Gareth Bale

Gareth Frank Bale (lindur më 16 korrik 1989) është një futbollist profesionist i Uellsit i cili ka luajtur si sulmues anësor i djathte.

Ai konsiderohet gjerësisht si një nga anësorët më të mëdhenj të gjeneratës së tij dhe një nga lojtarët më të mëdhenj të Uellsit të të gjitha kohërave. I njohur për gjuajtjet e tij nga distanca, goditjet e lira me hark, dhe aftësinë për ti kaluar mbrojtësit me shpejtësi, Bale ka marrë lavdërime nga ekspertë të ndryshëm, të cilët e kanë përshkruar atë si një "futbollist me shpejtësi të jashtëzakonshme, aftësi krosimi të mirë, me një të majtë të saktë dhe cilësi fizike fantastike."

Gareth Bale
Gareth Bale
Bale me Real Madridin në 2015
Të dhënat vetjake
Emri i plotëGareth Frank Bale
Datëlindja (1989-07-16) 16 korrik 1989 (34 vjeç)
VendlindjaKardif, Uells
Gjatësia1.86 m (6 ft 1 in)
PozicioniAnësor
Të dhënat e klubit
Klubi aktual
Los Angeles FC
Numri11
Karriera me të rinjtë
2005–2006Southampton
Karriera me klube*
VitetKlubiNdeshje(Golat)
2006–2007Southampton40(5)
2007–2013Tottenham Hotspur146(42)
2013–2022Real Madrid176(81)
2020–2021Tottenham Hotspur (huazim)20(11)
2022Los Angeles FC12(2)
Gjithsej394(141)
Karriera ndërkombëtare
2005–2006Uellsi U177(1)
2006Uellsi U191(1)
2006–2008Uellsi U214(2)
2006–2022Uellsi111(41)
*Ndeshjet dhe golat me klubet llogariten vetëm për ligën vendase

Bale e nisi karrierën e tij si profesionist te Southampton, duke luajtur si mbrojtës i majtë ku dhe fitoi reputacionin si një specialist i goditjeve të lira. Ai u transferua te Tottenhami në vitin 2007 për 7 milion £. Gjatë kohës së tij te Tottenhami, ndryshimet manaxheriale dhe taktike bënë që ai të transformohej në një lojtar më sulmues. Në sezonin 2009–10, nën drejtimin e Harry Redknapp, Bale u bë një lojtar shumë i rëndësishëm i ekipit, duke fituar vëmëndje të madhe në UEFA Ligën e Kampioneve të sezonit 2010–11. Në vitet 2011 dhe 2013 ai u emërua PFA Lojtar i Vitit i Lojtarëve, si dhe ishte pjesë e UEFA Ekipit të Vitit. Në vitin 2013, ai gjithashtu u shpall PFA Lojtari i Ri i Vitit, FWA Futbollisti i Vitit si dhe Lojtari i Sezonit i Premier Ligës. Ai u nominua në PFA Ekipin e Vitit tre herë rresht nga viti 2011 e deri në vitin 2013.

Më 1 shtator 2013, Gareth Bale u transferua te Real Madridi për një shifër të pazbuluar. Shtypi në atë kohë raportoi se vlera e transferimit ishte nga 91 milion € e deri në 100 milion €. Në janar 2016, dokumentet në lidhje me transferimin u publikuan, duke treguar se shuma e transferimit ishte 100.8 milion €, duke thyer rekordin e vjetër 94 milion € të paguar nga Reali për Cristiano Ronaldon në vitin 2009. Bale luajti një rol shumë të rëndësishëm në sezonin e tij debutues në Madrid, duke ndihmuar ekipin të fitonte Kupën e Mbretit dhe UEFA Ligën e Kampioneve me nga një gol në secilën finale. Në sezonin e ardhshëm, ai fitoi UEFA Super Kupën dhe shënoi në finalen e tretë madhore të tij për të ndihmuar Realin të fitonte edhe FIFA Kupën e Botës për Klube. Dy vite më vonë, ai ishte protagonist në një tjetër fushatë të Ligës së Kampioneve, duke ndihmuar Realin ta fitonte sërisht në sezonin 2015–16. Performancat e tij bënë që ai të zgjidhej në Ekipin e Sezonit nga UEFA. Ai ishte finalist për çmimin prestigjoz UEFA Lojtari më i mirë në Evropë. Në finalen e vitit 2018, ai shënoi dy gola, përfshirë një me rrofeshatë, për ti dhënë ekipin titullin e tretë rresht si dhe u zgjodh lojtari i ndeshjes.

Bale bëri debutimin e tij ndërkombëtar për Uellsin në maj 2006, duke u bërë në atë kohë lojtari më i ri në histori që përfaqson vendin. Që ajo kohë ai ka luajtur më shumë se 80 ndeshje dhe ka shënuar 33 gola, që e bëjnë atë golashënuesin më të mirë të të gjitha kohërave të Uellsit. Ai ishte golashënuesi më i mirë i ekipit në fushatën e suksesshme kualifikuese për Euro 2016, duke regjistruar shtatë gola; ai arriti ta përfaqsojë vendin e tij në finalet e turnamentit, duke arritur një gjysëm-finale historike, me Bale që shënoi tre gola. Ai është shpallur Futbollisti Uellsian i Vitit plot gjashtë herë. Në vitin 2016, ESPN e renditi Bale të dymbëdhjetin në listën e tyre të atletëve më të famshëm të botës.

Jeta e hershme

Bale ka lindur në Kardif, Uells, nga prindërit Frank, një mësues shkolle, dhe Debbie, një menaxhere i operacioneve; ai ndoqi shkollën Eglwys Newydd Primary në Whitchurch. Ai është nipi i futbollistit të Cardiff City, Chris Pike. Kur ishte në shkollë ai fillimisht tërhoqi vëmëndjen e Southampton në moshën 9 vjeç, kur ai ishte duke luajtur në një turnament gjashë kundër gjashtë me klubin e parë Cardiff Civil Service Football Club. Duke u rritur, heroi i tij në futboll ishte mesfushori uellsian i Manchester United, Ryan Giggs.

Bale ndoqi gjimnazin Whitchurch në Kardif. Ai ishte një sportist i mprehtë dhe luajti futboll së bashku me kapitenin e ardhshëm të Uellsit në rregbi Sam Warburton. Në moshën 14 vjeç, ai përshkroi me vrap distancën 100 metra për vetëm 11.4 sekonda. Për shkak të aftësive të tij superiore në futboll, psikologu i shkollës, Gwyn Morris, shkruajti rregulla speciale të cilat e kufizuan Bale në lojën e futbollit; ai ishte i ndaluar për të luajtur me këmbën e tij të majtë. Gjatë kohës në Whitchurch, Bale u stërvit në akademinë e Southampton në Bath, dhe ishte në dyshim nqs Southampton do t'i jepte mundësinë uellsianit pasi ai ishte i shkurtër.

Pavarësisht se ishte vetëm 16 vjeç në atë kohë, ai ndihmoi skuadrën nën-18 të shkollës që të fitonte kupat Cardiff & Vale Senior. Ai e la shkollën në verën e vitit 2005 me gradën A. Në vitin e fundit të shkollës, ai u nderua me çmimin e departamentit të PE-së për shërbimet e tij në sport. Në një prezantimin, Morris komentoi:

"Gareth ka një vendosmëri të pafund për të pasuar e për të arritur qëllimet e tij personale. Ai është një nga individët më bujar që kam pasur kënaqësinë për t'a edukuar."

Karriera me klube

Southampton

Më 17 prill 2006, në moshën 16 vjeç e 275 ditë, Bale u bë futbollisti i dytë më i ri që luan me Southamptonin (pas Theo Walcott, i cili ishte 132 ditë më i ri) pasi u aktivizua në fitoren 2–0 kundër Millwall. Ai shënoi golin e parë në kampionat me një goditje dënimi në barazimin 2–2 kundër Derby County; goli i tij solli barazimin e përkohshëm 1–1.

