Gjeografia Historike

Gjeografia historike është disiplinë fondamentale shkencore në kuadër të gjeografisë e cila studion , shpjegon, planifikimin e marrëdhënieve dhe reflektime në hapësirën gjeografike (përbërjen, proceset, lidhjet dhe marrëdhëniet, ekzistuese dhe / ose të materializuara në një formë të re dhe në një vend tjetër në gjeohapsirë) të krijuara nga integrimi i faktorëve kompleks gjeografik dhe ngjarjeve historike me qëllim të të kuptuarit e të vërtetës objektive hapësinore.

Njohuritë e para mbi Token

Fillet e njohurive të gjeografisë shkencore paraqiten në fillim të periudhës skllavopronare dhe janë në lidhje me tregtinë, detarinë dhe me fushatat ushtarake. Hulumtimet e bëra arkeologjike, zbulimet e kulturës materiale të gjetur nën dheun shumë shekullor dhe dokumentet e vjetra të shkruara argumentojnë se dikur popujt me kulturë të lartë të kohës ishin ata të : Kinës, Indisë, Mesopotamisë, Fenikisë, Egjiptit etj.

Në Azinë Lindore shumë herët paraqitet Perandoria e fuqishme dhe kultura shumë e zhvilluar kineze. Thelbi i këtij shteti dhe kësaj kulture gjendej në ultësirën e gjerë pranë lumit Hoangho (Lumi i Verdhë). Lugina e Hoanghos ka qenë e banuar që në Paleolitin e hershëm. Territori i gjerë kinez shpeshherë u është ekspozuar sulmeve nga fiset luftarake të Azisë Qendrore. Me qëllim të mbrojtjes sa më të suksesshme nga sulmet e shpeshtuara të nomadëve nga veriu, kinezët prej shekullit IV deri në fundin e shekullit të II p.e.s. kanë ndërtuar “Murin Kinez“. Gjatësia e tij është 2480 km, lartësia 16 m, ndërsa gjerësia 5–8 m. Në ndërtimin e tij murën pjesë rreth 2 milion fshatarë dhe skllevër që u mobilizuan me dhunë.

Një nga arritjet më të mëdha të kulturës kineze është aplikimi i shkrimit. Shkrimi hieroglifik kinez njihet që nga epoka Shang - Jin në shekullin XVIII p.e.s. dhe ai deri me sot nuk është ndryshuar. Në Kinën e lashtë u zbuluan letra, baruti, busulla, kompasi dhe seizmografi.

Mesopotamia (greqisht: mesopotamus - midis lumenjve) shtrihet ndërmjet lumit Eufrat dhe Tigër. Gjatë prurjes së madhe të ujërave në këta lumenj vjen deri të vërshimet. Pas vërshimeve tërheqja e ujit lente pas shtresë të trashë lymi që e bënte dheun mjaft pjellor. Në kohërat e hershme, pas vërshimit, fara hidhej pa u bërë lëvrimi dhe pastaj lëshoheshin shtazët që ta shkelin farën. Në këtë mënyrë është mbjellur Toka. Në këtë trevë, që nga nga kohërat e vjetra, janë zhvilluar dy perandori të fuqishme: Babilonia në jug dhe Asiria në veri.

Gjeografia asiro - babilonase fillon të zhvillohet rreth 30 shekuj para erës së re. Prej asaj kohe rrjedhin planet më të vjetra kadastrale. Asiro - Babilonasit kanë konsideruar se Toka është pllakë e rrumbullakët e palëvizshme, e cila është e mbështetur fort në shtyllat e mëdha prej gurit. Në mesin e saj gjendet Mesopotamia. Tokën nga të gjitha anët e rrethon deti, ndërsa qielli si hijëz (ombrellë) mbështetet në majat e maleve. Babilonasit kanë ardhur deri të disa konstatime të sakta mbi Diellin si burim i dritës, i ngrohtësisë dhe i jetës në Tokë. Prej tyre deri më sot ka mbetur ndarja e eliptikes në zodiak, viti në 12 muaj, dita në 24 orë dhe rrethi 360 shkallë.

Fillet e gjeografisë egjiptiane nisin prej shekullit XXVIII p.e.s. Në kohën e Mbretërisë së vjetër, përkatësisht prej shek. XXVIII deri në shek. XXV p.e.s. për egjiptasit Egjipti ka qenë tërë bota.

Faraoni Keopsi (rreth 2500 p.e.s.) ndërtoi piramidën më të madhe në botë, te fshati i sotëm Giza. Baza e piramidës është 236m, ndërsa lartësia e saj është 177 m. Ndërtimi zgjati rreth 20 vite. Pranë tempullit të Keopsit, u ndërtuan edhe tri piramida më të vogla për kushërinjtë e tij.

Horizonti i gjeografisë egjiptase zgjerohet kah fundi i shek. VII p.e.s. kur çelet kanali lundrues Nil - Deti i Kuq. Ky kanal lundrues hapet në kohën e Faraonit Neho (609-594 p.e.s.). Me urdhrin e Nehës detarët fenikas kanë lundruar kah Kepi i Shpresës së Mirë dhe përmes Gjibraltarit e Detit Mesdhe arrin në Egjipt. Ky udhëtim zgjati 3 vite.

Gjatë kohës së vjetër me emrin Feniki është quajtur brezi i ngushtë bregdetar në Mesdheun lindor, përkatësisht Libani i sotëm. Fillet e gjeografisë fenikase paraqiten pre shek. XX p.e.s. Fenikia ishte e pasur me bakër, hekur dhe metale të ndryshme. Fenikasit ishin të parët që e prodhuan qelqin e tejdukshëm. Fenikasit e kanë njohur pjesën më të madhe të botës së vjetër : prej Britanisë dhe Baltikut në veti e deri në pjesën më jugore të Afrikës dhe prej Atlantikut në perëndim e deri në Borneu në lindje. Është dëm i madh që fenikasit për shkaqe tregtare, shënimet për këto vende i kanë mbajtur në fshehtësi. Prandaj, nuk dihet mirë se sa ka qenë e saktë njohuria e tyre për këto vende.

Gjeografia antike Greke

Në Greqinë antike, sikurse edhe te popujt e lashtë të Lindjes, në fillim kuptimet dhe mësimet mbi Tokën, natyrën e saj dhe mbi njeriun, kanë qenë primitive dhe mitologjike. Grekët nuk e kanë zgjeruar shumë horizontin e diturisë gjeografike mbi Tokën. Në historinë e hershme të tyre grekët kanë njohur shumë më pak vende se sa fenikasit.

Deri në shekullin V p.e.s., njohuritë greke mbi Tokën nuk mund të konsiderohen të plota në kuptimin gjeografik. Kuptimet e tyre mbi Tokën janë plot elemente mitologjike, sikurse janë udhëtimet e agronautëve, për “gëzofin e artë” dhe Odisenë. Agronautët, sipas legjendës, të magjepsur në muzikën dhe këngën e Orfeut, kanë lundruar përmes Detit të Zi deri në Kolhide, në brigjet lindore të tij, nën Kaukaz.

Homeri

Homeri - besohet se u lind në Izmir. Ai në epopetë e tij të njohura “Iliada” dhe “Odiseu” nga shekulli VII p.e.s., i ka përshkruar ngjarjet e shekullit XII p.e.s. Sipas Odiseut, grekët kanë menduar se Toka ka formën e mburojës dhe se nga të gjitha anët është e rrethuar me një lumë, “Okeanusin” që rrjedhë ngadalë. Në qendrën e saj është Jelada me Olimpin, ku kuvendojnë perënditë. Odiseu kryesisht i është kushtuar lundrimit mitologjik dhjetëvjeçar dhe bredhja në një det, deri atëherë të panjohur.

Talesi i Miletit

Talesi i Miletit (624-547 p.e.s.) është themelues i shkollës së lashtë materialiste greke. Ai ka qenë filozof, astronom, fizikan dhe matematicient i përmendur i Greqisë së atëhershme. Talesi thotë, se çdo gjë që ekziston në natyrë e ka zanafillën prej një elementi, paraqenja e të cilit është uji. Sipas tij, Toka ka formën e diskut dhe si ujdhesë, noton mbi uji, përkatësisht mbi Oqanin Botëror. Ekzagjerimi i rëndësisë së ujit tregon se bazat e studimit të Talesit rrjedhin prej Egjiptit, vendit ku është uji d.m.th. lumi Nil.

Anaksimandri

Anaksimandri (610-546 p.e.s.) ka qenë nxënës dhe pasardhës i Talesit. Sipas Anaksimandrit, Toka ka formen e cilindreit të cekët, ku lartësia është tri herë më e vogël se baza. Ai është i pari që e ka “ndarë” Tokën prej themeleve të forta dhe e ka lënë pezull, që të rrijë lirishtë në hapësirën e gjithësisë, çka paraqet një hap gjigant në zgjidhjen e drejtë të pozitës së Tokës. Atij i takon edhe merita që ka bërë për përshkrimin e plotë të Tokës dhe modelin e sferës qiellore. Anaksimandri është themelues i parë i hartës botërore, deri atëherë të njohur.

Herakliti

Herakliti (536-475 p.e.s.) ai ka paraqitur mendimin se gjithësia nuk është krijuar kurrë prej kurrkujt. A jo gjithmonë ka ekzistuar, ekziston dhe ka për të ekzistuar. Në të nuk ka kurrgjë ta pandryshueshme- gjithçka lëviz, ndërrohet dhe zhvillohet. Nga vepra e tij “Mbi natyrën” janë ruajtur 130 fragmente autentike. Herakliti në doktrinën e vet paraqiti mendimin e rëndësishëm dialektik se gjithçka lëviz dhe zhvillohet në bazë të luftës së kundërshtimit. Lufta e përgjithshme e kundërshtimit nuk shpie në kaos, por procesi i gjithëmbarshëm zhvillohet sipas ligjit të natyrës.

Herodoti

Herodoti u lind në Halikarnas (Azi të Vogël). Rrjedhë nga një familje e pasur dhe bujare. Konsiderohet si babai i historisë. Shkroi veprën voluminoze “Historia”, por mjerisht nuk mundi ta përfundojë, pasi nga puna e tij shkencore e ndau vdekja. Në “Historinë” e Herodotit, vend të rëndësishëm zë lufta greko - persiane. Herodoti shënimet kryesisht i mirrte në bazë të autopsisë (duke vërejtur drejtpërsëdrejti), ndërsa ato i mbarështronte qart. Më së pari jipte përshkrimin e vendit, pastaj doket e zakonet, karakteristikat etnike të popullsisë, gojëdhënat dhe në fund i përshkruante ngjarjet historike. Rëndësia e punimeve gjeografike të Herodotit, qëndron në atë se ai vet i ka vizituar shumë vende dhe në vendin e ngjarjes i ka mbledhur shënimet. Herodoti i vizitoi këto vende : Egjiptin, Libinë, Fenikinë, Sirinë, Palestinën, Arabinë, Asirinë, Babiloninë, Persinë, Pjesër e përparme të Indisë, Krahinat rreth Liqenit Kaspik, Detit të Zi, Skitinë (pjesën jugore të Rusisë), Italinë dhe Thrakinë. Për këto vende ka dhënë shënime besnike. Herodoti ka dyshuar që Toka ka formën e mburojës dhe i ka theksuar dimensionet e mëdha, duke mos i njohur kufijtë e saj.

Për Herodotin, Toka është pllakë e rrumbullakët mbi të cilën gjendet kupa qiellore sferoide dhe nëpër këtë kupë lëvizin Dielli dhe yjet.

Shkencëtarëve dhe filozofëve të lashtë grekë, veçanërisht u ka interesuar çështja e formës së Tokës, madhësia dhe pozita e saj në hapësirën e gjithësisë. Ndërmjet tyre rëndësinë më të madhe për zhvillimin e gjeografisë e kanë : Talesi i Miletit, Anaksimandri, Demokriti, Aristoteli, Aristarku, Dikearku, Eratosteni dhe Hiparku.

Demokriti

Demokriti (460-370 p.e.s.) është filozofi më i madh materialist antik grek. Ka udhëtuar nëpër Egjipt, Babiloni, Iran e në vende të tjera. Është autor i shumë veprave, jo vetëm filozofike, por edhe të shkencave të tjera. Ky mendonte se çdo gjë që ekziston përbëhet prej thërrmijave të imta - atomeve. Ai ka shqyrtuar çështjen mbi formën e Tokës, shkaqet e tërmeteve, erërave, vërshimeve të Nilit etj. Sipas Demokritit, forma e Tokës vazhdimisht ndërrohet.

Aristoteli

Aristoteli (384-322 p.e.s.) u lind në një familje të pasur në Strogir (Thraki). Hyri në akademinë e Platonit dhe aty qëndroi 20 vite. Nga fundi i jetës e gjykuan si Ateist. Prandaj, u detyrua të ikë në Halkidi (në ujdhesën Eubej), ku edhe vdiq. Shumë vjet jetoj në oborrin mbretëror duke e mësuar dhe edukuar Aleksandrin e Maqedonisë (Lekën e Madh).

Ka qenë filozof natyralist më i madhi i Greqisë antike. Shkroi vepra të shumta nga lëmi të ndryshme. Është themelues i logjikës si shkencë, ndërsa është marrë edhe me disiplina tjera shkencore, siç janë : meteorologjia, gjeografia, gjeologjia, zoologjia, embrionologjia, gjeodezia, fizika etj. Në veprën "Meteorologjia" (në 4 libra) shtroi shumë probleme në gjeografinë e përgjithshme, ndërsa në veprën "Politika" (ne 8 libra) tentoi që të sqarojë ndikimin e klimës në marrëdhëniet shoqërore. Edhe në shumë punime të tjera, ai ka shfaqur mendimin mbi botën, duke theksuar se Toka është e palëvizshme dhe gjendet në qendër të gjithësisë. Pra, ka qenë ithtar i Sistemit Gjeocentrik. Ai është i pari që përdori termin gjeodezi (greqisht : ge - tokë dhe daio - ndarje). Aristoteli zhvillon kuptimin mbi formën sferike të Tokës. Për vërtetimin e gjykimit të vetë, merr me plot të drejtë si dëshmi, formën e hijes së Tokës me rastin e zënies së pjesërishme të Hënës. Ai ishte i pari që e ka ndarë Tokën në pesë breza të nxehtësisë: një të vapës, dy të mesme dhe dy të ftohta, pastaj ka konstatuar se më i përshtatshëm për jetesë është brezi i mesëm i hemisferës veriore, ndërsa brezi i vapës është i pabanuar. Aristoteli mendonte se në Tokë më tepër ekzistojnë sipërfaqe të tokës se sa të ujit dhe se Oqeani Atlantik, në drejtimin lindje - perëndim, është shumë i ngushtë. Ky oqean e ndan Tokën në pjesën lindore dhe perëndimore dhe ato janë të afërta me njëra - tjetrën. Ky mendim i gabueshëm i Aristotelit, e me vonë edhe i Eratostenit, solli deri të zbulimi i botës së re - Amerikës.

Dikearku

Dikearku (347-287 p.e.s.) përpiloi hartën e parë të asaj kohe, me fillet e rrjetit hartografik. Ai së pari ka tërhequr dy vija matematike : një horizontale dhe një vertikale, të cilat i ka ndarë në stade të ngjashme me shkallët e sotme, me anë të të cilave ka mundësuar saktësisht përpilimin e hartave dhe matjen e distancave në to. Vija horizontale, e cila u përgjigjet paraleleve të tashme, ka filluar prej ujdhesave të Azoreve nëpërmjet të Gjibraltarit, në jug të Sicilisë dhe Peloponezit deri të malet Hindukushe. Vija vertikale ka filluar prej Sijenës (Asuani i sotëm), nëpërmjet të Aleksandrisë, Bosforit e deri të grykëderdhja e Dnieprit. Harta botërore e Dikearkut ka qenë harta ma e mirë e kohë së vjetër deri në paraqitjen e hartave të Ptolemeut në shekullin II të erës së re. Dikearku shkroi veprat “Përshkrimi i botës”, “Udhëtimi rreth botës” dhe “Jeta e Heladës”. Në veprën “Udhëtimi rreth botës” ai ka dhënë përshkrimin e ekumenës së njohur deri atëherë. Vepra “Jeta e Heladës” në tri libra, ka qenë historia e parë e kulturës greke prej kohërave më të vjetra deri te Aleksandri i Madh (Leka i Madh). Me ndihmën e teodolitit primitive bëri matje e lartësive të maleve të Greqisë.

