatën për dy ditë, një ditë më shumë se sa ishte planifikuar, kështu që pagesat për prenotimet e vendit u rritën përkatësisht. Për të gjitha skenat e filmit të mëvonshëm të përcaktuara në Privet Drive, xhirimet u zhvilluan në një vend të ndërtuar në Leavesden Film Studios, që doli të ishte më lirë se xhirimet në vend. Shtëpia e Australisë në Londër ishte zgjedhur si vendi i Bankës së Magjistarëve "Gringots" ndërsa Christ Church, Oksford ishte vendi i Dhomës së Trofeve në Hoguorts. Kopshti zoologjik i Londrës u përdor si vendi ku Harri i ndërsen aksidentalisht një gjarpër Dadlit e stacioni i King Krosit u përdor për të xhiruar skenat e nisjes së studentëve për në Hoguorts.

Për shkak se titulli i filmit amerikan ishte ndryshe, te gjitha skenat në të cilat përmendet Guri Filozofal u desh te rixhiroheshin me aktorët duke thënë "guri i magjistarit” në vend të "gurit filozofal". Fëmijët xhironin për katër orë dhe pastaj bënin tre orë detyra shkolle. Ata nisën të pëlqenin plagët e rreme të krijuara në fytyrë nga stafi i makiazhit. Daniel Radcliffe duhej të përdorte lente kontakti jeshile për shkak të ngjyrës së tij natyrale të syve që është bluja e jo jeshilja, siç supozohet t’i ketë Harri. Në disa skena u përdor animimi kompjuterik për të ndryshuar sytë e tij në jeshil duke qenë se lentet e kontaktit po i krijonin irritime ekstreme Radcliffe e pas një konsultimi me Rowling u ra dakord që Harri të mund të kishte sy blu.

Dizenjimi dhe efektet speciale

Filmi Harry Potter Dhe Guri Filozofal: Skenari, Aktorët, Prodhimi 
Uniformat e kuidiçit

Judianna Makovsky stiloi veshjet e filmit. Ajo ridizenjoi veshjet sportive të Kuidiçit, duke patur në plan fillimisht të përdorte si bazë ato që ndodheshin në kopertinën e librit në versionin amerikan, por duke i konsideruar më pas "një lëmsh të vërtetë". Në vend të tyre, ajo i veshi lojtarët me pulovra me ngjyrat përkatëse të shtëpive, pantallona të thurura të shek. IX dhe mbrojtëse krahësh. Dizajneri i prodhimit, Stuart Craig, ndërtoi skenat tek studiot Leavesden, duke përfshirë këtu Sallën e Madhe të Hoguortsit, duke u bazuar te shumë katedrale angleze. Edhe pse në origjinal u kërkua të ishte një rrugë e vjetër ekzistuese për t'u filmuar skena e Diagon Allit, Craig vendosi të ndërtonte për të një set të veçantë, duke përfshirë arkitekturën e Tudorëve, atë Gjeorgjiane dhe atë të Mbretëreshës Ana.

Columbus fillimisht planifikoi t’i përdorte të dyja: animacionet CGI dhe elektronikën e animuar për të krijuar krijesat magjike të filmit, duke përfshirë këtu edhe qenin e stërmadh me tri koka, Flapi. Nick Dudmanit, që punoi për episodin e parë të Lufta e Yjeve: Kërcënimi i Fantazmës iu dha detyra për të krijuar të gjitha protezat e nevojshme për filmin, bashkë me “Dyqanin e Krijesave të Jim Henson" i cili do të krijonte efektet e krijesave. John Coppinger konstatoi se krijesat magjike që duhet të krijoheshin për filmin, duhet të skicoheshin disa herë. Në film numërohen rreth 600 efekte speciale në skena të ndryshme, duke bërë që në to të përfshiheshin një rradhë e gjatë kompanish. Industrial Light & Magic, krijoi fytyrën e Fluronvdekjes në pjesën e prapme të kokës së Grepsit, Rhythm & Hues animoi Norbertën dhe Sony Pictures Imageworks përgatiti skenat e Kuidiçit në film.