Bale shënoi sërisht në stadiumin St. Mary's kundër Coventry City, në ndeshjen e dytë të Southamtonit për sezonin 2006–07, me një tjetër goditje dënimi. Bale pak nga pak po krijonte profilin e tij si një specialisht goditjesh dënimi duke shënuar edhe një tjetër kundër West Bromwich Albion. Nga 16 dhjetori i vitit 2006, numri i golave të tij ishte pesë, pasi ai kishte shënuar sërisht me goditje dënimi kundër Sunderlandit dhe Hull Cityt.

Tottenham Hotspur

Gareth Bale 
Bale i rreshtuar me Spurs para një ndeshje të Premier Ligës kundër Çelsit.

Më 25 maj 2007, Bale firmosi një kontratë katër-vjeçare me Tottenham Hotspur për një shifër transferimi fillestare 5 milion £, e cila potencialisht mund të shkonte 10 milion £ bazuar në bonuse të ndryshme.

Sezoni 2007–08

Bale luajti ndeshjen e tij të parë për Tottenhamin në një ndeshje miqësore kundër St. Patrick's Athletic më 12 korrik 2007; ai u zëvëndësua në minutën e 80të për shkak të një dëmtimi në këmbë. Ai luajti ndeshjen e parë zyrtaremë 26 gusht në transfertën kundër Manchester United. Në ndeshjen e tij të dytë me ekipin, Bale shënoi golin e parë për skuadrën e tij në barazimin 3–3 kundër Fulhamit më 1 shtator, duke realizuar pasi kaloi me lehtësi portierin Antti Niemi. Bale arriti të shënojë edhe kundër Arsenalit në Derbin e Londrës nga një goditje dënimi, duke ndihmuar Tottenhamin të fitonte 3–1. Goli i tij i parë në Kupën e Ligës erdhi në fitoren 2–0 kundër Middlesbrough më 26 shtator; ky ishte goli i tij i tretë në katër ndeshjet e para.

Bale u zëvëndësua si pasojë të një ndërhyrje të Fabrice Muambas në ndeshjen kundër Birmingham City më 2 dhjetor 2007. Një skanim zbuloi se Bale kishte pësuar dëmtim në ligamentin e këmbës së djathtë; ai u operua me sukses më 11 dhjetor. Nga shkurti i 2008–ës, u bë e qartë se Bale do të humbiste edhe pjesën tjetër të sezonit. Sezoni i parë i Bale nuk përfundoi siç duhet; ai luajti gjithsej 12 ndeshje në të gjitha kompeticionet dhe arriti të shënojë vetëm tre gola.

Sezoni 2008–09

Bale firmosi një kontratë të re pesë-vjeçare në gusht 2008. Në të njëjtin muaj ai u rikthye në formë fizike për të luajtur. Pas disa ndeshjeve jo të mira në fillim të sezonit, Bale humbi vendin e formacionit kundrejt Benoît Assou-Ekotto, por më pas e rifitoi sërisht në pjesën tjetër të sezonit. Në tetor 2008, ai u ndëshkua me karton të kuq për herë të parë në karrierë në një ndeshje ndaj Stoke City e cila u mbyll me një disfatë 2–1. Bale e mbylli sezonin me 30 ndeshje të luajtura në të gjithë kompeticionet, duke mos shënuar asnjë gol. Në atë sezon, ai luajti në finalen e Kupës së Ligës kundër Manchester United, duke u aktivizuar si zëvëndësues në minutën e 98të të kohës shtesë e cila sëbashku me kohën e rregullt u mbyll në barazim 0–0. Tottenham më pas u mposht 4–1 nga gjuajtjet e penalltive.

Sezoni 2009–10

Në qershor 2009, Bale ju nënshtrua një operacioni për shkak të një dëmtimi në gju, duke u detyruar të qëndronte jashtë fushave për dy muaj. Ai humbi ndeshjet miqësore para-sezonale dhe u parashikua se do të humbiste edhe ndeshjet në javët e para të sezonit 2009–10. Më 26 shtator, Bale bëri rikthimin e tij në fushat e lojës duke hyrë në fushë në minutën e 85të të fitores 5–0 kundër Burnley. Ndërkohë, ai shpenzoi disa kohë në stol si pasojë e formës së mirë të shfaqur nga Assou-Ekotto, por pas dëmtimit të kamerunasit, trajneri Harry Redknapp i dha mundësinë uellsianit dhe ky i fundit la mbresa në fitoren 4–0 kundër Peterborough në raundin e tretë të Kupës FA. Bale më në fund u rikthye të luaj si titullar në fitoren 2–0 kundër rivalëve të Fulhamit më 26 janar 2010.

Forma e mirë e Bale vazhdoi dhe ai u shpall "Lojtari i Raundit" pasi ndihmoi Tottenhamin të mposhte Fulhamin 3–1 në raundin e gjashtë të kthimit të Kupës FA. Në prill 2010, Bale shënoi golin e fitores në derbin londinez kundër Arsenalit në fitoren 2–1; ai dribloi portierin Manuel Almunia pas një pasimi të Jermain Defoe. Tre ditë më pas, Bale shënoi golin e fitores kundër kampionëve të atij sezoni Çelsit dhe u shpall "Lojtari i Ndeshjes". Ai më pas u shpall edhe Lojtari i Muajit i Premier Ligës për muajin prill. Më 7 maj 2010, Bale firmosi një kontratë të re katër-vjeçare si shpërblim për kontributin e dhënë për arritjen e objetivit për tu kualifikuar në Ligën e Kampioneve.

Sezoni 2010–11

Gareth Bale 
Arturo Álvarez i San Jose Earthquakes duke shmangur Bale (majtas) në një ndeshje miqësore në San Jose, California, korrik 2010.

Më 21 gusht 2010, Bale shënoi dy gola në fitoren 2–1 kundër Stoke Cityt, duke regjistruar golat e parë për sezonin e ri; goli i dytë ishte një gjuajtje vollej që përfundoi në trekëndëshin e djathtë të portës. Ky gol mori çmimin BBC Goli i Muajit për gushtin. Më 25 gusht, Bale asistoi të katër golat e fitores 4–0 kundër Young Boys në ndeshjen e kthimit të raundit play-off të Ligës së Kampioneve në White Hart Lane; Tottenhami u kualifikua në fazën e grupeve për herë të parë në histori me rezultatin e përgjithshëm 6–3. Pavarësisht se Assou-Ekotto ishte rikthyer nga dëmtimi, Bale vazhdoi të ruante vendin e tij në formacion falë performancave të vazhdueshme pozitive, duke bërë që trajneri ta zhvendoste në rolin e anësorit sulmues të majtë për ti bërë vend kamerunasit në rolin e mbrojtësit të majtë. Më 29 shtator, Bale shënoi golin e tij të parë në Ligën e Kampioneve në fitoren 4–1 kundër kampionëve të Holandës Twentes në ndeshjen e dytë të fazës së grupeve. Për performancat e tij gjatë vitit, Bale u nderua nga Federata Uellsiane e Futbollit me çmimin Futbollisti Uellsian i Vitit.

Më 20 tetor, Bale shënoi tregolëshin e parë në e karrierë kundër kampionëve evropian në fuqi Interit në San Siro në ndeshjen e rradhës në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve. Tottenhami u mposht 4–3, duke qënë katër gola në disavantazh në 35 minutat e para si dhe luajti me një lojtar më pak për rreth 80 minuta pasi portieri Heurelho Gomes u përjashtua me karton të kuq në minutën e 8të pas një ndërhyrje të gabuar ndaj Jonathan Biabianys. Në ndeshjen e kthimit në White Hart Lane më 2 tetor, Bale dhuroi një paraqitje të mrekullueshme pasi asistoi golat e sulmuesve Peter Crouch dhe Roman Pavlyuchenko, me Tottenhamin që fitoi 3–1.