Aristarku

Aristarku (320 - 250 p.e.s.), nga ujdhesa Samos, i pari ka paraqitur mendimin gjenial mbi teorinë Heliocentrik, përkatësisht mbi rrotullimin e Tokës rreth Diellit me pozitë të pjerrtë të eliptikes dhe se në të njëjtën kohë sillet edhe rreth boshtit të vet, prandaj bëhet ndërrimi i ditës dhe i natës.

Eratosteni

Eratosteni (276-195 p.e.s.), filozofi, matematikani, astronomi dhe gjeografi i Aleksandrisë. U lind në Kirenë. Atë me arsye e konsiderojmë themelues të gjeografisë matematike. Si udhëheqës i bibliotekës së përmendur të Aleksandrisë, pati mundësi të njihej me veprat dhe dorëshkrimet e rëndësishme shkencore. Ai me anë të metodës matematike, dëshmoi se Toka ka formën sferike dhe ka caktuar gati saktësisht perimetrin e Tokës. Gjatësinë e rrethit meridional e ka caktuar me 39.816 km, ndaj gjatësisë së njëmendtë, e cila është 40.009 km. Pra, dallimi është i vogël, vetëm 158 km. Merita tjetër e Eratostenit është në lidhje me botimin e veprës së parë të gjeografisë, në të cilën ka dhënë përshkrimin e Tokës deri atëherë të njohur në detaje. Gjeografia e tij përbëhet prej tri librave. Në librin e parë ka dhënë pasqyrën kritike të zhvillimit të gjeografisë. Në librin e dytë bënë fjalë mbi formën dhe madhësinë e Tokës, mbi detet botërore, brezat klimatik dhe kufinjtë e botës së banuar - ekumenës. Në librin e tretë, ai ekumenën, deri atëherë të njohur, e ndanë në pjesë dhe jep përshkrimin e tyre në detaje, veçanërisht jep përshkrimin për natyrën dhe popullsinë e tyre. Prandaj, Eratostenin shpesh e quajnë “baba të gjeografisë“. Ai mendonte se duke lundruar në perëndim, nëpërmjet Oqeanit Atlantik, arrihet në Indi. Njohja e mirë e botës (sa ka qenë deri atëherë e njohur) prej burimit të Nilit deri në Tula (Evropën Veriore) i mundësoi që ta përpilojë hartën e atëhershme të ekumenës. Kjo hartë ka shënuar një përparim të ri në hartografi. Njihet si Babai i Gjeografise

Kratesi

Kratesi (200-244 p.e.s.) prej Molosit, i pari e ka bërë globin, në të cilin ka paraqitur tërë botën. Ai ka menduar që ekzistojnë dy oqeane të mëdha, njëri që shtrihet në drejtim të ekuatorit, ndërsa tjetri në drejtim të meridianit. Ashtu oqeanet e kryqëzuara, në formë të dy shiritave, i ndajnë tokat botërore në katër pjesë, përkatësisht në katër kontinente.

Pamja e botës, përkatësisht shpërndarja e Tokës dhe detit në këtë glob nuk është e saktë, gjë që është e kuptueshme, sepse grekët i kanë njohur kryesisht viset rreth e përqark Detit Mesdhe. Në glob bota është paraqitur me katër pjesë : një të njohur dhe tri të panjohura.

Hiparku

Hiparku (190-125 p.e.s.) ka qenë astronom, matematikan, dhe hartograf i shquar grek. Ai më së pari e futi nocionin e gjerësisë dhe gjatësisë gjeografike. Rrethin e ka ndarë në 360 shkallë, nërsa shkallën në 60’, minutën në 60". Hiparku në hartë vuri rrjetin e shkallëve dhe ka dhënë principet e përbërjes dhe hartimit të tyre.

Në përhapjen e diturive gjeografike mbi Tokën i kanë kontribuar edhe luftërat, të cilat i ka bërë Greqia në atë kohë, veçanërisht në kohën e Aleksandërit të Madh.

Gjeografia në periudhën Romake

Gjatë periudhës romake zgjerohet mjaft horizonti i diturie gjeografike. Përhapja e diturive gjeografike në këtë periudhë ka qenë e lidhur ngushtë kryesisht me luftërat dhe pushtimet e atëhershme, e posaçërisht edhe në lidhje me tregtinë. Në atë periudhë janë ndërtuar rrugë, fortifikata pranë urave, kampe ushtarake dhe të ngjashme. Të gjitha këto kërkonin njohjen e mirë të viseve të pushtuara. Duke okupuar tërë Italinë, Galinë Jugore, Spanjën, Kartagjenën, Maqedoninë, pastaj romakët kanë pushtuar edhe Ilirinë, Greqinë, Azinë e Vogël, Sirinë, Fenikinë, Armeninë, Sudanin dhe Egjiptin. Në kohën e perandorit Anton Augustini, Deti Mesdhe është quajtur “Liqeni Romak” meqë pushteti romak, shtrihej prej Oqeanit Atlantik në perëndim deri në Eufrat në lindje dhe prej Detit të Veriut e Baltik, në veri deri në Saharë në jug.

Straboni

Straboni ka jetuar prej vitit 63 p.e.s. deri në vitin 21 të erës së re. Ka bërë shumë udhëtime në vende të ndryshme të botës deri atëherë të njohura. Në bazë të këtyre udhëtimeve shkroi veprën e tij voluminoze me titull “Gjeografia”, e cila përbëhet prej 17 librash. Kjo vepër paraqet sintezën e diturive gjeografike të deri atëhershme dhe zhvillimin e shkencës së gjeografisë. Në dy librat e para janë dhënë dituritë themelore të gjeografisë së përgjithshme, kurse tetë libra i janë kushtuar Evropës, gjashtë Azisë dhe një Afrikës. Për pozitën e Tokës në gjithësi, ai ka qenë ithtar i sistemit gjeocentrik. Ka qenë edhe ithtar i të ashtuquajturës “Teori oqeanike”, sepse e ka menduar Tokën si ujdhesë të rrethuar nga oqeani i jashtëm, kurse në Tokë, sipas tij, depërtojnë katër gjire : Gjiri Kaspik, Gjiri Persik, ai Mesdhetar dhe Deti i Zi. Sipas Strabonit, Deti Mesdhe ka qenë qendra e botës. Në përshkrimin e vendeve të ndryshme, ai jep jo vetëm karakteristikat natyrore, por edhe ato të popullsisë me disa shënime arkeologjike, kulturore dhe historike. Veçanërisht në mënyrë detale ka përshkruar Siujdhesën e Apenineve, si dhe vendet tjera mesdhetare. Ai i ka njohur shumë mirë vendet dhe popujt e Siujdhesës Ballkanike.

Kllaudie Ptolemeu

Shkencëtari më i madh i periudhës së Perandorisë Romake, pa mëdyshje ka qenë Ptolemeu (90-168). Është me prejardhje greke, por ka jetuar në Aleksandri dhe është marrë me astronomi, matematikë, gjeografi dhe hartografi. Vepra e tij më e rëndësishme është “Megali sintaksis” që do të thotë “Vepra e madhe”, në të cilën ai përshkruan tërë botën e njohur të atëhershme dhe paraqet kuptimin mbi “Sistemin e botës”. Kjo vepër përkthehet më vonë në gjuhën arabe me emrin “Almagest”. Sipas Ptolemeut Toka ka formë sferike, është e palëvizshme dhe gjendet në qendër të gjithësisë. Rreth saj rrotullohet Dielli, Hëna dhe trupat e tjerë qiellor. Ky pohim i Ptolemeut për Sistemin Gjeocentrik, ndonëse jo i saktë, ka zotëruar gjatë tërë mesjetës. Ptolemeu i ka kushtuar kujdes hartografisë, që ka qenë rast i përgjithshëm në Perandorinë Romake. Vepra e tij shumë e rëndësishme gjeografike dhe hartografike me titull “Udhëheqja gjeografike” përbëhet prej tetë vëllimesh. Ai ka menduar se gjeografia është lëmi e pavarur e diturisë njerëzore.

Në të ka veçuar dy drejtime : drejtimin gjeografik dhe hartografik (hora - vend, krahinë).

Në drejtimin gjeografik ka përfshirë gjeografinë matematike dhe hartografinë. Sipas tij gjeografia para së gjithash është shkencë mbi paraqitjen hartografike të tokës. Hartografia mirret me përshkrimin në detaje të vendeve të ndryshme. Në këtë vepër bënë fjalë edhe për Ilirikun, përkatësisht për Dalmacinë, Liburinë, Mezinë e Epërme, Maqedoninë, etj. Libri i tetë i kushtohet hartografisë. Në këtë libër paraqiten 27 harta, prej të cilave, një është harta e botës “Orbis terrarum”, ndërsa 26 janë të vendeve të ndryshme.

Në veprat e Strabonit dhe Ptolemeut janë mbledhur gati të gjitha dituritë gjeografike të kohës së vjetër. Mund të konstatohet lirisht se ato dituri nuk kanë qenë të vogla. Këtë më së miri e dëshmon fakti, se gjeografët e shteteve më të zhvilluara të Evropës Perëndimore deri në shekullin XV nuk kanë pasur gati asnjë dituri gjeografike më tepër se ajo që ka mbetur prej romakëve dhe grekëve të vjetër. Në këtë kohë për shkaqe strategjike e politike, romakët kanë ndërtuar rrjetin e dendur të rrugëve që kanë lidhur edhe provincat më të largëta, përgjatë këtyre rrugëve ushtarake kanë bërë matjet terestrike. Si rezultat i këtyre matjeve kanë qenë hartat rrugore me tabela dhe me komentime. Ato janë harta rrugore që quhen itinerare ose itineraria pikta.

Gjeografia në kohën e Feudalizmit të hershëm

Në periudhën prej shekullit VIII-XV, të njohur në histori me emrin feudalizëm, apo mesjetë, dituria jo vetëm që stangoi, por pati edhe rënie të diturive shkencore në përgjithësi, pra edhe në rënien e diturisë gjeografike dhe të gjeografisë si shkencë. Baza themelore materiale e feudalizmit është Toka. Mesjeta mund të ndahet në dy periudha : në periudhën e hershme dhe në atë të zhvilluar. Periudha e mesjetës së hershme karakterizohet me lulëzimin e religjionit të krishterë. Kisha e krishterë përveç rolit shpirtëror luajti edhe atë ekonomik.

Kishat kanë qenë pronare të pronave të mëdha bujqësore. Pasi bujqësia ishte dega më e rëndësishme ekonomike, atëherë kishat me manastiret qenë edhe faktorët më të rëndësishëm ekonomik. Kështu kisha e forcuar ka filluar të marrë rolin e pushtetit shtetëror. Në hulumtimin e rrugëve për zgjerimin e dogmave religjioze, e më tepër për nënshtrimin ekonomik të besimtarëve, paraqiten misionarët. Misionarët ishin udhëpërshkrues që merreshin jo vetëm me zgjerimin e krishterimit dhe vënien e lidhjeve ekonomike, por edhe me mbledhjen e shënimeve të ndryshme mbi natyrën, popullsinë, pasuritë natyrore dhe karakteristikat ekonomike të vendeve të ndryshme. Ato (shënime) i dërgonin në metropolin e tyre fetar, në Romë. Në atë kohë shkenca e gjeografisë klasike e kishte armik të fortë kishën e krishterë. Gjeografia mesjetare dituritë e saj mbi gjithësinë, Tokën dhe fenomenet natyrore i ka themeluar në dogmat nga shkrimi i shenjtë dhe nga Dhjata e Vjetër. Nën ndikimin e kishës së krishterë, në periudhën që ka zgjatur rreth 1000 vjet (prej shekullit IV deri në shekullin XIII) pason një dekadencë e përgjithshme e shkencës, pra edhe e shkencës së gjeografisë. Kështu mësimi mbi formën sferike të Tokës ka qenë harruar dhe refuzuar, sepse nuk është pajtuar me mësimin e religjionit të krishterë, mbi krijimin dhe formën e Tokës. Toka më shpesh është paraqitur si pllakë e rrumbullakët, në lindje pak e ngritur, sepse atje thuhej se gjendej parajsa. Në qendër të pllakës ka qenë Jerusalemi. Sa është zgjeruar horizonti gjeografik, pllakës i kanë shtuar aq vende dhe dete të reja, por pamja e përgjithshme e botës edhe më tej mbeti e njëjtë. Hartat e kësaj kohe kanë qenë të orientuara nga lindja, d.m.th. në to, lindja është lartë, perëndimi poshtë, jugu djathtas, ndërsa veriu majtas.

Librat gjeografike të mesjetës janë me plotë shpjegime fantastike dhe primitive të dukurive natyrore. Në to gjenden edhe përshkrimet e njerëzve me një sy, me një këmbë dhe pa duar. Pastaj flitej se ekzistonin ujërat që vlonin, malet magnetike që i tërhiqnin anijet dhe bishat e tmerrshme që i gëlltitnin njerëzit, etj.

Në mesjetë gjeografia është mësuar nëpër manastire. Prandaj, kjo periudhë e “zhvillimit” të saj është e njohur me emrin “gjeografia e manastireve”.

Zhvillimi i gjeografisë tek arabët

Në Lindjen e Afërt, në qendër të kulturës së dikurshme asirobabilonase, paraqiten arabët, që në shekullin e VII zgjeruan sundimin e tyre dhe përhapën religjionin mysliman në një pjesë të Azisë, në vitin 711 arabët e kaluan ngushticën e Gjibraltarin dhe e nënshtruan Siujdhesën Pireneje. Në atë kohë ekzistonin dy qendra të rëndësishme të kulturës : Bagdati në lindje dhe Kordoba në perëndim (në Spanjë). Në këto qendra zhvilloheshin veçanërisht matematika, astronomia dhe gjeografia. Gjatë shekujve IX dhe X arabët bëhen sundues absolutë të Mesdheut dhe të Lindjes së Afërt. Duke pushtuar vendet kulturore të kohës së vjetër, ata u njoftuan me veprat e shkencëtarëve grekë. Shteti i tyre shtrihej prej Oqeanit Atlantik në perëndim deri në Indi në lindje dhe prej Kaukazit në veri deri në Afrikën Tropike në jug.

Arabët e kanë njohur mirë shtetin e tyre, çdo emir (udhëheqës) i tyre ka qenë i obliguar të këtë përshkrimin dhe hartën e krahinës në të cilën udhëhiqte. Si detarë të njohur e të paisur me busulla, ata kanë udhëtuar deri në buzëdetin e Indisë, Indonezisë, Kinës, Mozambikut dhe të Madagaskarit. Merita më e madhe e arabëve, në gjeografinë shkencore është në atë se, duke përkthyer dhe duke studiuar veprat klasike të gjeografëve antikë, sidomos të Ptolemeut, i kanë shpëtuar nga harresa njohuritë gjeografike greko – romake.

Arabët i kanë njohur shumë herët vetitë e erërave monsunike dhe i kanë shfrytëzuar në mënyrë praktike në detari. Më saktësi e kanë sqaruar regjimin e reshjeve dhe kanë ditur se erërat që vijnë nga deti sjellin të reshura. Arabët kanë treguar interes të posaçëm për astronominë. Pasi kanë besuar në lidhjen (varësinë) ndërmjet pozitës së yjeve dhe jetës së njerëzve, posaçërisht e kanë kultivuar astrologjinë. Për vështrimin e yjeve dhe planetëve janë ndërtuar shumë observatoriume astronomike. Duke shfrytëzuar busullën, katrorin, sekstanin dhe instrumentet e tjera, arabët kanë arritur rezultate të rëndësishme astronomike. Ata kanë pasur katalogun e yjeve dhe globin e parë qiellor prej argjendit dhe remit. Me saktësi kanë vërtetuar pjerrësinë e eliptikes prej 23º dhe 35’ ndaj pjerrësisë së njëmendtë që është 23º dhe 27’. Kanë konsideruar se Toka ka formën sferike dhe se perimetri i saj është 44.700 km. Hartat e arabëve kanë qenë mjaft të thjeshta. Në to nuk ka ekzistuar rrjeti i paraleleve dhe meridianëve. Kontinentet, siujdhesat, ujdhesat, lumenjtë, liqenet etj, janë paraqitur me figura të ndryshme gjeometrike si p.sh. në formë të trekëndëshave, katërkëndësheve, rrathëve etj.