Muzika

John Williams u përzgjodh për të kompozuar kolonën zanore të filmit. Williams e kompozoi atë në shtëpitë e tij në Los Anxheles dhe Tengëllvud, përpara se ta regjistronte në Londër, në gusht të vitit 2001. Një ndër kolonat zanore më të njohura quhet "Hedwig's Theme"; Williams e ruajti atë si pjesë të kolonës kryesore zanore të filmit duke qenë se "gjithkush e pëlqente atë pjesë". Hedwig's Theme u kthye kështu në lajtmotivin e serisë duke u bërë pjesë e çdo filmi të Harry Potter.

Dallimet e librit nga filmi

Columbus u konsultua vazhdimisht me Rowling për t'u siguruar që të gjitha detajet në film, sado të vogla, të ishin të sakta në lidhje me librin. Kloves e përshkroi Harry Potter dhe Guri Filozofal si një film që i "kishte qëndruar besnik" librit. Ai shtoi disa dialogje të cilat u pranuan edhe nga Rowling. Një nga batutat të përfshira në origjinal u desh të hiqej pasi Rowling e informoi atë se një batutë e tillë do të binte në kundërshtim me një ngjarje që kishte të bënte me librin e pestë, akoma të pabotuar në atë kohë, Harry Potter dhe Urdhri i Feniksit.

Dëshira ime ishte që filmi të mbetej besnik ndaj historisë, personazheve dhe intregritetit të tyre… E kuptova që kisha gjetur një bashkëpuntore të fortë te Rowling. Dhe kjo gjë ishte e rëndesishme sepse ajo e njeh këtë botë më mirë se kushdo tjetër. ”

— Chris Columbus

Disa personazhe me role dytësore u hoqën në versionin e filmit, si për shëmbull, mësuesi-fantazmë i Historisë së Magjisë, Profesor Binsi dhe Ngac Poltergeisti. Kapitulli i parë i librit është nga pikëpamja e Vernon dhe Petunia Dërslit, ditën përpara se atyre t'u besohej Harri Poter, duke nxjerrë në pah mëyren se si njerëzit jo-magjistarë reagojnë ndaj magjisë. Filmi e heq këtë skenë, duke filluar direkt me profesor Urtimorin, profesoreshën MekGur dhe Hagridin që lënë Harrin tek Dërslit (edhe pse MekGuri i thotë Urtimorit se si i ka vëzhguar Dërslit të gjithë ditën). Më pas, një muaj i një vere të zakonshme të Harrit përfshin tentativat e Vernonit për të ndaluar marrjen e letrave të Hoguortsit. Koha aspak e kënaqshme që Harri shpenzonte tek Zonja Fig është hequr nga filmi ndërkohë që gjarpri boa constrictor nga Brazili në kopshtin zoologjik kthehet në një piton birmanez në film. Të tilla konflikte dhe përballje si ajo e Harrit dhe Drakos te dyqani i rrobave të Madamë Malkinit dhe dueli i mesnatës janë vetëm në libër dhe jo në film. Disa nga pjesët e Nikolas Flamelit janë ndryshuar ose janë hequr plotësisht. Norberta largohet me ndihmën e Urtimorit në film, ndërkohë që në libër kemi Harrin dhe Hermionën që e largojnë atë me ndihmën e shokëve të Çarli Uezlit. Rowling e përshkroi këtë skenë si "një pjesë të librit të cilën ajo e ndjeu se mund të ndryshohej lehtësisht". Si e tillë, arsyeja për dënimin në Pyllin e Ndaluar gjithashtu ndryshoi: në roman Harri dhe Hermiona janë dënuar ngaqë u kapën nga Laraska pasi u larguan nga Kulla e Astronomisë pas orarit të lejuar (Nevili dhe Mallfoi gjithashtu dënohen kur kapen në korridor nga profesoresha MekGur) ndërkohë që në film Harri, Hermiona dhe Roni dënohen pasi Mallfoi i kap ato në befasi te kasollja e Hagridit pas orarit të lejuar (Mallfoi gjithashtu dënohet, pasi ishte jashtë fjetores pas orarit të ndaluar). Florenci, centauri, që përshkruhet në novelë si një krijesë me një ngjyrë kafe të hijshme dhe me flokë bjondë, shfaqet me ngjyra të errëta në film. Në vazhdim, fusha e kuidiçit është ndryshuar nga një stadium tradicional në një fushë të hapur, e rrethuar nga kulla me spektatorë. Kënga e Kapelës Folëse është prerë, ashtu si dhoma e fshehtë e Grepsit për të shkuar tek guri filozofal. Gjëagjëza e Pitonit është një nga dy skenat e fshira, bashkë me shortinë këmbë-lidhëse që Mallfoi i bën Nevilit.

