Me termin hadis ose hadith (arabisht أحاديث ,حديث = hadīth, shumës ahādīth = ḥadīṯ, shumës aḥādīṯ = njoftim, tregim, rrëfim) cilësohen lajmet e trashëguara në fenë islame si me karakter profan (laik, jofetar) ashtu edhe fetar.
Në kuptimin islamiko-fetar ky term cilëson trashëgiminë mbi Muhametin, mbi udhëzimet e tij, veprimet e tij të denja për t'u imituar, vlerësimet e veprimeve të të tjerëve, rekomandimet dhe para së gjithash ndalimet dhe paralajmërimet moralo-fetare që nuk i përban kurani. Tërësia e gjithë kësaj trashëgimie me karakterin e saj normativ përbën sunna-n (sunnetin) e profetit duke qenë kështu pjesë e ligjeve fetare në fenë islame; sunna është pas kuranit burimi i dytë i jurisprudencës islamike (fikh).
Si term kuranik hadith-i është edhe zbulesë e zotit:
Trashëgimia islamike përdor si sinonim (duke u bazuar në përmbajtjen e vargut të mësipërm të kuranit) termin kalām („të folur“, „shprehje“) duke e cituar profetin si vijon: „ligjërata më e mirë (kalām) është ligjërata e zotit (kalāmu ʾllāh) dhe udhërrëfyesi më i mirë (për besimin) është udhërrëfyesi i Muhametit.“
Ajo trashëgimi, e cila përmban shprehje dhe vepra të bashkëluftëtarëve (sahaba) të profetit, mund të ketë (ashtu si hadith-i) karakter direktiv dhe të jetë me rëndësi për rregulla rituale dhe vendime juridiko-ligjore. Në këtë rast për të nuk përdoret termi hadith por arabisht آثار أثر = athar, shumës āthār = aṯar, shumës āṯār = gjurmë, shenjë që lihet pas dhe që vetëm në kuptimin figurativ do të thotë: traditë, trashëgimi sipas bashkëluftëtarëve të profetit. Por shpesh këto dy terma hadith dhe athar janë të këmbyeshëm me njëri-tjetrin.
Në kërkimet bashkëkohore islamologjike, megjithë punimet përkatëse të Aloys Sprenger, Ignaz Goldziher, Nabia Abbott, Fuat Sezgin dhe të tjerëve, vazhdon të jetë e diskutueshme çështja se kur duhen datuar saktësisht fillimet e fiksimit me shkrim, të mbjedhjes dhe trashëgimit të hadith-eve në tërësinë e tyre si isnad dhe matn. Sot konsiderohet si e mundshme që të ketë pasur që në shekullin e parë islamik (shekulli i 7-të pas Kr.) shkrime të trashëgimisë së profetit, të cilët pas trashëgimit të tyre gojor janë përmbledhur në rrotulla letre dhe fletore të vogla. F. Sezgin ka bërë në punimin e tij Geschichte des arabischen Schrifttums (Historia e shkrimeve arabe) (vol. 1) me anë të burimeve islamike një përmledhje të disa njoftimeve që rrëfejnë në fakt për ekzistencën e përmledhjeve të hershme të hadith-it por që mbi përmbajtjen e tyre thonë pak gjëra të shfrytëzueshme (me vlerë). Nga niveli i kërkimeve shkencore në lidhje me këtë pikë nuk ka ndryshuar në thelb asgjë që nga konstatimi peshues i Goldziher-it:
Shkrimet e para nuk mbanin tituj të caktuar; ato quheshin sahifa (صحيفة = ṣaḥīfa = rrotull letre), ose xhuz' (جزء = ǧuzʾ = pjesë; segment; fletore e vogël). Këto përmbledhje, të cilat Fuat Sezgin i radhit nën këtë emër, janë në fakt me origjinë nga persona të shekullit të parë dhe të dytë islamik (shek. i 7-të dhe i 8-të pas Kr.) por janë veç kopje të hartuara rreth 500 vjet më vonë. Shkrimet më të hershme letrare (dmth. jo-kuranike) në papirus janë bërë për herë të parë të njohura nëpërmjet botimeve të Nabia Abbott-it.
Për t'u përmendur janë edhe qëndrimet kundërshtuese në historinë e hershme të fesë islame kundra shkrimit (hedhjes në letër) të thënieve dhe maksimave të Muhametit që ishin transmetuar gojarisht nëpërmjet zinxhirit të trashëgimisë isnad-it. Në kohën e tradicionarit (trashëguesit) al-Kasim ibn Muhammad-it († 728), nipit të Abu Bakr-it, tregohej se kalif Omari e ka hedhur poshtë fiksimin me shkrim të hadith-it me fjalët: Kjo është „mathnat“ (e shkruar) si „mathnat-i“ (arameikisht mishna) i atyre të feve të librave (dmth. i çifutëve dhe i të krishterëve).