Hartat e arabëve kanë qenë të orientuara kah jugu, përkatësisht në to ana jugore ka qenë e kthyer lart, ndërsa ana veriore, poshtë.

Gjeografët dhe udhëpërshkruesit më të përmendur arabë kanë qenë Sylejmani, Jakubi, Idrizi dhe Ibn Batuta.

Jakubi

Ka qenë një prej udhëpërshkruesve më të njohur arabë të shekullit IX. Atë e kanë quajtur baba i gjeografisë arabe. Ka udhëtuar shumë dhe personalisht ka mbledhur shënime në vend të ngjarjes. Përveç kësaj, ka pasur shumë kontakte me udhëtarë të tjerë dhe kështu i ka plotësuar njohuritë gjeografike të veta si për vendet e lindjes ashtu edhe të perëndimit. E kanë konsideruar si gjeograf të gjithanshëm Ka shkruar veprën “Libri mbi vendet“. Në këtë libër paraqiti shumë shënime mbi vendbanimet e viseve të ndryshme.

Masudi

Ka jetuar në shekullin X dhe ka qenë nga Bagdati. Emri i vërtetë i Masudit ka qenë Abull Hanas Ali. Ky ka qenë historian i përmendur arab, por njëkohësisht ka lënë edhe shënime të vlefshme gjeografike. Është konsideruar si udhëtari më i madh i shekullit X. Udhëtoi nëpër Afrikën Veriore, në Palestinë, Spanjë, Greqi, Jermeni, Persi, Indi, Cejlon (Shri-Lankë) dhe në vende të tjera. Bashkëkohësit e tij, Masudin e krahasojnë me Diellin, i cili kalon mbi të gjitha vendet prej lindjes deri në perëndim.

Vepra me e njohur e tij historiko - gjeografike mban titullin "Livadhe të arta". Në këtë vepër ka dhënë shënime të vlefshme mbi viset e ndryshme nëpërmjet të cilave kaloi dhe mbi popujt më të cilët ka ardhur në kontakt. Duke përshkruar Tibetin, ai thekson se ky është vend i njerëzve të lumtur, të cilët pandërprerë qeshin. Ai është udhëpërshkruesi i parë botëror që përpos tjerash i përmend serbët (Serbju) dhe kroatët (Harvatin).

Sherif Al Idrizi

Sherif Al Idrizi (1099-1166) ka qenë njëri prej hartografëve dhe gjeografëve më të njohur në fillim të periudhës së mesjetës së vonshme. Emri i tij i plotë është Abdullah Muhamed Ibni. U lind në Seut (Spanjë) dhe besohet se është me prejardhje berbere. Studioi në Universitetin e përmendur të Kordobës. Ka qenë i famshëm jo vetëm në lëminë e hartografisë e të gjeografisë, por edhe në atë të filozofisë, të astronomisë, të matematikës, të medicinës dhe të poezisë.

Me ftesë të mbretit të normanëve, Roxher II, Sherif Al Idrizi vizitoi Sicilinë. Mbreti Roxher II e luti Sherif Al Idrizin, që në një vepër gjeografike të përshkruaj vendin e tij dhe të gjitha vendet e botës, të cilat atëherë kanë qenë të njohura. Si hyrje për këtë vepër Al Idrizi, para së gjithash, bëri një glob të madh prej argjendi, me peshë rreth 45 kg.

Në këtë glob me saktësi dhe në detaje paraqiti të gjitha vendet deri atëherë të njohura. Me qëllim që të japë përshkrimin e këtyre vendeve që gjendeshin në glob, Al Idrizi shkroi veprën e tij të njohur “Nuz-hetull mushtak fi ihtirakil afak”. Kjo vepër e tij njihet edhe me emrin “Gjeografia e Idrizit” ose “Libri i Roxherit”.

Në hartimin e kësaj vepre Al Idrizi shfrytëzoi tërë diturinë e deriatëhershme gjeografike arabe. Kështu ai mblodhi mjaft shënime edhe nga tregtarët dhe misionarët e ndryshëm. Në këtë kohë “Gjeografia e Idrizit” paraqet veprën epokale në lëmin e shkencave gjeografike. Është me rëndësi të përmendet se ky libër përmbledh edhe 69 skica dhe një numër të konsiderueshëm hartash gjeografike me ngjyra. Al Idrizi më tepër shquhet si hartograf. Përpiloi dy harta të botës : njërën në formë të drejtkëndëshit me 70 fletë, ndërsa tjetra në formë rrethore. Harta gjeografike e botës në formë drejtkëndëshit është ekzemplari më i mirë gjeografik i botës, të cilën deri më sot e kanë hartuar shkencëtarët islamë. Evropianët konsiderojnë se Al Idrizi ka arritur pikën më të lartë në hartografinë arabe. Prandaj, kjo hartë ka qenë e pranueshme jo vetëm nga arabët, por edhe prej të gjithë të tjerëve. Ajo u ka shërbyer për orientim të drejtë në udhëtime të largëta edhe detarëve evropianë gjatë disa shekujve.

Vlera e madhe shkencore e kësaj harte, qëndron në saktësinë e jashtëzakonshme të caktimit të gjerësisë dhe gjatësisë gjeografike. Paralelet dhe meridianët janë të caktuara dhe të tërhequra me saktësi, që është karakteristike për hartat bashkëkohore që i përpilojnë sot entet shkencore. Megjithëse harta gjeografike botërore e Al Idrizit është e vjetër 855 vite (duke marrë parasyshë vitin 2008) edhe sot nuk është e kontestueshme. Vlen të theksohet se hartat e atëhershme kanë pasur orientimin jugor, d.m.th. ana e epërme e hartës ka treguar anën jugore.

Për ne është me rëndësi që ky hartograf ka dhënë shënime të çmueshme edhe për Siujdhesën Ballkanike. Përveç tjerash ky aty përmend Sofjen, Beogradin, Senjin, Kninin, Stonin, Splitin, Trogirin, Shibenikun dhe Dubrovnikun. Nga qytetet bregdetare të Shqipërisë Al Idrizi më 1153 përmend Durrësin (Arashin) si një qytet tregtar të lulëzuar me shumë dyqane. Ai përmend edhe Vlorën (Labunën) si një liman me tregëti të zhvilluar.

Ibn Batuta

Gjeografi dhe udhëpërshkruesi më i përmendur arab ka qenë Ibn Batuta (1304 - 1377) nga Maroku. Ka udhëtuar 25 vjet nëpër të gjitha vendet e përmendura të asaj kohe, përkatësisht nëpër Afrikën Veriore dhe Lindore, në Azi të Vogël, Azi të Mesme, Indi, Shri Lankë, në Kinë në lindje, ndërsa në perëndim deri në Spanjë. Kështu për 25 vjet ai kaloi mbi 75.000 milje. Shkroi veprën “Dhuratë kureshtarëve”.

Udhëtimet gjeografike prej shekullit X deri në shekullin XIV

Gjatë mesjetës, zbulime të mëdha gjeografike kanë bërë popujt e Evropës Veriore, të ashtuquajtur normanët (njerëz të veriut). Fiset gjermanoveriore me emër të përbashkët paraqiten si normanë. Ata kanë banuar kryesisht në brezin e ngushtë bregdetar të Skandinavisë. Prej këtyre grupeve etnike më vonë janë formuar norvegjezët, suedezët, danezët dhe islandezët e sotëm. Normanët kanë qenë të përmendur për ndërtimin e anijeve cilësore. Bregdeti i përthyer ka ofruar strehim natyror për anijet ose kanë përgatitur sulme të papritura në anijet e vendeve të ndryshme.

Që në fillim të shekullit VIII normanët pushtuan ujdhesat Hebride, Farer dhe Shetlande. Në ujdhesën Islandë (Toka e akullt) arritën në vitin 867. Prej Islandës normanët kanë ndërmarrë lundrime të ndryshme. Ndërmjet tyre duhet të veçojmë Ejrih Rexhin (Ejrihu i Kuq). Duke lundruar nga Islanda në perëndim në vitin 982, arriti në Grenlandë. Në këtë ujdhesë të akullt, normanët kanë dalluar edhe brezin bregdetar të ngushtë e të gjelbërt të cilit sipas ngjyrës së kësaj pjese të ujdhesës i kanë dhënë emrin Ujdhesa e Gjelbërt. Djali i Ejrihut të Kuq, me emrin Lejf Erikson (Lejfi i lumtur), rreth vitit 1000 zbuloi Amerikën Veriore (Siujdhesën e Labradorit) dhe ujdhesat Njufaunlend, Vinlandë dhe Kejp Breton.

Por, ky zbulim ngeli i panjohur për popujt tjerë të Evropës, prandaj me kohë edhe vetë normanët këtë zbulim e qitën në harresë, kështu që pas 500 vjetësh Kristofor Kolomboja përsëri “zbuloj” Botën e Re (Amerikën).

Në gjysmën e dytë të mesjetës feudalizmi në Evropën Perëndimore dhe Jugore ka arritur shkallën më të lartë të zhvillimit. Rritja e fuqisë prodhuese solli ndarjen e punës, përkatësisht ndarjen e zejtarisë dhe të tregtisë prej bujqësisë. Ajo kushtëzoi veçimin e fshatit prej qytetit. Lindja e qyteteve të para si vendbanimtë tregtisë nuk ka filluar në të njëjtën kohë në çdo pjesë të Evropës. Qytetet më së pari paraqiten në bregdetin e Mesdheut, veçanërisht në Itali, e pastaj në Francë dhe Flandrijë, ndërsa më vonë edhe në pjesët tjera të Evropës.

Zhvillimit të lidhjeve tregtare ndërmjet Evropës dhe vendeve të Lindjes i kanë kontribuar shumë luftërat e kryqëzatave që kanë zgjatur, me ndërprerje, prej vitit 1096 deri në vitin 1270. Gjatë kohës së luftërave të kryqëzatave, zhvillohet tregtia në disa qytete të Italisë, si për shembull në Venedik, Gjenevë dhe Pizë. Marinarët italianë morën shumë njohuri nga arabët. Nëpërmjet arabëve ata u njoftuan me busullën, për të cilën në Kinë kanë ditur që në kohët e lashta. Detarët italianë filluan të përdorin busullën që nga shekulli XIII. Atëherë fillojnë edhe me punimin e hartave precise, të cilat i quajnë “portolanë”. Në këto harta besnikërisht janë paraqitur bregdeti i vendeve mesdhetare, me pozita të sakta të porteve më të rëndësishme. Portolanët ose hartat e busullës janë punuar në pergamena dhe kanë qenë pa koordinata gjeografike.

Hartat portolane e kanë pasur rrjetin e busullës, me të cilin kanë paraqitur pozitën e anëve kryesore të botës edhe me 28 anë plotësuese. Qendra e këtyre rrjetave është paraqitur në formë të trëndafilit të erës dhe prej tyre kanë nisur drejtimet e busullës. Punimi i portolaneve kanë paraqitur kthesë të vërtetë në zhvillimin e hartografisë. Për shkak të dedikimit të tyre specifik dhe përdorimit të busullës për orientim është marrë drejtimi i veriut e jo lindja ose jugu, si ka qenë rasti me hartat e manastireve dhe me hartat e tjera mesjetare. Përveç kësaj, përmbajtja e tyre themelore ka qenë e paraqitur në mënyrë mjaft objektive dhe në pikëpamje gjeografike e ngulitur saktë.

Në shekullin XV sërish filloi të mbizotërojë mendimi mbi formën sferike të Tokës dhe u përpilua edhe harta e botës nga astronomi firenikas, Toskaneli. Në këtë hartë paraqitet Toka në formë të rrumbullakët. Mirëpo, Azia Lindore gjendet në perëndim të Oqeanit Atlantik. Në këtë hartë nuk ka qenë i shënuar fare kontinenti i Amerikës, për të cilin evropianët e asaj kohe nuk dinin gjë.

Marko Polo (1254-1325), besohet se u lind në Korçullë. Ishte udhëtari dhe udhëpërshkruesi më i njohur i asaj kohe. Si misionar dhe përfaqesues i Venedikut qëndroi në Kinë 15 vite, ndërsa edhe 9 vite në vende të ndryshme aziatike. Pra, udhëtimi i zgjati plot 24 vite. Udhëtoi në Palestinë, në Kurdistan, në Armeni, në Irak, në Iran, në Afganistan, në Tibet dhe arriti në Kinë. Marko Polo gjatë qëndrimit në Kinë i vizitoi pothuajse të gjitha viset e saj. Pastaj u kthye për në Venedik, duke kaluar nëpër Indonezi, Shri Lankë, Iran, Irak, Kurdistan, Armen dhe arriti në Venedik. Më zbulimet e tij është dëshmuar se Azia nga lindja nuk përfundon me pyje të pashkelura dhe me moçale, si ka menduar Ptolemeu, por buzëdeti i saj është i përshtatshëm për anije. Tri vite pas kthimit në Itali, Marko Polo merr pjesë në luftën e Venedikut kundër Gjenovës te ujdhësa e Korçullës, në të cilën luftë u zu rob dhe u burgos.

Në burg, Marko Polo i tregoi shokut të vet nga Piza, Rusticianit, përshkrimet e vendeve, nëpërmjet të cilave ka kaluar. Pasi Rusticiani doli nga burgu, publikoi librin në gjuhën frënge me titullin “Libri i zotëri Marko Polos mbi mbretërit dhe çudirat e Lindjës”. Në këtë libër, ekzistonin shënime të rëndësishme gjeografike për vendet e Lindjes së Largët, të cilat në Evropë askush nuk i ka njohur. Prandaj, ky libër për një kohë shumë të shkurtër përkthehet në shumë gjuhë dhe bëhet më se i nevojshëm për të gjithë udhëtarët e mëvonshëm që udhëtojnë për në Indi, në Kinë dhe në vende të tjera të Lindjes së Largët. Më 1290 vetë Marko Polo, shkroi librin me variant të ri. Veprën e pagëzoi “Mbi shumëllojshmërinë e botës”, në bazë të vrojtimeve personale dhe dëgjimeve. Kjo vepër e Marko Polos është vepër kapitale për ato vise ku ai qëndroi. Hulumtimet gjeografike të Marko Polos, kanë çelur një periudhë të re në zhvillimin e shkencës gjeografisë.

Periudha e zbulimeve të mëdha gjeografike

Gjatë shekullit XV horizonti i njohurive gjeografike mbi planetin tonë zgjerohet mjaft. Evropianët njihen hollësisht me të gjitha pjesët e kontinentit të tyre. Me ndërmjetësinë e arabëve dhe me shkëmbimin tregtar ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, janë njohur hollësisht vendet e Afrikës Veriore, Lindjes së Afërt dhe të Mesme. Misionet diplomatike, fetare dhe tregtare të shteteve evropiane, të cilat kanë shkuar në Indi, Mongoli dhe në Kinë, kanë kontribuar në njohjen gjeografike të vendeve të Azisë Jugore, Qendrore dhe Lindore.

Fundi i shekullit XV paraqet fillimin e epokës së re në jetën e popujve të Evropës. Ajo është epoka e paraqitjes së rendit të ri shoqëroro-politik, përkatësisht të kapitalizmit. Në këtë kohë diktatura shpirtërore e kishës shkallmohet. Veprat e filozofëve dhe shkencëtarëve antikë u bënë të afërta njerëzve të arsimuar. Në këtë kohë janë arritur suksese të mëdha në shkencë, teknikë dhe në detari. Teknika e lundrimit u përsos. Anija me vela, me fund të mprehtë (me kil), me kurvertë të lartë dhe të lëvizshme ishte e aftë për t’iu përballur me sukses valëve të larta detare. U përsosën edhe instrumentet e navigacionit (busulla, skafioni dhe kaudranta), të cilat orientoheshin dhe e caktonin pozitën e anijes në horizont. Shpejt zhvillohet tregtia dhe rritet rëndësia ekonomike e politike e qyteteve. Paratë bëhen si mjet i pagesës.