Shpërndarja

Marketingu

Afishja e parë për filmin doli në qarkullim në dhjetor të vitit 2001. Reklama e parë me kohëzgjatje të shkurtër u shfaq në rrjet satelitor më 2 mars 2001 dhe u dha në kinema me shfaqjen e filmit Shiko Zbulo Vrapo. Kolona zanore doli më 30 tetor 2001 në formatin CD. Një lojë elektronike e bazuar tek filmi doli më 15 nëntor 2001 nga Electronics Arts për disa platforma lojërash të ndryshme. Një lojë elektronike tjetër për GameCube, PlayStation 2 dhe Xbox doli në vitin 2003. Kompania Mattel fitoi të drejtën për të krijuar lojra të bazuara në film, të cilat do të shiteshin ekskluzivisht në dyqanet e Warner Bros.. Hasbro gjithashtu prodhoi produkte duke përfshirë ëmbëlsira të bazuara në këtë seri. Warner Bros. nënshkroi një marrëveshje me Coca-Cola me vlerë 150 milion dollarë për të promovuar filmin dhe Lego prodhoi një seri kompletesh duke u bazuar në ndërtesat dhe skenat e filmit, si dhe lojën elektronike Lego Creator.

Mediet shtëpiake

Kompania Warner Bros. e nxorri filmin për herë të parë në kaseta VHS dhe disqe DVD më datë 11 shkurt 2002 në Electronic Entertainment Expo në Britaninë e Madhe. Më 11 maj 2002 doli zyrtarisht në Britani dhe në 28 maj të po atij viti doli në SHBA. Më vonë Warner Bros. nxorri dhe Edicionin Absolut në SHBA që përfshinte një disk Blu-ray dhe një DVD. Edicioni Absolut përfshin një version të zgjatur të filmit me shumë nga skenat e hequra të montuara sërish brenda tij, diskun me disa skena të veçanta, provat e para të Radcliffe, Watson dhe Grint, një dokumentar me metrazh të shkurt të titulluar Krijimi i botës së Harry Potter, Pjesa e Parë: Magjia fillon si dhe një broshurë me kapak të trashë 48 faqëshe. Versioni i zgjatur i filmit ka një kohëzgjatje prej 159 minutash dhe është shfaqur në televizion vetëm në disa transmetime të veçanta.

Pritja në publik

Suksesi financiar

Premiera botërore e filmit ishte më 4 nëntor 2001, në sheshin Leicester, Londër, me kinemanë të rregulluar në mënyrë të atillë që të përngjante me shkollën e Hoguortsit. Filmi u prit mjaft mirë. Në SHBA u fituan 32.3 milionë dollarë që në ditën e parë, duke thyer rekordin e shitjes së biletave në një ditë, të mbajtur nga Lufta e Yjeve Episodi I: Kërcënimi i Fantazmës (por jo pas përshtatjes për inflacionin). Në ditën e dytë shitja bruto e biletave arriti në 33.5 milionë dollarë, sërish duke thyer rekordin për shitjen më të shumtë të biletave në një ditë. Në total, në një javë u fituan 90.3 milionë dollarë, duke thyer rekordin për shitjen më të shumtë të biletave në fundjavën e parë, të mbajtur deri atëherë nga Bota e Humbur: Parku Jurassic. E ruajti këtë rekord deri në majin e ardhshëm kur Njeriu-Merimangë kaloi shumën e një fundjave me 114.8 milionë dollarë. Filmi ruajti vendin e parë për tri fundjava radhazi. Harry Potter dhe Guri Filozofal gjithashtu pati shitjen më të madhe të biletave të 5-ditëve (nga e mërkura deri të shtunën) të Fundjavës së Falenderimeve prej 82.4 milionë dollarë, duke mbajtur rekordin për 12 vite derisa Lojërat e Urisë: Vajza e Zjarrit dhe Frozen e tejkaluan përkatësisht me 110.1 milionë dollarë dhe 94 milionë dollarë.