Materiali voluminoz i sunna-s është renditur dhe renditet nga teologët islamikë (ʿulamāʾ) në kategori të shumëllojshme. Jo të gjitha ato janë për shembull njëlloj relevante (përkatëse, të përshtatshme) për të gjykuar mbi autenticitetin (origjinalitetin, vërtetësinë) e aḥādīṯ.
Klasifikimi më me rëndësi është sigurisht ai që bëhet sipas numrit të personave që e kanë trashëguar (transmetuar, treguar) ḥadīṯ-in përkatës. Zakonisht bëhet dallim ndërmjet dy mënyrave në këtë kategori, 1. aḥādīṯ mutavātira, 2. aḥādīṯ ʾaḥādījja. Përveç kësaj ndarjeje dualiste që e kanë të gjitha rrymat juridike, shihet nga rryma hanafite 3. aḥādīṯ mašhūra si një grup i tretë distinktiv (më vete).
Një hadith përbëhet nga përmbajtja e tij (matn) duke u paraprirë nga vargu i trashëguesve (isnad-i), i cili përmban emrat e tyre (rrëfyesve) në vazhdimësinë e tyre kronologjike deri në kohën e profetit; hallka e fundit e këtij vargu pretendohet se është gjithmonë një prej bashkëluftëtarëve të profetit (sahaba), i cili citon si dëshmitar thënien e profetit. Kategorizimi i hadith-ëve orientohet ose tek isnad-i ose tek përmbajtja e tyre. Ndarja e hadith-ëve sipas isnad-ëve ndodh në këtë mënyrë në bazë kriteresh formale, të jashtme, duke mos thënë hëpërhë asgjë mbi vërtetësinë e rrëfimeve. Një isnad mund të jetë:
Përgjatë historisë së zhvillimit të shkrimeve dhe kritikës së hadith-it teologët islamikë kanë krijuar me anë të kritikës së tyre të stërholluar ndaj strukturës së isnad-eve edhe kategori të tjera.
Këto tre kategori kryesore të hadith-eve kanë shumë nënkategori të zhvilluara dhe të përkufizuara nga shkencat islamike të hadith-it sipas kriteresh të ndryshme; më e rëndësishmja prej tyre është hadith mutavatir (حديث متواتر = ḥadīṯ mutavātir = hadith i përhapur gjerësisht, i cituar prej shumë vetësh), i cili vlen si autentik (sahih) duke pasur njëkohësisht origjinën tek profeti nëpërmjet disa vargjesh të besueshme trashëgimie (isnad-esh).
Përhapja e materialit të kësaj trashëgimie në formën e hadith-eve në tërësinë e tyre si isnad dhe matn (përmbajtje), dhe sidomos rritja e këtij materiali ka çuar detyrimisht jo vetëm në kategorizimin e hadith-ëve sipas strukturës së tyre formale por edhe në lindjen e një dege të rëndësishme nën shkencat islamike të quajtur 'ilm al-rixhal (علم الرجال = ʿilmu ʾr-riǧāl = shkenca (mbi) „burrat“, dmth. trashëguesit, rrëfyesit e hadith-eve). Kjo degë e shkencës është bërë që në gjysmën e dytë të shekullit të 2-të islamik (fundi i shekullit të 8-të) baza e kritikës (në kuptimin e shqyrtimit, vlerësimit, analizimit) të hadith-it dhe nuk kishte objekt studimi trashëgiminë ose konstruktin formal të isnad-eve por analizonte kushtet e jetesës dhe kualifikimin teologjik të trashëguesve (rrëfyesve, „burrave“) të përmendur në isnad-e. Këto kërkime kritike mbi trashëguesit (rrëfyesit e hadith-eve, ruvat al-hadith) precipituan së fundi në krijimin e një literature biografike voluminoze që, duke filluar me lista të shkurtëra emrash, çuan gjatë mesjetës islamike në vepra biografishë me përmasa të mëdha, shumëvëllimshe. Këto vepra quhen kutub ar-rixhal (كتب الرجال = kutubu ʾr-riǧāl = libra mbi trashëguesit) ku përmenden si biografitë e personave në fjalë, kontaktet e tyre me teologët e tjerë ashtu edhe predikatet (titujt e rangut) e marra nga kritika e hadith-it të lidhura me emrin e tyre. Konsiderohej gjithmonë me rëndësi që të vihej në dukje marrëdhënia mjeshtër(mësues)-nxënës e trashëguesit për të mundur që të verifikoheshin (kontrolloheshin) kriteret e besueshmërisë të tij si trashëgues në bazë të burimeve të tij më të vjetra (të mjeshtërve dhe të shkrimeve që ai dispononte). Ndër këto vepra voluminoze biografike teologësh janë ato të al-Makdisī-t, al-Mizzi-t, al-Dhahabi-t dhe Ibn Haxhar al-ʿAskalānī-t ato më të rëndësishmet. Nga ana tjetër, historianët lokalë kanë ditur të përfshijnë në veprat e tyre mbi historitë e qyteteve edhe biografitë e atyre trashëguesve që kanë jetuar dhe punuar në qytetin përkatës dhe t'i prezantojnë ata sipas kritereve të kritikës së hadith-it. Veprat e Ibn 'Asakir-it për historinë e qytetit të Damaskut dhe të al-Khatib al-Baghdadi për Bagdadin janë konceptuar në këtë formë.