Evropa nuk ka disponuar sa duhet metale të çmueshme (ar dhe argjend), që janë përdorur si mjete të pagesës. Ngase evropianët më tepër kanë blerë sesa kanë shitur mallra të ndryshme, solli deri te zvogëlimi i rezervave të arit në Evropë. Evropianët nuk kanë mundur të importojnë mallra drejtpërdrejt prej prodhuesve aziatikë, por nëpërmjet të ndërmjetësuesve arabë, persianë dhe grekë. Kjo dukuri shkaktoi rritjen e çmimeve të mallrave që vinin prej Indisë, Arkipelagut të Malajës dhe Kinës. Prandaj, evropianët ishin të detyruar të kërkojnë rrugë detare për në Lindje, me motiv që të lirohen nga ndërmjetësuesit. Përveç kësaj, prania e Turqisë në Lindje të Afërt dhe luftërat e shpeshta, kanë paraqitur pengesën kryesore për mbajtjen e tregtisë me anë të rrugëve tokësore, që kalonin nëpër Lindje të Afërt. Të gjitha këto kontribuan që të intensifikohen hulumtimet për zbulimin e rrugës detare për në Indi dhe vendet e Lindjes së Largme.

Në këtë kohë nëpërmjet arabëve, evropianët u njoftuan me kuptimet e harruara mbi formën sferike të Tokes, ku në pjesën perëndimore të Oqeanit Atlantik gjenden ujdhesat që i takojnë Azisë. Prandaj, rruga për vendet e arit, argjendit, gurëve të çmueshëm, mendafshit dhe erëza është kërkuar kah perëndimi, përmes Oqeanit Atlantik. Në anën tjetër, anijet më të përsosura të pajisura me busulla, kanë mundur të lundrojnë më lirisht në oqeanet e gjera.

Që prej kohës së Aristotelit (shekulli IV p.e.s.), Eratostenit (shekulli III deri II p.e.s.) e më vonë të Marin Tiritit (Feniki) dhe Ptolemeut (shekulli I deri II), ka mbisunduar mendimi se largësia ndërmjet buzëdetit të Evropës dhe të Azisë Lindore nuk është e madhe, madje edhe më e shkurtër sa që shpie nëpërmjet Aleksandrisë deri në Indi.

Ai gabim e ka sjellë Kolombon deri në bregdetin e Amerikës, ose siç ka cekur gjeografi francez i shekullit XVIII Zhan Batista Anvil, ka qenë gabimi më i madh i Kolombos, që e ka sjellë deri në zbulimin më të madh.

Kristofor Kolombi

Kristofor Kolombo, u lind më 1451 në Gjenovë (Itali). Në moshën e re ka punuar në punëtorinë e endjes, pronar i së cilës ishte babai i tij. Si fëmijë ëndërronte mbi lundrimet në dete të largëta. Më 1479 erdhi në Lisbonë dhe u punësua në shërbimin detar portugez. Pati fatin të martohet me të bijën e një detari portugez, me prejardhje italiane, prej të cilit kishin mbetur shumë harta detare dhe shënime të rëndësishme për detari. Për ta mbajtur familjen e vet dhe për ti ndihmuar prindërit në Gjenovë, përpilonte harta gjeografike, të cilat, asokohe, kërkoheshin shumë. Duke ushtruar profesionin e detarit u dallua më aftësi të jashtëzakonshme. Vazhdimisht mendonte të organizonte një ekspeditë detare, ku përmes Oqeanit Atlantik do të arrinte në Indi. Më 1484 Kolombo ia parashtroi planin e tij të lundrimit në detaje mbretit të Portogalisë, Jovanit II dhe kërkoi nga ai mjete për organizimin e ekspeditës detare. Këshilli Shkencor Mbretëror këtë plan e shpalli si të pa kuptimtë dhe jo real, prandaj e hodhi poshtë.

Pas një viti, Kolomboja ka qenë i detyruar ta lëshojë Portogalinë i dëshpruar dhe të shkojë në Spanjë.

Në këtë kohë spanjollët dhe portugezët kanë qenë rival të vërtetë në pushtimin e viseve të panjohura dhe në zhvillimin e tregtisë detare. Spanjollët kanë qenë të interesuar për zbulimin e rrugës detare që kishte për të siguruar tregtinë me Indinë e pasur. Prandaj, Kolombos i lejohet të organizojë ekspeditën e madhe detare. E përpilojnë kontratën. Në kontratë precizohet që Kristofor Kolombi është avancuar në admiral detar e nën mbret i viseve të zbuluara, i cili do ta ketë të drejtën për të dhjetën pjesë nga gjithë sasia e arit, e argjendit, sasia e gurëve të çmueshëm, margaritarëve dhe nga prodhimet tjera që kishin për ti gjetur në vendet e zbuluara. Kontrata është nënshkruar më 17.04.1492, ndërsa për liman të nisjes së lundrimit është caktuar Palosi. Janë caktuar tri anije me vela (Santa Maria, Pinta dhe Ninja). Me më të madhen, Santa Maria (gjatësia 22,6 m, gjerësia 7,8 m dhe lartësia 4,1 m) ka udhëhequr Kolombi. Më 03.08.1492 tri anije me 120 udhëtar të ndihmuar në mënyrë financiare nga mbretëresha spanjolle dhe nga detari i njohur nga Palosi, Martin Pinson, u nisën për lundrim prej limanit Palos. Drejtimi i lundrimit ishte perëndimi, ndërsa caku ishin vendet e pasura të erurinave të Azisë. Kështu filloi lundrimi më i rëndësishëm në historinë e njerëzimit. Gjatë lundrimit, Kolomboja mbajti edhe ditarin (ditari i parë i shkruar në historinë e detarisë), në të cilën regjistronte çdo ditë rrugën e kaluar, drejtimin e lundrimit e gjëra të tjera që i ka konsideruar të rëndësishme. Kolomboja së pari lundroi në drejtimin jugperëndimor, kah ujdhesat e Kanarive, e pastaj ka marrë drejtimin perëndimor. Anijet e tij, të shtyera nga erërat e përshtatshme të pasateve, me shpejtësi lundruan kah perëndimi.

Por, më 16 shtator, ekspedita gjendej në “oqeanin e mbuluar me bar”, që e ngadalësuan mjaft lëvizjen e anijeve dhe tmerroi ekuipazhin. Ky ishte Deti Sargas që është në përbërjen e Oqeanit Atlantik, i njohur për nga sasia e madhe e algave. Me 12 tetor 1492 Kolombi zbarkoi në një ujdhesë të vogël ranore, të cilën indigjenët (vendësit) e quanin Guanahana. Ajo i takon grupit të ujdhesave të Bahameve (Bahamas) dhe gjendet në juglindje të Floridës. Duke e shpallur si pronë të Perandorisë Spanjolle, Kolombi këtë ujdhesë e pagëzoi San Selvador, që do të thotë “Shpetimtar i Shenjtë”. Sipas të gjitha gjasave, ajo është ujdhesa e tashme Votling. Pastaj Kolomboja zbuloi edhe disa ujdhesa të reja e ndër to edhe Kubën dhe Haitin. Kolomboja mendonte se ujdhesa e Kubës ishte Cipangoja (Japonia). Ujdhesën e Haitit e quajti Espaniola (Spanja e Vogël). Në këtë ujdhesë, Kolomboja ndërtoi fortifikatën Navidat (Kërshëndellat). Ai ka qenë vendbanimi i parë spanjoll në truallin amerikan. Duke menduar se ka arritur në Indi, Kolomboja banorët e ujdhesës i quajti indianë. Ky emër ka mbetur deri me tani për popullsinë autoktone të Botës se Re. Kolomboja edhe pse nuk hasi në sasi të mëdha të arit dhe të argjendit, për herë të parë pau misrin, pataten dhe duhanin. Më 4 janar të vitit 1493 niset të kthehet në Spanjë i bindur se e ka zbuluar Indinë, Japoninë dhe Kinën. Si dëshmi të zbulimeve të tij, solli në Spanjë sasi të vogla të arit, disa bimë interesante, disa shpezë të egra dhe disa banorë të këtyre ishujve. Më 15 mars të vitit 1493 arriti në Spanjë ku u prit si triumfues i vërtetë. Më qëllim të zgjerimit të zbulimeve të veta, Kolomboja organizoi ekspeditën e dytë në shtator të vitit 1493, e cila përbëhej prej 17 anijesh dhe 1500 udhëtar.

Në këtë ekspeditë morën pjesë edhe disa oborrtarë, fisnikë, priftërinj dhe murgj. Më anë të kësaj ekspedite u zbuluan Antilet e Vogla (Dezirat, Mari - Galant, Dominik etj.), ujdhesa Porto-Riko dhe Xhamajka. Kolomboja dërgoi disa sende të çmueshme në Spanjë, por këto sende kanë pasur një vlerë të vogël, në krahasim me shpenzimet që janë bërë rreth përgaditjes së ekspeditës. Prandaj, mbreti dhe mbretëresha e Spanjës e prishin marrëveshjen me Kolombon dhe Kolombos nuk i mbeti asgjë tjetër, pos të kthehet në Spanjë (1496). Më 1498 Kolomboja me mundime të mëdha organizoi ekspeditën e tretë për të gjetur vendin e vërtetë ku kishte ar, ardhend, gurë të çmueshëm dhe mëlmesa. Këtë herë ai prej Spanjës lundroi kah jugperëndimi dhe arriti në grykëderdhjen e lumit Orinoko (në pjesën veriore të Amerikës Jugore, përkatësisht në bregdetin e Venezuelës) dhe zbuloi ujdhesën Trinidad. Pastaj kthehet në ujdhesën Haiti (Espanjola) dhe në Spanjë. Më 1502 Kolomboja organizoi ekspeditën e katërt dhe të fundit. Këtë herë ai zbuloi brigjet prej Hondurasit deri në Panamë dhe disa ishuj pranë Panamasë.

Më 1506 Kristofor Kolombo vdiq në mjerim të thellë, i harruar plotësisht, me privilegje të humbura, me bindje se e ka zbuluar rrugën detare për në Indi, e duke mos e ditur se kishte zbuluar "Botën e Re" - Amerikën. Me udhëtimet e Kolombos janë zbuluar shumë ujdhesa të Arkipelagut të Bahameve, Antileve të Vogla dhe të Mëdha, ujdhesat Trinidad dhe pjesët e kontinentit të Amerikës së Mesme e Jugore.

Amerigo Vespuçi

Amerigo Vespuçi (1451-1512) ka qenë tregtar i pasur nga Firenca, por në shërbim të Spanjës. Besohet se në Amerikë udhëtoi katër herë. Ai supozon se Kolomboja nuk arriti në Indi, por zbuloi Botën e Re (Mundus Novus). Në veprën e vet me titull "Hyrje në Kozmografi", të botuar më 1507 në gjuhën latine, kozmografi gjerman Martin Valdzemiler propozon që për territorin që tani përfshin Brazilin, të quhet Terra Amerika (Toka e Amerigos). Me zgjerimin e mëtejshëm të horizontit të gjeografisë, termi Amerikë zgjerohet për tërë kontinentin, i cili shtrihej prej Alaskës dhe Labradorit në veri, deri në kepin Horn në jug.

Vasko de Gama

Vasko de Gama (1469-1524), atij iu besua organizimi i ekspeditës së parë detare portugeze për zbulimin e rrugës detare rreth Afrikës për në Indi. Ekspeditën që ai e udhëhiqte e përbënin tri anije me 160 detarë. Anijet filluan lundrimin prej Lisbonës, më 8 korrik të vitit 1497. Pasi lundruan pranë Ujdhesave të Gjelbra dhe Kepit të Shpresës së Mirë, vazhduan të lundrojnë në ujërat e Oqeanit Indian.

Në brigjet perëndimore të Indisë, përkatësisht në limanin Kalikut, atëherë qyteti më i madh dhe më i pasur i Indisë, Vasko de Gama me ekspeditën e vet hyri më 20 maj të vitit 1498. Mallin që e kishte sjellë, e këmbeu me gur të çmueshëm, me ar, me pëlhurë të mëndafshtë dhe me erurina. Vasko de Gama, lë Kalikutën dhe kthehet në Lisbonë, më 10 qershor të vitit 1599. Me këtë definitivisht u zbulua rruga detare për në Indi dhe bëhet e mundshme tregtia e drejtpërdrejtë, ndërmjet shteteve evropiane me vendet e Lindjes. Vasko de Gama arriti atë që synuan spanjollët dhe detari i tyre Kristofor Kolombo. Kthimi i Vasko de Gamës, prej Indisë në Portugali, errësoi mjaft famën e Kolombos. Atëherë për herë të parë është dëshmuar se Afrika nuk është e lidhur me Kontinentin Jugor, përkatësisht me Terra Australinë. Mbreti i Portugalisë Vasko de Gamën e emëroi “admiral i detit Indian” me një rrogë vjetore prej 300.000 realash. Vasko de Gama edhe dy herë udhëtoi në Indi.

Deri te hapja e Kanalit të Suezit, më 1869, tregtia kryesore e Evropës me vendet që shtrihen në bregdetin e Oqeanit Indian dhe me Kinën, bëhet nëpërmjet Oqeanit Atlantik, pranë Kepit të Shpresës së Mirë. Më këtë Deti Mesdhe ka humbur rëndësinë e vet të dikurshme. Gjithashtu bie rëndësia e Venedikut dhe Gjenovës, që deri atëherë gati tërë tregtinë me vendet e Lindjës e kanë pasur në duart e tyre. Rolin e tyre e marrin Lisbona me disa qytete të tjera të Portogalisë dhe të Spanjës, të cilat zhvillohen shpejtë, ndërsa Portogalia dhe Spanja në shekullin XVI bëhen shtete të fuqishme detare.

Ferdinand Magelani

Ferdinand Magelani (1470-1521), pikëpamjet e veta ia paraqiti mbretit të Portugalisë, Manuelit, por ai nuk tregoi kurrfarë interesimi për përgatitjen e ekspeditës së lundrimit rreth e përqark botës. Prandaj, Magelani ka qenë i detyruar të lëshoj Portugalinë dhe të shpërngulet në Spanjë. Të njëjtin plan (mendim) ia paraqiti edhe mbretit të Spanjës. Oborri mbretëror i Spanjës e pranoi planin e Magelanit. Ai me pesë anije dhe 265 anëtarë të ekuipazhit, më 20 shtator 1519 niset prej limanit San Lukar (në grykëderdhjen e lumit Guadalkivir) kah perëndimi në drejtim të Amerikës Jugore. Flota e Magelanit më së pari arriti në ujdhesa të Kanarive, e pastaj u drejtua kah jugperëndimi dhe arriti në buzëdetin e Brazilit. Në muajin janar, ekspedita hyri në gjirin e Rio de Zhaneiros dhe duke menduar se kanë arritur në grykëderdhjen e gjerë të ndonjë lumi, e kanë pagëzuar me emrin e përmendur - Rio de Zhaneiro, që do të thotë “Lumë i janarit”.

Anëtarët e ekuipazhit dimri i zuri pranë bregdetit të Patagonisë, prandaj u detyruan që atje të qëndrojnë prej 31 marsit deri më 18 tetor të vitit 1520. Këtu marinarët e Magelanit u takuan me popullsinë autoktone, të cilët i quajtën patagonë, që do të thotë “këmbëmëdhenj”, sepse këmbët i kanë pasur të mbështjella me lëkurë të kafshëve. Ekspedita, pas shumë peripetish, gjeti kalimin ndërmjet Amerikës Jugore dhe Tokës së Zjarrtë dhe kaloi në Oqeanin e Paqësorit.

Për nder të këtij detari të shquar, më vonë kjo ngushticë u quajt ngushtica e Magelanit. Anëtarët e ekspeditës e kanë pagëzuar edhe ujdhesën e Tokës së Zjarrtë. Duke lundruar pranë ujdhesës së përmendur, në të cilën popullsia autoktone gjatë natës kishte ndezur zjarre të mëdha. Magelani e pagëzoi “Toka e Zjarrtë” (Tierra Del Fuego).

Kur doli prej ngushticës, ekspedita vërejti hapësirën madhështore oqeanike, në të cilën lundruan pandërprerë 99 ditë. Gjatë tërë kohës së lundrimit, oqeani ka qenë i qetë, pa valë, prandaj anëtarët e ekspeditës e quajtën Oqeani i Qetë (Paqësor). Pas shumë përpjekjesh, ekspedita arriti deri tek Arkipelagu i Marianeve, pastaj deri të ujdhesat Filipine, ku Magelani me 27 prill të vitit 1521 ka vdekur në luftë me popullsinë autoktone. Pastaj ekspedita, nën udhëheqjen e Sebastin del Kanos, vazhdoi lundrimin në Oqeanin Indian, nëpërmjet Kepit të Shpresës së Mirë dhe prapë hyri në ujërat e Oqeanit Atlantik. Pas lundrimit të mundimshëm trevjeçar, vetëm me anijen “Viktoria”, me 18 anëtar të ekuipazhit të mbetur gjallë, me 6 shtator të vitit 1522 hyri në limanin San Lukar. Me këtë përfundoi lundrimi i parë rreth Tokës, me anë të cilit është dëshmuar se Toka e ka formën sferike dhe qëndron pezull në gjithësi.