Më 4 nëntor, Bale deklaroi se ai kishte qëllim të qëndronte te Tottenhami deri në fund të kontratës së tij katër-vjeçare, pavarësisht interesimeve të raportuara nga klubet e tjera. Në dhjetor, ai u nderua me çmimin "BBC Personaliteti i Vitit i Sporteve të Uellsit". Më 19 mars 2011, u njoftua se ai kishte rinovuar kontratën e tij deri në vitin 2015. Më 17 prill, Bale u nderua me çmimin PFA Lojtari i Vitit i Lojtarëve, i votuar nga kolegët e tij.

Me Tottenhamin, Bale fitoi vëmëndje ndërkombëtare falë paraqitjeve të tij në Ligën e Kampioneve, ku Tottenham arriti deri në çerek-finale.

Sezoni 2011–12

Bale shënoi golin e parë të sezonit më 24 shtator 2011 në transfertën kundër Wigan Athletic. Ndeshja u fitua me rezultatin 2–1 nga Tottenham. Goli i tij i dytë dhe i tretë erdhi më 30 tetor në formën e një dopiete në fitoren 3–1 në shtëpi kundër Queens Park Rangers. Ai vazhdoi formën e tij pozitive duke shënuar një tjetër gol në fitoren 3–1 kundër Fulhamit në javën e ardhshme, si dhe asistoi golin e Aaron Lennon për ta bërë rezultatin 2–0 në pjesën e parë. Goli i tij i parë më pas ju kreditua lojtarit kundërshtar Chris Baird si një autogol nga "komiteti i dyshimtë i golave".

Gareth Bale 
Bale në aksion për Tottenham Hotspur në vitin 2011.

Më 3 dhjetor, Bale shënoi golin e parë në fitoren 3–0 kundër Bolton Wanderers. Ai ja dedikoi golin bashkëkombasit Gary Speed, duke mbajtur në duar takën e tij të majtë që lexonte "R.I.P Gary Speed". Më 27 dhjetor, Bale shënoi dy herë në triumfin 2–0 kundër Norwich City. Më 5 janar 2012, Bale ishte një nga lojtarët të cilët u votuan në UEFA Ekipin e Vitit 2011. Dopieta e tij e tretë sezonale erdhi më 31 janar ndaj Wigan Athletic, që u mposht nga Tottenhami 3–1; me këtë dopietë ai arriti në kuotën e dhjetë golave sezonal. Ai u zgjodh Lojtari i Muajit i Premier Ligës për muajin janar, duke e fituar këtë çmim për herë të dytë në karrierë.

Më 27 qershor 2012, Bale firmosi një kontratë të re katër-vjeçare, gjë e mbajti në White Hart Lane deri në vitin 2016.

Sezoni 2012–13

Për sezonin 2012–13, Bale ndërroi numrin e fanellës, duke marrë numrin 11. Ai i kërkoi drejtuesve për një "numër më të madhë" pasi nuk ishte më një mbrojtës i majtë. Më 16 shtator 2012, ai shënoi golin e parë të sezonit në fitoren 3–1 në transfertë ndaj Reading. Më 29 shtator, Bale shënoi golin e dytë të Tottenhamit në fitoren 3–2 në transfertë kundër Manchester United; kjo ishte fitorja e parë e parë e tyre në Old Trafford që nga viti 1989.

Bale shënoi tregolëshin e parë në Premier Ligë në fitoren 4–0 kundër Aston Villës në Villa Park më 26 dhjetor 2012. Në ndeshjen e parë për vitin e ri 2013, Bale shënoi në fitoren 3–0 kundër Coventry City në raundin e tretë të Kupës FA si dhe asistoi dygolëshin e shënuar nga Clint Dempsey. Më 30 janar, ai shënoi një gol mbreslënës me një aksion individual në barazimin 1–1 kundër Norwich City Ky gol u ndoq nga një tjetër në fitoren minimale 1–0 ndaj West Bromwich Albion. Ai arriti në kuotën e 15 golave sezonal pas dopietës së shënuar në fitoren 2–1 ndaj Newcastle United. Kjo fitore e dërgoi Tottenhamin në vendin e tretë në kampionat, duke forcuar pozitat për një vend në Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm.

Në ndeshjen e parë të raundit të 32-tave të Ligës së Evropës kundër Olympique Lyonnais, Bale shënoi dy gola me goditje dënimi, përfshirë një në momentet e fundit të ndeshjes, për ti dhënë ekipit fitoren 2–1. Me këtë dygolësh, Bale kishte shënuar dhjetë gola në dhjetë ndeshjet e fundit. Pas kësaj, ai shënoi një tjetër dopietë në fitoren 3–2 ndaj West Ham United në Premier Ligë. Goli i tij i dytë, i cili erdhi në momentet e fundit të ndeshjes me një gjuajtje silurë nga jashtë zone, i dha fund një performance të klasit botëror. Ky ishte goli i tij i tetë në gjashtë ndeshjet e fundit në Premier Ligë.

Më 3 mars, Bale shënoi kundër Arsenalit në Derbin e veriut të Londrës që u fitua nga Tottenhami 2–1. Në ndeshjen e rradhës katër ditë më vonë, Tottenhami u përball kundër Interit në raundin e 16-tave e Ligës së Evropës, me Bale që shënoi golin e parë të një fitoreje 3–0 në shtëpi. Forma e tij pozitive në muajt e parë të Bale bëri që ai të shpallej Lojtari i Muajit i Premier Ligës për shkurtin, si dhe fitoi çmimin "BBC Goli i Muajit për janarin dhe shkurtin për finalizimet e tij respektivisht ndaj Norwich City dhe West Ham United. Më 4 prill, Bale dëmtoi kyçin e djathë në ndeshjen çerek-finaletë Ligës së Evropës kundër Baselit. Në rikthimin e tij nga dëmtimi, Bale shënoi dhe asistoi golin e Clint Dempseyt me Tottenhamin që mposhti Manchester Cityn në White Hart Lane.

Më 28 prill, Bale u nderua me çmimet PFA Lojtari i Vitit i Lojtarëve dhe Lojtari i Ri i Vitit pas paraqitjeve mbreslënëse në sezonin 2012–13. Një javë më vonë, më 2 maj , ai fitoi edhe çmimin FWA Lojtari i Vitit, duke u bërë lojtari i parë që nga Cristiano Ronaldo në vitin 2007 që fiton të tre çmimet në një sezon. Pas kësaj, Bale shënoi kundër ish ekipit të tij Southampton në një fitore 1–0. Ky ishte goli i tij i 20të sezonal në ndeshjen e tij të 200të për Tottenhamin. Më 19 maj, në takimin ndaj Sunderlandit për javën e fundit të kampionatit, Bale shënoi golin e fitores në minutën e 90të. Pavarësisht fitores, ekipi nuk arriti të siguronte një vend në Ligën e Kampioneve për sezonin e ardhshëm.

Real Madrid

Më 1 shtator, Real Madrid njoftoi se kishte arritur një marrëveshje për transferimin e Bale, i cili nënshkroi një kontratë gjashtë-vjeçare për një shumë të pacaktuar. Media spanjolle dhe Real Madrid TV rapotuan se Bale kushtoi 77 Milion £ (91 milion €), por ndërkohë media angleze raportoi se Bale ishte transferuar për shumën rekord 85 milion £ (100 milion €), duke e bërë atë në atë kohë lojtarin më të shtrenjtë të historisë së futbollit, duke thyer rekordin e Cristiano Ronaldos, i cili në vitin 2009 u transferua te Real Madridi nga Manchester United për 80 milion £ (94 milion €). Ai zgjodhi fanellën me numrin 11.