Rezultate të ngjashme u arritën në të gjithë botën. Në Britaninë e Madhe, Harry Potter dhe Guri Filozofal theu rekordin për shitjen më të madhe të biletave në fundjavën e parë duke kaluar 16.3 milionë dollarë. Në Britaninë e Madhe u fituan gjithsej 66.1 milionë paundë duke e bërë filmin e dytë më fitimprurës të të gjitha kohërave. Harry Potter dhe Guri Filozofal renditej fill pas Titanikut dhe e ruajti atë renditje derisa të dy u kaluan nga Mamma Mia!.

Në total, filmi fitoi 974.7 milionë dollarë në botë, 317,6 milionë dollarë të të cilave në Shtetet e Bashkuara dhe 657.1 milionë dollarë në pjesën tjetër të botës, duke e bërë filmin e dytë me fitimet më të mëdha në histori dhe filmin e parë me fitimet më të mëdha atë vit. Në 2018 zë vendin e tridhjetë e katërt te lista e filmave me më shumë fitime të të gjithë kohërave të pa rregulluara për inflacionin dhe vendin e dytë nga seria e filmave të Harry Potter, fill pas Harry Potter dhe Dhuratat e Vdekjes: Pjesa e Dytë e cila pati një fitim mbi 1 miliard dollarë në të gjithë botën.

Kritika kinematografike

Te Rotten Tomatoes filmi ka një vlerësim aprovues 80%, bazuar mbi 194 kritika, me një vlerësim mesatar 7.1/10. Konsensusi i përgjithshëm i Rotten Tomatoes për filmin lexon,

"Harry Potter dhe Guri i Magjistarit e përshtat materialin e tij të origjinës me besnikëri teksa e përmbledh rrëfimin e mbimbushur të romanit në një magji të ekranit të madh që të përfshin e emocionon."

Te Metacritic, filmi gëzon një vlerësim 64 nga 100, bazuar në 36 kritika duke nënkuptuar "kritika përgjithësisht pozitive" ndërsa te CinemaScore, publiku i dha një notë A në një vlerësim që varionte nga A+F.

Roger Ebert e quajti Gurin Filozofal "një klasik", duke i dhënë filmit 4 nga 4 yjet e mundshme dhe lavdëroi veçanërisht efektet vizuale të skenave të kuidiçit. Lavdërime erdhën dhe nga The Telegraph dhe kritikët e Empire, me Alan Morrison nga këta të fundi që i cilësoi skenat e kuidiç si skenat që binin në sy më shumë nga i tërë filmi. Brian Linder i IGN.com gjithashtu dha një kritikë pozitive për filmin, duke shtuar se "Nuk është i përkryer, por për mua është një shtesë e këndshme e një serie librash të cilën e dashuroj". Edhe pse kritikoi 30 minutat e fundit, Jeanne Aufmuth e Palo Alto Online deklaroi se filmi "do të magjepste edhe fansat më skeptikë të filmave". Kritikja e USA Today, Claudia Puig i dha filmit 3 nga 4 yje, duke lavdëruar specifikisht skenografinë dhe portretizimin e Hagridit nga Robbie Coltrane, por kritikoi muzikën e John Williams, duke e përfunduar kritikën e saj me fjalët: "Së fundmi, shumë nga lexuesit e librave do të shpresonin për një mishërim më magjik të librit". Skenografia, dizajni, kinematografia, efektet dhe trupa e aktorëve kryesorë u lavdëruan të gjithë nga Kirk Honeycutt i The Hollywood Reporter, edhe pse ai e cilësoi muzikën e John Williams si "një tingull i fortë e zhurmues i një kutie muzikore që thjesht nuk do ta qepë". Todd McCarthy i Variety e krahasoi pozitivisht këtë film me Te ikësh me Erën duke shtuar: "Skenari është besnik ndaj librit, aktorët janë thjesht të duhurit, skenat, kostumet, makiazhi dhe efektet janë në harmoni me njëri-tjetrin dhe ndonjëherë tejkalojnë çdo gjë që mund të pritet prej tyre.".