Me këtë lundrim definitivisht bëhet e qartë se detet dhe oqeanet, përfshijnë një sipërfaqe shumë të madhe të Tokës dhe se oqeanet ndërmjet veti janë të lidhura dhe formojnë detin botëror të unisuar.

Të gjitha këto zbulime nga ana e spanjollëve dhe portugezëve kanë kontribuar në zhvillimin e shpejtuar të tregtisë, detarisë dhe të ekonomisë në përgjithësi, e bashkë me këtë, edhe në lidhjen e marrëdhënieve të reja shoqëroro - politike, përkatësisht në lindjen e kapitalizmit.

Gjeografia e shekujve XVI - XVIII

Zbulimet e mëdha gjeografike nga fundi i shekullit XV dhe në fillim te shekullit XVI kanë pasur rëndësi të madhe për zhvillimin e shkencës në përgjithësi e në veçanti të gjeografisë. U pa se mendimet e dhëna deri atëherë mbi formën dhe madhësinë e Tokës si dhe mbi shpërndarjen e kontinenteve dhe të deteve në të, nuk i përgjigjen realitetit. Me zbulimin e rrugëve dhe vendeve të reja janë krijuar kushte të përshtatshme për zhvillimin e tregtisë. Tregtia e zhvilluar ka kërkuar anije më të përsosura e më të shpejta dhe harta e mjete të tjera bashkëkohore. Për një kohë relativisht të shkurtër, filluan zbulimet e reja teknike dhe zhvillimi i shpejt i hartografisë.

Abraham Ortelius

Abraham Ortelius (1527-1598) ka qenë kosmograf (përshkrues i botës, i gjithësisë) flaman. Është treguar me aftësi të jashtëzakonshme në lëmin e hartografisë dhe është konsideruar si paraardhës i hartografisë bashkëkohore. U lind në Andverpen. Andverpeni, në atë kohë ka qenë i Holandës, ndërsa tani është i Belgjikës.

Andverpeni në atë kohë ka qenë qendër botërore shumë e rëndësishme për tregti e detari, ku në të njëjtën kohë zhvillohej edhe veprimtaria intensive hartografike. Nga kjo qendër kemi vepra të shumta hartografike të asaj kohe Orteliusi ka udhëtuar në vende të ndryshme të Evropës. Në ato vende ka mbledhur një numër të madh të hartave, të cilat i ka ribotuar në punëtorinë e vet hartografike dhe i ka shitur. Më 1570 Orteliusi boton hartën e re të botës në të cilën saktësisht paraqitet pozita dhe dukja e të gjitha kontinentëve, madje edhe e “Kontinentit Jugor”, që ende nuk ishte i zbuluar.

Pas një dekade botoi edhe përmbledhjen e hartave me titull “Dritarja e sferës botërore”. Kjo përmbledhje ka pasur 53 harta. Në anën e prapme të këtyre hartave e ka dhënë edhe tekstin gjegjës, në të cilin veçanërisht vihej në pah pozita, karakteristikat gjeografike dhe mënyra e jetesës së banorëve. Ky atlas disa herë u ribotua, në ribotimin e fundit të vitit 1612 numri i hartave në të u rrit në 166. Duke njohur mirë edhe gjeografinë e asaj kohe, Orteliusi, me 1578 botoi fjalorin e emrave gjeografik “Sinonime Gjeografike” me sqarime për domethënien e tyre.

Gerhard Kremer

Gerhard Kremer i njohur me emrin Merkator (1512-1594) merr vendin udhëheqës në hartografinë Holandeze, madje edhe botërore të shekullit XVI. Ende si student i filozofisë, duke mos pasur burime më elementare jetësore, fillon të mirret me përpilimin dhe skalitjen e hartave gjeografike. Pastaj shpërngulet prej Andverpenit në Duizburg, në të cilin qytet është e lidhur krijimtaria kulminante e tij. Harta e tij botërore më e përmendur është punuar me projeksionin hartografik të cilindrit original. Në këtë projeksion meridianët dhe paralelet priten me kënde te drejta.

Kjo hartë është botuar më 1569, ndërsa atlasi, në të cilin e përgatiti, është botuar me angazhimin e të birit një vit pas vdekjes së tij (1595). Në historinë e hartografisë është rasti i parë, që për përmbledhjen e hartave gjeografike hasim termin “Atlas”. Veprat e Merkatorit paraqesin kthesë në hartografi. Ai, i pari, ka dëshmuar se polet gjeografike dhe magnetike nuk përputhen. Për meridian fillestar ka marrë atë që kalon përmes ujdhesës Korvo, nga grupi i ujdhesave Azore, pasi në këtë ujdhesë deklinacioni magnetik është baraz me zero.

Merkatori pos me hartografi është marrur edhe me hartimin e veprave gjeografike dhe historike.

Abel Tasmani

Abel Tasmani (1603-1659) ka qenë detar dhe hulumtues holandez. Gjatë viteve 1642-1644 u njoftua në detaje me bregdetin jugor të Australisë dhe ujdhesën e Van Diemenit. Por, prej vitit 1855, ujdhesa e Van Diemenit quhet ujdhesa e Tasmanisë. Ky hulumtues zbuloi Ujdhesën Jugore të Zelandës së Re dhe pjesën veriore te Australisë Perëndimore.

Xhems Kuki

Xhems Kuk (1728-1779), ka qenë detari dhe hulumtuesi me i njohur anglez i shekullit XVIII. Ky detar lundroi rreth Australisë dhe dëshmoi se është kontinent i veçantë. Hulumtoi hollësisht Zelandën e Re dhe dëshmoi se ajo përbëhet prej Ujdhesës Veriore dhe asaj Jugore, që ndahet në mes vete me anë të ngushticës detare. Ajo ngushticë detare më vonë merr emrin e këtij hulumtuesi. Xhejms Kuk zbuloi një numër të madh të ujdhesave në Oqeanin Paqësor, ku një grup i këtyre ujdhesave quhet me emrin e tij, përkatësisht Ujdhesat e Kukit.

Në fund të shekullit XVIII kanë qenë të njohura gati të gjitha pjesët e Tokës. Të panjohura kanë mbetur vetëm viset polare, viset e paarritshme në brendësinë e Afrikës e të Amerikës Jugore dhe majat me të larta malore.

Gjeografia e shekujve XIX - XX (Bashkëkohore)

Në këtë periudhë filloj zhvillimi i shpejtuar i saj dhe pavarësimi i plotë. Tani gjeografia nga shkenca eksluzive deskriptive trasoi rrugën e sintezës së domosdoshme krahasuese dhe sqaruese që mund të konsiderohet përparim shumë i madh në zhvillimin e saj.

Zhvillimi i shpejtë i industrisë dhe i ekonomisë në përgjithësi ka pasur nevojë për lëndë të para dhe tregje të reja. Prandaj, ndihet nevojë për hulumtime gjeografike në detaje të të gjitha pjesëve të pahulumtuara të botës. Në këtë periudhë paraqitet një numër i konsiderueshëm i gjeografëve. Në mesin e tyre duhet të veçojmë Aleksandër Humbolltin dhe Karl Riterin. Këta gjeograf kanë paraqitur mendimin se gjeografia nuk duhet vetëm ta përshkruaj hapësirën dhe dukuritë në të, por duhet ti sqarojë shkaqet e krijimit të dukurive natyrore, ndikimin e tyre reciprok si dhe rrjedhimet e këtyre ndikimeve.

Aleksandër Humbollti

Aleksandër Humbollti (1769-1859) ka udhëtuar shumë nëpër Evropë, Azi, Amerikë Veriore, Jugore dhe të Mesme. Në këto vende, ai mblodhi mjaft shënime në bazë të të cilave më vonë themeloi pikëpamjet e veta shkencore në gjeografi. Është i njohur si natyralist i madh, hulumtues dhe vëzhgues i përsosur gjerman. Themeloi gjeografinë kauzale moderne. Aleksandër Humbolltin e konsiderojnë si shkencëtar, i cili ka vënë bazat bazat e gjeografisë fizike, veçanërisht të klimatologjisë, të oqeanografisë dhe të biogjeografisë. Ka qenë edhe astronom, gjeolog, zoolog, botanist dhe mineralog. Kujdes të veçantë i kushtoi studimit të dukurive klimatike. Ai ka qenë i pari që ka përdorur termin “izoterm” dhe përpiloi hartën e parë izotermike të gjysmësferës veriore. Vepra më e vlefshme e tij titullohet “Kosmosi”. Kjo vepër bazohet në parimet materialiste. Vepra e dytë titullohet “Pamja e natyrës”. Ai në këtë vepër shkruante se njohja e karakterit të natyrës së pjesëve të ndryshme të botës është e lidhur ngushtë me historinë e shoqërisë njerëzore dhe me kulturën e saj. Në këtë mënyrë ai në analizën e ndikimit reciprok dhe marrëdhëniet e natyrës dhe të njeriut përfaqëson pikëpamjet e varësisë së njeriut nga natyra që e rrethon.

Karl Riter

Karl Riter (1779-1859) ishte ithtar i filozofisë idealiste, përkatësisht përfaqësues i drejtimit idealist në gjeografi. Ai ka qenë historian, teolog dhe idealist i përmendur, por në të njëjtën kohë ka qenë edhe gjeograf i kabinetit. Prandaj përfundimet e tij nuk dalin nga vëzhgimi i drejtpërdrejtë i dukurive natyrore, por nga analiza e fakteve historikë. Ai konstaton se pozita e ndonjë vendi dhe natyra e tij (relievi, bota bimore e shtazore, dheu dhe përbërja petrografike-gjeologjike) përcaktojnë se si duhet të jenë njerëzit në atë vend, ekonomia e tij dhe si ka qenë roli i tij gjatë historisë. Doktrina të tilla paraqesin bazën e ashtuquajtur të gjeografisë deterministe, ku roli kryesor në zhvillimin e shoqërisë njerëzore e luajnë kushtet natyrore dhe pozita gjeografike e një vendi ose regjioni. Sipas Riterit, detyra e gjeografisë është që të studiojë ekzistencën e lidhjeve reciproke ndërmjet shoqërisë njerëzore dhe mjedisit natyror dhe ndikimit të tyre të ndërsjellë. Me meritën e Riterit, më 1820 është themeluar Katedra e gjeografisë në Universitetin e Berlinit, ndërsa më 1828 bashkë me A. Humbolltin themeluan Shoqatën e gjeografëve gjerman në Berlin.

Vilijams Moris Devis

Vilijams Moris Devis (1850-1934) ka qenë gjeomorfolog dhe gjeolog i njohur amerikan. Punoi si profesor në Universitetin e Harvardit. I vuri themelet e gjeografisë amerikane. Elaboroi ciklin gjeografik të njohur, përkatësisht teorinë e evolucionit morfologjik të relievit të sipërfaqes së Tokës. Secili cikël (fluvial, glacial, eol, etj) sipas tij ka pasur stadet e zhvillimit evolutivë : stadin e rinisë, të pjekurisë, të pleqërisë dhe ato janë të lidhura ngushtë me strukturën gjeologjike.

Vasilij Vasileviq Dokuçajev

Vasilij Vasileviq Dokuçajev (1846-1903) ka qenë natyralist dhe pedagog rus. Themeloi studimin shkencor të gjeografisë mbi dheun (pedogjeografinë) dhe ka qenë shkencëtari i parë, i cili formuloi klasifikimin e dheut në themelet e gjenetikës. Duke i konsideruar ligjshmëritë e përgjithshme dhe ligjshmëritë reciproke të relievit, klimës, bimësisë dhe të dheut, ai zbuloi edhe ligjet e zonalitetit vertikal dhe horizontal në përhapjen e llojeve të caktuara të dheut. Këto ide të tij mbi zonalitetin në natyrë kanë qenë bazë për studimin e dukurive të mëvonshme mbi landshaftin (viset) dhe zonat gjeografike. Me këtë Dokuçajev i kontriboi zhvillimit të gjeografisë fizike e disiplinave të saj.

Fridirih Raceli

Fridirih Raceli (1844-1904). Doktrina antropogjeografike e Racelit sjell deri në fanatizmin gjeografik, përkatësisht superioritetin e natyrës ndaj shoqërisë dhe në gjeopolitikë reaksionare. Racelin e konsiderojnë si themelues të antropogjeografisë, përkatësisht të gjeografisë së njeriut. Antropogjeografinë Raceli e konsideron si pjesë të biogjeografisë. Pikëpamjet e veta i paraqiti në veprën me titull “Antropogjeografia” në dy vëllime.

Robert Edvin Piri

Robert Edvin Piri (1856-1920) ka qenë hulumtues i shquar amerikan i viseve arktike. Më 1908 Piri udhëheqi ekspeditën e re arktike dhe më 6 prill të vitit 1909 i shoqëruar nga katër eskimezë dhe një zezak pushtoi Polin e Veriut. Me atë rast në Polin e Veriut, Piri qëndroi 30 orë. Piri shkroi disa vepra mbi viset polare veriore. Për nder të këtij hulumtuesi, siujdhesa veriore e Grendlandës sot quhet Toka e Pirit.

Roald Amundsen

Roald Amundsen (1872-1928) ka qenë hulumtues i përmendur norvegjez i viseve polare. Lundroi nëpër kalimin detar veriperëndimor (në viset e Amerikës Veriore) dhe verilindor (në viset e Evropës dhe të Azisë) të Atlantikut. Më 14 dhjetor të vitit 1911 pushtoj Polin Jugor. Sipas këtij hulumtuesi një prej deteve të skajshme të Oqeanit të Qetë, rreth arktikut mori emrin Deti Amundsen.

Dueli Amundsen dhe Scott në shkretëtirën e akullt

Roald Engelbert Amundsen lindi më 16 korrik 1872 në Borge të Norvegjisë. Si lundërtar i entuziazmuar ai mori pjesë në një ekspeditë për Polin Jugor nga viti 1897 deri më vitin 1899 dhe kjo zgjoi interesimin e tij për hulumtime polare. Në kuadër të një udhëtimi hulumtues për në Polin Magnetik Verior, të cilin e kishte ndërmarrë Amundsen me anijen “Gjoa” nga viti 1903 deri më vitin 1906, ai e kapërceu i pari Korridorin Veriperëndimor ndërmjet Oqeanit Atlantik dhe atij Paqësor.

Poli Verior apo Jugor ?

Pasi kishte ngadhënjyer mbi Korridorin Veriperëndimor ambiciet e tij koncentroheshin në arritjen e Polit Verior si njeriu i parë, Mirëpo amerikani Piri (Peary) mbërriti atje para tij. Amundseni i prekur nga kjo humbje, i shtron vetes nje qëllim të ri : Polin Jugor. Britanikun Robert Scott ai e konsideronte kundërshtar të fortë në këtë drejtim. Amundseni la të paqartë cakun e ekspeditës së tij, si për financuesit ashtu edhe për kundërshtarët e tij.

Vetëm pas nisjes ai e bëri të njohur cakun e vërtetë dhe hapi kështu garën më dramatike në historinë e zbuluesve.

Gara për jetë apo vdekje

Garuesit arritën në bregdetin e Antarktikut në janar të vitit 1911, për të filluar aty përgatitjet për ekspeditën e vërtetë. Të dy skuadrat e shfrytëzuan kohën e dimrit për t’u njohur me disa pjesë të rrugëve dhe për të vendosur përgjatë tyre rezerva ushqimore. Më 19 tetor 1911, me fillimin e verës antarktike, Amundsen me pesë burra tjerë, 54 qen dhe me katër saja nis sulmin e tij. Më 14 dhjetor ata arritën në cak. Poli ishte aty - një pikë fiktive në asgjënë e bardhë, 3 000 metra mbi lartësinë mbidetare - i paprekur, pa më të voglën gjurmë të njeriut, që do të kishte arritur para tyre. Ata ia kishin arritur qëllimit : ata ishin të parët ! Pas katër ditësh fillon Marshimi për kthim. Ata lënë aty një tendë si shenjë, një këndmatës dhe tre thasë për këmbë nga lëkura e kafshëve.