Sezoni 2013–14

Gareth Bale 
Bale duke luajtur për Real Madrid në shtator 2013.

Pjesa e parë e sezonit u kushtua nga dëmtimet për Bale; në 16 ndeshjet e para të Realit, ai humbi pesë, në gjashtë ndeshje ose u aktivizua si zëvëndësues ose u zëvëndësua kurse vetëm pesë i luajti të plota. Bale debutoi zyrtarisht më 14 shtator në ndeshjen kundër Villarrealit, duke shënuar gol në minutën e 38të para se të zëvëndësohej më vonë nga Ángel Di María. Ndeshja e tij e dytë me Madridin erdhi në në fitoren 6–1 kundër Galatasarayt në Ligën e Kampioneve; pavarësisht se luajti vetëm 26 minuta, goditja e tij e lirë solli golin e dytë personal të Ronaldos. Më 28 shtator, Bale debutoi në Santiago Bernabéu si zëvëndësues në pjesën e dytë të ndeshjes kundër rivalëve të qytetit Atlético Madrid.

Pas luajti disa minuta në ndeshjen e Ligës së Kampioneve kundër Juventusit, Bale debutoi në El Clásico më 26 tetor, duke luajtur 61 minuta në një humbje 2–1 kundër Barcelonës; performanca e tij u kritikua disi nga mediat. Katër ditë më vonë, Bale shënoi dy gola dhe asistoi dy të tjerë në fitoren spektakolare 7–3 kundër Seviljes; pas performancës së tij mbreslënëse, media spanjolle i vuri lojtarit pseudonimin "Topi".

Në nëntor, ai asistoi edhe dy gola të tjerë në fitoren 3–2 të ekipit kundër Rayo Vallecanos. Në ndeshjen e rradhës në Ligën e Kampioneve kundër Juventusit, Bale shënoi në barazimin 2–2 në Juventus Stadium. Goli i rradhës i tij në këtë kompeticion erdhi me një goditje të lirë në fitoren bindëse 4–1 kundër Galatasarayt, pavarësisht se luajtën me një lojtar më pak. Ai e mbylli muajin duke shënuar tregolëshin e parë për Real Madridin në fitoren 4–0 kundër Real Valladolidit; ai asistoi edhe golin e Karim Benzemas. Ky ishte një tregolësh i përkryer nga Bale, i cili shënoi një gol me kokë, një gol me të majtën dhe një me të djathtën.

Më 26 shkurt 2014, Bale shënoi dy gola në fitoren e Realit 6–1 kundër Schalke 04 në ndeshjen e parë të raundit të 16-tave në Ligën e Kampioneve. Në ndeshjen e parë çerek-finale kundër Borussia Dortmund më 2 prill, Bale kontriboi me një gol në fitimin e takimit 3–0, duke arritur në kuotën e pesë gola në këtë kompeticion. Në kampionat, ai shënoi katër gola në tre ndeshje nga java e 31të e deri në javën e 33të. Në këto ndeshje, Real Madridi mposhti Rayo Vallecanon (5–0), Real Sociedadin (4–0) dhe Almerían (4–0).

Më 16 prill, Bale shënoi golin e fitores për Real Madridin në finalen e Kupës së Mbretit kundër rivalëve të Barcelonës. I konsideruar si një nga golat më të bukur të karrierës së tij, ai kaloi me vrap mbrojtësin kundërshtar Marc Bartra duke u nisur nga mesi i fushës (duke vrapruar edhe jashtë vizave kufizuese për disa çaste) para se ta dërgonte topin poshtë këmbëve të portierit José Manuel Pinto dhe në rrjetë. Në intervistën pas ndeshjes Bale deklaroi: "Më duhej të dilja në krahë të lojtarit dhe duhej të dilja jashtë fushe që ta bëja këtë", kurse shoku i tij i ekipit Xabi Alonso komentoi: "Ishte e jashtëzakonshme, nuk kam parë asnjë gjë të tillë më parë." Ky ishte goli i tij i 20të sezonal dhe i pari në një El Clásico.

Më 24 maj, Bale shënoi në minutën e 110të të kohës shtesë të ndeshjes së finales së Ligës së Kampioneve kundër Atlético Madridit, duke i dhënë Realit avantazhin 3–1. Los Blancos në fund fituan 4–1 dhe siguruan trofeun e tyre të 10të në histori. Bale u bë uellsiani i parë në histori që shënon në një finale të Ligës së Kampioneve/Kupës Evropiane. Ai e mbylli sezonin debutues me Real Madridin duke regjistruar 22 gola dhe 16 asiste në të gjitha kompeticionet. Treshja e sulmit e Real Madridit, e përbërë nga ai, Ronaldo dhe Benzema, të etiketuar në media si BBC, e mbyllën sezonin me 97 gola.

Sezoni 2014–15

Gareth Bale 
Bale duke luajtur me Real Madridin në vitin 2015.

Bale e nisi sezonin e ri në formë të mirë, duke luajtur 90 minuta të plota në fitoren 2–0 ndaj Seviljes në UEFA Super Kupë; ai asistoi një nga golat e shënuar nga Ronaldo. Pas përfundimit të ndeshjes, performanca e tij u vlerësua si "e mrekullueshme" nga Ronaldo. Gjashtë ditë më pas, Bale regjistroi golin e parë të sezonit në disfatën 4–2 kundër Real Sociedadit në transfertë. Më 20 shtator, Bale shënoi dy gola në fitoren shkatërrimtare 8–2 të Realit kundër Deportivo La Coruñas.

Në dhjetor 2014, Bale shënoi në fitoren 2–0 kundër San Lorenzos, duke ndihmuar Realin të fitonte trofeun e FIFA Kupës së Botës për Klube; kjo ishte hera e tretë që ai shënonte në një finale madhore. Në një ndeshje kundër Espanyolit më 10 janar 2015, Bale u vërshëllye nga një pjesë i tifozëve të Realit të cilët e etiketuan uellsianin si egoist për shkak se zgjodhi të gjuante në vend që të pasonte te Ronaldo, i cili ishte në një pozicion më të mirë për të shënuar. Ai u mbrojt nga trajneri Carlo Ancelotti për këtë dhe të vështirësi të tjera deri në fund të sezonit.

Më 18 prill, Bale pësoi një dëmtim në pulpë në ndeshjen ndaj Málagës.

Sezoni 2015–16

Bale shënoi dy gola në fitoren 2–0 kundër Real Betis më 24 tetor 2015. Dy golat e tij e çuan në 200 numrin e golave të shënuar nga treshja e sulmit "BBC", e përbërë nga Bale, Benzema dhe Ronaldo, që kur luajtën për herë të parë sëbashku në vitin 2013.

Më 20 dhjetor, Bale shënoi katër gola në fitoren rekord 10–2 kundër Rayo Vallecano. Më 9 janar 2016, Bale regjistroi tregolëshin e dytë të sezonit, në fitoren 5–0 të Realit kundër Deportivo La Coruña në ndeshjen e parë të Zinedine Zidane si trajner i Los Blancos. Dhjetë ditë më pas, Bale pësoi një dëmtim në pulpë në fitoren 5–1 në shtëpi ndaj Sporting Gijón, ku dhe shënoi golin e parë të ndeshjes. Rikthimi i tij ndodhi më 5 mars në fitoren tenistike 7–1 kundër Celta Vigos, ku ai u aktivizua si zëvëndësues dhe shënoi golin e fundit të ekipit të tij.