Richard Corliss i gazetës Time, e konsideroi filmin një "përshtatje numerike", duke kritikuar ritmin dhe mungesën e karizmës së aktorëve kryesorë. Paul Tatara i CNN zbuloi se Columbus dhe Kloves "janë aq të kujdesshëm për të shmangur ofendimet ndaj ndokujt nëse hiqet ndonje paragraf nga libri sa e ashtuquajtura narrativë ngjan më shumë si një festë brenda kokës së Rowling". Nathaniel Rogers i The Film Experience i dha filmit një kritikë negative dhe shkroi, "Harry Potter dhe Guri Filozofal është monoton sa më s'ka." Ed Gonzalez i Slant Magazine tha që kishte dashur që filmi të kishte si regjisor Tim Burton, duke e cilësuar kinematografinë si "pa ngjyra dhe të mjegulltë" dhe pjesën më të madhe të filmit "një festim monoton i një llumi ngjyrash". Elvis Mitchell i New York Times ishte tepër negativ rreth filmit, duke thënë se "filmi ishte si një park i vjetër lojërash që ka kohë që i ka kaluar koha; Trenat e shpejtësisë përplasen dhe hungërijnë me lodhje metalike sa herë që marrin ndonjë kthesë.". Ai gjithashtu shtoi se filmi vuante nga "mungesa e imagjinatës" dhe karaktere të drunjta, duke shtuar se "Kapelja Folëse kishte më tepër personalitet se të gjithë personazhet e tjera në këtë film."

Çmimet

Filmi Harry Potter Dhe Guri Filozofal: Skenari, Aktorët, Prodhimi 
John Williams, i kandiduar për çmim Oscar për muzikën më të mirë origjinale

Filmi ishte kandidat për tri çmime Oscar: Regjia më e mirë, kostumografia më e mirë dhe muzika më e mirë origjinale nga John Williams. Harry Potter dhe Guri Filozofal ishte kandidat gjithashtu për shtatë çmime BAFTA: Filmi më i mirë britanik, aktori më performancën më të mirë për Robbie Coltrane, kostumografia më e mirë, prodhimi më i mirë, grimi dhe parukeria më e mirë si dhe zëri e efektet vizuale më të mira. Filmi ishte kandidat për tetë çmime Saturn dhe fitoi një të tillë për kostumet e tij. Ai gjithashtu fitoi dhe çmime të tjera nga Shoqata Amerikane e Kinoprovës dhe Shoqata e Stilistëve. U kandidua nga Instituti Amerikan i Filmit për efektet speciale dhe nga Shoqata e Regjisorëve për skenografinë më të mirë. Mori Çmimin e Kritikës së Transmetimit të Filmit për filmin familjar më të mirë dhe u kandidua për performancën më të mirë për fëmijë (nga Daniel Radcliffe) dhe muzikën më të mirë (nga John Williams). Në vitin 2005, Instituti Amerikan i Filmit kandidoi Harry Potter dhe Guri i Magjistarit për të qenë pjesë e listës së 100 Vite Kolona Zanore.