Arritja e Amundsenit në Polin Jugor

Të rraskapitur për vdekje anglezët arrijnë më në fund më 18 janar 1912 në Pol. I thyer në shpirt Scott shënon në ditarin e tij : “Norvegjezët kanë arritur para nesh - Amundsen ishte i pari në Pol ! Një zhgënjim i tmerrshëm !”. Kthimi shndërrohet në katastrofë. Njëri pas tjetrit mbesin të shtrirë në shpellën e bardhë të gjithë anëtarët e ekuipazhit të Scottit. Detari Scott përshkruan fundin nga ora në orë. Shënimi i fundit më 29 mars 1912 thotë : “Vdekja nuk mund të jetë shumë larg. Për hir të Zotit, përkujdesuni për familjarët tanë !”

Në vitet e mëpasme Amundsen ndërmori megjithatë disa përpjekje për të arritur edhe në Polin Verior. Më 12 maj 1926 Amundsen së bashku me italianin Nobile dhe amerikanin Ellsworth ia arritën për herë të parë të fluturojnë me një capelin mbi Polin Verior. Në qershor të vitit 1928 pas një aksion të kërkim-shpëtimit për një ekspeditë tjetër të Nobiles, Amundsen u zhduk pa gjurmë. Zbuluesi dhe aventurieri i njohur nuk u kthye më nga fluturimi i tij për në Spitsburg.

Forma e Tokës

Zhvillimi i mendimit mbi formën e Tokës

Njerëzit prej kohëve më të vjetra janë interesuar për formën dhe madhësinë e Tokës. Popujt e vjetër kanë pasur mendime naive për formën e Tokës. Me zhvillimin e mendimit njerëzor u zhvilluan edhe kuptimet mbi formën e Tokës. Kuptimet mbi formën e Tokës kaluan përmes tri fazash : fazës primitive, fazës filozofike dhe fazës shkencore.

Faza primitive - në fazën primitive, njerëzit, duke qenë nën përshtypjen e drejtpërdrejtë të horizontit dhe formës së tij, mendonin se Toka ka formën e pllakës së rrumbullakët të palëvizshme, e cila nga të gjitha anët është e rrethuar me detin dhe nuk është aq e madhe. Për egjiptasit tërë bota ka qenë vetëm Egjipti, ndërsa për asirianët dhe babilonasit vetëm Mesopotamia. Grekët e vjetër kryesisht e përfytyronin Tokën në formën e mburojës, në qendër të së cilës gjendej Jellada (Greqia). Indusët e vjetër e kanë menduar Tokën si pllakë që e bartin në shpinë tre elefantë të mëdhenj, të cilët qëndrojnë mbi breshkën gjigante e kjo notonte në oqeanin e pafund. Edhe sot, te disa popuj primitivë, ekziston besimi se Toka është një pllakë e madhe, të cilën e bartin tri balena duke notuar në oqeanin e pafund. Kur lëvizin këto shtazë, pllaka luan prej vendit e për këtë arsye shkaktohen tërmetet.

Faza filozofike - Mendimet filozofike paraqesin një përparim mjaft të dukshëm në lidhje me formën e Tokës. Filozofët e vjetër grekë nuk japin asnjë dëshmi, por vetëm në bazë të të menduarit logjik, vijnë në konkludim mbi formën e Tokës. Prandaj këto mendime quhen edhe deduktive.

Anaksimandri- mendonte se Toka e ka formën e cilindrit të cekët, ku lartësia është tri herë më e vogël se baza. Ajo rri pezull në gjithësi dhe vetëm pjesa e saj e epërme është e banuar. Si përfaqësues të mendimit filozofik, mbi formën e Tokës kanë qenë edhe Pitagora dhe Anaksagora.

Pitagora- u lind rreth vitit 500 para erës së re. Gjatë sundimit të Polikratit, ka qenë i detyruar ta lëshoj ujdhesën Samos dhe të vendoset në qytetin Kroton të Italisë jugore. Konsiderohet se është themeluesi i matematikës si shkencë. Pitagora përfaqësonte principin e harmonisë - përsosmerisë dhe konsideronte se Toka e ka formën e trupit më të përsosur gjeometrik - formën sferike.

Anaksagora- (500-428 p.e.s.) u lind në Klazumene. Ka zhvilluar veprimtarinë filozofike në Athinë. U padit si ateist për shkak të doktrinës se “Dielli është masë e zjarrtë”. Shpetoi nga dënimi duke u arratisur në Lampsak. Shkroi veprën “Mbi natyrën”. Nga kjo vepër janë të ruajtura vetëm disa fragmente. Është përfaqësues i principit të analogjisë - ngjashmërisë dhe konsideronte se Toka, sikurse edhe trupat e tjerë qiellor (Dielli dhe Hëna) ka formën sferike, është e madhe por e lehtë.

Faza shkencore - Mendimet shkencore mbi formën e Tokës janë bazuar në vërtetime dhe në matje. Vërtetimin më të vjetër, mbi formën sferike të Tokës, e ka dhënë filozofi, astronomi dhe matematikani grek Eudoksi.

Eudoksi- (409-355 p.e.s.) nga Knida, në bazë të ndërrimit të këndit, nga i cili shihet ndonjë yll duke lëvizur në drejtim të meridianit. Toka sikur të ishte në formë të pllakës, atëherë rrezet e Diellit gjithmonë kishin për të rënë në sipërfaqen e Tokës me kënde të njëjta, përkatësisht lartësia e yjeve që lëvizin në drejtim të meridianit nuk kishin për të ndryshuar, ashtu që këndi a do të ishte baraz me këndin a1, a2, a3 dhe a4. Por, këndi nga i cili shihet Ylli Polar vjen e rritet, kur njeriu udhëton në drejtim të veriut, ndërsa zvogëlohet, kur shkon kah jugu në drejtim të ekuatorit. Vëzhguesit në ekuator kanë vërejtur se Ylli Polar është në rrafshin e horizontit.

Aristoteli - (384-322) ka konstatuar se në kohën e zënies së pjesërishme të Hënës, hija e Tokës që bie në Hënë gjithnjë ka formën rrethore. Pra, vetëm trupat që kanë formën sferike mund ta hedhin hijën rrethore.

Plini (Plinius)- (23-79) ka qenë shkencëtar i shquar romak. Vepra e tij quhet “Historia e natyrës”. Ajo përbëhet prej 37 librash. Në realitet kjo vepër ka qenë si një lloj i enciklopedisë me shënime nga gjeografia, kozmografia, etnografia, biologjia, mjekësia, mineralogjia dhe nga arti. Ai si dëshmi që Toka e ka formën sferike merr zhdukjen e anijes nga syri i shikuesit që gjendet në liman (buzëdet)

Forma sferike e Tokës mund të dëshmohet edhe në bazë të hijës, jo të njëjtë, që hedhin objektet e ndryshme me lartësi të njëjtë. Në viset polare objektet hedhin hije më të gjata, ndërsa në ekuador, më të shkurta. Kjo dëshmohet edhe me anë të globit. Nëse në një meridian të globit vendosim gjilpërat me kokë në gjërësi të ndryshme gjeografike dhe atë anë të globit e kthejmë kah Dielli, do të shohim se hija e gjilpërës me kokë do të jetë më e gjatë duke shkuar prej ekuatorit kah poli.

Dëshminë më të sigurt se Toka ka me të vërtet formën sferike, na ka dhënë ekspedita e Ferdinand Magelanit (1519-1522). Pjesëmarrësit e saj kanë lundruar rreth e përqark Tokës për tre vjet, duke u nisur në perëndim dhe janë kthyer kah lindja. Në vitin 1946 Toka është gjiruar nga raketa në lartësi prej 170 km dhe forma sferike e e saj ka qenë mjaft e qartë. Më 1957 sovjetikëve u shkoi për dore të lansojnë satelitin artificial të qarkullojë rreth e përqark Tokës, ndërsa me 1960 edhe satelitin bashkë me njeriun. Satelitët artificial xhirojnë edhe emitojnë fotografitë për Tokën nga të cilat shihet qartë forma sferike e saj.

Dëshmitë mbi formën elipsoide të Tokës

Fizikani i famshëm anglez, Isak Njutni (1642-1727) dhe astronomi e fizikani i njohur holandez Kristian Hajgensi (1629-1695) kanë konsideruar se Toka, për shkak të lëvizjes rreth boshtit të vet, ka formën elipsoide, d.m.th. në pole është e shtypur, ndërsa në ekuator, e mufatur. Në këto përfundime mbi formën e Tokës ata arritën në mënyrë teorike, në bazë të llogaritjeve matematikore dhe të ligjeve të vërtetuara fizike.

Vërtetimin e mendimit mbi formën elipsoide të Tokës e kanë dhënë matjet e forcës tërheqëse të Tokës të fizikanit, astronomit dhe akademikut të përmendur francez Zhan Risheut.

Zhan Risheu- më 1672 konstatoi se lavjerrësi sekondar i Parisit (që shtrihen në 48º 50’ të gjerësisë gjeografike të veriut) ngel prapa, përkatësisht vonohet në Kajenë (në kryeqytetin e Guajanës franceze në Ameikën Jugore, që shtrihet në 4º 56’ gj.gj.v). Në bazë të kësaj ka përfunduar se forca tërheqëse e Tokës është me e dobët në Kajenë se në Paris.

Kjo dukuri është e natyrshme, sepse Toka për shkak të rotacionit është e shtypur në pole ndërsa në formë të mufatur në ekuator dhe ka formën e elipsoidit. Për këtë arsye vendet në sipërfaqen e Tokës, që janë më afër ekuatorit janë më larg prej qendrës së Tokës se vendet që janë më afër poleve. Prandaj edhe ndikimi i forcës tërheqëse të Tokës (graviteti) në vendet e para është më i dobët se sa në ato të fundit. Nga kjo rrjedh se një send që në ekuator peshon 1000 kg në pole do të peshoj 1005 kg.

Gjeoidi - forma e vërtetë e Tokës

Matjet e përpikta të forcës tërheqëse të Tokës (graviteti) dëshmuan se Toka nuk është një trup gjeometrik i rregullt - elipsoid. Forca tërheqëse e Tokës është më e madhe në det (ku lavjerrësi luhatet më shpejt), e më e vogël në kontinent (ku ai luhatet më ngadalë). Në bazë të shumë matjeve të tilla (mbi 400) është konkluduar se Toka e ka formën e elipsoidit valëvitës që më 1873 gjeofizikani Listingu, për herë të parë e quajti gjeoid (greqisht : ge - tokë dhe eidos - pamje). Sipërfaqja e gjeoidit në det shtrihet nën sipërfaqen e elipsoidit, kurse në kontinent mbi sipërfaqen e elipsoidit.

Dimensionet e Tokës dhe përcaktimi i tyre

Deri me tani dihet se matjen dhe llogaritjen e parë të perimetrit të Tokës e ka bërë drejtori i bibliotekës së Aleksandrisë, Eratosteni, 225 vjet para erës sonë. Eratosteni ka ditur që largësia midis Sienës (Asuani i sotëm në Egjipt) dhe Aleksandrisë, është 5000 stadijë (1 stadijë ka 158 m). Për ta gjetur rrethin e Tokës kah meridiani, largësinë midis Sienës dhe Aleksandrisë (5000 stadijë) ka shumëzuar me numrin 50 dhe ka fituar rrethin (perimetrin) e Tokës prej 250.000 stadijësh (5.000 x 50 = 250.000 stadijë). Kësaj vlere, për shkak të njëfarë korrektureje, Eratosteni shtoi edhe 2.000 stadijë. Prandaj, vlera përfundimtare e rrethit të Tokës ka qenë 252.000 stadijë. Nëse stadijën e shndërrojmë në kilometra, atëherë do të fitojmë rrethin e Tokës prej 39.816 km. Pra, rezultati i fituar ndryshon shumë pak (183 km) nga shënimet e sotme mbi madhësinë e rrethit të Tokës kah meridiani që është 40.009 km. Dallimi është vetëm 183 km. Ky gabim relativisht i vogël është si pasojë :

  • 1. E mosshtrirjes së Sienës e të Aleksandrisë në të njëjtin meridian. Aleksandria shtrihet për 3º në perëndim të Sienës.
  • 2. Siena nuk shtrihet në tropikun verior, por diçka më në veri të tij.
  • 3. Skafioni, me anë të të cilit janë matur këndet e rënies së rrezeve të Diellit, nuk ka qenë i përsosur dhe nuk ka mundur të japë shënime precize.

Për matjen e këndeve të rrezeve të Diellit përdoret skafioni, është në formë të gjysmësferës së zbrazët.

Në kohën e vjetër dhe të mesme janë bërë përpjekje të shumta për caktimin e dimensioneve të Tokës, por jo me aq sukses. P.sh. Filozofi grek Posediu në shekullin e parë të erës së re, bëri mjaft përpjekje për caktimin e dimensioneve të Tokës. Ai llogariti se perimetri i Tokës është 37.920 km. Me caktimin e dimensioneve të Tokës janë marrë edhe arabët në shëkullin e IX. Ata kanë qenë të parët, që përveç matjeve astronomike, kanë bërë edhe matje gjeodezike. Arabët më 827 konstatuan se perimetri i Tokës është 39.184 km.

Më 1525 matematikani dhe mjeku i Parisit, Zhak Ferneli, në mënyrë origjinale bëri përpjekje për caktimin e perimetrit të Tokës. Parisin me Amijenin e lidhte rruga e drejtë në drejtim të meridianit, përkatësisht veri-jug. Largësinë në mes të këtyre dy qyteteve e caktoi në këtë mënyrë. Më së pari e mati perimetrin e rrotes së karrocës, pastaj në rrotë e vuri një aparat që mati numrin e rrotullimeve të rrotës prej Parisit deri në Amijen. Duke e shumëzuar gjatësinë e perimetrit të rrotës me numrin e rrotullimeve, fitoi largësinë në mes të këtyre dy qyteteve përkatësisht gjatësinë e harkut të meridianit, që i përgjigjet largësisë këndore ndërmjet Parisit dhe Amijenit. Pastaj, në bazë të gjatësisë së harkut dhe këndit gjegjës, ngjashëm si edhe Eratosteni, llogariti perimetrin e Tokës. Vlera e fituar prej 40.045 km ka qenë vetëm 36 km më e madhe sesa perimetri i njëmendët i Tokës kah meridiani.

Pra, zyrtarisht merret se Toka ka formën elipsoide. Por, shushmëria e saj është e vogël. Caktimi i dimensioneve të Tokës është me rëndësi për përpilimin e hartave të sakta. Pastaj, caktimi i dimensioneve të Tokës ka shërbyer si bazë për caktimin e njësive për matjen e gjatësisë. Njësia themelore për matjen e gjatësisë është marrë metri. Në lidhje me madhësinë e Tokës është edhe milja gjeografike dhe milja detare (milja nautike). Gjatësia e miljes është 1609 m, ndërsa e miljes detare është 1852 m.

Kuptimet mbi sistemin botëror

Sistemi botëror kaloi nëpërmjet dy sistemeve kryesore :

  • 1. Sistemi Gjeocentrik,
  • 2. Sistemi Heliocentrik.

Sistemi Gjeocentrik

Duke vëzhguar lëvizjen e Diellit, e yjeve, Hënës dhe trupave të tjerë qiellor, popujt më të vjetër kanë ardhur në përfundim se Toka është e palëvizshme dhe gjendet në qendër të gjithësisë dhe rreth saj lëvizin Dielli, Hëna, 5 planetët që mund të shihen me sy të lirë, yjet dhe trupat tjerë qiellorë.

Pikëpamjet mbi sistemin gjeocentrik (greqisht : ge - tokë dhe latinisht : centrum - qendër) i kanë paraqitur disa shkencëtarë antikë grekë : Pitagora, Eudoksi, Kllaudie Ptolemeu e tjerë.

Pitagora që në shekullin VI para erës së re ka paraqitur mendimin se Toka ka formën sferike dhe është në qendër të sferës qiellore. Rreth Tokës qarkullojnë të gjithë planetët, Dielli dhe Hëna. Konsiderojnë se Pitagora është themelues i sistemit botëror gjeocentrik.

Eudoksi (409-356 p. e. s) ka qenë nxënës i Platonit. Ai konsideron se Toka është e palëvizshme, ka formën sferike dhe gjendet në qendër të gjithësisë.

Kllaudie Ptolemeu (90-168). Ka qenë përfaqësuesi më i rëndësishëm i sistemit botëror gjeocentrik. Ai ka qenë filozof, matematikan, astronom dhe gjeograf i njohur i Aleksandrisë.