Më 20 mars, Bale shënoi në fitoren komode 4–0 kundër Seviljes, duke regjistruar golin e tij të 43të në La Liga; ky gol bëri që ai të kalojë Gary Lineker si britaniku me më shumë gola në historinë e La Ligas. Në muajin prill, Bale shënoi dy gola për Realin që përmbysi disavantazhin e dy golave për të fituar 3–2 kundër Rayo Vallecanos. Bale luajti rregullisht si titullar në Ligën e Kampioneve, e cila u fitua nga Real Madridi për herë të 11të në histori. Ai asistoi golin e vetëm të ekipit në finale kundër Atlético Madridit, me kohën e rregullt dhe shtesën që u mbyll në barazim; në gjuajtjet e penalltive, Bale shënoi në tentativën e tij për të ndihmuar ekipin të fitonte 5–3.

Sezoni 2016–17

Më 30 tetor 2016, Bale firmosi një kontratë të re me klubin deri në vitin 2022. Më 22 nëntor, ai dëmtoi tendinat e kyçit të këmbës së djathtë gjatë ndeshjes kundër Sporting CP e vlefshme për fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve; si pasojë e këtij dëmtimi, Bale qëndroi jashtë fushave për katër muaj, pavarësisht se fillimisht u mendua se do të qëndronte jashtë për vetëm dy muaj.

Më 23 prill 2017, Bale luajti ndeshjen e tij të 100të në La Liga në humbjen 3–2 në shtëpi ndaj Barcelonës; gjatë ndeshjes, të cilin e nisi si titullar, ai u zëvëndësua për shkak se pësoi një dëmtim. Pavarësisht së pësoi disa dëmtime gjatë sezonit, Bale arriti të luajë 19 ndeshje në kampionat, që u fitua nga Real Madridi pas pesë vitesh. Pasi qëndroi jashtë fushave për një muaj, Bale u rikthye në kohë për finalen e Ligës së Kampioneve, ku Real Madridi sërisht fitoi, këtë herë duke mposhtur Juventusin në Kardif.

Sezoni 2017–18

Gareth Bale 
Bale (djathtas) me Luka Modrić gjatë finales së Ligës së Kampioneve 2018.

Gjatë sezonit 2017–18, Bale përmirësoi disi rekordin e tij të golave në kampionat, kompeticionet e kupave dhe në Ligën e Kampioneve. Ai luajti në sukseset e ekipit në UEFA Super Kupën 2017, Superkupën e Spanjës 2017 si dhe në fushatën e suksesshme në FIFA Kupën e Botës 2017, duke fituar plot tre trofe pa nisur ende viti 2018. Në La Liga, ai regjistroi 26 ndeshje dhe shënoi 16 gola, por Reali nuk mundi që të ruajë titullin, duke arritur vetëm një vend të tretë.

Në Ligën e Kampioneve të këtij sezoni, Bale kishte shënuar vetëm një gol para ndeshjes finale. Ky gol erdhi në fazën e grupeve kundër ekipit gjerman Borussia Dortmund, duke ndihmuar Realin të triumfonte 3–1 në transfertë. Në ndeshjen finalen ndaj Liverpoolit, Bale shënoi dy gola, fillimisht një me rrofeshatë nga jashtë zone dhe më pas një tjetër me një gjuajtje të fuqishme nga distanca, duke i dhënë ekipit fitoren 3–1, trofeun e 3të rresht dhe të 13tën në histori. Ai u bë lojtari i parë zëvëndësues që shënon dy gola në një finale të Ligës së Kampioneve si dhe u shpall lojtari i ndeshjes për performancën e tij.

Sezoni 2018–19

Pas shpërbërjes së treshes së sulmit BBC me largimin e Ronaldos te Juventusi dhe zëvëndësimit të Zidane nga trajneri i ri Julen Lopetegui, Bale luajti në çdo ndeshje të gushtit 2018, duke u nderuar me çmimin Cinco Estrellas Mahou si lojtari i muajit i Real Madridit; në këtë muaj ai shënoi ndaj Getafes dhe Gironës.

Më 19 dhjetor 2018, Bale shënoi një tregolësh në fitoren 3–1 ndaj Kashima Antlers në gjysëm-finalen e FIFA Kupës së Botës për Klube. Ai u bë lojtari i tretë në historinë e kompeticionit që shënon tre gola në një ndeshje pas Cristiano Ronaldos dhe Luis Suárezit. Përveç kësaj, ai u bë lojtari i tretë që shënon të paktën një gol në tre edicione të këtij kompeticioni pas Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit. Real Madridi u shpall fituese e kompeticionit pasi mposhti në finale me rezultatin 4–1 Al Ain FC, kurse Bale u shpall fituesi i Topit të Artë si lojtari më i mirë.

Më 9 shkurt 2019, Bale regjistroi golin e tij të 100të me Real Madridin në të gjitha kompeticionet duke shënuar golin e tretë të ekipit të tij në fitoren 3–1 në transfertë ndaj rivalëve të qytetit Atlético Madrid; në këtë ndeshje ai u aktivizua si zëvëndësues. Megjithatë, ai shkaktoi polemika në media pas përfundimit të ndeshjes, kjo për shkak të festimit të golit "provokativ" që ai bëri ndaj tifozëve kundërshtar.

Sezoni 2019–20

Në korrik 2019, trajneri Zinedine Zidane deklaroi se Bale ishte pranë largimit nga klubi. Po në atë muaj, Jiangsu Suning bëri një ofertë për kartonin e lojtarit që u refuzua nga Reali. Në tetor të atij viti, Bale deklaroi se ai ishte "i nevrikosur" me Real Madridin dhe se kërkonte largimin, por më vonë në atë muaj Zidane tha se Bale nuk e kishte kërkuar kurrë largimin. Ish presidenti i klubit Ramon Calderon tha se Bale duhet të rikthehet te ish klubi i tij Tottenham. Ai luajti 16 ndeshje dhe shënoi 2 gola në La Liga, e cila u fitua nga Real Madridi për herë të 34të në histori.

Rikthimi te Tottenham Hotspur

Më 19 shtator 2020, Bale u rikthye te Tottenhami në formë huazimi për një sezon.

Los Angeles FC

Më 27 qershor 2022, Los Angeles FC njoftoi se kishte firmos me Bale në një marrëveshje një-vjeçare. Para këtij njoftimi, Bale kishte deklaruar se do ta vazhdonte karrierën në Major League Soccer.

Bale debutoi zyrtarisht më 17 korrik në fitoren 2–1 kundër Nashville SC, duke u aktivizuar si zëvëndësues në minutën e 72të. Gjashtë ditë më pas, në ndeshjen e tij të dytë me klubin, Bale u aktivizua sërisht si zëvëndësues dhe shënoi golin e parë në MLS në suksesin 2–1 ndaj Sporting Kansas City.

Karriera ndërkombëtare

Uellsi

Gareth Bale 
Bale (#11) duke bërë nxemje para nisjes së ndeshjes kualifikuese të Euro 2012 kundër Malit të Zi, 2 shtator 2011.

Bale u zjodh nga Uellsi në fund të sezonit 2005–06 për një ndeshje miqësore kundër Trinidad dhe Tabagos më 27 maj 2006. Në ndeshjen e zhvilluar në Graz të Austrisë, ai zëvëndësoi David Vaughan në minutën e 55të dhe asistoi golin e fitores së shënuar nga Robert Earnshaw në një fitore 2–1. Në moshën 16 vjeç e 315 ditë, Bale u bë lojtari më i ri në histori që luan për Uellsin, duke thyer rekordin e vendosur tre muaj më parë nga Lewin Nyatanga; rekordi i tij më pas u thye nga Harry Wilson në nëntor 2012.