Lista e çmimeve dhe kandidaturave
Çmimi Kategoria Marrësi(t) Përfundimi
Çmimet e 74-ta Oscar Kostumografia më e mirë Judianna Mokovsky Kandidat/e
Arritje në kinematografi Stuart Craig
Kompozimi më i mirë origjinal John Williams
Çmimet Amanda Filmi më i mirë i huaj Harry Potter dhe Guri Filozofal
Çmimet e Institutit Amerikan të Filmit 2001 Artisti më i mirë i efekteve dixhitale Robert Legato, Nick Davis, Roger Guyett
Çmimi i Shoqatës së Kinematografëve Përsosmëri në prodhimin e një filmi historik apo fantastik Stuart Craig, John King, Neil Lamont, Andrew Ackland-Snow, Peter Francis, Michael Lamont, Simon Lamont, Steve Lawrence, Lucinda Thomson, Stephen Morahan, Dominic Masters, Gary Tomkins
Çmimet e Qarkut të Mbyllur Kompozimi më i mirë origjinal John Williams
Efektet vizuale më të mira Harry Potter dhe Guri Filozofal
Çmimet e Akademisë Japoneze Filmi më i mirë në gjuhë të huaj Harry Potter dhe Guri Filozofal
Çmimet e Shoqatës Amerikane të Kinoprovës Zhanri - Komedi Jane Jenkins, Janet Hirshenson Fitues/e
Çmimet Bogey Çmimi Bogey në Titan Harry Potter dhe Guri Filozofal
Çmimet e 55-ta BAFTA Filmi më i mirë britanik Harry Potter dhe Guri Filozofal Kandidat/e
starring më i mirë jo protagonist Robbie Coltrane
Kostumografia më e mirë Judianna Makovsky
Prodhimi më i mirë Stuart Craig
Grimi dhe parukeria më e mirë Nick Dudman, Eithne Fennel, Amanda Knight
Zëri më i mirë Harry Potter dhe Guri Filozofal
Efektet vizuale më të mira Harry Potter dhe Guri Filozofal
Shoqata e Kritikëve të Transmetimit dhe Shpërndarjes së Filmit Filmi familjar më i mirë jo i animuar Harry Potter dhe Guri Filozofal Fitues/e
Interpretimi më i mirë për fëmijë Daniel Radcliffe Kandidat/e
Kompozitori më i mirë John Williams
Çmimet e Transmetimit të Muzikës Çmimi i Transmetimit të Muzikës për muzikën John Williams Fitues/e
Çmimi i Shoqatës së Stilistëve Përsosmëri në stilimin e veshjeve për filmin e zhanrit fantazi Judianna Makovsky
Çmimet Ekskluzive të DVD-ve Skenat e reja ekstra më të mira - Daljet e reja Paul Hemstreet, Jeffrey Lerner Kandidat/e
Çmimet Eddie Montazhi i filmit më të mirë dramatik Richard Francis-Bruce
Çmimet Empire Filmi më i mirë Harry Potter dhe Guri Filozofal
Interpretimi më i mirë për artistët e rinj Daniel Radcliffe, Rupert Grint, Emma Watson
Çmimet e Filmit nga Standartet Britanike të Mbrëmjes Çmimi për arritjen teknike Stuart Craig Fitues/e
Çmimet Golden Schmoes Filmi më i mbivlerësuar i vitit Harry Potter dhe Guri Filozofal
Çmimet e Reklamës së Artë Reklama më e mirë e animuar/familjare The Ant Farm, Imaginary Forces Kandidat/e
Çmimet GoldSpirit Kolona zanore më e mirë fantashkencë/fantazi John Williams
Çmimet Golden Reel Montazhi më i mire i zërit – Film i huaj Eddy Joseph, Martin Cantwell, Nick Lowe, Colin Ritchie, Peter Holt
Çmimet e Shoqatës në Rrjet së Filmave e Televizionit Interpretimi më i mirë Rupert Grint, Daniel Radcliffe
Skenari më i mirë i bazuar në një medium tjetër Steve Cloves
Prodhimi më i mirë Stuart Craig, Andrew Ackland-Snow, Peter Francis, John King, Michael Lamont, Neil Lamont, Simon Lamont, Steven Lawrence Lucinda Thomson, Stephenie McMillan
Kostumografia më e mirë Judianna Makovsky
Grimi më i mirë Mark Coulier, Nick Dudman, Eithne Fennel, Amanda Knight, Chris Lyons
Efektet vizuale më të mira Robert Legato, Nick Davis, Roger Guyett, John Richardson
Faqja më e mirë zyrtare në rrjet e një filmi Faqja zyrtare në rrjet e filmit Harry Potter
Çmimet PGA Prodhim i jashtëzakonshëm David Hayman
Çmimet e 45-ta Grammy Albumi më i mirë me kolonat zanore për një film, televizion apo media të tjera pamore John Williams
Çmimet Hugo Prezantimi më i mire dramatik Harry Potter dhe Guri Filozofal
Çmimet e Zgjedhjes së Fëmijëve 2002 Filmi më i parapëlqyer Harry Potter dhe Guri Filozofal
Çmimet e Filmave MTV 2002 Interpretimi mashkullor me i mirë Daniel Radcliffe
Çmimet e Shoqatës Feniks të Kritikëve të Filmit Filmi më i mirë familjar Harry Potter dhe Guri Filozofal Fitues/e
starring më i mirë i ri Daniel Radcliffe Kandidat/e
Interpretimi rinor më i mirë Emma Watson
Stilimi më i mirë Judianna Makovsky
Kolona zanore origjinale më e mirë John Williams
Prodhimi më i mirë Stuart Craig
Efektet vizuale më të mira Robert Legato, Nick Davis, John Richardson, Roger Guyett
Çmimi Maxwell Weinberg studioja kinematografike Warner Bros. Fitues/e
Çmimet e 13-ta të Shoqatës së Prodhuesve Amerikanë Çmimi i prodhuesit më të mirë për filma David Heyman Kandidat/e
Çmimet Satellite Filmi jo i animuar, i animuar ose i përzier më i mirë Harry Potter dhe Guri Filozofal
Montazhi më i mirë Richard Francis-Bruce
Prodhuesi më i mirë Stuard Craig
Efektet vizuale më të mira Robert Legato, Nick Davis, Roger Guyett, John Richardson
Çmimi i arritjeve të veçanta të një talenti të ri Rupert Grint Fitues/e
Çmimet e 28-ta Saturn Filmi më i mirë fantazi Harry Potter dhe Guri Filozofal Kandidat/e
director më i mirë Chris Columbus
starring më i mirë jo protagonist Robbie Coltrane
Aktorja më e mirë jo protagoniste Maggie Smith
Interpretimi më i mirë nga një aktor i ri në moshë Daniel Radcliffe
Interpretimi më i mirë nga një aktore e re në moshë Emma Watson
Kostumografia më e mirë Judianna Makovsky Fitues/e
Grimi më i mirë Nick Dudman, Mark Coulier, John Lambert Kandidat/e
Efektet speciale më të mira Robert Legato, Nick Davis, Roger Guyett, John Richardson
Çmimet Sierra Filmi më i mirë familjar Harry Potter dhe Guri Filozofal Fitues/e
Çmimi Qelbës Kolona zanore më irrituese John Williams Kandidat/e
Çmimet e Zgjedhjes së të Rinjve Filmi më i mirë dramë/aksion
Çmimet Artisti i Ri Filmi më i mirë familjar - Dramë Harry Potter dhe Guri Filozofal
Interpretimi më i mirë në një film – Aktorja më e re Emma Watson (barazim me Scarlett Johansson) Fitues/e
Interpretimi më i mirë në një film – Aktori më i ri jo protagonist Tom Felton Kandidat/e
Përzgjedhja më e mirë e aktorëve në një film Harry Potter dhe Guri Filozofal
starring i ri më premtues Rupert Grint Fitues/e