Predikatet (titujt, mbiemrat) kryesorë që jepte kritika e hadith-it janë: thika (ثقة = ṯiqa = i besueshëm); mutkin (متقن = mutkin = i saktë); hudxha (حجّة = ḥuǧǧa = provues, me prova); ʿadl (عدل = ʿadl = i sinqertë, korrekt); hasan al-hadith (حسن الحديث = ḥasanu ʾl-ḥadīṯ = rrëfyes (trashëgues) i mirë, i zoti hadith-esh). Në të kundërt janë pastaj: da'if (ضعيف = ḍaʿīf = trashëgues i dobët, jo i besueshëm); kadhdhab (كذّاب = kaḏḏāb = gënjeshtar); sariku 'l-hadith (سارق الحديث = sāriku ʾl-ḥadīṯ = hajdut hadith-i). Një titull i veçantë është mudallis (مدلّس): ky i falsifikon isnad-et duke zëvendësuar emrin e një trashëguesi „të dobët“ nëpërmjet një „të besueshmi“, në mënyrë që të përdorë një hadith si bazë argumentimi në gjyq ose në teologji. Në literaturën e hadith-it vlen si e ulët kur trashëgohen hadith-e, në isnad-et e të cilëve figurojnë trashëgues „të dobët“. Për këtë arsye emrat e trashëguesve „të dobët“, dmth. jo të besueshëm, janë përmbledhur në të ashtuquajturit kutub al-du'afa' (كتب الضعفاء = kutubu ʾḍ-ḍuʿafāʾ = libra mbi (trashëguesit) e dobët) bashkë me hadith-et e trashëguara prej tyre. Përmbledhja më e vjetër nga ana tjetër që përmban emrat e trashëguesve të besueshëm që kanë vepruar në Irak është ajo e trashëguar nën titullin kitab al-thikat (كتاب الثقات = kitābu ṯ-ṯiqāt = libri i (trashëguesve) të besueshëm) nga fundi i shekullit të 2-të islamik (fillimi i shekullit të 9-të pas Kr.). Bëhet fjalë për një listë të thjeshtë emrash teologësh pa të dhëna të tjera biografike.
Ignaz Goldziher në veprën e tij pararendëse Muhammedanischen Studien (Halle 1889-1890) e ka përmbledhur me vend karakterin e kritikës së hadith-it:
Përkrah punës me autenticitetin e trashëgimisë dhe të trashëguesve të saj u zhvillua që herët, nga mesi i shekullit të 2-të islamik (fundi i shekullit të 8-të pas Kr.) një degë e re e shkencës: interpretimi dhe shpjegimi i fjalëve të vështira në hadith-e, jo të njohura gjerësisht dhe të përdorura rrallë. Këto përmbledhje kryesisht të rendit alfabetik quheshin غريب الحديث = ġarīb al-ḥadīṯ = (terma) të rralla në hadith. Në këto vepra autorët, përveç shpjegime gjuhësore të fjalëve, shfrytëzojnë edhe vargje nga poezia arabe për të shpjeguar me anë të tyre përdorimin dhe kuptimin e termave të tilla.