Trajneri i kombëtares nën-21 Brian Flynn komentoi se Bale ishte potencialisht një yll i ardhshëm i futbollit, duke krahasuar aftësitë e tij teknike me Ryan Giggs. Më 7 tetor 2006, Bale u lojtari më i ri i historisë që shënon me Uellsit pasi i shënoi Sllovakisë me goditje të lirë në një ndeshje kualifikuese të Euro 2008. Bale ishte i disponueshëm për të luajtur me Anglinë për shkak së gjyshes së tij, por në vitin 2016 ai deklaroi: "Nuk më interesonte edhe nëse nuk do të kualifikoheshim asnjëherë – Unë nuk do luaja kurrë me Anglinë!

Pas një mungese të gjatë për shkak të një dëmtimi, Bale u rikthye dhe luajti si titullar në ndeshjen kualifikuese të Kupës së Botës 2010 kundër Finlandës më 10 tetor 2009. Katër ditë më pas, ai luajti në ndeshjen e fundit kualifikuese të Uellsit kundër Lihtenshtajnit, fillimisht duke shënuar golin e parë me goditje të lirë dhe më pas asistoi golin e dytë të shënuar nga Aaron Ramsey. Në dhjetor 2010, Bale u nderua me çmimin BBC Cymru Personaliteti i Vitit i Sporteve. Më 12 tetor 2012, Bale shënoi të dy golat e fitores 2–1 të Uellsit kundër Finlandës në kualifikueset e FIFA Kupës së Botës 2014.

Gareth Bale 
Bale duke luajtur me Uellsin në një ndeshje kualifikuese kundër Austrisë në tetor 2016.

Më 9 shtator 2014, Bale shënoi dy gola, një me kokë dhe një me goditje të lirë, me Uellsin që mposhti 2–1 Andorrën në ndeshjen hapëse të kualifikueseve të UEFA Euro 2016. Me këto gola, ai u bë golashënuesi i dhjetë më i mirë i Uellsit me 14 gola, sëbashku me John Hartson. Ai shënoi një tjetër dygolësh më 28 mars 2015 në një fitore 3–0 në transfertë kundër Izraelit. Më 12 qershor, në ndeshjen e tij të 50të me ekipin kombëtar, Bale shënoi golin e vetëm të ndeshjes kundër Belgjikës për ta dërguar Uellsin në krye të Grupit B. Pas kësaj, ai e dërgoi krosimin e Jazz Richards në rrjetë në fitoren minimale 1–0 kundër Qipros në Nikosia, duke e vendosur Uellsin vetëm tre pikë larg kualifikimit. Me Uellsin që kishte arritur kualifikimin në Euro 2016 (si dhe kualifikimin e parë në një turnament madhor që nga FIFA Kupa e Botës 1958), më 13 tetor, Bale regjistroi golin e shtatë në kualifikuese në ndeshjen e fundit të Uellsit kundër Andorrës në Stadiumin Cardiff City.

Më 11 qershor, Bale shënoi me goditje dënimi golin e parë të Uellsit në përballjen me Sllovakinë në ndeshjen e tyre hapëse të Euro 2016. Uellsi fitoi 2–1, duke arritur fitoren e parë në një turnament madhor që nga viti 1958. Ai gjithashtu u bë lojtari i parë që shënon në një turnament madhor për Uellsin që nga Terry Medwin, i cili i shënoi Hungarisë në Kupën e Botës 1958. Në ndeshjen e dytë në fazën e grupeve kundër Anglisë, Bale regjistroi golin e dytë në turnament me një tjetër goditje të lirë, por Uellsi u mposht 2–1; ky gol e bëri atë lojtarin e parë që shënon dy gola me goditje të lirë që nga Thomas Häßler i Gjermanisë në vitin 1992. Bale shënoi golin e tretë në turnament në fitoren 3–0 kundër Rusisë në ndeshjen e tretë të fazës së grupeve, duke u bërë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave i Uellsit në turnamentet madhore; ai kaloi Ivor Allchurch, i cili shënoi dy herë në Kupën e Botës 1958. Bale gjithashtu asistoi golin e dytë të ndeshjes të shënuar nga Neil Taylor. Në ndeshjen e raundit të 16-tave kundër Irlandës së Veriut në Parc des Princes, Bale dërgoi krosin në zonë që shkaktoi autogolin e Gareth McAuley dhe solli fitoren minimale 1–0 të Uellsit. Uellsi u eliminua në gjysëm-finale nga Portugalia me rezultatin 2–0.

Më 5 shtator 2016, Bale shënoi një dygolësh në fitoren komode 4–0 kundër Moldavisë, me Uellsin që e nisi fushatën kualifikuese të FIFA Kupës së Botës 2018 në rrugën e duhur. Me këto gola, ai parakaloi Ivor Allchurch dhe Trevor Ford si golashënuesi i dytë më i mirë në historinë e kombëtares, duke u renditur mbrapa Ian Rush. Më 28 mars 2018, falë tregolëshit të shënuar kundër Kinës në turnamentin miqësore Kupa e Kinës 2018, Bale u bë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave i vendit të tij me 29 gola, një më shumë se Rush.

Britania e Madhe

Bale, i cili plotësonte kriterin e moshën për të luajtur në Lojërat Olimpike Londër 2012, deklaroi në maj 2011: "Unë dua të luaj në lojërat olimpike" për kombëtaren britanike të futbollit, duke kundërshtuar Federatën Uellsiane të Futbollit. Më 28 tetor 2011, Bale u bë lojtari i parë që u fotografua duke pozuar me fanellën e mbështetësve të futbollit të Lojërave Olimpike Britanike Londër 2012. Si përgjigje, shefi ekzekutiv i Federatës Uellsiane, Jonathan Ford, tha: "Pozicioni ynë mbetet i pandryshuar. Ne nuk jemi për ekipin BM. Gareth mund të bëjë zgjedhjet e tij dhe të marrë vendimet e tij. Por ne nuk do të ndalojmë askënd të luajë." Një zëdhënës deklaroi në emër të Bale: "duke qënë se ai është 100% uellsian, ai është edhe britanik."

Në fund të qershorit 2012, Bale u tërhoq nga turnamenti për shkak të një dëmtimi në ije. Më 29 qershor, ai i tregoi menaxherit të ekipit kombëtar britanik, Stuart Pearce, se ai nuk do të ishte i disponueshëm për përzgjedhje për shkak se kishte përkeqsuar një dëmtim të vjetër në ije gjatë një seance stërvitore. Në funksion të kohës së shkurtër midis fundit të Lojërave Olimpike dhe fillimit të sezonit të Premier Ligës, Bale kishte vendosur të tërhiqej nga turnamenti në vend që të përkeqësonte dëmtimin. Bale u rikuperua nga dëmtimi i tij në kohën e duhur për t'u përfshirë në turnamentin para-sezonal të Tottenhamit në Shtetet e Bashkuara, duke shënuar kundër LA Galaxy në 24 korrik dhe kundër New York Red Bulls një javë më vonë.

Paraqitjet e Bale në ndeshjet para-sezonale të Spurs përkuan me ndeshjet olimpike të kombëtares britanike, e cila barazoi me Senegalin dhe më pas fitoi me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Uruguajin, duke përparuar në fazën me eliminim direkt, ku ata humbën ndaj Koresë së Jugut pas gjuajtjeve të penalltive. Tërheqja e Bale nga kombëtarja britanike solli thirrje për sanksione kundër tij, duke përfshirë një pezullim për pjesën e mbetur të fazës para-sezonale të Spurs, por, në mungesë të një ankese zyrtare nga kombëtarja britanike, asnjë vendim nuk u mor. Trajneri i Tottenhamit, André Villas-Boas, mbrojti lojtarin duke këmbëngulur që Bale "ishte shëruar më shpejt sesa pritej". Qëndrimi i klubit u mbështet nga kryetari i Shoqatës Olimpike Britanike Lord Moynihan.