Referime

Shiko edhe

Lidhje të jashtme

Tags:

Filmi Harry Potter Dhe Guri Filozofal SkenariFilmi Harry Potter Dhe Guri Filozofal AktorëtFilmi Harry Potter Dhe Guri Filozofal ProdhimiFilmi Harry Potter Dhe Guri Filozofal Dallimet e librit nga filmiFilmi Harry Potter Dhe Guri Filozofal ShpërndarjaFilmi Harry Potter Dhe Guri Filozofal Pritja në publikFilmi Harry Potter Dhe Guri Filozofal ReferimeFilmi Harry Potter Dhe Guri Filozofal Shiko edheFilmi Harry Potter Dhe Guri Filozofal Lidhje të jashtmeFilmi Harry Potter Dhe Guri FilozofalJ. K. RowlingWarner Bros.

🔥 Trending searches on Wiki Shqip:

SokratiFormimi i yjeveDreriXhubletaShiu acidikAutizmiLista e kalave në ShqipëriKara Mahmud pashë BushatiGlobalizimiSëmundja e ParkinsonitDializaAbdyl FrashëriInsulinaNdotja e ajritLista e gjeografive të shtetevePankreasiTrupi i njeriutGjirokastraDeti AdriatikLezhaHamletiApoloniaFjodor DostojevskiGjethjaPozicioni seksualRryma elektrikeGreqiaNamazi i JacisëLibrazhdiSokol KushtaPesë Shtyllat e IslamitBiologjiaLista e këngëtarëve të muzikës populloreAtmosfera e TokësHidroenergjiaViktor HygoSeksi analKinaNumriNumrat natyrorëDokumentet e Gjuhes ShqipeLufta e ÇanakalasëVajguriFrancaTom SojerCristiano RonaldoKalaja e LezhësDukuritë kapilareNjëqind vjet vetmiQershiaMasaGjeografia e ShqipërisëTë drejtat e fëmijëveLista e filmave të ShqipërisëGjeometriaShenjat astrologjikeKarakteristikat e zeritAlergjiaDon Kishoti i MançësMuzika populloreHistoria e futbollit shqiptarAtmosferaSistemi i imunitetitRobotikaNamazi i AkshamitJurgen UldedajEmrat e bukur të AllahutLista e shkrimtarëve shqiptarëPiramida e KeopsitRepublika Popullore e ShqipërisëGjithësiaRevolucioni i dytë industrialGjeografia e KosovësPashkëtQytetet e ShqipërisëShqipëria nën pushtimin gjermanMbiemriBashkia TiranëWilliam Shakespeare🡆 More