Përmbledhjet kryesore të hadith-it janë ndër të tjera ato të Al-Bukhari-t († 870), Muslim ibn al-Hadxhāxh-it († 875), Malik ibn Anas-it dhe Ahmad Ibn Hanbal-it. Është veç e diskutueshme deri më sot, nëse Muvatta e Malik ibn Anas-it duhet konceptuar si përmbledhje hadith-i apo si një corpus iuris (latinisht: kod ligjor) i rrymës juridike medinase. Në fakt kjo vepër ndjek rendin e ndërtimit të përmbledhjeve klasike të hadith-it të brezave pasues por ndërpritet nga pasazhe të gjata shkrimesh thjesht juridike (edhe përmes përshkrimit të ra'y (opinio, mendimit individual).
Për përmbledhjet e hadith-it të shiitëve shih: Kutub arba'a
„Gjashtë librat“ (al-Kutub as-sitta) vijues paraqesin kanonin klasik të përmbledhjeve të hadith-it:
Përveç këtyre gjashtë të ashtuquajturave përmbledhjeve „kanonike“ shkenca e trashëgimisë islamike shton edhe veprën e
Nën këto vepra të hadith-it është ajo pesëvëllimshe e At-Tirmidhi-t, e para që spikat me vërejtjet kritike të autorit mbi isnad-et dhe me përshkrimin e pikëpamjeve të rrymave juridike mbi hadith-et e veçantë (si burim i jurisprudencës islamike).
Përmbledhjet e lartpërmendura quhen edhe si vepra musannaf (مصنف = muṣannaf), dmth. një renditje e hadith-eve të ndarë në kapituj sipas përmbajtjes; kapituj mbi pastërtinë rituale / faljen / pelegrinazhin (haxhin) / martesën / ndarjen / të drejtën e kontratës dhe të blerjes etj. Tek kjo renditje orientohen jo më vonë se Malik ibn Anas-i edhe veprat e para juridike të teologjisë islamike.
Përmbledhjet e mëposhtme të hadith-it janë gjithashtu me rëndësi:
Për studiuesit bashkëkohorë të hadith-it sa vjen e është gjithmonë e më tepër në qendër të vëmendjes një vepër e hershme, e krijuar që përpara gjashtë librave:
Për kërkimin e një hadith-i të dhënë është e rekomandueshme puna me Konkordancat e hadith-it të A. J. Wensinck etj, të cilat radhisin në listë të gjithë hadith-et e gjashtë përmbledhjeve të mëdha si dhe trashëgimitë e Malik ibn Anas-it dhe Ibn Hanbal-it sipas rregullave të konkordancave. Përmbledhja e Ahmad Ibn Hanbal-it nuk ka qenë strukturuar tematikisht duke e bërë veçanërisht të vështirë punën me të. Ndërkohë ato janë klasifikuar dhe strukturuar tematikisht nga A. M. Omar. CD-ROM-i al-Alfiyya li-s-sunna al-nabawiyya (الألفية للسنة النبوية) përmban 1300 përmbledhje hadith-i dhe libra mbi to.
Hadith kudsi është një formë e veçantë e hadith-it. Ndërsa pjesa më e madhe e hadith-eve vlejnë si të origjinës profetike (نبوي = nabavī), hadith kudsī shihet si i origjinës hyjnore, të shenjtë (قدسي = kudsī ose edhe hadith ilahi حديث إلاهي = ḥadīṯ ilāhī). Një hadith kudsi përmban fjalët e zotit jo fjalë për fjalë si kurani por vetëm si kuptim dhe të dhëna (të treguara) nëpërmjet profetit Muhamet. Një hadith i tillë mund të lindë nëpërmjet frymëzimit hyjnor (ilham) ose një ëndre duke u dalluar kështu nga zbulesa (vahi) e kuranit, e cila sipas besimit mysliman paraqet fjalën origjinale të zotit. Në qoftë se dikush nuk beson në këtë zbulesë, ai akuzohet si i pafe; kjo gjë nuk ngjet në rastin e hadith kudsi-t. Hadith-e të tilla nuk lejohen të thuhen gjatë faljes rituale islamike. Përmbledhjet e para të kësaj trashëgimie janë me origjinë relativisht të vonë, nga shekulli i 13-të dhe 15-të.
This article uses material from the Wikipedia Shqip article Hadithi, which is released under the Creative Commons Attribution-ShareAlike 3.0 license ("CC BY-SA 3.0"); additional terms may apply (view authors). Përmbajtja është në disponim nëpërmjet licencës CC BY-SA 4.0 nëse nuk shënohet ndryshe. Images, videos and audio are available under their respective licenses.
®Wikipedia is a registered trademark of the Wiki Foundation, Inc. Wiki Shqip (DUHOCTRUNGQUOC.VN) is an independent company and has no affiliation with Wiki Foundation.