Tottenham publikoi një deklaratë në lidhje me moszgjedhjen e Bale për në kombëtaren britanike, duke thënë se "Gareth pësoi një dëmtim ndërsa ai u rikuperua përpara se të bashkohej me ekipin e Stuart Pearce. Raportet e skanimit MRI iu dërguan ekipit mjekësor të FA më 29 qershor 2012. Ai më pas nuk u zgjodh në bazë të këtij dëmtimi dhe pamundësisë për të parashikuar kohën e rikuperimit. Ky vendim nuk u mor lehtë dhe u mor vetëm pas konsultimit me ekipin mjekësor të kombëtares britanike, të cilët ranë dakord pasi panë raportet mjekësore."

Profili i lojtarit

Stili i lojës

Gareth Bale 
Bale në aksion me Uellsin, 2015; në kulmin e karrierës, ai shquhej për shpejtësinë elektrizuese.

Bale ishte një nga futbollistët më të shpejtë të botës në kulmin e karrierës së tij. Ai e nisi karrierën e tij si mbrojtës i majtë dhe mesfushor i tërhequr i majtë. Pasi kaloi te Tottenhami, trajneri Harry Redknapp vendosi që ta zhvendoste uellsianin në rolin e sulmuesit anësor të majtë, kjo falë shpejtësisë së tij. Ishte ai pozicion ky Bale shkëlqeu dhe u bë një lojtar i klasit botëror. Ai njihet më së miri për formën fizike, shpejtësinë, forcën, rezistencën, aftësinë në duelet ajërore dhe shkathtësinë. Ai gjithashtu është i aftë si driblojë mbrojtësit kundërshtarë falë shpejtësisë, fizikut dhe atleticizmit; këto tipare e lejonë që të shfryztëzojë hapsirat dhe të bëjë vrapime mbrapa vijës së mbrojtjeve kundërshtare. Bale është gjithashtu një specialist i goditjeve të lira, kjo falë teknikës dhe kontrollit të topit, duke u vërtetuar falë dy golave me goditje të lira me hark kundër Lyonit. Ai përdor teknikën "knuckle ball" (gjuajtje me trin) kur ekzekuton gjuajtjet e lira. Pasi Bale u zhvendos më shumë në sulm me kalimin e viteve, ai filloi të shënonte gola rregullisht me gjuajtje të fuqishme nga jashtë zone. Përveç aftësive të tij atletike dhe sulmuese, Bale është vlerësuar nga media për intensitetin e punës dhe kontributin në mbrojtje.

Pasi Bale ishte bërë një nga anësorët sulmues të majtë më të rrezikshëm të botës, stili i tij i lojës fitoi admirime nga trajnerë, nga lojtarë aktiv dhe të tërhqur, përfshirë Luís Figon, José Mourinhon, Igor Štimac, dhe Dani Alvesin. Ai është përshkruar si një futbollist me një shpejtësi mahnitëse, aftësi të mira krosimi, me një këmbë të majtë të mirë dhe me cilësi fizike jashtëzakonshme. Ish lojtari i Liverpoolit dhe analist i BBC Sport Mark Lawrenson tha në vitin 2011: "Çfarë e bën Gareth Bale kaq të veçantë? Është e thjeshtë. Ai është një nga lojtarët më të shpejtë që unë kam parë, por ai ka një tjetër marsh dhe aftësinë për të gjetur atë shpejtësi shtesë brënda hapit tjetër. Ai ka aftësinë për të përdorur teknikën e tij me ritëm të madh."

Gjatë sezonit 2011–12, Harry Redknapp eksperimentoi duke e aktivizuar Bale në një rol të lirë, si mesfushor sulmues ose sulmues i dytë. Në sezonin e ardhshëm, trajneri i ri André Villas-Boas filloi ta aktivizonte lojtarin në këtë rol rregullisht.

Që pas transferimit të tij te Real Madridi, Bale është aktivizuar si anësor, por më shumti në krahun e djathtë, kjo pasi në krahun e majtë ndodhej Cristiano Ronaldo; ky pozicion i mundëson atij që të zhvendoset në qëndër dhe të gjuaj me të majtën nga jashtë zone. Në disa raste ai është aktivizuar në pozicione më të avancuara, si në rolin e qëndër-sulmuesit, kjo falë rekordit të shënimit të golave, lëvizjeve pa top, dhe inkursioneve sulmuese. Këto aftësi ai i kombinon me gjatësinë, forcën, kërcimin dhe aftësinë në duelet ajërore, duke bërë që të shkëlqej në këtë rol. Megjithatë, pavarësisht aftësive si futbollist, sezonet e tij të fundit te Real Madridi janë kushtëzuar nga dëmtimet e përsëritura.

Pritja

Më 2 nëntor 2010, pas përfundimit të ndeshjes së fazës së grupeve të Ligës së Kampioneve kundër Interit, shoku i tij i ekipit Rafael van der Vaart tha: "Të gjithë e kanë frikë atë. Maicon është një nga mbrojtësit më të mirë në botë, dhe ai [Bale] e vrau atë."

Në një raport të të njëjtës ndeshjes, gazeta spanjolle El Mundo tha:

Bale kombinon gjatësinë dhe ndërtimin e një vrapuesi 800 metrash si Steve Ovett me nxitimin dhe vrapimin e drejtë e një sulmuesi regbie si Bryan Habana. Dhe, kur arrin në fundore, ai jep krosime me hark si një brazilian. Fjalë të mëdha? Po, por kështu është Bale – lehtësisht ndjesia më e madhe në muajin e parë të Ligës së Kampionëve. Pyete Maicon se çfarë mendon pas dy ekspozitat që Bale shaflosi kundër Interit. Dje ai la Maiconin për të vdekur dhe më pas një dhelpër të moshuar si Lúcio u la si dikush që përpiqej të ndiqte gjurmët e avullit të një aeroplani. Tre gola dhe dy asistime – kundër kampionëve të Evropës. Performancat e tij kanë qenë mahnitëse.

Pas dy golave të Bale kundër Norwich City më 27 dhjetor 2011, trajneri Harry Redknapp tha:

Nëse e shesim, e kemi pasur apo jo? Do të ishte vetëm një Barcelona, një Man City ose një Real Madrid që do të ishte në gjendje të paguante për të. Ai është një lojtar i mahnitshëm. Ai ka gjithçka, nuk ka ndonjë dobësi në përbërjen e tij. Ai mund të godasë me kokë topin, është i fortë si një dem, ai mund të vrapojë, të driblojë dhe të gjuajë. Më e rëndësishmja nga të gjitha, ai është një djalë shkatërrues.

Duke folur në një intervistë në vitin 2013, mbrojtësi i Manchester Cityt, Micah Richards zbuloi se Bale ishte një nga kundërshtarët e tij më të vështirë me të cilin ishte përballur ndonjëherë, duke thënë se:

Normalisht unë jam më i fortë ose aq i shpejtë sa kundërshtari im të paktën. Por ai ishte më i shpejtë ose me të njëjtën shpejtësi, aq i fortë sa unë dhe ai ishte më i mirë se unë. Ai më dha një pasdite të vrullshme dhe nuk dija si të mbroja kundër tij."

Redknapp bëri komente edhe më pozitive në lidhje me Bale në tetor 2012, duke deklaruar se ai është në të njëjtën klas si Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi. Ai tha:

"Ai është një talent i mahnitshëm, dhe është pas Ronaldove dhe Messëve të kësaj bote dhe po bëhet gjithnjë e më i mirë. Ai është pothuajse i paluajtur, kur është në lojën e tij. Ai është një lojtar i mirëfilltë i klasit botëror. Nuk është askush për të cilin nuk mund të luante. Ai do të përmirësonte çdo skuadër."