Sipas sistemit gjeocentrik të Ptolemeut, Toka ka formën sferike, por është e palëvizshme dhe gjendet në qendër të gjithësisë. Dielli, Hëna, planetët, yjet dhe të gjithë trupat tjerë qiellorë sillen rreth Tokës me trajektore rrethore. Ngjashëm, por diqka më të ndërlikuar, lëvizjet rrethore rreth Tokës kanë planetët që lëvizin rreth Tokës nëpër rrethin e vogël të quajtur epicikël, ndërsa në të njëjtën kohë, qëndra e atij rrethi lëviz nëpër rrethin me rreze më të madhe rreth Tokës, të quajtur deferent.

Kuptimi gjeocentrik i sistemit botëror, ndonëse ishte i gabuar, ka pasur vlerë në shkencë rreth 1500 vite, përkatësisht deri në shekullin XVI, për shkaqe të shumta. Së pari, mbasi lëvizjet e Tokës nuk mund të vërehen, përkundrazi na duket se Toka nuk lëviz, e rreth saj sillet tërë sfera qiellore me të gjithë trupat qiellorë. Së dyti, kuptimi mbi palëvizshmërinë e Tokës dhe pozita e saj në qendër të gjithësisë përputhet me botëkuptimet religjioze mbi krijimin dhe pozitën e Tokës. Së treti, me ndihmën e epiciklit me sukses është sqaruar fenomeni i halucinacionit (që na duket), prandaj teoria gjeocentrike për një kohë të gjatë ka qenë në fuqi si e saktë.

Sipas sistemit gjeocentrik nuk është e mundur që tërë sfera qiellore dhe bashkë me të edhe yjet më të largëta, të sillen rreth Tokës për 24 orë. Lëvizje kaq e shpejt në gjithësi nuk ekziston. Me kalimin e kohës është vërtetuar se vrojtimet e lëvizjes së planetëve nuk përputhen plotësisht me sistemin gjeocentrik të Ptolemeut, prandaj ndihej nevoja e plotësimit të tij. Në shekullin e mesëm, astronomët arabë diktuan edhe shumë mospajtime në mes të lëvizjes së planetëve dhe të sistemit gjeocentrik të Ptolemeut. Zhvillimi shumë i shpejtë i shkencës, e veçanërisht i astronomisë dëshmoi se sistemi gjeocentrik është kontradiktor dhe joshkencor.

Sistemi Heliocentrik

Aristarku (320-250 p.e.s.), i pari ka paraqitur mendimin gjenial se Dielli është qendra e gjithësisë, përkatësisht ka paraqitur tezën mbi sistemin heliocentrik (greqisht : helios - diell dhe latinisht : centrum - qendra). Pastaj, me plot të drejtë Aristarku konstatoi se distanca Tokë - Diell është tepër e vogël në krahasim me distancën e yjeve nga Toka.

Sipas tij, Toka është në formë sferike dhe sillet rreth boshtit të paramenduar për një ditë, ndërsa rreth Diellit për një vit. Ky mendim i tij gjenial nuk ka mundur të gjejë ithtarë në Greqinë antike dhe ka qenë i harruar deri në shekullin XVI, kur paraqitet mjeku, matematikani dhe astronomi i madh polak Nikolla Koperniku.

Nikolla Koperniku

Nikolla Koperniku (1473-1543), lindi në qytetin Torunj (në gjysmën e rrugës Varshavë - Gdansk). Qëndroi një kohë në Bolonjë, Romë dhe Padovë. Atje u njohura me veprat e shkencëtarëve romakë dhe grekë. Veçanërisht vëmendjen ia tërhoqën veprat e filozofëve, astronomëve dhe matematikanëve grekë të Aristarkut dhe të Hiparkut. Shkencëtari i palodhur, punoi rreth 20 vite në vendin e vogël Prombork, që gjendet në bregdetin e Detit Baltik, mu në grykëderdhjen e lumit Visla. Tani në këtë gjendet muzeu i Nikolla Kopernikut, të cilin polakët e ruajnë me krenari. Koperniku vërtetoi se Toka nuk është qendër e sistemit botëror, por një planet i rëndomtë, që bashkë me planetët e tjerë rrotullohen rreth Diellit për një vit, prej perëndimit në drejtim të lindjes me trajektore rrethore. Varësisht nga largësia prej Diellit janë të radhitur planetët: Merkuri, Venera, Toka, marsi, Jupiteri dhe Saturni. Për planetët tjerë Koperniku nuk ka ditur. Ata (Urani, Neptuni dhe Plutoni) janë zbuluar më vonë. Koperniku gjithashtu ka vërtetuar se planetët që janë më afër Diellit rrotullohen rreth tij me shpejtësi më të madhe sesa ata që janë më larg Diellit.

Toka rreth Diellit rrotullohet një herë gjatë një viti. Rrotullimi vjetor i Tokës rreth Diellit, pasqyrohet në lëvizjen e dukshme të Diellit nëpër Zodiak.

Zodiaku : është fjalë greke që ka domethënien “rrethi shtazor”, meqë shumica e yjësive janë të emërtuara me emra kafshësh. Të dymbdhjetë yjësitë nëpër të cilat kalon eliptika e përbëjnë brezin zodiac dhe quhet yjësi zodiake. Në secilën yjësi Dielli qëndron afër një muaj : në yjësinë e Bricjapit në janar, Shtëmbes në shkurt, Peshqëve në mars, Dashit në prill, Demit në maj, Binjakëve në qershor, Gaforres në korrik, Luanit në gusht, Vjazës në shtator, Peshores në tetor, Akrepit në nëntor dhe Shigjetarit në dhjetor. Pra, lëvizja e Diellit në eliptikë nëpër yjësitë zodiake është pasqyrim i rrotullimit të Tokës rreth Diellit.

Lëvizja ditore e kupës qiellore prej lindjes në perëndim është e dukshme dhe është pasojë e lëvizjes së vërtetë të Tokës rreth boshtit të vetë në drejtim të kundërt (prej perëndimit në lindje). Kur Toka është më afër Diellit dhe me shpejtësi më të madhe të revolucionit “kalon” planetët më të largëta që kanë shpejtësi më të vogël të revolucionit (marsi, Jupiteri dhe Saturni) fitohet përshtypja që planetët kanë lëvizje rikthyese. Pra, sipas sistemit heliocentrik të Kopernikut, Dielli është qendra e gjithësisë dhe rreth tij sillen të gjithë planetët, e kështu edhe Toka. Astronomi i famshëm polak, ka qenë i vetëdijshëm, se doktrina nuk do t’i pëlqejë kishës, prandaj rezultatet e hulumtimeve të zbuluara në dhjetëvjetëshin e parë të shekullit XVI i ka publikuar në vitin 1543, kur ka qenë në moshën 70 vjeqare. Po atë vit ka vdekur Koperniku. Vepra e tij kapitale titullohet “De Revolutionibus Orbium Coelestium” (Mbi lëvizjen e trupave qiellor), e cila në mënyrë të shkëlqyer ringjalli sistemin heliocentrik me të gjitha përparësitë e tij. Më këtë vepër ai, jo vetëm që bëri revolucion në astronomi, por edhe në botëkuptimin e njerëzve të asaj kohe. Kisha e ka kritikuar ashpër veprën e Kopernikut. Doktrina e tij është mallkuar dhe është shpallur si vepër e marrisë. Por, me këtë nuk është bërë e mundshme të shuhet një vepër e vërtetë shkencore.

Herakliti ka qenë bashkëkohaniku i Platonit dhe i Eudoksit. Ka paraqitur mendimin që Toka lëviz rreth boshtit të vet.

Ai bëri hapin vendimtar nga sistemi heliocentrik. Rreth Tokës lëvizin Hëna, Dielli, marsi, Jupiteri, Saturni dhe Yjet, ndërsa rreth Diellit lëvizin planeti Merkuri dhe Venera.

Tiho De Brahe

Tiho De Brahe (1546-1601), ka qenë astronom dhe simpatizues i Kopernikut, i cili ka tentuar të krijojë sistemin kompromis e të pajtojë ithtarët e sistemit gjeocentrik dhe heliocentrik. Ai nuk e pranonte sistemin heliocentrik të propozuar nga Koperniku, sepse e mundonin paragjykimet fetare, por në fakt e pranonte epërsinë e këtij sistemi ndaj atij gjeocentrik. Në ujdhesën Huene ngriti një prej observatorëve më bashkëkohor të asaj kohe, prej të cilit bëri vrojtime të shumta në planete, veçanërisht në planetin e marsit.

Ka qenë vrojtuesi më i saktë i shekullit XVI. Gjatë 23 vjetëve bëri disa mijëra vrojtime. Vrojtimet e tij kanë qenë mjaft të sakta, sepse ato i bëri me instrumente dhjetë herë më precize të asaj kohe, të cilat vetë i konstruktoi. Sipas tij, Toka ishte e palëvizshme dhe gjendej në qendër të sistemit botëror. Rreth saj sillen Dielli dhe Hëna, ndërsa të gjithë planetët tjerë sillen rreth Diellit e bashkë me të sillen edhe rreth Tokës. Pasi ky system i tij nuk zgjoi interesim, si i tillë nuk qëndroi për një kohë të gjatë.

Xhordano Bruno

Xhordano Bruno (1548-1600), ky shkencëtar dhe mendimtar italian ka qenë ithtar i entuziazmuar i Kopernikut. Në punimet e veta Xhordano Bruno jo vetëm që predikoi idetë e Kopernikut, por shkoi edhe më larg se ai. Ky vërtetoi se yjet janë shumë larg prej Diellit. Pastaj, shtoi se gjithësia është e pafund dhe se në të gjenden botëra të panumërta të ngjashmeme planetin tonë, ku gjithashtu duhet të ketë jetë. Kjo ishte mjaft kontradiktore në mësimet kishtare. Përfaqësuesit kishtarë, të zemëruar nga kjo, ia dorëzuan Xhordano Brunon gjyqit të inkuizicionit. Nga ai kërkonin që të heqë dorë nga botëkuptimet e veta. Pasi Xhordano Bruno nuk hoqi dorë nga bindjet e veta, e dorëzuan për dënim, e munduan dhe si heretic e dogjën të gjallë në turrë të druve në Romë, në Sheshin e luleve, më 17 shkurt të vitit 1600.Kish shpalli listen e librave te denuar dhe xhordano por edhe galileo galilei e shkeln dhe te dy u dogjen ne turren e druve.Papa i dha nje fuqi te madhe gjygjit te inkluzicionitqe ishtee ngritur ne shek.XIII.Inkluzicioni denonte me ashperesi heretiket duke i djegur ne turren e druve.

Galileo Galilei

Astronomi, fizikani dhe mekaniku i njohur italian Galileo Galilei (1564-1642) me ndihmën e teleskopit të përsosur që zmadhonte për 40 herë, ka vëzhguar trupat qiellorë dhe ka ardhur deri te disa zbulime të cilat e kanë dëshmuar doktrinën e Kopernikut për sistemin heliocentrik. Ai është i pari që ka zbuluar se në Hënë ekzistojnë gropa, rrafshina e male dhe mjaft saktësisht i llogariti (i mati) largësitë e disa prej tyre. Me fjalë të tjera ka dëshmuar se sipërfaqja e Hënës është e ngjashme me atë të Tokës, përkatësisht, dëshmoi se Hëna nuk ka kurrfarë natyre qiellore të jashtëzakonshme që përshkruhej kohë më parë. Prandaj, përfytyrimet për ndryshimet e mëdha në mes të atyre tokësore dhe qiellore janë të pabaza dhe të gabuara. Pastaj, Galilei zbuloi se rreth planetit Jupiter sillen katër satelit, ashtu sikur Hëna që sillet rreth Tokës. Me këtë ka dëshmuar se nuk është vetëm Toka rreth së cilës sillen trupat qiellorë. Në këtë mënyrë u bë më lehtë që njerëzit të mendojnë se planetët sillen rreth Diellit e jo rreth Tokës. Me anë të teleskopit Galileu ka zbuluar njollat e Diellit, në bazë të të cilave është konstatuar se edhe Dielli rrotullohet rreth boshtit të vet. Pastaj, Galileu, zbuloi fazat e Merkurit dhe të Afërditës. Në bazë të tyre dëshmoi doktrinën e Kopernikut që planetët rrotullohen rreth Diellit. Më në fund, Galileu, duke vëzhguar qiellin yjor, ka konstatuar se galaktikën e përbëjnë një numër i madh yjesh. Pas të gjitha këtyre zbulimeve është bërë i pabesueshëm supozimi se gjithësia kolosale nuk mund të rrotullohet rreth Tokës, relativisht të vogël, për një ditë.

Atëherë zbulimet e Galileut e kanë mahnitur botën shkencore. Rezultatet e zbulimeve të studimeve të veta, Galileu i botoi më 1632 në veprën “Dialogu mbi dy sisteme kryesore të botës”. Në veprën e vet, në formë të bisedës së tre personave, Galileu ka paraqitur argumente që shkojnë në favor të sistemit heliocentrik dhe tallet me kundërshtarët e tij. Pra, Galileu ka dëshmuar saktësinë e doktrinës së Kopernikut dhe ka treguar josaktësinë e sistemit botëror gjeocentrik të Ptolemeut. Për shkak të librit të lartëpërmendur, Galileu në vitin 1633 ka qenë i ftuar në Romë, para gjyqit të inkuizicionit dhe për të shpëtuar nga turra e drruve (djegia) ka qenë i detyruar publikisht “të pendohet” dhe të heqë dorë nga qëndrimet e veta.

Johan Kepleri

Sistemi i Kopernikut ka krijuar bazat shkencore të pamohueshme kur astronomi dhe matematikani i famshëm gjerman Johan Kepler (1571-1630), duke i shfrytëzuar vëzhgimet e sakta të lëvizjes së marsit rreth Diellit, të cilat i ka bërë Tiho de Brahe dhe në bazë të hulumtimeve të veta 10 vjeqare nga mesi i shekullit XVII, konfirmoi tri ligje themelore mbi lëvizjen e planetëve në sistemin diellor dhe vuri bazat e astronomisë bashëkohore.

  • 1. Ligji i parë. - Të gjithë planetët lëvizin rreth Diellit nëpër elipse, ku në vatër (fokus) gjendet Dielli. Natyrisht se ky ligj ka përmbajtje më të gjerë dhe vlen jo vetëm për planetët, por edhe për të gjithë trupat që lëvizin nën ndikimin e forcës tërheqëse. Orbita e Tokës gjithashtu është elipse. Pra, sipas Keplerit u bë kalimi nga orbitat rrethore të Kopernikut në elipsa. Orbitat (trajektoret) e planetëve pak ndryshojnë prej rrathëve. Prej këtij ligji del se distanca e planetëve nga Dielli ndryshon. Prandaj, distanca Tokë - Diellë çdo ditë ndërrohet. Pika më e afërt e Tokës nga Dielli në trajektore quhet perihel (greqisht: peri - afër, pranë dhe helios - diell) e më i largëta afel (greqisht: ap - larg, dhe helios - diell). Pra ky ligj përcakton formën e rrugës (trajektores) së planetëve rreth Diellit.
  • 2. Ligji i dytë. - Radius-vektorët e planetëve për intervale të njëjta kohore përshkruajnë sipërfaqe të njëjta. Radius-vektorët e planetëve janë drejtëza, që bashkojnë qendrën e Diellit me qendrat e planetëve. Shpejtësia e planetëve që lëvizin rreth Diellit nuk është e njëjtë në çdo pjesë të trajektoreve, por ndryshon. Ajo varet nga largësia e planetëve nga Dielli. Afër perihelit shpejtësia e planetëve është më e madhe, ndërsa afër afelit, më e vogël. Pra, sipas ligjit të dytë të Keplerit, shpjegohet shpejtësia e llojllojshme e planetëve. Të dy ligjet Kepleri i botoi në veprën “Astronomia nova” (Astronomia e re) më 1609.
  • 3. Ligji i tretë. - Katrorët e periudhës së rrotullimit të planetëve rreth Diellit janë proporcionalë me kubet e largësive mesatare të tyre prej Diellit. Nëse periudhën e rrotullimit dhe largësinë mesatare të një planeti nga Dielli, e shënojmë me T dhe a1 e të planetit tjetër T2 dhe a2, ligji i tretë i Keplerit mund të shprehet me formulën : T12:T22=a13:a23. Pra, me ligjin e tretë të Keplerit, janë përcaktuar raportet reciproke ndërmjet planetëve dhe Diellit. Meqë, sipas ligjit të tretë të Keplerit, të gjitha largësitë e planetëve nga Dielli mund t’i caktojmë nëse e dimë largësinë e Tokës nga Dielli, kështu që gjatësia e largësisë mesatare të Tokës mirret për një njësi gjatësie dhe quhet njësi astronomike. Ajo është 149.500.000 km. Nëse largësia e planetit nga Dielli është e madhe, rrotullimi i tij rreth Diellit do të jetë më i gjatë dhe anasjelltas. Kështu për shembull, planeti më i afërt i Diellit është Merkuri dhe revolucioni i tij zgjat vetëm 88 ditë të Tokës.