Bale është akuzuar për simulime nga një pjesë e mediave britanike. Megjithatë, kjo është mohuar nga Bale, Redknapp, dhe trajneri i Uellsit Chris Coleman. Më 29 dhjetor 2012, Bale mori kartonin e tij të tretë të verdhë për simulim për sezonin 2012–13. Ky ishte edhe kartoni i verdhë i pestë për simulim që nga sezoni 2011–12, dhe asnjë lojtar në Premier Ligë nuk kishte më shumë se dy kartonë të verdhë për simulim që nga nisja e sezonit 2011–12. Që nga gushti 2008 e deri në largimin e tij nga Premier Liga, ai u ndëshkua tetë herë për simulim. Lojtari i rradhës me më shumë ndëshkime për simulim ishte me tre kartonë. Bale u rendit i 12ti në listën e ESPN të atletëve më të famshëm për vitin 2016, kurse The Guardian e renditi atë të shtatin në listën e futbollistëve më të mirë në botë për të njëjtin vit.

Jashtë futbollit

Jeta personale

Bale jeton në Londër me të fejuarën e tij Emma Rhys-Jones, të cilën e njohu në shkollë të mesme. Fëmija i tyre i parë, Alba Violet, lindi në Kardif më 21 tetor 2012, kurse vajza e tyre e dytë, Nava Valentina, lindi në të njëjtin qytet më 22 mars 2016. Më 17 korrik 2016, një ditë pas ditëlindjes së tij të 27të, Bale njoftoi se ai dhe Emma Rhys-Jones ishin fejuar. Më 9 mars 2018, Bale njftoi se e fejuara e tij ishte shtatëzanë me fëmijë e tretë të çiftit. Më 8 maj të atij viti, çifti njoftoi lindjen e djalit të tyre të parë, Alex Charles. Bale është teetotal.

Pasuria, media dhe kontratat

Gareth Bale 
Bale me këpucët e futbollit Adidas X15.

Më 26 mars 2013, Bale paraqiti një kërkesë në Zyrën e Pronës Intelektuale për të regjistruar një logo bazuar në festimin e golit të tij në formë zemre së bashku me numrin e skuadrës së tij (11) për t'u përdorur në një sërë mallrash si veshje dhe këpucë. Bale është pjesë e video lojës FIFA nga EA Sports, dhe ka qënë në në kopertinën e FIFA 14 për versionin britanik, irlandez dhe të lindjes së mesme, sëbashku me yllin global Lionel Messi. Festimi i tij me 'zemër' është pjesë e FIFA 14.

Bale ka mbështetur disa kompani në karrierën e tij dhe ka marrëveshje aktuale me Adidas, EA Sports, Lucozade dhe BT Sport. Në vitin 2014, ai mori një rrogë vjetore 14 milion £, kurse sponsorët e tij i fituan edhe 10 milion £ të tjera. Në mars 2014, Bale ishte lojtari i parë që veshi këpucët e futbollit të lehta Adidas F50. Në vitin 2015, ai prezantoi modelin Adidas X15.

Bale është aktiv në mediat sociale. Ai ka 35 milion ndjekës në Instagram dhe fiton 185,000 £ për çdo postim të sponsorizuar, duke qënë britaniku i dytë më i paguar pas David Beckham.

Golfi

Bale është një tifoz i madh i golfit dhe ka një kopje të gropës 17të – e quajtur ishulli Jeshil – në TPC në Sawgrass në kopshtin e tij të pasëm. Dashuria e tij për golfin solli kritika nga media spanjolle si arsyeja pse ai ka kaluar kaq shumë kohë i dëmtuar për Real Madridin.

Statistikat e karrierës

Klubet

    Redaktuar më 24 qershor 2020
Ndeshjet dhe golat sipas klubit, sezonit dhe kompeticionit
Klubi Sezoni Liga Kupa Kupa e Ligës Evropa Tjetër Gjithsej
Divizioni Ndsh Gola Ndsh Gola Ndsh Gola Ndsh Gola Ndsh Gola Ndsh Gola
Southampton 2005–06 Championship 2 0 0 0 0 0 2 0
2006–07 38 5 1 0 3 0 1 0 43 5
Gjithsej 40 5 1 0 3 0 1 0 45 5
Tottenham Hotspur 2007–08 Premier League 8 2 0 0 1 1 3 0 12 3
2008–09 16 0 2 0 5 0 7 0 30 0
2009–10 23 3 8 0 3 0 34 3
2010–11 30 7 0 0 0 0 11 4 41 11
2011–12 36 9 4 2 0 0 2 1 42 12
2012–13 33 21 2 1 1 1 8 3 44 26
Gjithsej 146 42 16 3 10 2 31 8 203 55
Real Madrid 2013–14 La Liga 27 15 5 1 12 6 44 22
2014–15 31 13 2 0 10 2 5 2 48 17
2015–16 23 19 0 0 8 0 31 19
2016–17 19 7 0 0 8 2 0 0 27 9
2017–18 26 16 2 1 7 3 4 1 39 21
2018–19 29 8 3 0 7 3 3 3 42 14
2019–20 16 2 1 1 3 0 0 0 20 3
Gjithsej 171 80 13 3 55 16 12 6 251 105
Tottenham Hotspur (huazim) 2020–21 Premier League 0 0 0 0 0 0 0 0 0 0
Gjithsej karriera 357 127 30 6 13 2 86 24 13 6 499 165

Kombëtarja

    Redaktuar më 6 shtator 2019
Ndeshjet dhe golat sipas ekipit kombëtar dhe vitit
Ekipi kombëtar Viti Ndsh Gola
Uellsi 2006 4 1
2007 7 1
2008 5 0
2009 7 0
2010 4 1
2011 6 3
2012 5 3
2013 5 2
2014 5 3
2015 6 5
2016 11 7
2017 3 0
2018 6 5
2019 9 2
2020 2 0
Gjithsej 85 33

Trofe

Klube

    Real Madrid

Personale

Referime

Lidhje të jashtme

Tags:

Gareth Bale Jeta e hershmeGareth Bale Karriera me klubeGareth Bale Karriera ndërkombëtareGareth Bale Profili i lojtaritGareth Bale Jashtë futbollitGareth Bale Statistikat e karrierësGareth Bale TrofeGareth Bale ReferimeGareth Bale Lidhje të jashtmeGareth Bale16 korrik1989Futbolli

🔥 Trending searches on Wiki Shqip:

Alban SkënderajKaliSistemi i tretjesDitar (Anne Frank)Laguna e KaravastasëGranit XhakaSazaniLibrat e shenjtë islamRrethi i Matit15 PrillTërmetiMitologjia grekeTumori i truritNdotja e ajritMejozaTurizmi në ShqipëriDialektet e gjuhës shqipeLekë DukagjiniHasan TahsiniLista e markave të automobilaveGjeografia e IranitHarta e BotësOrgazmaAutizmiKryqëzatatPrilli i thyerLiqeni i ShkodrësLumi i vdekurPërcaktoriPjesëzaKuzhina shqiptareNikola KopernikuHekuriFruthiEnzimatSpermaPsikozaVerdhëzaBioteknologjiaShenjat astrologjikeMeshariDuhaniAtenaMaqedonia e VeriutEmra pellazgëMacjaLista e filmave të ShqipërisëNdajfoljaPrilliBiznesiShkretëtiraRevolucioni i dytë industrialRespekt per te moshuarveLumi i ShalësHebrenjtë në Shqipëri, prania dhe shpëtimiMenopauzaLepuri i butëJemeniThethiUlçera në stomakShehadetiNdryshimi i klimësRënia e komunizmit në ShqipëriBeni ecën vetëLindja e MesmeRaketa balistike ndërkontinentaleLulekuqjaInxhinieria gjenetikeFormat e pashtjelluara të foljesFiset shqiptarePejgamberët në IslamDemografia e ShqipërisëErnest KoliqiMuzika populloreForcat e Armatosura të IranitEnergjia e ripërtëritshme në ShqipëriEmiratet e Bashkuara Arabe🡆 More