Isak Njutnoni

Me ligjet e Keplerit është vërtetuar se si planetët rrotullohen rreth Diellit. Por, ata nuk i japin përgjigje pyetjes : pse planetët rrotullohen rreth Diellit ? Kësaj pyetjeje i ka dhënë përgjigje matematikani dhe fizikanti gjenial anglez Isak Njutni (1643-1727) me ligjin e përgjithshëm të gravitetit (latinisht : gravitas - peshë, tërheqje) që thotë : fuqia e gravitetit ndërmjet dy trupave është në përpjesëtim të drejtë me prodhimin e masave të tyre, ndërsa në përpjesëtim të zhdrejtë me katrorin e distancës ndërmjet tyre. I shprehur me anë të formulës, ligji i përgjithshëm i gravitetit, duket si vijon :

Ligjin e përgjithshëm të gravitetit Isak Njutni e zbuloi në vitin 1665 dhe botoi në veprën “Bazat matematike të filozofisë natyrore” më 1687. Njutni ka vërtetuar se Toka tërheq Hënën, ndërsa Hëna Tokën. Pasi masa e Tokës është shumë më e madhe se masa e Hënës, Toka e detyron Hënën të sillet rreth saj, sepse Toka ka gravitetin 6 herë më të madh se Hëna. Për këtë arsye, nëse një person në Tokë peshon 72 kg, po ky person në Hënë do të peshonte 12 kg. Pra, nëse trupat kanë masën më të madhe, ato kanë ëshë forcën më të madhe të tërheqjes. Prandaj, trupi me masë më të vogël rrotullohet rreth trupit me masë më të madhe. Pasi që Dielli, ka masë dhe gravitet shumë të madh, tërheq dhe i detyron të gjithë anëtarët e sistemit diellor të rrotullohen rreth tij. Masa e Diellit është 750 herë më e madhe nga masa e gjithë planetëve bashkërisht që i takojnë këtij sistemi. Forca tërheqëse është karakteristike për çdo materie, madje edhe për grimcat më të vogla të gjithësisë.

Kështu gradualisht dhe me vështirësi të jashtëzakonshme është përvetësuar njëherë e përgjithmonë sistemi heliocentrik. Më së pari, Koperniku vërtetoi lëvizjen e Tokës dhe të planetëve të tjerë rreth Diellit. Pastaj, Kepleri zbuloi ligjet sipas të cilave planetët rrotullohen rreth Diellit, ndërsa Isak Njutni ka shpjeguar pse planetët rrotullohen rreth Diellit.

Hipotezat mbi krijimin e sistemit diellor dhe të Tokës

Çështja mbi krijimin e sistemit diellor dhe të Tokës është mjaft e vjetër. Edhe njeriu më i vjetër ka qenë i interesuar të njohë se si është formuar Toka dhe trupat tjerë qiellorë. Pasi nuk i ka njohur as ligjet themelore të natyrës, as formën dhe madhësinë e Tokës e as pozitën e saj në gjithësi, nënkuptohet që nuk ka mundur t’i japë përgjigje kësaj pyetjeje. Prandaj, formimi i Tokës dhe i sistemit diellor, si dhe shumë fenomene të tjera të natyrës, janë sqaruar me legjenda të ndryshme dhe me motive religjioze. Të shumë popuj të vjetër kanë ekzistuar legjenda të ndryshme mbi formimin e Tokës. Mirëpo, në të gjitha këto legjenda ka mbizotëruar një mendim themelor: Tokën e jetën në të, si edhe trupa të tjerë qiellor bashkë më gjithësinë e ka krijuar fuqia mbinatyrore. Me mbledhjen graduale të njohurive mbi gjithësinë, yjet, sistemin diellor, Diellin, Tokën si edhe mbi dukuritë e përgjithshme natyrore, njerëzit kanë formuar themelet për hipoteza shkencore mbi formimin e Tokës dhe të trupave të tjerë qiellorë.

Deri më tani janë paraqitur mbi 100 hipoteza mbi formimin e sistemit diellor dhe të Tokës. Mirëpo, me gjithë numrin e madh të hipotezave, të cilat ndërmjet vete dallohen esencialisht, sukseset e mëdha të shkencës dhe të teknikës bashkëkohore në përvetësimin e gjithësisë, mund të thuhet se çështja e formimit të Tokës nuk është sqaruar plotësisht.

Hipoteza është supozim shkencor, që duhet vërtetuar. Nëse provat vërtetojnë rregullsinë e hipotezës, ajo bëhet teori shkencore.

Në këtë rast do të njihemi me disa hipoteza më të rëndësishme mbi formimin e Tokës dhe të sistemit diellor. Shkenca, e cila merret me sqarimin e formimit të Tokës dhe të sistemit diellor quhet - Kosmogonia.

Hipoteza e Kant - Laplasit

Hipotezën e parë shkencore mbi formimin e Tokës dhe të sistemit diellor e paraqiti filozofi gjerman Emanuel Kant (1724-1804), në vitin 1754. Duke mos e ditur për hipotezën e Kantit, më 1796, mendim të ngjashëm parashtroi edhe mekaniku, matematikani dhe astronomi francez, Pjer Simon Laplasi (1749-1827). Më vonë mendimet e tyre u bashkuan në një dhe njihen në shkencë me emrin hipoteza e Kant-Laplasit ose hipoteza nebulare. Sipas kësaj hipoteze sistemi diellor është krijuar nga mjegullina e madhe e zjarrtë dhe shumë e rrallë, e cila është rrotulluar ngadalë rreth boshtit të vet, në drejtim të kundërt të akrepave të orës, nëpër hapësirën e ftohtë të gjithësisë dhe gradualisht është ftohur, dendësuar dhe zvogëluar. Duke u ftohur dhe duke e zvogëluar vëllimin e vet, mjegullina sferike, sipas ligjeve të mekanikës, vazhdimisht është rrotulluar më shpejt. Nën ndikimin e forcës centrifugale, mjegullina është shtypur në pole dhe është zgjeruar tepër në ekuator, ku forca centrifugale është më e madhe. Kohë pas kohe forca centrifugale ka qenë më e madhe se ajo centripentale. Prandaj, nga pjesa ekuatoriale e mjegullinës së zjarrtë janë ndarë disa mjegullina të zjarrtë më të vogla, në formë të unazave koncentrike. Këto unaza koncentrike kanë vazhduar edhe me tutje të rrotullohen rreth masës qendrore të mjegullinës - Diellit, i cili ka ndikuar në të me fuqinë e tij tërheqëse - me gravitetin. Pjesët unazore të mjegullinës janë ftohur, dendësuar dhe prej tyre me kohë janë krijuar planetët, ndër të cilët edhe Toka. Satelitët e planetëve, ndër këta edhe sateliti i Tokës - Hëna, janë krijuar prej unazave, të cilat janë ndarë prej masave të planetëve, para ngurtësimit të sipërfaqes së kores së tyre.

Hipoteza e Kant-Laplasit ka disa të meta :

  • 1. Sipas hipotezës së Kant - Laplasit sistemi diellor është krijuar nga mjegullina e zjarrtë, por hulumtimet e mëvonshme dëshmojnë se mjegullinat e gjithësisë janë vetëm në gjendje të ftohtë.
  • 2. Urani është i vetmi planet, i cili rrotullohet rreth boshtit të vet prej lindjes në perëndim. Pra, bën rrotullim të kundërt në krahasim me planetët e tjerë të sistemit diellor.
  • 3. Rrotullimi i kundërt i 4 satelitëve të Jupiterit, 1 të Saturnit, 4 të Uranit dhe 1 të Neptunit në krahasim me planetët e tyre.
  • 4. Rrotullimi më i shpejtë i disa satelitëve, se rrotullimi i planetëve të tyre.

Krijimi i planetëve sipas hipotezës së Kant - Laplasit

Kjo hipotezë kah fundi i shekullit XVIII dhe gjatë tërë shekullit XIX ka qenë mjaft e popullarizuar dhe është konsideruar si e pazëvendësueshme dhe gjeniale, ndërsa tani për shkak të metave të saj, që u përmendën më lartë, në literaturën shkencore është lënë krejtësisht pas dore. Kjo hipotezë përmendët si tentativë e parë shkencore për shpjegimin e krijimit të sistemit diellor dhe të Tokës. Pra, tani rëndësia e saj është kryesisht historike.

Hipoteza e Xhems Xhinsit

Një prej astronomëve të njohur anglez të shekullit XX ka qenë Xhems Xhinsi. Ai më 1919 supozon se para disa miliarda vitesh pranë Diellit ka kaluar një yll përmasa gjigante. Për shkak të fuqisë së madhe tërheqëse të tij, në Diell janë krijuar dy protuberanca, prej të cilave njëra ka qenë e drejtuar kah ylli, ndërsa tjetra në anën e kundërt. Nënkuptohet se protuberanca e formuar në anën e Diellit të kthyer kah ylli ka qenë më e madhe. Pjesa e shkëputur prej masës së Diellit, nuk ka mundur të bashkohet me yllin, i cili është larguar, por nën ndikimin e fuqisë tërheqëse të Diellit ka vazhduar të rrotullohet rreth tij. Duke u ftohur, duke u dendësuar dhe duke u bashkuar, bulëzat e zjarrta të pjesës së shkëputur nga ajo qendrore, janë formuar planetët më të mëdhenj, ndërsa nga pjesët periferike planetët më të vegjël, e ndër ta edhe Toka. “Protuberancat” e shkëputura prej Diellit kanë dhënë material edhe për formimin e satelitëve, asteroideve, meteorëve dhe kometave. Për shkak të forcës tërheqëse të Diellit dhe rotacionit të Tokës prej saj është shkëputur sateliti i saj - Hëna.

Xhems Xhinsi, siq përmendëm më lart, ka dhënë hipotezën e vet më 1919. Në fillim ka pasur shumë ithtarë, ndërsa sot pak janë ata që i besojnë hipotezës së tij. E meta më e madhe e kësaj hipoteze qëndron në faktin se krijimin e sistemit diellor e shpjegon si gjë krejtësisht të rastit, siç është rasti me kalimin e dy yjeve afër njëri-tjetrit. Hipoteza e Xhinsit u luhat edhe më shumë kur astronomi amerikan, Herri Noris Rasel i zbulon gabimet në llogaritjet matematike që i kishte bëtë Xhinsi, me rastin e paraqitjes së hipotezës së vet.

Hipoteza e Shmitit

Në kohën e fundit gjithnjë e më shpesh janë të pranishmë hipotezat, të cilat flasin se Toka dhe planetët tjerë janë krijuar nga dendësimi i grimcave të ftohta të pluhurit kozmik. Një hipotezë të këtillë më të njohur e ka paraqitur, në vitin 1946, shkencëtari dhe akademiku sovjetik, Oto Juleviq Shmit (1891-1956). Sipas hipotezës së tij, Dielli duke lëvizur rreth boshtit të Galaktikës, para rreth 6 miliardë vitësh, ka kaluar nëpër mjegullinën e pluhurit kozmik dhe ka tërhequr me vete një pjesë të kësaj mjegulline. Pastaj, kjo pjesë e mjegullinës është rrotulluar rreth Diellit. Në të janë ndeshur vazhdimisht thërmijat e pluhurit kozmik, duke u dendësuar në masë më të madhe edhe në fund janë formuar planetët. Edhe vetë planetët i kanë tërhequr pjesët e vogla të mbeturinave të mjegullinë së pluhurit kozmik, dhe prej atyre pjesëve janë krijuar satelitët e tyre. Dielli me afërsinë e vet, ka tërhequr tërë pluhurin që ka qenë në afërsi të Merkurit dhe të Afërditës, prandaj Merkuri dhe Afërdita nuk kanë satelitë të tyre. Planetët e mëdhenj, që gjenden më largë nga Dielli, kanë tërhequr sasi më të mëdha të pluhurit kozmik, prandaj kanë një numër më të madh të satelitëve.

Në dallim nga hipoteza e Kant - Laplasit ose hipoteza e Xhinsit, sipas hipotezës së Shmitit, Toka, planetët e tjerë dhe satelitët janë krijuar si trupa të ftohtë. Pjesa e brendshme e ftohtë dhe e rrallë ngjeshet, ndërsa nga fërkimi dhe presioni fillon ngadalë të nxehet. Kur temperature arrin në një shkallë të lartë, fillojnë reaksionet termobërthamore të shndërrimit të hidrogjenit në helium. Në këtë mënyrë në brendësi të planetëve, pra edhe të Tokës, është sajuar nxehtësia. Me rritjen e temperaturës masa e Tokës gradualisht shndërrohet në masë plastike. Për këtë shkak ka ardhur deri te depërtimi gradual i materjeve më të lehta kah sipërfaqja, ndërsa ato më të rënda, kanë zbritur në qendrat e tyre. Ky proces ende vazhdon. Prandaj, disa pjesë të sipërfaqes së Tokës gradualisht vijnë duke u lartësuar, ndërsa të tjerat më të rënda, ulen dhe fundosen. Kohë pas kohe këto procese janë të përcjella me tërmete dhe erupcione vullkanike.

Duhet të përmendim edhe hipotezat e Çembërlenit, të Miltonit, të Vajsekerit, të Arenijusit, të Kuperit, të Xhefrejsit, të Kameronit dhe atë të Hojlit.

Referime

Tags:

Gjeografia Historike Njohuritë e para mbi TokenGjeografia Historike Gjeografia antike GrekeGjeografia Historike Gjeografia në periudhën RomakeGjeografia Historike Gjeografia në kohën e Feudalizmit të hershëmGjeografia Historike Zhvillimi i gjeografisë tek arabëtGjeografia Historike Udhëtimet gjeografike prej shekullit X deri në shekullin XIVGjeografia Historike Periudha e zbulimeve të mëdha gjeografikeGjeografia Historike Gjeografia e shekujve XVI - XVIIIGjeografia Historike Gjeografia e shekujve XIX - XX (Bashkëkohore)Gjeografia Historike Forma e TokësGjeografia Historike Kuptimet mbi sistemin botërorGjeografia Historike Hipotezat mbi krijimin e sistemit diellor dhe të TokësGjeografia Historike ReferimeGjeografia Historike

🔥 Trending searches on Wiki Shqip:

Xha GorioEgjipti i lashtëDështimi i zhvillimit të fetusit (Aborti)KromozomiËKëshilli EvropianKulla EiffelKoniPyjet tropikaleKalendari katoliko-romak i shenjtorëvePenisiPlaku dhe detiAortaBashkitë e ShqipërisëShenjat astrologjikeVideosexRomantizmi në kulturën europianeShqipëria e MadheDeti AdriatikKorçaDeljaLufta e Dytë BotëroreSokratiFërkimiShpyllëzimiProteinaDrejtkëndëshiTeuta e IlirisëTeodor KollokotroniPsikozaDialektet e gjuhës shqipePoeziaDrogaRevolucioni industrialJezusiPrishtinaMuzika populloreNATOKarbohidratetEnergjia bërthamoreLedion LiçoAdolf HitleriSeminariHidrografia e ShqipërisëVenaBelgjikaShtetet anëtare të Bashkimit Evropian14 vjec dhëndërPula (shpend)MusaiShtetet anëtare të NATO-sGjergj FishtaAeroplaniAvullimiDashuriaShehadetiGjeografia e KosovësKimiaLigjet e NjutonitPjetër BogdaniEfekti serrëLojërat Olimpike VeroreGustav FloberPelikani kaçurrelFluturaKultura e ShqipërisëKrishtërimiMësonjëtorja e KorçësRiciklimiAlgoritmiIliadaEmriNeolitiOrganizata e Kombeve të BashkuaraRilindjaLiza (Aventurat e Lizës në Botën e Çudirave)Letërsia shqipeAleksandri i MadhZbulimi i elementeve kimike🡆 More